ATV

Category: Lajme

  • Policia shqiptoi mbi 1 800 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqiptoi mbi 1 800 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1874 gjoba në trafik.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 21 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 22 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 14 persona, ndërkaq 12 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit

    Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar marrëveshjet e nënshkruara gjatë 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, të hënën e kaluar.

    Në një postim në “X”, shefi i qeverisë thotë se Procesi i Berlinit për një dekadë ka afruar rajonin tonë dhe ka çuar Kosovën përpara drejt integrimit në BE.

    “Kosova ka qenë dhe do të jetë një anëtare proaktive dhe standarde në Procesin e Berlinit, duke avokuar për përparim më të madh me rregullat dhe vlerat e BE-së në thelb të tij”, ka shkruar Kurti.

    Në postimin e Kurtit mund t’i shihni marrëveshjet e nënshkruara dhe deklaratat e miratuara.

  • Aksident me fatalitet në rrugën Gjilan-Kamenicë, vdes një 33-vjeçar

    Aksident me fatalitet në rrugën Gjilan-Kamenicë, vdes një 33-vjeçar

    Një person ka vdekur dhe dy janë lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën e Kamenicës mëngjesin e së hënës.

    Lajmin për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Ai ka bërë të ditur se përkundër ndihmës së ofruar në emergjencë, viktima e moshës 33-vjeçare vdiq si pasojë e plagëve të marra.

    “Ju njoftojmë se sot më 21.10.2024 rreth ores 06:40 është raportuar për një aksident trafiku me lëndime në rrugën e Kamenicë afër pompës së karburanteve ” Hib Petrollit”. Njesia e Trafikut Rajonal dhe Ndihma e parë menjëher kanë dalë në vendë të ngjarjes. Edhe për kundër ndihmës së ofruar nga ekipi i Qendres Emergjente jemi njoftuar se rreth orës 07:38 vozitësi i veturës i moshës rreth 33 vjeçar ka ndrruar jetë”, ka bërë të ditur Hashani.

    I njëjti ka bërë të ditur se në aksident kanë qenë të përfshirë një kamionetë, ku drejtuesi i saj dhe një pasagjer janë jashtë rrezikut për jetë.

    Njësitet e trafikut rajonal janë duke i hetuar rrethanat se si ka ardhur deri tek aksidenti i rëndë.

  • Rikthehet në operim njësia A4 në TC Kosova A

    Rikthehet në operim njësia A4 në TC Kosova A

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se pas një angazhimi të madh nga menaxhmenti dhe stafi i Termocentralit (TC) Kosova A, njësia A4 është rikthyer në operim.

    Sanimi i defektit në kabllot e matjeve, i cili kishte ndodhur si pasojë e një lidhjeje të shkurtër, ka përfunduar nga profesionistët e korporatës në një kohë optimale. Falë këtij vullneti dhe përkushtimi të menaxhmentit dhe stafit të TC Kosova A, startimi i njësisë ka filluar sot me dt: 20.10,2024 pas mesnate. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ajo është sinkronizuar me rrjetin elektrike në ora 05:04 dhe gjendja e saj tani është stabile”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KEK.

    Ky rikthim në operim i njësisë A4 sipas komunikatës përfaqëson një arritje të rëndësishme për KEK, duke kontribuar në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike në vend.

    “Ne falënderojmë të gjithë punonjësit për angazhimin e tyre dhe jemi të bindur se ky sukses do të ndikojë pozitivisht në operimet tona të ardhshme. Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon të angazhohet për ofrimin e shërbimeve të besueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend”, përfundon njoftimi.

    Javën e kaluar ishte raportuar për një zjarr në Termocentralin Kosova A.

    Sipas zyrës për informim në KEK, njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe ishte shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.

  • ​Hoti: Nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në trefish

    ​Hoti: Nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në trefish

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se sipas ligjit për tatimin në pronë, nga janari 2025 do të rritet tatimi në pronë.

    Sipas tij barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe.

    Postimi i plotë i Hotit:

    Sipas ligjit të ri të tatimit në pronë, nga janari 2025 zbatohet norma progresive e tatimit në pronë, si në vijim:

    – Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,

    – Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,

    – Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,

    – Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,

    – Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%.

    Si rezultat, barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe. Shikoni tabelën në vijim: prona me vlerë 1 mil euro ngarkohet me 2,400 euro tatim; prona me vlerë 5 mil euro ngarkohet me 18,400 euro tatim; prona me vlerë 10 mil euro ngarkohet me 43,400 euro tatim.

    Norma progresive e tatimit në pronë nuk ka kuptim ekonomik për disa arsye. E para, ngarkesa tatimore në pronë është progresive për nga mënyra e llogaritjes – sa më e lartë vlera e pronës, aq më e lartë ngarkesa tatimore. E dyta, të hyrat e shtetit nga tatimi në pronë nuk kanë vetëm qëllime fiskale, pasi ato përdoren kryesisht për mbulimin e kostove të shërbimeve publike të lidhura me ato prona. E treta, të ardhurat që zotëruesi i pronës i ka përdorur për blerjen e pronës janë tatimuar më herët, ndërkaq të ardhurat që zotëruesi i pronës i gjeneron nga prona tatimohen si të hyra nga qiraja.

    Përveç kësaj anomalive, ligji i ri i tatimon edhe tokat bujqësore të kultivuara, të cilat me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.

    Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë këto norma. Siç kanë vlerësuar disa organizata ndërkombëtare, këto ndryshime janë bërë pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me ata që preken nga ky ndryshim, në veçanti bizneset.

  • ​Raportohen tri raste të kalimit ilegal të kufirit

    ​Raportohen tri raste të kalimit ilegal të kufirit

    Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të kalimit ilegal të kufirit, dy në fshatra të Leposaviqit ndërsa një tjetër rast në një fshat të Zubin Potokut.

    Në fshatin Zernosek, në Leposaviq raportohet se njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur në një person të dyshuar serb i cili ka kaluar ilegalisht kufirin. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Në fshatin Bello Bërdo, në Leposaviq policia ka njoftuar se është ndaluar një veturë që drejtohej nga një person i dyshuar, i cili ka kaluar ilegalisht kufirin.

    “Me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Derisa në fshatin Bubë, në Zubin Potok nga njësiti policor janë ndaluar një veturë dhe një kamion në të cilin gjendeshin një burrë dhe dy gra serbe të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë.

    “Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit lirohen dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Gërvalla bisedon me studentët shqiptarë në Cyrih

    Gërvalla bisedon me studentët shqiptarë në Cyrih

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka bashkëbiseduar me studentë shqiptarë në Cyrih të Zvicrës. Ajo ka thënë se njohuritë e këtyre studentëve, janë ato që i nevojiten Kosovës në radhë të parë.

    “Njohuritë tuaja janë ato për të cilat në radhë të parë kemi nevojë në Kosovë. Pra, shumë mirë kur vini për pushime, shumë mirë kur kaloni kohë të bukur në Kosovë. Por ajo që ne kemi nevojë është të organizohemi më mirë, të krijojmë platforma të veçanta, me qëllim që në momentin që ju dilni, në jetën tuaj profesionale, kontributi në Kosovë ka qenë një prej opsioneve tuaja”, u shpreh Gërvalla.

  • Katër raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës

    Katër raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës

    Katër raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës janë në raportin 24 orësh të policisë.

    Në Lipjan një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar me mjet të fortë dy burra tjerë.

    “Lipjan 20.10.2024-10:24. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte sulmuar fizikisht me një mjet të fortë dy viktimat meshkuj kosovarë. Viktimat nuk kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

    Në Obiliq një grua e ka sulmuar një tjetër.

    “Obiliq 20.10.2024-15:56. Është raportuar se viktima femër kosovare pas një mosmarrëveshje me të dyshuarën femër shtetase të Shqipërisë, ka pësuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”

    Një burrë në Prishtinë dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dhe kërcënuar një grua. Ai është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 18.10.2024-01:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Me datë 21.10.2024 i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”

    Po ashtu një grua ka raportuar se ka dhunë psikike dhe është kërcënuar nga një burrë.

    “Prishtinë 20.10.2024-17:30. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pasur dhunë psiqike dhe është kërcënuar përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore.”

  • Osmani mban takim më Kongresistin Ritchie Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon

    Osmani mban takim më Kongresistin Ritchie Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mbajtur një takim me Kongresistin, Rithchie Torres.

    Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se e kanë mbajtur një takim përmbajtësor me të për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, shkruan EO.

    Tutje, Osmani shprehet mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ajo falënderon mërgatën për organizimin dhe që sipas saj vazhdon të luajë rol kyç në kultivimin dhe fuqizimin e vazhdueshëm të kësaj aleance.

  • Haradinaj nderohet në Nju Jork, mirënjohjen ia dedikon bashkëluftëtarëve në UÇK

    Haradinaj nderohet në Nju Jork, mirënjohjen ia dedikon bashkëluftëtarëve në UÇK

    Gjatë ditës së djeshme, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u nderua nga kryetari i Yonkers Mike Spano me mirënjohje të qytetit.

    Lidhur me këtë, Haradinaj thotë se u ndje shumë i vlerësuar.

    “Në një ceremoni të veçantë në qytetin Yonkers, New York, Kryetari i qytetit, z. Mike Spano, më vlerësoi me Mirënjohjen e Qytetit. Njëherësh, duke shpallur zyrtarisht datën 20 tetor 2024 si “Dita e Nderuar e Ramush Haradinajt, me motivacionin; “Për njohjen e shërbimit shumëvjeçar ndaj vendit të tij dhe përkushtimin e tij në përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor, si dhe në shërbimin publik”. Gjithashtu në këtë ceremoni, Kryetari Spano shpalli gjithashtu 20 tetorin 2024 si ditën zyrtare të ngritjes së flamurit të Kosovës në qytetin e Yonkers”, shkruan Haradinaj në Facebook.

    “Ky nderim është një vlerësim jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që besojnë në një Kosovë të lirë, të zhvilluar dhe të integruar në NATO, si dhe në miqësinë e palëkundur mes popullit tonë dhe atij amerikan. E dedikoj këtë mirënjohje bashkëluftëtarëve të mi në radhët e UÇK-së dhe çdo ushtari amerikan që ka shërbyer në Kosovë. Ky çmim është dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta për një Kosovë më të mirë dhe më të fortë”.

    “Zoti e bekoftë popullin e Kosovës! Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”.