ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku reagon për sulmin ndaj kryetarit të Pejës: Gazin as s’mund ta ndalin as ta frikësojnë

    Abdixhiku reagon për sulmin ndaj kryetarit të Pejës: Gazin as s’mund ta ndalin as ta frikësojnë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagon për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    “Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë!”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka kërkuar që organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë.

  • Von der Leyen: Ka ende punë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Von der Leyen: Ka ende punë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet ende punë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, raporton EO.

    Sipas saj, BE-ja është e përkushtuar që të gjejë hapat e duhur për largimin e tyre dhe për t’i bindur shtetet anëtare.

    “Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

    Këtë deklaratë, ajo e ka bërë në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ku ka theksuar se Kosova ka punuar fort për fuqizimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    Sukses të madh, Von der Leyen e ka konsideruar edhe heqjen e vizave për Kosovën, gjë e cila tregon “sa shumë mund të arrijmë kur punojmë bashkë”.

    Presidentja e KE-së është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori. Së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

    Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe e u takua kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më 25 tetor, ajo ishte Serbi dhe do të zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

    Të njëjtën ditë, më 26 tetor, pas Kosovës, Von der Leyen do të jetë në Mal të Zi e do të pritet nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

  • ​Nënkryetarja e PDK-së: Dialogu në “vdekje klinike”

    ​Nënkryetarja e PDK-së: Dialogu në “vdekje klinike”

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Mimoza Ahmetaj, thotë se procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po shkon drejt “vdekjes klinike”.

    Ajo deklaron se përkundër takimeve në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel nuk pret rezultate konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur vitin e kaluar nga Kosova dhe Serbia.

    Sipas saj, kryeministri Albin Kurti, pavarësisht presionit ndërkombëtar nuk do ta dërgojë draft-statutin e asociacionit në Kushtetuese, kur kanë mbetur edhe tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Ahmetaj në një intervistë për KosovaPress flet për vizitën e sotme të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, mesazhet amerikane ndaj Kosovës, veprimet e qeverisë në veri dhe përgatitjet e PDK-së për zgjedhjet e shkurtit 2025.

    “Me të vërtetë dialogu ndodhet në një ‘vdekje klinike’. Në këta katër vjet të kësaj qeverie nuk është prodhuar diçka e prekshme dhe konkrete, përveç një marrëveshje, e cila është kontestuar në vazhdimësi edhe nga vetë partia në pushtet, e cila e ka pranuar si të tillë. Është pranuar marrëveshja e Brukselit, është pranuar aneksi i Ohrit, por pastaj kur është sjell në Prishtinë, estabilshmenti në Kosovë ka zgjedhur mënyra të ndryshme për ta interpretuar. Nga sot e tutje deri në zgjedhje, nuk pres të ketë ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, do të vazhdojë si i tillë si formë që të mbahen takime të tilla, për të thënë se po takohemi, por në të vërtetë nuk do të ketë asgjë konkrete”, tha ajo.

    Sipas saj, kreu qeveritar do të mundohet të shtyjë themelimin e asociacionit deri pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos i mbetet “patatja e nxehtë” në duar dhe të humbë vota.

    Duke folur për vizitën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ditë më parë në Kosovë, ajo deklaron se ai shprehu pakënaqësinë me politikën e Prishtinës zyrtare.

    “Do të mundohet që ta shtyjë implementimin e marrëveshjes, më saktë çështjen e statutit të asociacionit deri pas zgjedhjeve, në mënyrë që mos t’i mbet “patatja e nxehtë” në duart e veta, ani pse vetë është nënshkrues i marrëveshjes…Kam dilemat e mia që një gjë e tillë edhe mund të dërgohet nga Qeveria e Kosovës, pikërisht për faktin se jemi pak muaj larg nga zgjedhjet dhe një gjë e tillë mund t’i faturohet partisë në pushtet me vota ndëshkuese”, thekson Ahmetaj.

    Sa i përket vizitës së sotme të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Ahmetaj konsideron se për çështja e dialogut do të mbetet element kyç për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian në të ardhmen.

    “Zonja Ursula von der Lyen e ka bërë të qartë se do të jetë prioritet çështja e zgjerimit. Por ajo nuk do të bëhet pa e përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor veç e veç, pra është proces i bazuar në merita. Ashtu siç shtetet do të vazhdojnë me referoma, ashtu do të shpërblehen në procesin integrues. Në raportin me Kosovën elementi kyç, na pëlqeu apo jo neve, është çështja e dialogut dhe është porta përmes së cilit ne do të kalojmë në integrimin evropian”, deklaron ajo.

    Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, kritikon ekzekutivin se në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri e ka tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Ne në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri kemi tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës në tërësi. Jam shumë pro që sovraniteti i Kosovës të shtrihet në secilin cep të vendit tonë dhe s’ka një qytetar në vend që do të ishte kundër kësaj. Megjithatë, konsideroj se shtrirja e sovranitetit nënkupton edhe shtrirjen institucionale të sovranitetit – inkorporimi i gjyqësorit, policisë, administratës publike, civile dhe të gjitha institucioneve të tjera që do të duheshin të ishin në veri….21:17 Kjo është “fitore e Pirros” në emër të marrjes apo shtrirjes së integritetit në pjesë të caktuara, ne po e rrezikojmë tërësinë e integritetit territorial të Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare”, deklaron Ahmetaj.

    Duke folur për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, ajo paralajmëron se një gjë e tillë do të ndodhë edhe me një mision tjetër diplomatik, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje.

    “Informacionet janë të tilla se deri në fund të vitit mund të mbyllet edhe një mision. S’do të doja të bëja më tepër publike se kush dhe cili mund të jetë. Uroj që një gjë e tillë mos të jetë e vërtetë. Është mosdija, qasja e gabuar që kjo qeveri ka pasur me partnerët ndërkombëtarë që e ka sjellë Kosovën në këtë pikë”, tha ajo.

    Krahas këtyre, Ahmetaj thotë se PDK-ja synon t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt 2025, derisa shprehet e rezervuar për koalicionet e mundshme.

    “Ajo çka ne insistojmë është një politikë stabile e vendit, një zhvillim ekonomik, mbi të gjitha mirëqenie sociale dhe avancim të shtet-ndërtimit të Kosovës. Kosova s’është shtet i aventurave. Kosova është sublimim i ëndrrave dhe dëshirave dhe vullnetit të gjeneratave të tëra… PDK-ja synon t’i fitojë zgjedhjet dhe që Bedri Hamza të jetë kryeministër që do të qeverisë vendin. Ai është dëshmuar tashmë në të gjitha pozicionet që ka pasur – është njeri i domosdoshëm për qeverisjen e vendit më tutje”, shton nënkryetarja e PDK-së.

    Ajo kritikon shumicën parlamentare për ikje nga seancat e jashtëzakonshme, të ftuara nga opozita, gjë e cila sipas saj, tregon se pushteti aktual nuk është në gjendje të ballafaqohet me të vërtetën dhe konsekuencat si rezultat i politikave të të saja të gabuara katërvjeçare. /KP

  • ​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

    ​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur Serbinë si satelitin më i fortë të Rusisë në Evropë, për të cilën Bashkimi Evropian duhet të tregojë vendosmëri.

    Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me Ursula von der Leyen, uroi këtë të fundit për rizgjedhjen në krye të Komisionit Evropian, duke thënë se pret me padurim që ta vazhdojnë bashkëpunimin që kanë ndërtuar për gjatë viteve.

    Osmani tha se vizita e Von der Leyen në vendin tonë është vetëm pak ditë pas miratimit të agjendës së reformave për Kosovën.

    “Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë. Këta hapa konfirmojnë përkushtimin e BE-së për ta ofruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt integrimit në BE e po ashtu do të shërbejnë si një motiv shtesë për të punuar më shumë për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e Bashkimit Evropian. Padyshim që rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë por ia ka vlejtur, prandaj ne mezi presim që të zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo mundësi në muajt dhe vitet në vijim. Agjenda e reformave për Kosovën është fokusuar në pesë fusha prioritare, ekonomi, siguri energjetike, tërheqje të investimeve të huaja dhe fusha tjera, dhe parashihet që deri në fund të vitit 2027, Kosova të përfitojë deri në 882 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas zbatimit të të gjithë hapave të reformës që janë parashikuar në agjendën e reformave, respektivisht Kosova do të jetë përfituese më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani duke theksuar se Kosova shquhet për përafrimin e politikave të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes me politikat e BE-së.

    Megjithatë, Osmani shtoi se është fat i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe BE-në që një shtet siç është Serbia, vazhdon të jetë sateliti më i fort në Evropë.

    “Është koha e fundit që vendosmërinë që BE ka treguar në raport Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare, terroristë në shtator të vitit të kaluar gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizoj, jo vetëm Kosovë por të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo, derisa shtoi se Kosova në anën tjetër po dëshmon qasje konstruktive dhe po vepron në frymën e fqinjësisë së mirë, duke avancuar në sundim të ligjit dhe duke mbajtur sistemin më të avancuar kushtetues në të gjithë kontinentin evropian sa i përket pakicave.

    “Andaj sot kemi nevojë që Bashkimi Evropian t’i vlerësoj dhe t’i njoh këto arritje. Rrjedhimisht është edhe koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç që të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogun duke e bërë atë të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha presidentja Vjosa Osmani.

    Osmani ritheksoi se vendi ynë do të vazhdojë të jetë e palëkundur në aspiratat drejt anëtarësimit në BE.

    Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.

    Von der Leyen aktualisht është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat do të kenë mundësi të marrin vetëm pamje.

    Von der Leyen ndalesën e parë e kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.

    Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.

    Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. /KP

  • Vizita e Von der Leyen, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente

    Vizita e Von der Leyen, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, shkaku i vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të qëndrojë sot në Kosovë.

    Në njoftim thuhet se ndërprerja do të jetë në intervale të shkurta kohore dhe në segmentet ku pritet të kalojë eskorta. Gjatë kësaj kohe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit nga KE-ja në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën, përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

    Von der Leyen do të ketë takime me krerët e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

    Me presidenten do të takohet në orën 09:45, ku pas takimit do të mbajnë edhe konferencë për media. Ndërkohë, me Kryeministrin do të takohet në orën 11:15.

    Von der Leyen ka vizituar deri tash Tiranën, Shkupin, Beogradin dhe Sarajevën. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.

    Gjatë vizitës në Tiranë, Von der Leyen ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut.

    “Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Von der Leyen.

  • ​Tre të arrestuar në veri për armëmbajtje pa leje

    ​Tre të arrestuar në veri për armëmbajtje pa leje

    Dy persona në dy raste të ndara në Zveçan dhe një tjetër në Mitrovicën e Veriut, janë arrestuar dje gjatë ditës për armëmbajtje pa leje.

    Sipas Policisë, në Zveçan, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi që te i njëjti gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Po në Zveçan, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi që te i njëjti gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë e gjuetisë.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Kurse, te Qeta e Minatorëve në Mitrovicë të Veriut, është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor për armëmbajtje pa leje.

    I dyshuari është intervistuar me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

  • Von der Leyen në Presidencë, pritet ngrohtësisht nga Osmani

    Von der Leyen në Presidencë, pritet ngrohtësisht nga Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën në Prishtinë, raporton EO.

    Pas takimit, Osmani dhe Von der Leyen pritet të mbajnë konferencë për media. Ndërsa, nga ora 11:00, Von der Leyen pritet ta takojë Kurtin.

    Presidentja e KE-së është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori. Së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

    Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe e u takua kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më 25 tetor, ajo ishte Serbi dhe do të zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

    Të njëjtën ditë, më 26 tetor, pas Kosovës, Von der Leyen do të jetë në Mal të Zi e do të pritet nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

  • Sulmohet fizikisht kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri

    Sulmohet fizikisht kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikishtsot në mëngjes në rrugën “Bill Klinton”, në Pejë.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, e ka konfirmuar për KosovaPress se janë arrestuar të dyshuarit për sulm.

    “Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga perona të dyshuar. Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë Rugova.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin janë arrestuar dy perosna.

  • ​Guvernatori Ismaili takoi zëvëndëspresidentin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare

    ​Guvernatori Ismaili takoi zëvëndëspresidentin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga delegacioni i tij, ka takuar zëvendëspresidentin Rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), Alfonso Garcia Mora.

    Në kuadër të këtij takimi, guvernatori Ismaili ka njoftuar zëvendëspresidentin Mora mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me qëllim të rritjes së qëndrueshmërisë së sektorin financiar dhe zgjerimin e shërbimeve financiare për qasje në financa.

    “Me theks të veçantë u diskutua për projektet aktuale në zhvillim të cilat po mbështetjen nga IFC-ja, duke përfshirë projektin për digjitalizimin e shërbimeve financiare. Palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e këtyre aktiviteteve, me kontribut dhe ndikim direkt në shërbimet financiare që ndihmojnë qasjen ne financa dhe gjithpërfshirjen financiare”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

  • ​Bujqit ankohen për vonesën në subvencione, Peci jep detaje

    ​Bujqit ankohen për vonesën në subvencione, Peci jep detaje

    Bujqit i kanë korrë e vjelë shumicën e prodhimeve bujqësore për këtë vit, por disa prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë. Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi.

    Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e vonuar për këtë vit. Të njëjtit kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave, derisa ka të tillë të cilët thonë se ende nuk janë vizituar fare nga komisioni për të verifikuar sipërfaqet e mbjella.

    Në anën tjetër, edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës kanë thënë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje për t’iu dalë subvencionet. Ndërsa, për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se mjetet do të ekzekutohen deri në fund të vitit fiskal.

    Derisa vlerësojnë se subvencionet duhet të rriten në disa kultura bujqësore, fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të bëjë një analizë rreth kësaj rritje.

    Fermeri Sali Abazi, i cili merret me blegtori e bujqësi për rreth 22 vite, ankohet për vonesën e subvencioneve. Ai thotë se këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë nga komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar.

    “Prej që kanë filluar subvencionet zakonisht ka pasur një ngecje në vonesë, këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar të vjeshtës, grurit dhe mbjelljeve vjeshtore, por, as të pranverës të misrit dhe kulturave tjera që mbjellën në pranverë. Ne kemi aplikuar me sa mbaj mend, në mars dhe prill ka qenë afati rreth 45 ditë për të aplikuar, për krerë qumështit që paguhen prej ministrisë rreth 90 euro, edhe për subvencionimin e grurit dhe të misrit. Ne të gjitha kulturat në korrik e kemi fshirë grurin dhe misrin, i kemi livruar të njëjtat parcela, i kemi mbjellë sërish sërish me grurë, megjithatë ende nuk kemi komision për të verifikuar, ose me ndonjë mesazh, që në të kaluarën na ka njoftuar ministria që është pranuar kërkesa jonë për aplikimin e subvencioneve. Ka shkuar pak gjatë, por, shpresojmë që është ndonjë gabim, defekt teknik i tyre, dhe shpresojmë që shpejtë do të vinë t’i verifikojnë ose të paktën të gjejnë mënyrën e pagesave për subvencioneve… Ka pasur edhe më herët ndonjë vonesë, por jo kaq të theksuar, kaq vonë, me sa mbaj mend unë”, thotë Abazi.

    Edhe fermerja Sadete Gecaj, e cila merret me bletari thotë se janë në pritje të subvencioneve për bletarinë organike, pasi siç thotë ajo, për korverciale janë ekzekutuar.

    Ajo thotë se Ministria e Bujqësisë duhet të shoh mundësinë që t’i rris subvencionet për bletarinë organike, pasi thekson se janë të ulëta.

    “Ne merremi me bletari më shumë se 11 vite. Që pesë vite merremi me bletari organike, jemi të certifikuar prej bioinspektes. 25 euro i marrim subvencionet për koshere të bletëve organike, 20 euro i marrim për kovercionale. Për bletari korvercionale janë dalë subvencionet, ndërsa për organike ende jo… janë kryer procedurat dhe jemi në pritje…për bletari organike janë shumë të vogla, sepse e ka koston shumë të lartë”, thotë Gecaj.

    Për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se deri në fund të vitit fiskal do të dalin subvencionet. Ai shton se gjithë buxheti, ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda gjashtëmujorit të parë t’i marrin subvencionet, objektivisht nuk mund të realizohet.

    “Rrjedhimisht subvencionet që i dedikohen fermerit janë brenda vitit fiskal, a e kemi kaluar vitin fiskal…Mjetet dalin pasi që suksesivisht të realizohen kontrolle dhe rend. Mandej, ka afate kohore, nëse flasim për kulturën e grurit, ata e kanë pas deri në shtator afatin për dorëzimin e sasisë së grurit për kilogram. Kështu, janë proceduar faza e subvencionimit për sipërfaqe për një pjesë të plehërimit dhe të naftës, por nuk është procesuar çështja e kilogramëve të grurit. Mandej, krejt buxheti ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda në gjashtëmujorin e parë t’i marrin subvencionet objektivisht, ajo nuk mund të realizohet në aspektin e menaxhimit financiar për shkak se ka cash flow, çdo muaj mbushet buxheti i Kosovës, dhe rrjedhimisht edhe buxheti i ministrive të linjës. Në pjesën e dytë të dhjetorit, atëherë në rast se ka vonesa mund të flasin për vonesa në pagesën e subvencioneve. Deri tash ka një dinamikë, janë mbi 30 milionë euro të procesuara vetëm në kategorinë e subvencioneve. E disa prej fermerëve janë në fazën e realizimit të pagesave, por njëkohësisht edhe në fazën e kontrolleve në terren”, thotë Peci.

    Ministri Peci shton se çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë, pavarësisht sfidave që ka potencuar, një ndër to edhe siç thotë ai “qeverisja e keqe e Avdullah Hotit”.

    “Ne vetëm vitin e kaluar i kemi parandaluar mundësinë e abuzimit të 2.5 milionë euro nga tendenca e disave për të aplikuar me sipërfaqe më të mëdha se që është sipërfaqja aktuale. Kështu, për gjithë fermerët mesazhi im është i qartë, pagesat që do të realizohen janë brenda vitit fiskal dhe kur të përfundon viti fiskal atëherë mund të flasim eventualisht për vonesa ose borxhet e fermerëve. Por, ne jemi qeveria e parë që në vitin 2022 dhe 2023 nuk ju kemi mbet asnjë cent fermerëve për gjithë punën e angazhimeve që kanë pas në kategorinë e subvencioneve, e rrjedhimisht nuk do të ketë as në vitin 2024, ndërsa e kemi gjet ministrinë me 41 milionë euro borxh… Çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë dhe duke përfshirë edhe rritjen e fermerëve, përkundër se qeverisja jonë ka qenë më sfiduesja për shkak se agresioni i Rusisë ka rrit deri në 300 për qind imputet bujqësore, mandej inflacioni i importuar nga Eurozona por edhe pjesët e tjera, mandej kriza energjetike edhe qeverisja e keqe e Avdullah Hotit që na ka lënë 41 milionë euro barrë”, shton Peci.

    Në anën tjetër edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës, thonë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje të subvencioneve.

    “Sipas informacioneve nga terreni ne si shoqatë ju informojmë se disa fermerëve kanë filluar t’u ekzekutohen pagesat, ndërsa një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje”, thonë në një përgjigje me shkrim nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës. /kp