ATV

Category: Lajme

  • Numër i madh i të papunëve, qeveria kritikohet për politika jo të mira

    Numër i madh i të papunëve, qeveria kritikohet për politika jo të mira

    Reflektim e politika më të mira po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës njohës të ekonomisë në vend. Kritikat janë shtuar pas publikimit të raportit të fundit nga Banka Botërore i cili nxori se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

    Derisa Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon, njohësit e ekonomisë thonë se “nuk ka vend për mburrje sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës”.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë stimuj konkret për të rinjtë që të fillojnë një biznes në Kosovë.

    Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se kjo çështje duhet të merret me seriozitet nga ana e institucioneve përgjegjëse.

    Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se raporti i Bankës Botërore duhet të jetë një shqetësim për qeverinë.

    Në raportin e fundit, Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, ndonëse paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt.

    Parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind. Ndërkaq për vitin 2025, Kosova parashihet të ketë rritje 3.9 për qind.

    Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit tha se “pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”.

  • Zelensky nënshkruan ligjin që lejon shtetasit e huaj të jenë oficerë në ushtrinë e Ukrainë

    Zelensky nënshkruan ligjin që lejon shtetasit e huaj të jenë oficerë në ushtrinë e Ukrainë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një ligj që lejon shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi të shërbejnë në pozicione oficeri në bazë kontraktuale brenda Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimit Special të Transportit Shtetëror dhe Gardës Kombëtare.

    Ky përditësim u raportua në rekordin zyrtar të projektligjit.

    Dokumenti iu kthye Verkhovna Rada me nënshkrimin e Presidentit më 25 tetor.

    Siç është raportuar më parë nga Ukrinform, më 10 tetor, Verkhovna Rada miratoi një ligj që përshkruan procedurat për shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi për të shërbyer me kontratë në Forcat e Armatosura, Shërbimin Special Shtetëror të Transportit dhe Gardën Kombëtare të Ukrainës, duke përfshirë mundësinë për të mbajtur poste oficeri.

  • Shkolla pa fotokopje, mësimdhënësit printojnë testet për nxënës me shpenzime personale

    Shkolla pa fotokopje, mësimdhënësit printojnë testet për nxënës me shpenzime personale

    Mësimdhënësit në shkollën fillore të mesme të ulët “Fadil Hisari”, në Prizren detyrohen t’i printojnë materialet për nxënësit me shpenzime personale në mungesë të pajisjes.

    Njëri nga mësimdhënësit që deshi të mbes anonim, i ka thënë KosovaPress-it, që ata po detyrohen të printojnë literaturën dhe materiale tjera të nevojshme në shkollore nëpër fotokopje private në qytet.

    Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj tha se kjo shkollë ka buxhet të mjaftueshëm për të siguruar pajisje për printimin e materialeve shkollore.

    Derisa tregoi se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth kësaj situate, Veselaj-Gutaj tha për KosovaPress, se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të renovimeve në këtë shkollë dhe se mund të ketë pasur ndonjë prishje.

    “Zyrtarisht nuk jam e informuar por shkollat e para, Komuna e Prizrenit, respektivisht Drejtoria e Arsimit e ka buxhetin e ndarë për shkollat dhe secila shkollë në bazë të kapacitetit të numrit të nxënësve e ka edhe pjesën e buxhetit. Që konsideroj se shkollat që janë më të mëdha siç është ‘Fadil Hisari’, kanë buxhet për të siguruar një fotokopje. E dyta shkolla ka qenë në renovim, ka mundësi që ka pasur ndonjë prishje ose pengesë dhe ajo mund të evitohet…Ne jemi në fazën finale të furnizimit me mjete siç janë kompjuterë, fotokopje dhe gjëra të tjera të shkollave ku ka mungesë dhe se javën e ardhshme besoj se do të fillojmë me shpërndarjen e tyre. Nëse është kështu siç po thoni ju, do ta pajisim edhe me një fotokopje”, tha Veselaj-Gutaj.

    Shkolla fillore e mesme e ulët “Fadil Hisari”, në Prizren është ndër shkollat me numrin më të madh të nxënësve në këtë komunë. Më 31 maj të këtij viti janë përuruar renovimet në këtë shkollë, me rastin e 44-vjetorit të themelimit të saj.

  • Çmimet e papërballueshme për qytetarët – Kaçaniku: Qeveria po merret me popullizëm e mashtrime

    Çmimet e papërballueshme për qytetarët – Kaçaniku: Qeveria po merret me popullizëm e mashtrime

    Rritja e çmimeve të produkteve bazike ka vazhduar ka qenë e dukshme, sidomos gjatë muajve të fundit, raporton Ekonomia Online. Çmimet e produkteve si buka, qumështi, vezët dhe mishrat kanë pësuar rritje prej 20-50% në disa raste.

    Kurse energjia elektrike dhe karburantet kanë pësuar rritje të konsiderueshme në disa raste duke tejkaluar 30%.

    Për krejt këtë situatë kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i tha Ekonomia Online, se Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator dhe nuk bënë politika të favorshme për të.

    Kaçaniku shtoi se mbi 90 për qind vendi ynë importon produkte dhe se asnjë premtim nuk është zbatuar që importi të zëvendësohet me prodhime vendëse.

    “Kur të nis nuk ka të ndalur, arsyet janë të shumta, por që ne kryesisht bazohemi në ndikimin e tregut global, janë ndikimin e krizave dihet botërisht që Republika e Kosovës është importuese e madhe shumë pak prodhojmë mbi 90 për qind importojmë, së bashku me importet i importojmë edhe çmimet e ngritura dhe inflacionit. Brenda vetës ne nuk kemi ende potencial as kapacitet që të mbrohemi nga inflacioni i importuar, ne vetëm duhet të presim kur të ndalet por tek ne nuk do të ndalet kurrë. Qeveria nuk mund të ndërmarrë asgjë nëse nuk ka platformë, shtylla e parë që i mungon Qeverisë është njohja qytetarja e konsumator dhe bërja e politikave të favorshme për qytetarët konsumatorë”.

    “Nevoja para konsumit është elementi kryesore e socio-ekonomike dhe pa nevojë nuk ka prodhim, arsyeja tjetër është sepse ne nuk kemi strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, prandaj nuk kemi ku të bazohemi. Asnjë propozim dhe as një premtim nga 99-ta e këndej nuk është marrë parasysh dhe nuk janë zbatuar. E kam fjalën për prodhimet e importuara do të zëvendësohen me prodhimet vendore. Jo që Kosova nuk ka dituri, por sikur dikush qëllimisht e pengonte, do ta thirrja Qeverinë që së bashkë me tregtinë të bëjnë një marrëveshje që të paktën mos ta injoroj prodhimin vendor. Dikush qëllimisht e injoron prodhimin vendor sepse nuk ka përfitime të mëdha aty, por më shumë ka përfitime te prodhimet e importit. Pastaj aty bëhen disa marrëveshje që Qeveria nuk i njeh, ndërsa ne si qytetarë ne i njohim sepse po ballafaqohemi me to çdo ditë të cilat Qeveria nuk i sheh”.

    Për Qeverinë, Kaçaniku ka potencuar se më shumë po merret me popullizëm dhe gjithë kjo, sipas tij, është bërë për vota.

    Siç theksoi ai, niveli qendror ka mashtruar qytetarët “kinse me rritje të pensioneve”, por në fakt qytetari ka kontribuar si taksa pagues i buxhetit të shtetit.

    “Këtë vendim Qeveria nuk ka mandat të caktoj reciprocitete, e të merret me popullizëm, me politizime por ka mandatin të bëjë politika të mira. Dhe politika e mirë ka të bëjë me njohjen e qytetarit konsumator dhe këtë nuk e ka bërë, kemi pasur ligje të mira të cilat kjo Qeveri por edhe të tjerat kanë qenë dashur t’i zbatojnë, janë marrë me popullizma, dhe kjo po bëhet për vota”.

    “Asnjë legjislaturë qeveritare nuk ka bërë asgjë për qytetarin konsumator, asnjëra, sepse nuk e njohin qytetarin konsumatorë, njëherë është taksa pagues si i tillë është zgjerues kryesor i buxhetit të shtetit, pra po financojmë shtetin Qeverinë dhe ia japim në mirëbesim që ta menaxhojnë. Ky buxhet Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator në asnjë trajtë tjetër, na mashtroi edhe me ngritje të pensioneve, kinse dikush po jep nga buxheti i tij”, potencoi Kaçaniku.

    “Të gjitha taksat i kanë marrë ose prodhuesit ose tregjet tjera, por qytetari konsumator nuk e ka shijuar, ne shumë shtrenjtë po na kushton kjo klasë politike. Ne nga të gjitha anët jemi të rrethuar nga ata që vetëm duan të kapin të zhvatin dhe ne jemi në shtetin tonë kemi mbetur si fëmijë vonjak”.

    Edhe qytetarët mendojnë që krahas pagave në Kosovë, çmimet e produkteve janë të papërballueshme për ta. Xhafer Berisha tha se krahas premtimeve të dhëna nga Qeveria, nuk është bërë asgjë për realizimin e kërkesave të qytetarëve.

    “Çmimet kanë shkuar astronomike, sipas premtimeve që ka dhënë kjo Qeveri nuk i ka mbajtur premtimet, çmimet kanë shkuar shumë lartë, kurse pagat janë dobëta. Këtu çmimet janë katastrofale dhe të papërballueshme, por po duhet disi me ia dalë sidomos shtresa të cilat kanë problemet financiare, shpresojmë që kjo Qeveria në ardhje do të merret me hallet e qytetarëve të cilët janë të papërballueshme dhe nuk janë as reale as njerëzore krahas premtimeve të dhëna, e shumë dikaster të tjera kanë ngecur të cilat çmimet kanë shkuar kurse pagat nuk janë askund”.

    “Kërkesa e Kurtit është që t’i përmbush premtimet e dhëna. Nuk janë askund ato premtime krahas me çmimet ekzistuese. Qytetari po i vuan këto çmime dhe këto standarde që i kemi katastrofale”, ka thënë Berisha.

    Muharrem Hoxha ka deklaruar se çmimet janë të papërballueshëm e sidomos për pensionistët që nuk kanë të ardhur tjetër përpos 120 eurove, raporton EO.

    “Çmimet nuk ka nevojë me pyet sepse po e dimë se sa po përballohet, sidomos ata që kanë mbetur me pension të pleqërisë 120 euro, çka me bë me ta nuk i dalin as më barna e jo për gjëra të tjera. Të gjitha po i bëjnë për me marrë vota, duhet të rrisin pagat, pastaj edhe blerja dhe prodhimi bëhet më e madhe, për ata edhe po ikin njerëzit, unë i kam katër fëmijët në perëndim. Djalin e kam me magjistër dhe arsimtar por ka ikë jashtë vendin”.

    Edhe Fatmir Berisha tha se të ardhurat janë të pakënaqshme, krahasuar me shtrenjtimin e vazhdueshëm çmimeve, raporton EO.

    “Rritje të çmimeve sa të duash por të përballueshme aspak. Tregu i lirë i dikton këto, janë të pa përballueshme sepse jeta shumë e shtrenjtë të ardhurat jo të kënaqshme. Kishte me qenë mirë që të ardhurat të rriten dhe çmimet të zvogëlohen. Si pensionist jam deri diku i kënaqur me këtë Qeveri”.

  • Brestovci: Kryeqytetit do t’i shtohen edhe tri kompani të pastrimit, ndryshon edhe orari i mbledhjes së mbeturinave

    Brestovci: Kryeqytetit do t’i shtohen edhe tri kompani të pastrimit, ndryshon edhe orari i mbledhjes së mbeturinave

    Problemi me mbeturina në Kryeqytet siç duket po i vjen fundi, pasi 2 mijë kontejnerë dhe tri kompani tjera private do të angazhohen për pastrimin e Kryeqytetit. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.

    Brestovci ka thënë se krahas kompanisë “Pastrimi”, do të hapin angazhojnë edhe tri kompani tjera për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa do të ndryshojë edhe orari i mbledhjes së mbeturinave. Ai ka thënë se prioritet i tij mbetet mbulimi komplet qytetit me kontejnerë të rinj.

    “Jemi duke shkuar, jemi duke e ekzekutuar një vizion edhe një strategji të cilën e kemi të kryetarit Rama. Ne siç e din opinioni publik, qysh në fillim të marrjes së mandatit tim si drejtor i Shërbimeve Publike, e kemi pajisur Kryeqytetin me 1370 kontejnerë, tani veç e kemi nënshkruar kontratën e dytë për ta pajisur edhe pjesën tjetër të Kryeqytetit me 2000 kontejnerë dhe presim që kjo kontratë maksimalisht deri më 10 dhjetor të jetë e përmbyllur. Kështu që do ta kemi komplet qytetin të pajisur me kontejnerë të rinj”.

    “Në anën tjetër, e dimë që në fillim të marrjes sime të mandatit e kemi angazhuar një operator ekonomik privat për të bërë bartjen e mbeturinave, sepse Ndërmarrja ‘Pastrimi’ me mekanizmin që e ka, nuk është as për afërsi në mundësi për të ofruar një shërbim cilësor, kështu që edhe kjo e ka dhënë një rezultat tepër të madh”, u shpreh Brestovci.

    Brestovci ka thënë se nga viti i ardhshëm do të shpallet tenderi për kompanitë private. Ka thënë se synojnë që të angazhojnë kompani private për grumbullimin e mbeturinave.

    Ai ka thënë se do të ndryshojë edhe orari i mbledhjes së mbeturinave, në mënyrë që këto intervenime të bëhen para orës 7 e mëngjesit.

    “Ajo çfarë ne po bëjmë, është që ne po përgatitemi për shpalljen e tenderit për vitin e ardhshëm 2025, ku Prishtinën do e ndajmë në mes të tri dhe pesë zonave plus një zonë rurale, që nënkupton përveç ndërmarrjes ‘Pastrimi’ do të jenë së paku edhe tre operatorë ekonomik privat të kyçur në grumbullimin e mbeturinave sepse po duam që të fusim pak më shumë konkurrencë dhe të ofrojmë shërbim më cilësor, por njëkohësisht po duam që ta shkurtojmë edhe kohën e intervenimit për grumbullimin e mbeturinave sepse kamionët për grumbullim të mbeturinave shpesh herë shkaktojnë edhe tollovi në komunikacion, kështu që synimi jonë është që krejt këto intervenime të bëhen dhe të përfundojë para orës 7 e mëngjesit në mënyrë që në qarkullim t’i kemi vetëm kamionët në ato destinacione apo lokacione ku grumbullimi i mbeturinave bëhet më shumë se një herë në ditë”, ka thënë Brestovci.

    Drejtori i Shërbimeve Publike ka thënë se do të pastrohen edhe deponitë ilegale, të cilat nuk janë pastruar qëllimisht pasi kanë dashur që qytetarët fillimisht t’i hedhin mbetjet vëllimore edhe ato ndërtimore, më pastaj të pastrohen.

    “Hapi tjetër që e kemi bërë në këtë drejtim, tani kemi pastruar edhe të gjitha deponitë ilegale, është një prej aksioneve më të mëdha të cilat kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës për pastrimin e deponive ilegale”.

    “Nuk e kemi bërë deri më tani qëllimisht dhe ka qenë pjesë e strategjisë sonë sepse ne kemi dashur që paraprakisht të krijojmë kushtet për qytetarët që ata të kenë ku t’i hedhin edhe mbetjet vëllimore edhe ato ndërtimore, e pastaj të bëjmë sanimin e deponive ilegale të krijuara pikërisht nga këto dy komponentë mbetjesh, kështu që ne veç në shtator kemi filluar tani me grumbullin e organizuar të mbetjeve ndërtimore dhe atyre vëllimore, kështu që i kemi përcaktuar 101 lokacione në Kryeqytet ku njëherë në javë vendosen kontejnerët për mbetjet vëllimore dhe ditën e njëjtë të javës pasuese vendoset për mbetjet ndërtimore”, ka deklaruar Brestovci.

  • Gjuhet me gurë treni Prishtinë-Pejë, Trainkos: Jemi në rrezik

    Gjuhet me gurë treni Prishtinë-Pejë, Trainkos: Jemi në rrezik

    Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. deklaron se po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve tona.

    Një incident i fundit ndodhi më 26.10.2024 në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761.

    “Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik.

    Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh, mjete këto të taksave të punonjësve të ndërgjegjshëm që e duan shtetin. Dëmtohen nga persona të pa ndërgjegjshëm, duke shkatërruar pasurinë publike dhe shtetërore” thuhet në njoftim të Trainkosit.

    “Defektet në lokomotivat tona, si ajo e datês 25.10.2024 te treni 761 dhe datës 14.10.2024 në linjën Prishtinë-Pejë, në kilometrin 37+500, si dhe vendosja e barrikadave me gurë në hekurudhë, i konsiderojmë akte sabotimi me elemente terroriste. Këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor.

    Ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes. Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve. Është e rëndësishme të theksojmë se këto veprime nuk cenojnë vetëm Trainkos-in, por rrezikojnë gjithashtu sigurinë kombëtare dhe interesin publik” thuhet tutje në njoftim.

  • Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën e IACP Boston

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën e IACP Boston

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë 2024 në Boston, Massachusetts.

    Më 18-23 tetor 2024, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorët e tij Nënkolonel Veton Elshani, Kapiten Bajram Shabani si dhe eprorë të tjerë nga Policia e Kosovës morën pjesë në Konferencën vjetore Ndërkombëtare të Shefave të Policisë (IACP) në Boston, Massachusetts.

    Policia e Kosovës mori pjesë në mbi 30 seminare dhe seanca plenare të kombinuara që përfshinin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale, besimin e komunitetit, ndërtimin e besimit përmes marrëdhënieve me mediat, reduktimin e aksidenteve në trafik si dhe seminarin ukrainas mbi policimin gjatë luftës.

    Kjo ngjarje e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit strategjik ka përfshirë shkëmbim përvojash me delegatë nga mbi 100 vende duke përfshirë ata nga Ballkani; Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si dhe me zyrtar te Shteteve te Bashkuara te Amerikës.

    Në ditën e fundit, nga Drejtori i Përgjithshëm Gazmend Hoxha dhe Drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut Alexander Janev, në një sallë të mbushur plot me delegatë nga e gjithë bota, u bë prezantimi me temën Bashkëpunimi Ndërkombëtar Kufitar: ‘Krimi i organizuar dhe terrorizmi në tranzicion’ që përfshinte raste që nxirrnin në pah bashkëpunimin e vendeve si rasti i monedhave të falsifikuara të Maqedonisë së Veriut si dhe kur vendet nuk e bëjnë këtë bashkëpunim rasti i sulmit në Banjskë, me 24 shtator 2023. Prezantimi i rastit të Banjskës u vlerësua shumë lart, si njëri nder rastet më të suksesshme të menaxhuara nga Policia e Kosovës.

    Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP), është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim për udhëheqësit dhe liderët e policisë në mbarë botën.

  • Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Edhe pse MSA vlerësohet si një veprim i rëndësishëm i ecjes drejt BE-së, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të hënën pas sulmeve hakmarrëse të Izraelit ndaj Iranit, sipas misionit të Izraelit në OKB.

    Irani ka kërkuar këtë mbledhje, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me sulmet e drejtpërdrejta ndaj tij herët të shtunën.

    Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, misioni i përhershëm i Iranit në OKB theksoi se veprimet e Izraelit “përbëjnë një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe integritetit territorial” të Iranit dhe janë “një shkelje e flagrant e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

    Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e cilësoi kërkesën e Iranit si “një përpjekje tjetër për të na dëmtuar, këtë herë në arenën politike”, duke u zotuar se do të “mbronte të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.”

    Pretendimin se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar Danon e quajti“të çuditshëm”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    “Irani nuk do të lejohet të vazhdojë të fshihet pas aleatëve të tij; sa kohë që Irani vazhdon të kërcënojë dhe të përpiqet të na dëmtojë, ai do të paguajë çmimin”, tha ai.

  • Moti për ditën e sotme

    Moti për ditën e sotme

    Sot në Kosovë na pret mot me diell dhe mjaft i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Pas një mëngjesi mjaft të freskët, vende-vende me mjegull dita vijon stabile dhe e këndshme me temperatura maksimale nga 18 deri në 22 C°.

    Në Shqipëri dhe rajon sot na pret mot ne diell dhe i ngrohtë pothuajse veror në mesditë ku temperaturat mund të shkojnë deri në 26 C° në viset më të ngrohta të Shqipërisë. Në viset tjera nga 20 deri në 25°C.

    Edhe fillimi i javës së re i ngrohtë dhe stabil. Nga e marta ulje të lehta të temperaturave dhe destabilizim i lehtë i atmosferës./MeteoBallkan