ATV

Category: Lajme

  • KE: Korrupsioni në Shqipëri, problem serioz

    KE: Korrupsioni në Shqipëri, problem serioz

    Shqipëria ka bërë pak progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo falë punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për lirinë e medias nuk sheh asnjë përmirësim.

    Kështu tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ia dorëzoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Evropian.

    Gonzato tha se KE-ja vëren angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian si përparësi kryesore strategjike. Gjithashtu, sipas tij, KE-ja vlerëson harmonizimin e plotë me politikat e jashtme të BE-së.

    Ai tha se nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë të hapë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025.

    Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

    Pasi renditi fushat ku Shqipëria ka bërë përparim, ambasadori u ndal te çështjet që shihen me shqetësim nga Komisioni Evropian.

    “Sa i përket kriterit politik, vlerësohet se funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht i kënaqshëm, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet dhe po rezulton edhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçë”, tha Gonzato.

    Ai e cilësoi urgjente nevojën për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik, duke e vlerësuar si thelbësor për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE-në.

    Korrupsioni mbetet sërish shqetësim serioz, përparimi që është shënuar vlerësohet se vjen falë punës së SPAK-ut, ndërsa ka shqetësim për politikën që përpiqet të ndërhyjë.

    “Korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të SPAK-ut, i cili ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete përshirë edhe për çështje ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë. Edhe në luftën kundër krimit të organizuar, KE-ja sheh disi progres, por edhe kjo falë punës së SPAK-ut. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor”, tha ambasadori i BE-së.

    “Për fat të keq nuk ka asnjë progres sa i përket lirisë së shprehjes, sidomos për çështje që kanë të bëjnë mbi vendosjen e interesave të biznesit, medias, politikës në këtë drejtim, dhe kushtet problematike të punës së gazetarëve”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë.

    Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi Raportin e Progresit real dhe të balancuar. Ai tha se janë vlerësuar të gjitha përpjekjet që ka bërë Shqipëria për të arritur progres në rrugën drejt BE-së e gjithashtu tregon qartë çështjet ku duhet fokusuar për përmirësim.

    Rama u ndal më shumë në arritjet e shënuara, si vlerësimi për rritjen ekonomike, procesin e digjitalizimit, reformat në fushën e energjisë, si dhe vlerësimin maksimal për politikën e jashtme.

    “Nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm se për notën maksimale kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Rama.

    I pyetur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me aksionin opozitar, Rama tha se Qeveria shqiptare është e hapur për diskutime, ndërsa ambasadori i BE-së tha se shpreson që të gjendet rruga për të riangazhuar opozitën, por kjo kërkon angazhimin e dy palëve.

  • ​Dogana e Kosovës largon pesë punëtorë nga puna dhe ka degraduar dy të tjerë

    ​Dogana e Kosovës largon pesë punëtorë nga puna dhe ka degraduar dy të tjerë

    Dogana e Kosovës njofton se ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj shtatë zyrtarëve të Doganës pas një hetimi.Në një thuhet se Dogana Kosovës është e përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit dhe llogaridhënies në shërbimin të publikut.

    “Pas një procesi të plotë hetimor, Dogana e Kosovës ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe ka degraduar dy të tjerë. Ky hetim identifikoi prova për keqpërdorim të detyrës, që çoi në këto veprime. Të gjitha veprimet disiplinore janë në përputhje me standardet e brendshme dhe janë kryer me respektimin e procesit të rregullt, duke rikonfirmuar se Dogana e Kosovës nuk toleron asnjë formë të abuzimit të detyrës gjë që forcon angazhimin tonë për transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në njoftim.

    Sipas Doganës, veprimet e ndërmarra tregojnë vendosmërinë tonë për të mbajtur një institucion të besueshëm dhe transparent.

  • ​SHBA kritikon Serbinë për synimin që t’i gjykojë krimet në Kosovë

    ​SHBA kritikon Serbinë për synimin që t’i gjykojë krimet në Kosovë

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

    “Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

    “Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

    Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

    Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

    Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij.

    Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

    Ai tha po ashtu se “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin ndonjë siguri juridike”, atëherë ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm”.

    Edhe Kosova e ka kritikuar këtë legjislacion të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial me këto projektligje.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

    Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.

    Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

    Kjo e shtyri Beogradin zyrtar të njoftojë në shtator se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e “interesave jetike kombëtare të popullit serb” në Kosovë.

    Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur më herët gjatë javës disa masa për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të “ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe” në Kosovë. /REL

  • ShBA-ja sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

    ShBA-ja sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.

    Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh. Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.

    Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.

    Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforwarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.

    Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë./REL/

  • Sinani: Raporti i BE-së për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

    Sinani: Raporti i BE-së për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

    Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 për Serbinë është thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar.

    Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se në raport janë vënë në vëmendje disa çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Luginë.

    “‘Pasivizimi’ i adresave dhe kontrolli i paqartë i statusit të rezidencës nga policia. Mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe polici”.

    “Tekste të pakta shkollore dhe pamundësi për arsim në gjuhën amtare. Kërkojmë që Serbia të veprojë tani për të përmbushur këto detyrime dhe të garantojë të drejtat tona si qytetarë të barabartë”, ka thënë Sinani.

  • Qeveria e ftoi për bashkëpunim, Edita Tahiri e refuzoi, ja cilat ishin kërkesat e saj

    Qeveria e ftoi për bashkëpunim, Edita Tahiri e refuzoi, ja cilat ishin kërkesat e saj

    Ish-kryenegociatorja në dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, disa muaj më parë ka deklaruar se është kontaktuar nga qeveria Kurti për të marrë detyra në dialog. Në lidhje me këtë, ajo foli (në detaje) në emisionin “LIBERO” dhe tha se kishte dy kërkesa.

    “…Pa pushtet nuk shkoj në dialog me Serbinë, kryenegociatore pa pushtet nuk shkoj, çka është kjo?… Pa pasur post në qeveri, pa qenë zëvendës kryeministre, nuk mund të bëhem kryenegociatore sepse kur i dalë përballë Serbisë (në Bruksel) nëse unë s’kam pushtet si do ta fitojë betejën… Këto ishin porositë e mia… kurrë nuk u lajmëruan më…”, theksoi Tahiri.

    Ish-kryenegociatorja Tahiri, u shpreh e ashpër derisa foli për Qeverinë Kurti për sa i takon diaologut me Serbinë.

    “…Kurti e dështoi Kosovën në këtë dialog. Nuk arriti marrëveshje me njohje reciproke edhe pse kishte përkrahjen e presidentit Biden i cili në letër thoshte se ky dialog duhet të rezultojë në njohje reciproke…”, potencoi ajo.

    Vlen të theksohet se Edita Tahiri ishte zëvendës kryeministre për politika të jashtme dhe siguri kombëtare, gjithashtu  udhëheqëse e negociatave Kosovë – Serbi (2011-2014). Ajo është emëruar edhe Ministre e Dialogut dhe Udhëheqëse e Negociatave të Qeverisë së Kosovës (edhe gjatë periudhës 2014 – 2017).

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Edita Tahirit në LIBERO, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Raporti i KE-së për Serbinë, Kamberi: Thirrje për drejtësi për shqiptarët e Luginës

    Raporti i KE-së për Serbinë, Kamberi: Thirrje për drejtësi për shqiptarët e Luginës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka komentuar raportin e Komisionit Evropian për Serbinë.

    Kamberi tha se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2024 sjell një pasqyrë të rëndësishme të situatës së pakicave, me fokus të veçantë mbi sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

    Ky raport sipas Kamberit e konfirmon atë që e kanë ngritur vazhdimisht.

    Postimi i plotë i Shaip Kamberi:

    Raporti i Serbisë 2024 është Thirrje për Drejtësi dhe Barazi për Shqiptarët e Luginës së Preshevës 🇦🇱

    Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë në vitin 2024 sjell një pasqyrë të rëndësishme të situatës së pakicave, me fokus të veçantë mbi sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

    Ky raport konfirmon atë që kemi ngritur vazhdimisht:

    Mungesën e zbatimit të vërtetë të të drejtave tona, pavarësisht ekzistencës së kornizës ligjore.

    Pasivizimi i adresave dhe kontrollet policore – Shqiptarët në Luginë përballen me kontrolle të rregullta mbi statusin e rezidencës që çojnë në “pasivizimin” e adresave, një veprim që rrezikon të na izolojë nga të drejtat bazë dhe qasja në shërbime shtetërore. Ky proces mbetet i paqartë dhe i paqartësuar për publikun, duke ngritur pyetje për transparencën e tij.

    Përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet publike dhe polici – Raporti thekson nevojën urgjente për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe policinë. Ky përfaqësim është thelbësor për të siguruar që zëri i komunitetit tonë të dëgjohet dhe që të kemi qasje të barabartë në vendimmarrje.

    Arsim dhe kulturë në gjuhën amtare – Tekstet shkollore në gjuhën shqipe mbeten të pamjaftueshme, ndërsa mësimi i gjuhës serbe për shqiptarët mbetet i papërshtatshëm dhe sfidues për studentët. Gjithashtu, qasja në ushtrimin e fesë dhe kulturës në gjuhën amtare është një e drejtë që ende nuk është përmbushur në nivel të mjaftueshëm.

    Media dhe publikimi në gjuhët edhe në gjuhën shqipe – mungesa e shërbimeve publike të mjaftueshme në gjuhët e minoriteteve është një problem madhor. Kjo kufizon aksesin e komuniteteve në informacionin e domosdoshëm dhe lë nevojat e tyre të pazëshëme në sferën publike.

    Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi në media dhe nga deputetë – Fatkeqësisht, ka raste të gjuhës së urrejtjes kundër minoriteteve, duke përfshirë komunitetin shqiptar, në media dhe madje edhe nga disa deputetë. Ky fenomen rrezikon të përkeqësojë më tej marrëdhëniet dhe të inkurajojë ndjenjat ksenofobike.

    Ky raport nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si thirrje që Serbia të përmbushë detyrimet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejtave e pakicave, të veprojë në mënyrë transparente dhe të respektojë të drejtat e shqiptarëve si qytetarë të barabartë.

    Ne nuk do të heshtim! Të drejtat tona duhet të mbrohen, dhe zëri ynë do të dëgjohet.

  • ​”Mjaft është mjaft”, Feronikeli 74 tërhiqet nga garat

    ​”Mjaft është mjaft”, Feronikeli 74 tërhiqet nga garat

    Skuadra e Superligës së Kosovës, Feronikeli 74 ka marrë vendim për t’u tërhequr nga të gjitha garat me arsyetimin se “referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë”.

    Ata gjithashtu kanë ftuar prokurorinë që “të hetojë referët dhe sjelljet e tyre të njëanshme”.

    Ky është njoftimi i plotë i Feronikelit 74:

    Të nderuar futbolldashës, tifozë “Tigrat e Zi”, simpatizantë, lojtarë, trajnerë, donatorë dhe qytetarë të Drenasit, me keqardhje ju informojmë se FC Feronikeli 74 ka vendosur të mos vazhdojë më garat në këto rrethana ku, sipas nesh, referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.

    Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin fair play të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: “Mjaft është mjaft!”

    Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndjemë humbës në fushë. Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë. Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por, për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër.

    Nëse FFK e konsideron të drejtë këtë qasje, ne nuk mund të jemi më pjesë e një gare të tillë. E ftojmë Prokurorinë që të hetojë referët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duam. Kërkojmë falje të sinqerta për futbollistët tanë, për tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah nesh ndër vite.

    Në këto rrethana, bordi së bashku me Presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më.

  • Gërvalla, në konferencën për Ukrainën: Pjesëmarrja e Kosovës dëshmon përkushtimin tonë në paqe

    Gërvalla, në konferencën për Ukrainën: Pjesëmarrja e Kosovës dëshmon përkushtimin tonë në paqe

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka udhëtuar drejt Kanadasë për konferencën e Ukrainës.

    Gërvalla përmes një postimi në facebook bëri të ditur se është takuar edhe me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

    Ajo, është shprehur se pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet.

    “Në Montreal të Kanadasë në pritjen e organizuar për delegacionet pjesëmarrëse në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën, organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha. Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar Gërvalla.

  • Ndërpritet seanca e Kuvendit, deputetët nuk kthehen pas pauzës

    Ndërpritet seanca e Kuvendit, deputetët nuk kthehen pas pauzës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka ndërprerë seancën e sotme të Kuvendit.

    Kjo pasi shumica e deputetëve nuk u kthyen në sallë pas pauzës që parashihej të zgjaste deri në orën 14:00.

    Seanca do të vazhdojë të hënën pas mbledhjes së Kryesisë.