ATV

Category: Lajme

  • Turqia shkarkon tre kryetarë kurdë

    Turqia shkarkon tre kryetarë kurdë

    Turqia ka shkarkuar tre kryetarë në rajonin juglindor me shumicë kurde, të cilët i akuzon për terrorizëm.

    Kryetarët e qyteteve Mardin, Batman dhe Halfeti u shkarkuan nga pozitat e tyre dhe u zëvendësuan me njerëz të besuar, tha Ministria e Brendshme turke.

    Të tre kryetarët janë pjesë e DEM, partia kryesore prokurde, të cilët ishin zgjedhur në zgjedhjet lokale të marsit, kur kandidatët opozitarë fituan në disa qyteza dhe qytete, përfshirë në Stamboll.

    Ahmet Turk, 82 vjeç, ishte kryetar i Mardinit, ndërkaq Gulistan Sonuk shërbente si kreu i Batmanit dhe Mehmet Karayilan ishte kryetar në Halfeti.

    Përmes një njoftimi, Ministria e Brendshme paraqiti akuza të forta kundër tyre, përfshirë akuzën se ishin anëtarë të një grupi të armatosur e deri tek akuza se përhapnin propagandë për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), që është e ndaluar në Turqi.

    Që nga viti 1984, PPK-ja zhvillon kryengritje kundër shtetit turk, kryengritje që ka lënë të vrarë mijëra persona, teksa PPK-ja është futur në listë të zezë edhe nga aleatët perëndimorë të Turqisë.

    Kurdët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë në Turqi.

    Partia DEM dënoi largimin e kryetarëve, duke e cilësuar si “sulm të madh ndaj të drejtave të popullit kurdë për të votuar dhe për të zgjedhur”.

    “Qeveria e ka bërë shprehu që të marrë atë që nuk mund ta fitojë përmes zgjedhjeve, duke përdorur gjyqësorin, policinë dhe sistemin e personave të saj të besuar”, tha kjo parti përmes një deklarate të publikuar në X.

    Ahmet Turk, një politikan i njohur kurd që ishte shkarkuar edhe dy herë më parë, në maj u dënua me 10 vjet burgim nën akuzat se ishte anëtar i PPK-së dhe nën pretendimin se ishte përfshirë në një seri të protestave vdekjeprurëse më 2014.

    Atëbotë, partia HDP – tani DEM – kishte bërë thirrje për protesta pas dështimit të Ankarasë për të dërguar trupa për të mbrojtur Kobanen, një qytet kurd në verilindje të Sirisë, që ishte marrë nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.

    Përmes një postimi në X, Turk tha se nuk do të dorëzohet.

    “Ne nuk do të zmbrapsemi nga lufta për demokraci, paqe dhe liri”, tha ai.

    Shkarkimi i tre kryetarëve vjen disa ditë pasi një kryetar tjetër i partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane, u arrestua nën dyshimet se ka lidhje me PPK-në dhe u zëvendësua me një të besuar të Ankarasë.

    Si Partia Popullore Republikane, ashtu edhe DEM, e dënuan arrestimin e kryetarit të një qarku të Stambollit, duke e cilësuar si të motivuar politikisht.

    Gjatë viteve të fundit, Qeveria turke ka shkarkuar dhjetëra kryetarë kurdë në juglindje dhe i ka zëvendësuar me njerëzit e saj të besuar./REL

  • Raporti i Progresit: Osmani vëmendje të lartë politike për barazinë gjinore

    Raporti i Progresit: Osmani vëmendje të lartë politike për barazinë gjinore

    Raporti i Progresit 2024 veçon përpjekjet e pandalshme të Presidentes Vjosa Osmani në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS).

    Kështu ka thënë Presidenca e Kosovës në një njoftim për media, e ku tutje thuhet se në raport është theksuar se vëmendja e lartë politike nga ana e Presidentes për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe viktimave të dhunës seksuale e njëkohësisht organizimi i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i cili kishte mbledhur mbi 1 mijë pjesëmarrës nga mbi 40 vende të botës.

    “Departamenti Amerikan i Shtetit ka zgjedhur Kosovën, përkatësisht Presidencën e Republikës së Kosovës si vendin e vetëm në Evropë, e ndër tri vendet e vetme në botë, për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë!”, thuhet në shkrimit e Presidencës në faqen zyrtare në Facebook.

  • Ministria e Drejtësisë njofton uljen e tarifave të shërbimeve noteriale e të përmbaruesve privatë

    Ministria e Drejtësisë njofton uljen e tarifave të shërbimeve noteriale e të përmbaruesve privatë

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se gjatë tri viteve të fundit ka krijuar lehtësira për qytetarë dhe biznese, duke ulur tarifat e shërbimeve ligjore.

    MD-ja ka theksuar uljen për 40 % të tarifave të përmbaruesve privatë, uljen për 25 % të tarifave të shërbimeve noteriale dhe heqjen nga përmbarimi të disa pagesave për kategori të caktuara.

    “Këto ndryshime bëhen për të siguruar që drejtësia të jetë më e përballueshme dhe e qasshme për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

  • Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

    Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zotuar se aleatët perëndimorë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, teksa nisi vizitën e tetë në Kiev, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022.

    Kjo vizitë më 4 nëntor po zhvillohet një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve amerikane, rezultati i të cilave është kritik për Ukrainën.

    “Gjermania, së bashku me partnerët në mbarë botën, qëndron fort në anën e Ukrainës”, tha Baerbock përmes një deklarate, teksa lufta në Ukrainë është duke shkuar drejt vitit të katërt.

    “Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë”, shtoi kryediplomatja gjermane.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale amerikane janë nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, që ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

    Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë së Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

    Ajo tha se Gjermania do të ndihmojë në luftimin e fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që “ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë”.

    Gjermania, mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, ka dhënë 170 milionë euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

    Për një kohë të gjatë, Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t’i japë raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus, por kancelari Olaf Scholz, ka refuzuar që të plotësojë këtë kërkesë të Kievit, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet.

    Scholz po ashtu ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një kërkesë e tillë është bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ai ua ka prezantuar “Planin e Fitores” aleatëve të tij perëndimorë. /REL/

  • Dy raste të dhunimit në Kosovë brenda 24 orëve

    Dy raste të dhunimit në Kosovë brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar të hënën për dy raste të dhunimit që kanë ndodhur në Kosovë, brenda 24-orësh.

    Sipas raportit, njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, për të cilin policia në bashkëpunim me prokurorinë është duke bërë hetime.

    “Me vendim të prokurorit, viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor”, thuhet në njoftim. Jozyrtarisht mësohet se pesë persona po dyshohet se kanë abuzuar seksualisht me viktimën e të cilët akoma nuk janë identifikuar.

    Të dyshuarit, sipas të gjitha gjasave, fillimisht e kanë detyruar vajzën të konsumojë substanca narkotike dhe pasi e kanë droguar, dyshohet se e kanë dhunuar.

    E mitura është gjetur diku në një rrugë të kryeqytetit në orët e mëngjesit të së dielës dhe më pas është njoftuar Policia.

    Ndërkaq, rasti tjetër ka ndodhur në Pejë, për të cilin është arrestuar një burrë si i dyshuar.

    “Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Javën e kaluar, ZPS-ja njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë.

    Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjashtë dëshmitarë dhanë dëshmi së fundi.

  • Paralajmërimi i Reuten: Nëse Serbia vazhdon të veprojë në këtë mënyrë, ne duhet jemi më të ashpër

    Paralajmërimi i Reuten: Nëse Serbia vazhdon të veprojë në këtë mënyrë, ne duhet jemi më të ashpër

    Qëndrimet e eurodeputetit holandez, Thijs Reuten, ndaj procesit të dialogut mes Koosvës dhe Serbisë vazhdimisht kanë qenë të prera dhe jo rrallëherë edhe të ashpra ndaj shtetit serb. Së fundmi, ai deklaroi se ka ardhur koha që Serbia të vendos mes Brukselit apo Moskës, duke paralajmëruar qasje më të ashpër.

    Ai po ashtu ka thënë se krerët e Serbisë kur janë në Bruksel thonë se “jemi partner me ju, por në anën tjetër thonë gjithashtu se janë miq të mirë me Kinën e Rusinë.”

    “Jam i tmerruar kur shoh vizitat e krerëve të lartë shtetëror serb në Moskë duke u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Për mendimin tim e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian, por në periudhën e fundit shoh mesazhe të përziera nga ta. Kur janë në Bruksel na thonë se jemi partner me ju, por në anën tjetër thonë gjithashtu se janë miq të mirë me Kinën e Rusinë. Besoj se tani ka ardhur koha që Serbia të vendos se në cilën anë është”, shprehet Reuten.

    Ai thotë se nuk i bën mirë Serbisë të marrë pjesë në një samit kur përfshihen shtete si Irani, Kina e Rusia.

    “Nuk mendoj se është mirë të jeni pjesë e një aleance ku Irani, Kina, Rusia luajnë rol kyç, prandaj edhe nuk po i kuptoj fare veprimet e Serbisë. Shkëmbimi tregtar mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian kap shifrën e 18 miliardë eurove. Serbia duhet të bëj pjesë në familjen e madhe evropiane, por veprimet e tyre ngritin shqetësime. Nëse Serbia vazhdon të veprojë në këtë mënyrë, atëherë ne duhet jemi më të ashpër”.

  • Një ditë para zgjedhjeve, Harris ka një paralajmërim për qytetarët amerikanë

    Një ditë para zgjedhjeve, Harris ka një paralajmërim për qytetarët amerikanë

    Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka paralajmëruar votuesit që të mos zhgënjehen nga pretendimet e Donald Trump për integritetin e zgjedhjeve presidenciale përpara ditës së fundit të votimit.

    Në veçanti, ajo paralajmëroi se njerëzit që nuk kanë votuar nuk duhet të mashtrohen.

    “Unë do t’u kërkoja veçanërisht njerëzve që nuk kanë votuar ende të mos mashtrohen nga taktika e tij, e cila mendoj se përfshin sugjerimin ndaj njerëzve që nëse votojnë, vota e tyre nuk do të ketë rëndësi”, tha Harris në një konferencë shtypi.

    “Unë mendoj se është një taktikë. Ajo ka për qëllim të largojë vëmendjen nga fakti se ne kemi dhe mbështesim zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Ne e bëmë në 2020. Ai humbi”, shtoi ajo.

    “Dhe sistemet që janë vendosur për këto zgjedhje në 2024 kanë integritet, janë sisteme të mira dhe vota e popullit do të përcaktojë rezultatin e tyre”, përfundoi zëvendëspresidentja.

    Bëhet e ditur se një gamë e gjerë sondazhesh tregon se të paktën shtatë shtete të fushëbetejës janë aktualisht shumë afër me rezultate, me as Harris dhe as Trump që nuk kanë një epërsi të fortë në votën popullore kombëtare, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

    Harris i bëri komentet e saj pas një tubimi të Trump, në të cilin ish-presidenti tha se ai “nuk duhej të largohej” nga Shtëpia e Bardhë pas zgjedhjeve të vitit 2020.

    Siç raportohet, në fjalimin e tij, Trump pretendoi se një sondazh që tregonte humbjen e tij në Iowa ishte një formë e ndërhyrjes zgjedhore dhe pretendoi pa dhënë prova se mashtrimi i votuesve tashmë është duke u zhvilluar në Pensilvani.

    “Kanë gjetur, siç e kuptoj unë… 2600 fletë votimi të gjitha të bëra nga e njëjta dorë, me fjalë të tjera, e njëjta mjeshtëri e saktë, e njëjta dorë, e njëjta gjithçka, të gjitha janë bërë nga i njëjti stilolaps, saktësisht i njëjti stilolaps. Dhe pastaj ata shkojnë dhe thonë, epo ky është një teoricien konspirativ. Është një gjë e tmerrshme që i ka ndodhur vendit tonë”, tha Trump.

    Fushata e republikanit ka premtuar se do të vendosë ekipe ligjore në të gjithë vendin për të paraqitur çështje që pretendojnë për mashtrim të votuesve dhe tashmë po ndërmerr veprime ligjore në shtetin e Gjeorgjisë.

    Ndryshe, në vitin 2020, Joe Biden fitoi votën popullore me një diferencë të qartë, por arriti vetëm një shumicë në Kolegjin Zgjedhor shumë të rëndësishëm duke siguruar diferenca të vogla në disa shtete që Trump fitoi në 2016.

    U deshën më shumë se tre ditë pasi u mbyllën vendvotimet për një fitore përfundimtare të Bidenit.

    Megjithatë, Trump pretendoi fitoren vetëm disa orë pasi kishte filluar numërimi, duke këmbëngulur se votat ishin vjedhur.

    Pasi Biden u shpall fitues, Trump ndërmori një fushatë ligjore dhe politike në shumë shtete për të provuar që rezultatet të përmbyseshin, por përpjekjet e tij dështuan.

    Fitorja e Biden u vërtetua nga Kongresi më 6 janar 2021 pas një sulmi në Kapitol nga një turmë mbështetësish të Trump.

  • Prokurorisë i kërkohet që urgjentisht t’i nisë hetimet për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës

    Prokurorisë i kërkohet që urgjentisht t’i nisë hetimet për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës

    Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës ka kërkuar veprim urgjent nga Prokuroria në nisjen e hetimeve lidhur me bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.

    Sipas sindikatës, ky veprim është ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile.

    FSP e PTK-së ka akuzuar Prokurorinë dhe institucionet tjera të drejtësisë për heshtje lidhur me këtë rast.

    “Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj. Ndërsa ne përballemi me pasojat e kësaj afere të gjatë kriminale që ka gërryer Telekomin e Kosovës ndër vite, institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, vazhdojnë të heshtin. Mungesa e veprimit nga ana e tyre jo vetëm që inkurajon padrejtësinë, por gjithashtu sinjalizon mosinteresim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe të pronës publike”, thuhet në njoftim.

    Në deklaratën e sindikatës tutje thuhet se Prokuoria duhet t’i ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin “e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin”.

    “Kërkohet marrje masash nga institucionet relevante për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij. Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë”, thuhet tutje në komunikatë.

  • Mustafi pas vendimit të gjykatës paralajmëron Vulinin: Shihemi në Strasburg

    Mustafi pas vendimit të gjykatës paralajmëron Vulinin: Shihemi në Strasburg

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme të Serbisë lidhur me mos dënimin e zëvendëskryeministrit të Serbisë Alekansar Vulin për deklaratat e tij “diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve”.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafi tha se ish ministri i Mbrojtës në vend që të dënohet, u mbrojt nga vendimi i gjykatës.

    Andaj Mustafi ka paralajmëruar Vulinin se rastin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë e pastaj në Strasburg.

    Postimi i plotë i Ragmi Mustafit:

    VULIN, NUK KEMI MBARUAR AKOMA – SHIHEMI NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË SERBISË, DHE PASTAJ NË STRASBURG!

    Kur Gjykata Supreme e Serbisë me firmën e gjyqtares Dragana Marinkoviq, zgjedh ta mbyllë sytë ndaj diskriminimit flagrant dhe gjuhës denigruese të ZavedësKryeministërit Aleksandar Vulin, nuk bën asgjë tjetër veçse nxjerr në pah një realitet të hidhur: sistemi i drejtësisë në Serbi vazhdon të jetë peng i politikës, duke mbrojtur ata që promovojnë përçarje e urrejtje kundër shqiptarëve.

    Në vend që të dënonte atë që bën publikisht thirrje për qasje diskriminuese, nxitje të dhunës dhe intolerancës ndaj komunitetit shqiptar si qëllimi i Vulinit – atëbotë në cilësinë e ministrit të mbrojtjes, ajo e merr në mbrojtje. Termi i tij i përdorur “šiptar” nuk është thjesht një fjalë. Është përpjekje për të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike.

    Vendimi i Gjykatës Supreme e çon këtë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë. Me përfundimin e saj plotësohen të gjitha kushteve ligjore, që Gjykata Evropiane për Drejtat e Njeriut në Strasburg të bëhet i vetmi destinacion i yni i radhës.

    Padia, e ngritur që më 25 gusht 2019, për diskriminim, kriminalizim, nxitje dhune dhe gjuhë denigruese, tani përfundimisht merr një tjetër dimension. Dhe mos të mendojmë që kemi të bëjmë vetëm me një figurë të fuqishme politike – kjo është një provë e madhe për një drejtësi që refuzon të mbrojë të drejtat themelore të njeriut.

    Le të jetë e qartë: nuk harrojmë e nuk do të ndalemi. Kjo nuk është vetëm betejë ligjore; është betejë për dinjitetin, për të drejtat e shqiptarëve dhe për respektin e tyre. Strasburgu do të jetë një arenë ku do të kërkojmë me ngulm atë që na mohohet sot në Serbi.