ATV

Category: Lajme

  • IKShPK: Uji nga Badoci ende i papijshëm

    IKShPK: Uji nga Badoci ende i papijshëm

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se uji nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit vazhdon të jetë i papërdorshëm për pije.

    “Rezultatet nga analizat e ditës e diele (03. 11. 2024) tregojnë se vlerat e manganit sillen: Më e ulëta 0.151 mg/l (Lagja Qëndresa) deri te më e larta: 0.467 mg/L (Rr. Hyzri Talla -Kodra e Diellit). Bazuar në të dhënat si më lart, uji në tërë zonën e furnzimit nga Liqeni i Badovcit (PR 03) ende nuk mund të përdoret për pije”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Po ashtu, në njoftim thuhet se IKSHPK-ja në bashkëpunim me Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” do të vazhdojnë monitorimin e rregullt të ujit dhe popullata do të mbahet e informuar.

    Më poshtë keni hartën e zonës PR 03 që furnizohet me ujë nga Liqeni i Badocit:

  • ​Bill Clinton për CNN pak para zgjedhjeve: Kam shpresa dhe frikë për atë që do të vijë pas vitit 2024

    ​Bill Clinton për CNN pak para zgjedhjeve: Kam shpresa dhe frikë për atë që do të vijë pas vitit 2024

    Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Presidenti i 42-të i vendit, Bill Clinton beson se Kamala Harris do të fitojë dhe se ekonomia do të “shpërthejë” gjatë viteve të ardhshme, falë vendimeve që Joe Biden ka marrë, të cilat, sipas tij, njerëzit do të fillojnë t’i ndiejnë pas një vonese të pashmangshme.

    Ai e quan Harris ‘çelësin’ e zgjidhjeve të problemeve, duke theksuar se plani i saj për të luftuar abuzimin e çmimeve mund të ulë kostot e ushqimeve, si dhe se propozimi i saj për ndihmën e qeverisë federale në ndërtimin e shtëpive është një ide që ai nuk e kishte menduar ndonjëherë.

    Duke folur ekskluzivisht për CNN, intervista e tij e vetme që nga fillimi i një agjende maratone fushate që po i vjen fundi, Clinton shprehu gjithashtu shqetësimin për ndikimin që Trump ka në politikë dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen, pavarësisht se kush fiton.

    Clinton bëri fushatë 30 vjet më parë për të qenë një urë lidhëse drejt shekullit të 21-të. Ai e di se egërsia, ndarja dhe ndjenja e të qënit i goditur vazhdimisht nga çdo drejtim nga politika nuk ishin ato që Amerika priste nga ana tjetër, shkruan CNN.

    Clinton ishte ai që përdori votën e klasës punëtore të bardhë në atë kohë për të ‘thyer’ strukturën politike, dhe më pas nënshkroi marrëveshje tregtare dhe ligje bankare që krijuan humbjet e vendeve të punës dhe pakënaqësinë që ka transformuar politikën amerikane.

    Tani pasi kaloi vitet e fundit duke festuar 25-vjetorët e arritjeve të tilla si marrëveshja e së Premtes së Mirë, ndërsa ai e ka parë kohën e tij në detyrë të mbarojë, presidenti i dytë më i ri i zgjedhur ndonjëherë po flet për sigurimin e të ardhmes së nipërve të tij, për të treguar problemet e kyçeve dhe dridhjet thelbësore që ai thotë se do ta pengojnë atë të godasë përsëri një makinë prej 300 metrash, transmeton Tch.

    Ai ka pasur një orar shumë më aktiv se Harris, Trump, Tim Walz, JD Vance, Joe Biden apo Barack Obama – prandaj Clinton është i bindur në fjalimet e tij për perspektivën e tij unike si i vetmi person në planet që e ka kryer punën dhe i njeh personalisht të dy kandidatët në fletën e votimit të martën.

    “Ju bëtë shumë mirë kur unë isha president dhe mendoj se kam të drejtën e mendimit tim se kush do të ishte më i mirë”, thotë ai shpesh, me theksin e tij të butë jugor.

    Pavarësisht se kush është presidenti, parashikoi Clinton, ekonomia është gati të ngrihet. Ose Harris do të përfitojë nga puna e këtyre 4 viteve- ose Trump do të përfitojë.

    Ish-presidenti tha se është i kënaqur kur e sheh Harrisin duke folur për të bërë kompromise për të qeverisur, veçanërisht nëse ajo zgjidhet dhe përfundon me një Senat republikan.

  • Presidentja Osmani uron presidenten moldave për postin e ri

    Presidentja Osmani uron presidenten moldave për postin e ri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar homologen e saj të Moldavisë, Maia Sandu, për postin e saj të ri.

    Osmani ka shkruar se fitorja e saj është e merituar dhe një dëshmi e qëndrueshmërisë së demokracisë së popullit moldav.

    “E dashura, Maia Sandu. Fitorja juaj dje është një dëshmi e fuqishme e qëndrueshmërisë së demokracisë dhe forcës së popullit moldav. Pavarësisht përpjekjeve të pamëshirshme nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj për të prishur dhe destabilizuar procesin demokratik, vullneti i popullit ka triumfuar sërish. Mezi pres të punoj me ju ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të forcojmë lidhjen mes popujve tanë. Shumë suksese”, ka shkruar Osmani.

  • Këta janë të dyshuarit për skemën e mashtrimit për shitjen e pronës 250 mijë euroshe në Prishtinë

    Këta janë të dyshuarit për skemën e mashtrimit për shitjen e pronës 250 mijë euroshe në Prishtinë

    Një skemë e sofistikuar e mashtrimit me prona u zbulua së fundmi nga Policia e Kosovës, që çoi në identifikimin e disa personave që dyshohet të jenë përfshirë. Aksioni u zhvillua në Gjilan, në një zyrë noteriale, ku u arrestuan të dyshuarit.

    Grupi prej katër personave, po dyshohen se përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kishin planifikuar dhe tentuar që të realizonin me mashtrim, shitjen e një parcele që kap vlerën e hiç më pak se 250 mijë eurove në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë.

    Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se katër personat që ishin cak i Policisë janë Selami Mehmeti, Dashurije Neziraj, Isak Nuha dhe Shpend Bobaj.

    Tre të dyshuarit e parë janë arrestuar, ndërsa Bobaj është shpallur në kërkim, pasi i njëjti nuk është gjetur gjatë aksionit, përkundër kërkimeve.

    Sipas dosjes për këtë rast, e dyshuara Dashurije Neziri, është kapur me një letërnjoftim të falsifikuar, që kishte të dhënat personale të pronares legjitime të pronës, të cilën ky grup po tentonte ta shiste.

    Duke u paraqitur si pronare, e njëjta kishte kryer procedurat te noteri për autorizimin që parcela të shitet.

    Policia ka arritur që t’i kap të dyshuarit pasi ishte bërë kontrata te një noter në Gjilan dhe t’i arrestojë tre prej tyre.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit që u kapën janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Kuvendi vazhdon seancën plenare, 20 pika në rend dite

    Kuvendi vazhdon seancën plenare, 20 pika në rend dite

    Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seanca pleanare.

    Në seancën e sotme e cila nis në orën 12:00, janë paraparë të shqyrtohen 20 pika të rendit të ditës.

    Rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
    2. Zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut,
    3. Emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve,
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”,
    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,
    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”,
    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,
    13. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur,
    14. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034,
    15. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,
    16. Shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabani,
    17. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023,
    18. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023,
    19. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023,
    20. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.
  • Mbahet Forumi Ekonomik i Vjenës, Kurti përfaqëson Kosovën

    Mbahet Forumi Ekonomik i Vjenës, Kurti përfaqëson Kosovën

    Sot në Vjenë të Austrisë, do t’i fillojë punimet Forumi Ekonomik i Vjenës. Programi i Forumit të 21-të Ekonomik të Vjenës të këtij viti i kushtohet temës “Ekonomia rajonale si pjesë e ekonomisë evropiane dhe globale”.

    Në këtë forum Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai do të marrë pjesë në panelin ku do të flitet për temën “Bashkëpunim ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”.

    Ky forum ofron një platformë për liderë politikë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në fushën e ekonomisë.

  • Kryediplomati i Luksemburgut në Kosovë, takon Osmanin, Bislimin e Gërvallën

    Kryediplomati i Luksemburgut në Kosovë, takon Osmanin, Bislimin e Gërvallën

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, do të qëndrojë këtë të hënë në një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Bettel do të pritet edhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Në përfundim të takimit mes homologëve Gërvalla dhe Bettel, në ora 12:40, në objektin e MPJD-së, është paralajmëruar një konferencë për media.

    Gjithashtu, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 15:20, sipas njoftimit nga Presidenca.

  • Moti sot, me diell por me vranësira të shpërndara

    Moti sot, me diell por me vranësira të shpërndara

    Moti sot në Kosovë pritet të jetë me diell dhe me vranësira të shpërndara.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare”.

  • Kërkohet subvencionim për blerjen e veturave elektrike

    Kërkohet subvencionim për blerjen e veturave elektrike

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Viteve të fundit, është shpeshtuar përdorimi i veturave elektrike.

    Megjithatë, numri i tyre dukshëm vazhdon të jetë më i ulët, krahasuar me ato që funksionojnë përmes derivateve.

    Sipas të dhënave të Doganës, nga viti 2022 deri më tani janë importuar 1 mijë e 19 vetura elektrike.

    E derisa veturat konsiderohen si ndotësit kryesor të ajrit, përdorimi në shkallë më të lartë i veturave elektrike, vlerësohet se do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes.

    Aktualisht në Kosovë çfarëdolloj veture që importohet, qytetarët duhet të paguajnë doganë prej 10% të vlerës së saj, si dhe TVSH-në prej 18% e vlerës së produktit e në shumicën e rasteve edhe akciza duke mos harruar edhe taksat e regjistrimit.

    Mirëpo, që të ketë më shumë blerje të veturave elektrike, sipas kryetarit të Odës Ekonomike, ekzekutivi duhet të stimulojë qytetarët me ndonjë formë subvencioni.

    “duhet të largojë doganën dhe tvsh-në apo tvsh-në nga 18% ta bëjë 8%, në mënyrë që ti shtyej qytetarët të blejnë këto lloje të veturave. Ndërkohë nëse mendohet të largohet vetëm taksa e regjistrimit ajo nuk është asgjë, nuk ka ndonjë ndikim te qytetarët”, tha Lulzim Rafuna, OEK

    Ndërkohë nga qeveria i kanë treguar disa lehtësime që i kanë menduar ti bëjnë për ata që do kenë këto lloj veturash.

    “Po synojmë t’i liberalizojmë politikat drejt veturave elektrike dhe hibride, po synojmë që të kemi sistem të organizuar mirë të mbushësve që kryesisht do të jenë edhe me solar qoftë…”, tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

    Sipas Strategjisë për Energjinë, vlerësohet se deri në vitin 2031 numri i këtyre në Kosovë do të mbërrijë rreth 15 mijë.

    Ndërkohë shteti fqinj, Shqipëria ka kohë që për veturat elektrike ka larguar pagesën e TVSH-së.

  • Në raportin vjetor të KE-së, Kosova shënoi regres në arsim

    Në raportin vjetor të KE-së, Kosova shënoi regres në arsim

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pak para se të vinte në pushtet, premtimet ishin me bollëk për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

    Lëvizja Vetëvendosje premtoi se, për një vit qeverisje, do të trajnohen 5 mijë mësimdhënës dhe do të licencohen 9 mijë të tjerë në bazë të vlerësimit të performancës. Por, as pas këtyre viteve, vlerësim formal të mësimdhënësve nuk pati, e as përmirësim në cilësinë e arsimit, për çka u kritikua edhe në raportin e progresit nga BE-ja.

    Dukagjin Pupovci, ish-ministri i Arsimit, thotë se kjo nuk u bë e mundur për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.

    “Për numrin janë 21 prej 23 inspektorë, pse nuk po rekrutohen sepse po dështojnë konkurset një nga një për arsye administrative. Cilësia e arsimit është çështje më komplekse se kaq; duhet të bëhet përpjekje për përmirësim të mësimdhënies,” tha Pupovci.

    Për njohësin e arsimit, Egzon Gashi, inspektorët e arsimit nuk janë kompetentë për vlerësim të mësimdhënësve. Ai thotë se ata duhet të jenë auditorë të procesit.

    “Vlerësimi duhet të bëhet nga nxënësit, nga drejtori, ministria i ka inspektorët që bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve. Për mendimin tim nuk është mekanizmi më i duhuri; janë larg procesit të edukimit çdo ditë në shkollë dhe nuk kanë kompetencë për t’i vlerësuar. Ajo duhet t’i kalojë drejtorit dhe ata duhet të jenë auditorë të procesit për të parë nëse po bëhet vlerësimi,” tha Gashi.

    Në raport u tha se Kosova nuk pati progres as në përfshirjen e fëmijëve nga komunitetet ashkali, rom dhe egjiptas në shkollim, për çka rekomanduan Ministrinë që të koordinohet me DKAtë për përfshirjen e tyre në shkolla.