ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi dembel, vetëm 50 për qind e agjendës legjislative u përmbush këtë vit

    Kuvendi dembel, vetëm 50 për qind e agjendës legjislative u përmbush këtë vit

    “Nuk ka kourum Kuvendi për me vazhdu..” Kjo shprehje u dëgjua shumë shpesh në Kuvendin e Kosovës gjatë mandatit të këtij legjislativi, e cila këtë vit madje u shndërrua në klishe.. Për pasojë të mungesës së kuorumit shumë projektligje mbetën pa u votuar në lexim të dytë, andaj monitoruesit e Kuvendit vlerësojnë se gjatë këtij viti Qeveria nuk përmbushi më shumë se 50 përqind të agjendës legjislative.

    “Në asnjërin vit të Qeverisë Kurti, nuk është përbushur më shumë se 50 përqind e agjendës legjislative, po flasim pra as në vitin 2021, 2022, 2023 e fatkeqësisht deri më tash as në vitin 2024 nuk është përbushur agjenda legjislative më shumë se 50 përqind. Një çështje të tillë ose një përmbushje e agjendës legjislative e kemi konsideru që ka ardh si shkak i mungesës së planifikimit adekuat, për shkak të mungesës së kapaciteteve. Por gjithesesi ne e shohim si një dështim të Qeverisë për të përcjell me efikasëshmëri programin legjislativ”, tha Naim Jakaj nga IKD-ja.

    Lëvizja “FOL” e ciëlsoi joserioze sjelljen e deputetëve në Kuvend, e cila lë pasoja të shumanshme.

    “Qytetarët janë ata që më së shumti preken nga vendimet e Kuvendit, pasi që ata janë të thirrur të punojnë për të mirën e popullit dhe duke pasur parasysh që ne vazhdimisht kemi pasur shtyrje të seancave dhe mosmiratim të projektligjeve të ndryshme dhe mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dëmet më së shumti i pëson populli”, tha Viona Bunjaku nga lëvizja “FOL”

    Qarqet analitike ia shohin për të madhe si pushtetit ashtu edhe opozitës për sjelljet e tyre që burojnë nga inatet politike, që dëmtojnë interesat e qytetarëve të Kosovës.

    “Kjo legjislaturë e përfundoj mandatin e saj por është legjislatura më e dobët prej që prej shpalljës së Pavarësisë së Kosovës. Kemi parë një injorim, një përbuzje nga deputetët të cilët kanë qenë të thirrur të punojnë dhe të marrin pjesë në seanca. Ne e dimë shumë mirë që një numër i madh i seancave kanë dështuar në mungesë të kuorumit. Ka qenë një moskordinim total për shumë tema. Kemi shumë ligje të kthyera nga gjykata kushtetuese për shkak që kjo tregon që deputetët nuk e kanë marrë me seriozitet këtë punë”, tha për rtv21 Shemsi Jashari, analist politik.

    Dukuria e mungesës së kuorumit ishte shprehur dukshëm edhe në vitit 2023 dhe për pasojë, dhjetëra pika dhe çështje që nuk u trajtuan janë bartur për shqyrtim në sesionin e sivjetmë të Kuvendit./RTV21/

  • Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në Siri

    Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në Siri

    Rënia e Qeverisë së Bashar al-Assadit nga duart e rebelëve, përfshirë atyre të mbështetur nga Ankaraja, e ka bërë Turqinë forcë të huaj mbizotëruese në Siri, në kurriz të Iranit dhe aleates së tij, Rusisë.

    Turqia dhe Irani kanë garuar për vite kundër për ta shtrirë ndikimin e tyre në Kaukazin Jugor dhe duket se rivaliteti mes tyre tani ka shkuar deri në Levant.

    “Republika islamike ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme lidhur me ndikimin turk në Siri, qoftë ekonomik, politik apo ushtarak, edhe shumë kohë para rënies së Assadit. Por, me humbjen e aleatit të vetëm shtetëror të Iranit në rajon, këto shqetësime pritet të shtohen çdo herë e më shumë”, tha Behnam Taleblu, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington.

    Megjithatë, ekspertët thonë se profili gjithnjë në rritje i Turqisë në Siri, në dëm të Iranit, nuk do të thotë patjetër se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit do të preken në mënyrë të ndjeshme.

    Çfarë kërkon Turqia?

    Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, Irani dhe Rusia e mbështetën Assadin, ndërsa Turqia i mbështeti grupet rebele që e kundërshtuan sundimin e tij.

    Irani kishte nevojë që Assadi të qëndronte në pushtet për ta përdorur Sirinë si platformë për t’i financuar dhe armatosur partnerët dhe përfaqësuesit e vet, veçanërisht grupin libanez Hezbollah.

    Për Rusinë, sundimi i Assadit ua mundësonte Moskës ta mbante bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare në Tartus, duke i siguruar asaj qasje më të lehtë në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Detin Mesdhe.

    Nga ana tjetër, Ankaraja në Siri e donte një qeveri në më të përshtatshme me vizionin dhe politikat e saj rajonale, veçanërisht ato që do t’i frenonin grupet kurde në verilindje të Sirisë. Një koalicion partish kurde, përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD), udhëheq Administratën Autonome të Veriut dhe Lindjes së Sirisë.

    Krahu i armatosur i PYD-së, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), i udhëheq Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja.

    “Turqia i ka pasur tri shqetësime kryesore në Siri: luftimin e YPG/PYD, mundësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në Siri dhe parandalimin e flukseve të mëtejshme të refugjatëve drejt Turqisë”, tha Daria Isachenko, eksperte për Turqinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

    Rënia e Assadit më 8 dhjetor ka ndalur fluksin e refugjatëve drejt Turqisë, por “dy shqetësimet e para mbeten”, shtoi Daria Isachenko.

    Siria tani kontrollohet praktikisht nga organizata e shpallur terroriste nga SHBA-ja, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë, rivalin e Iranit.

    Isachenko thotë se ndikimi në rritje i Turqisë në Siri mund ta forcojë edhe më tej pozicionin e Ankarasë në Detin Mesdhe, nëse Turqia e nënshkruan një marrëveshje detare në stilin e Libisë me autoritetet e reja në Damask.

    Rruga përpara

    Rritja e prestigjit të Turqisë dhe dobësimi i pozicionit të Iranit në Siri mund të kenë pasoja për zhvillimet në Kaukazin e Jugut, ku Irani, Rusia dhe Turqia luftojnë për ndikim.

    Ekspertët thonë se derisa bisedimet në Astana – një format i sponsorizuar nga këto tri vende për t’i dhënë fund konfliktit në Siri – mund të kenë dështuar, ato prapëseprapë shërbyen si një platformë për menaxhimin e interesave të ndryshme.

    “Koordinimi dhe konsultimi për menaxhimin e konflikteve midis Turqisë dhe Iranit, si dhe Rusisë, në Lindjen e Mesme dhe Kaukazin e Jugut nuk duhet përjashtuar”, tha Daria Isachenko.

    Ajo shtoi se edhe në Siri, Turqia dhe Irani mund të gjejnë disa interesa të përbashkëta, si për shembull gjetja e një kundërshtari të përbashkët si Izraeli, i cili ka hyrë në territorin sirian menjëherë pas rënies së Assadit.

    Megjithatë, disa argumentojnë se Teherani do të përpiqet ta minojë ndikimin e Turqisë në Siri, me shpresën për ta shndërruar vendin në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës” – rrjeti i lirë i aleatëve dhe përfaqësuesve rajonalë të Iranit.

    “Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike do të kërkojë mënyra për ta kthyer ndikimin në Siri”, tha Behnam Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

    Çështja kurde
    Mbështetja e SHBA-së për Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, është dobësuar vitet e fundit për shkak të një kombinimi faktorësh, përfshirë tërheqjen e shumicës së trupave amerikane në vitet 2018 dhe 2019 dhe presionin nga aleati i NATO-s, Turqia.

    Ankaraja, e cila kreu një inkursion në Sirinë veriore në vitin 2019 kundër forcave kurde, tani është në një pozicion të fortë për të sfiduar më tej kurdët, thonë ekspertët.

    Që nga rënia e Assadit, grupet rebele të mbështetura nga Ankaraja janë përplasur me forcat kurde dhe kanë marrë qytetet Manbij dhe Tarafat, të cilat më parë ishin nën kontrollin kurd pranë kufirit me Turqinë.

    Wladimir van Wilgenburg, një analist me bazë në Kurdistanin irakian, i cili është bashkautor i librit për kurdët sirianë, thotë se prania e 900 trupave amerikane që kanë mbetur mund të ofrojë një farë lloj mbrojtjeje për kurdët, por situata mbetet e pasigurt.

    “Administrata e re në Damask ka gjasa të parapëlqejë marrëdhëniet me Turqinë e jo me SDF-në”, tha ai.

    “Situata është e vështirë për kurdët, përveç nëse arrijnë një marrëveshje me HTS”, sipas tij.

    Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë me emrin e luftës Abu Muhammad al-Jolani, dëshiron t’i bashkojë të gjitha grupet e armatosura në Siri nën një flamur të vetëm. Por, nëse SDF-ja do të bashkohej, kjo do të ishte fundi i autonomisë kurde në Siri, thotë Wilgenburg.REL

  • Nisin hetime për vdekjen e një qytetari në QKUK

    Nisin hetime për vdekjen e një qytetari në QKUK

    Një burrë ka vdekur dje në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK)l. Policia ka njoftuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

    “HETIM MBI VDEKJEN- Fushë Kosovë / 12.12.2024 – 17:50. Raportohet se më 22.12.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar. Lidhur me rastin me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në raportin e Policisë.

  • TikTok-u i kërkoi sqarime Shqipërisë, i kundërpërgjigjet Rama

    TikTok-u i kërkoi sqarime Shqipërisë, i kundërpërgjigjet Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kërkesës së TikTok për “sqarime urgjente” në lidhje me vendimin për ndalimin e platformës për një vit. Kompania kineze, sipas Associated Press, kishte kërkuar sqarime nga qeveria shqiptare pas këtij vendimi.

    Rama reagoi në platformën X ku shkruan se Tik Tok nuk ka se çfarë sqarimesh të kërkojë nga Shqipëria pasi sipas tij në Shqipëri vendosin shqiptarët jo algoritmi i TikTok-ut.

    “Ndalimi i TikTok-ut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. Tik Tok-u nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”.

    Ai u shpreh se platforma përbën një kërcënim serioz për fëmijët dhe rininë.

    “Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTok-ut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikTok-u ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”.

    “Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTok-un, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi”.

    Rama nënvizoi se mbi 90% e prindërve në Shqipëri mbështesin ndalimin e TikTok-ut dhe se vendimi është në interes të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve.

    “Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTok-ut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë Tik Tok-u duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikTok-u” e mbyll reagimin e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

  • 40 minuta po zgjasin pritjet për të hyrë në Kosovë nëpërmjet Dheut të Bardhë

    40 minuta po zgjasin pritjet për të hyrë në Kosovë nëpërmjet Dheut të Bardhë

    Nga 40 minuta po zgjasin pritjet te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, ndërsa në Jarinjë deri në 15.

    Në pikat tjera nuk raportohet për kolona.

  • ​KQZ sot do t’i certifikoj 17 subjekte politike me 674 kandidatë

    ​KQZ sot do t’i certifikoj 17 subjekte politike me 674 kandidatë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së e cila do të mbahet në ora 13:30 në rend dite është certifikimi i 17 subjekteve politike me 674 kandidatë.

    Javë e kaluar, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

  • ​Kushtetuesja para 9 vjetësh vendosi për Asociacionin

    ​Kushtetuesja para 9 vjetësh vendosi për Asociacionin

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 ka marrë vendim në lidhje me asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

    Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, pasi në marrëveshjen e vitit 2015 në Bruksel mes kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte futur edhe pika që e njëjta të shkojë në Kushtetuese për vlerësim.

    Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

    “(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendim.

    Asociacioni është ende në diskutim e sipër mes palëve.

  • ​35 vjet nga themelimi i LDK-së

    ​35 vjet nga themelimi i LDK-së

    Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtuan që të themelonin një parti politike – Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

    Ky grup caktoi kryesinë e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh.

    Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Pas luftës në Kosovë, LDK në krye me Ibrahim Rugovën fitoi zgjedhjet bindshëm.

    Kjo parti thotë se angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve. Aktualisht lider i partisë është Lumir Abdixhiku.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Moti nga sot parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja do të mbizotërojë mot i vranët dhe pa reshje.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të jenë të ulëta, me erëra mesatare deri të fuqishme, kryesisht nga verilindja dhe juglindja.

    Njoftimi i plotë nga IHMK-ja:

    -Të hënën, moti do të jetë i vranët, me riga shiu gjatë ditës, të cilat në orët e vona të mbrëmjes do të shndërrohen në borë. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të luhaten nga 1 deri 4 gradë Celsius. Do të fryjë erë mesatare dhe lokalisht e fortë nga verilindja dhe veriperëndimi.

    -Të martën, moti do të mbetet i vranët, me reshje të herëpashershme bore. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 1 deri 2 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-7 m/s.

    -Të mërkurën, moti do të jetë i vranët, me fjolla bore vende-vende. Në mëngjes paraqiten kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të jenë 0 deri 1 gradë Celsius. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga verilindja.

    -Të enjten, moti parashikohet i vranët dhe pa reshje. Në mëngjes, në shumë zona do të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 0 deri 1 gradë Celsius. Era kryesisht do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1-4 m/s.

    -Të premten, moti do të jetë kryesisht i vranët, me temperatura minimale ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius dhe maksimale nga 0 deri 1 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga juglindja.

  • “Vuçiq ik”, protestë masive në Beograd, studentëve u bashkohen edhe banorë të tjerë, fermerë e artistë

    “Vuçiq ik”, protestë masive në Beograd, studentëve u bashkohen edhe banorë të tjerë, fermerë e artistë

    Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën sërish sot në Beograd, me ftesë të studentëve, për të protestuar. “Vuçiq ik” ishte thirrja kryesore.

    Revolta e studentëve në Serbi, një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit, filloi me bllokimin e Fakultetit të Arteve Dramatike në kryqytetin serb dhe më pas u përhap në më shumë se 50 fakultete të tjera në të gjithë vendin.Këtë 22 dhjetor, studentët morën edhe më shumë mbështetje. Atyre iu bashkuan fermerë, punonjës të shëndetësisë, artistë, por edhe banorë të Beogradit dhe qyteteve përreth.

    Pakënaqësia e studentëve u përhap me vrull në të gjithë Serbinë dhe është ndier edhe në shumë shkolla të mesme, maturantët e të cilave kanë bojkotuar mësimin derisa të plotësohen kërkesat e tyre.Shkollat ​​në të gjithë Serbinë do të mbyllen për pushimet dimërore një javë më herët se sa ishte planifikuar këtë vit, pasi qeveria e presidentit nacionalist, Aleksandar Vuçiq, kërkon t’i ndalë protestat kundër korrupsionit.

    Studentët kërkojnë të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku ra një strehë dhe mbyti 15 persona, si dhe të publikohet i gjithë dokumentacioni për rikonstruksionin e atij stacioni. Një nga kërkesat është gjithashtu gjetja e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave ku ata morën pjesë më herët.