ATV

Category: Lajme

  • Antonio Tajani vjen në Kosovë, viziton KFOR-in italian për Krishtlindje

    Antonio Tajani vjen në Kosovë, viziton KFOR-in italian për Krishtlindje

    Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajni, sot viziton Kosovën. Përveç se do të takohet me ushtarët e kontingjentit italian në Kosovë, ai do të ketë takime edhe me komandantin italian të KFOR-it, gjeneralin Enrico Barduani si dhe shefin e misionit EULEX, gjeneralin Giovanni Pietro Barbano. Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Jashtme e Italisë nuk bëhet e ditur për ndonjë takim të Tajanit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

    “Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajni, qëndron sot, për një vizitë në Kosovë. Qëllimi i vizitës së tij është të takojë kontingjentin italian në misionin e KFOR-it, para festës së Krishtlindjes”, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Italisë, transmeton Radio Kosova. Lajmi transmetohet edhe nga media tjera italiane.

    “Është krenari e madhe të përcjell përshëndetjet e qeverisë italiane për gratë dhe burrat që shërbejnë në misionin e KFOR-it,” citohet të ketë thënë para nisjes ministri jashtëm italian, Tajani.

    “Falënderimet më të sinqerta u drejtohen të gjithë ushtarëve italianë në botë që shërbejnë për kauzën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht në rastet si Krishtlindja, kur do të donim të ishim pranë shtëpisë dhe njerëzve të tyre të dashur”, theksohet në deklaratën e Tajanit, që transmetohet nga Ministria e Jashtme italiane.

    “Misioni i KFOR-it është me rëndësi thelbësore për stabilitetin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit dhe Italia i kushton rëndësinë të madhe, ndërsa mbështet perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksohet në njoftim.

    “Italia është në vazhdimësi vendi me kontribut më të madh në KFOR për sa i përket personelit të vendosur në Kosovë. Kjo konfirmon rolin qendror që Italia luan për stabilitetin në rajonin e Ballkanit, i cili sot është edhe më domethënës, duke pasur parasysh faktin se Italia drejton komandën e KFOR-it, që mori më 11 tetor nga Turqia”, theksohet në njoftim./rtk

  • Vetaksident i rëndë në magjistralen Pejë – Prishtinë, humb jetën një person

    Vetaksident i rëndë në magjistralen Pejë – Prishtinë, humb jetën një person

    Një vetaksident trafiku i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Pejë – Prishtinë, konkretisht në fshatin Poterq të Klinës, që fatkeqësisht përfundoi me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

    Shoferi i veturës që u aksidentua nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe pasi u dërgua në Spitalin Rajonal në Pejë vdiq.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.

    Zëdhënësi Fadil Gashi ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë policore dhe Prokurori i Shtetit.

  • ​Sot protesta e PD, policia e Tiranës nuk i jep leje

    ​Sot protesta e PD, policia e Tiranës nuk i jep leje

    Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje kërkesës së Partisë Demokratike për organizimin e protestës pasditen e sotme.

    Në një komunikim publik, policia bën me dije se nuk mbështet protestat që bllokojnë akset rrugore duke kufizuar qarkullimin, duke mos i dhënë kështu leje organizatorëve të këtij tubimi.

    Njoftimi i policisë Tiranë:

    Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:

    Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

    Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

    Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

    Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

    Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

    Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

    Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

  • 35 vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën

    35 vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe zyrtarë të tjerë të partisë kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 35 të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton EO.

    Abdixhiku ka kujtuar 23 dhjetorin e vitit 1989, datë kjo kur intelektual të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

    “Sot nderojmë dhe kujtojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 datën që 35 vite më parë intelektual të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtarë për liri, pavarësi e demokraci. Themeluan Lidhja Demokratike të Kosovës dhe në krye të saj u vendos arkitekti i vet Kosovës presidenti historik Ibrahim Rugova te i cilin sot i bëmë nderime”, tha Abdixhiku.

    Ai theksoi se Kosova ka nevojë të rikujtoj momentet historike që të bëhen bashkë dhe të krijohen momentume të reja.

    “35 vite më pas ne pasardhësit politik të Rugovizmit kujtojmë të tri dekadat e gjysmë të veprimit të madh politik të kësaj lëvizje të madhe shqiptare e kombëtare dhe nderojmë të gjitha figurat në këtë shtëpi të madhe. Rikujtojmë nevojën që momentet historike të bëhen bashkë dhe të krijojnë momentume të reja. Ky momentum i ri na vjen me zgjedhjet e reja 9 të shkurtit”, ka thënë Abdixhiku.

  • Hill: Çështja e Asociacionit është vendimtare, kemi rënë dakord 12 vite më parë për themelimin e tij

    Hill: Çështja e Asociacionit është vendimtare, kemi rënë dakord 12 vite më parë për themelimin e tij

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha se çështja e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë është një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut, si dhe se çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe është vendimtare, transmeton RTS.

    Hill tha se është fakt se Serbia dhe SHBA-të kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën, por se nuk duhet të lejojnë që ky fakt t’i pengojë në çështje të tjera.

    “Duhet të biem dakord që të mos pajtohemi për disa gjëra. Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë është vazhdimi i bashkëpunimit ekonomik. Ju jeni tashmë një vend lider në investimet në teknologji. Ne punësojmë shumë të rinj serbë dhe Serbia është partneri ynë kryesor për sa i përket tregtisë në rajon dhe kjo është shumë e rëndësishme, por marrëdhënia nuk mund të bazohet vetëm në ekonomi, duhet të bazohet edhe në mirëkuptim politik dhe le të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku”, tha Hill.

    Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill tha se SHBA-të janë të kënaqura që Serbia e mbështet procesin e dialogut.

    “Është shumë e vështirë, por duhet të them se Serbia po vjen e përgatitur në këto bisedime. Ndonjëherë nuk arrihet përparim në këto bisedime, por nuk mendoj se dikush fajëson Serbinë për faktin se procesi nuk çon në një mirëkuptim më të mirë. Unë e konsideroj çështjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë si një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut”, tha Hill.

    Ai theksoi se çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe është absolutisht vendimtare.

    “Ne e kemi mbështetur që kur është rënë dakord për herë të parë rreth 12 vite më parë dhe duhet të zbatohet. Edhe pse njerëzit e kanë dëgjuar një mijë herë dhe janë të frustruar nga fakti që nuk është zbatuar, kjo nuk do të thotë se nuk duhet folur për të. Mendoj se duhet të jemi shumë të përqendruar në fillimin e kësaj”, tha Hill.

  • Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari e festave

    Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari e festave

    Festat e fundvitit po ofrohen. E nuk do të mungojnë as ditët e pushimit, për punëtorët e institucioneve publike. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se gjatë fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit, do të jenë plot katër ditë pëushim.

    Për nder të festave të fundvitit, nëpunësit e Administratës Publike do të kenë pushim më 25 dhjetor- e mërkurë, pasi që është festa e Krishtlindjeve katolike.

    E ditët e pushimit do të vazhdojnë dhe me datat 01 dhe 02 janar, për vit të ri.

    Por ditët e pushimit nuk mbarojnë me kaq. Punëtorët e Administratës Publike, do të kenë pushim dhe me 07 janar, pasi që janë Krishtlindjet Ortodokse.

  • ​Lansohet pilotimi i programit të kuponëve, Kurti: Ky projekt mbështetet nga BB

    ​Lansohet pilotimi i programit të kuponëve, Kurti: Ky projekt mbështetet nga BB

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë lansuar pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

    Kryeministri Kurti, ka thënë se krijon mundësi për përfshirjen e më shumë fëmijëve nga 3-5 vjeç nga këto familje në shërbime të edukimit në moshë të hershme.

    Ai tha se ky program ofron mbështetje të drejtpërdrejt për familjet të cilat janë të regjistruara në skemën e ndihmës sociale.

    Kurti tha se ky projekt mbështetet nga Banka Botërore me vlerë 1.8 milionë euro dhe përfshinë pagesën e transportit dhe çerdhes për fëmijët.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se sot po lansojnë pilotimin e programit të kuponëve, duke hedhur kështu edhe hapin e parë konkret për këtë mbështetje të paprecedentë dhe të pandodhur më parë për më të vegjlit, për familjet që më shumti kanë nevojë.

    Sipas saj ky program është një risi për qasje të barabartë për edukimin e hershëm në Kosovë.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte ndaj popullsisë civile

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte ndaj popullsisë civile

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, departamentin Special, kundër të pandehurit V.N, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës.

    “I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë.

    “Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Bundestagu me seancë të posaçme pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg

    Bundestagu me seancë të posaçme pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg

    Bundestagu dëshiron të trajtojë në një seancë të posaçme sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg këtë vit.

    Sipas informacioneve të studios së ARD në Berlin, Komisioni i Brendshëm i Bundestagut dhe Bordi i Kontrollit Parlamentar, i cili kontrollon punën e shërbimeve të inteligjencës do të merret me situatën e sigurisë në Gjermani më 30 dhjetor.

    “Dy ditë pas aktit të tmerrshëm, po dalin në dritë gjithnjë e më shumë detaje për autorin e krimit, të cilat nuk i përshtaten modelit të njohur, por që ngrenë pyetje për autoritetet e sigurisë në federatë dhe në Saksoni-Anhalt”, deklaroi zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Dirk Wiese i SPD.

    Sipas Wiese, duhet të thirren në mbledhjet e veçanta të Komisionit të Brendshëm dhe Bordit të Kontrollit përveç Ministres Federale të Brendshme, Nancy Faeser edhe presidentët e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).

    Faeser dëshiron të hetojë të dhënat që ekzistonin për Taleb A.

    Pas sulmit, ministrja e Brendshme Federale, Nancy Faeser njoftoi hetime shtesë për të zbuluar, se cilat autoritete kishin pasur më parë të dhëna për autorin.

    “Hetimet nga autoritetet e sigurisë janë në veprim të plotë”, tha Faeser në një deklaratë.

    Në këtë është përfshirë edhe Zyra Federale e Kriminalistikës dhe autoritetet nuk po lenë “gur” pa lëvizur.

    “Po hetohen pikëpamjet dhe deklaratat e bëra nga autori, si edhe informacionet dhe procedurat që kanë ekzistuar pranë autoriteteve të ndryshme dhe gjyqësorit”.

    Nga kjo pritet të nxirren përfundime të sakta.

    Për shembull, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët bëri të ditur, se kishte marrë informacione për autorin e krimit.

    BAMF shpjegoi se lajmi u mor nëpërmjet kanaleve të mediave sociale në fund të verës së vitit të kaluar.

    “Kjo, si çdo këshillë tjetër u mor seriozisht”.

    Megjithatë, duke qenë se Zyra Federale nuk është një autoritet hetues, personi që dha informacionin iu referua drejtpërdrejt autoriteteve përgjegjëse, siç është e zakonshme në raste të tilla, thuhet në reagimin e BAMF.
    Sipas ekspertëve të sigurisë ka shumë deklarata radikale në internet, por është vështirë të kuptohet nëse një person vetëm radikalizohet në internet apo vepron si në sulmin e tmerrshëm në Magdeburg.

    “Model krejtësisht atipik”

    Zyra Federale e Kriminalistikës kishte marrë një informacion nga Arabia Saudite në lidhje me sulmuesin e Magdeburgut në nëntor 2023.

    Kreu i Zyrës Federale të Kriminalistikës, Holger Münch, tha në ZDF se kishte filluar edhe procedura ndaj personit.

    “Policia në Saksoni-Anhalt më pas mori masa hetimore”.

    Por çështja ishte jo specifike, sipas Münch.

    Kreu i Zyrës Federale të Kriminalistikës kujtoi se personi i akuzuar për sulmin në Magdeburg kishte “kontakte të ndryshme me autoritetet, bënte ofendime dhe ndonjëherë kërcënonte, por nuk ishte i njohur për akte dhune”.

    Taleb A. kërcënoi në Twitter se Gjermania do të paguante një “çmim” për trajtimin që iu bënte refugjatëve nga Arabia Saudite.

    Por këto gjëra duhet të kontrollohen përsëri për të parë, nëse autoriteteve të sigurisë i ka shpëtuar diçka, tha Münch.

    “Kemi një model krejtësisht atipik këtu dhe duhet ta analizojmë me qetësi tani”. /DW

  • ​Mandarinat me pesticide, ministria e Bujqësisë në Shqipëri tregon sasinë e asgjësuar

    ​Mandarinat me pesticide, ministria e Bujqësisë në Shqipëri tregon sasinë e asgjësuar

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar lidhur me debatin mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare duke theksuar se “për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar”.

    Reagimi i plotë zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim. Për vitin 2024 mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve. Sot, kultivimi i mandarinave shtrihet në mbi 1,000 ha nga fermerë tregu dhe prodhues më të vegjël.

    Në lidhje me debatin mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare në vijim të komunikimeve të mëparshme në deklaratat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sqarojmë publikun se:

    Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori.

    Sipas njoftimit të Sistemit të Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë – RASFF për mbetje të pesticideve në mandarina të eksportuara nga Republika e Shqipërisë, AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet proceduriale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer së bashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme.

    Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.

    Informojmë konsumatorin lidhur me dy ngarkesat e tjera, të raportuara nga shteti i Kroacisë për mbetje të pesticideve sipas njoftimit të sistemit RASFF, se njëra është asgjësuar në shtetin Kroat, ndërsa tjetra nuk është kthyer ende në vendin e origjinës. Janë njoftuar të gjitha PIK që në rast kthimi të produktit, të bëhet bllokimi i menjëhershëm i tij me destinacion asgjësimin.

    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese, ku vetëm për këtë javë janë kontrolluar dhe verifikuar 46 subjekte tregtuese të PMB-ve, në të cilat nuk u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore. Vazhdojnë pa ndërprerje kontrollet në pikat e tregtimit, pikat e grumbullimit dhe magazinimit të fruta perimeve, ku përveç 18 mostrave të përcaktuara në planin e monitorimit të pesticideve për muajin Dhjetor, për produktin mandarinë, me qellim mbajtjen e situatës në kontroll, janë marrë edhe 7 mostra të tjera jashtë planit, për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV.

    Inspektimi vjetor në territor nga AKU deri ditën e sotme kap shifrat 806 inspektime për tregtimin e pesticideve dhe 862 inspektime për produktet plehëruese. Për vitin 2024 janë analizuar 188 mostra gjithsej, nga këto për pesticide 28, nga të cilat 27 kanë rezultuar konform, kurse 1 është në proces analizimi. Për produkte plehëruese janë analizuar 160 mostra, nga të cilat 24 janë në proces analizimi, 134 kanë rezultuar konform dhe 2 mostra jo konform, për të cilat është ndjekur gjurmueshmëria dhe janë marrë të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi.

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka të miratuar dhe në zbatim Planin e Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve, i cili përfshin të gjithë zinxhirin e veprimit me strukturat qëndrore dhe institucionet e vartësisë, pa përjashtuar mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe prodhuesve shqiptarë. Qëllimi i këtij Planit i Veprimit, është përdorimi i duhur dhe i sigurt i PMB-ve, për mbrojtjen e shëndetit të bimëve për të garantuar prodhim me cilësi dhe të sigurt për konsumatorin, si dhe mbrojtjen e mjedisit ku përdoren.

    Falë punës së strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural këtë vit territori i Republikës së Shqipërisë u mbrojt e u mbajt i pastër nga Sëmundja e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël, edhe pse vendet kufitare patën shpërthime dhe dëme kolosale. Janë menaxhuar menjëherë në mënyrë efikase dhe pa e dëmtuar situatën epizootike në vend, rastet e shfaqjes së Influencës Aviare dhe Murtajës Afrikane të Derrave.

    Ndërkohë që ka vijuar puna e vazhdueshme për ndërgjegjësim për prodhimin e produkteve biologjikisht të pastra me anë të luftës biologjike, e cila vjen edhe me një nxitje fiskale lehtësuese. Përdorimi strikt i protokolleve dhe ndalimi i përdorimit të pesticiteve të ndaluara edhe në vendet e Bashkimit Europian është fakt. Kërkohet që edhe ata pak fermerë që tentojnë në mënyrë të paligjshme përdorimin e tyre të kuptojnë se kjo mënyrë ka vetëm një mundësi: zbulimin dhe vënien përpara ligjit pasi kontrollet dhe gjurmueshmeria është shumë e lartë. Fermerët shqiptarë, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit duhet të bashkëpunojnë për të zbatuar praktikat më të mira bujqësore në të gjithë zinxhirin e prodhimit, deri tek konsumatori.

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është transparente dhe ka të publikuar në faqen e saj zyrtare, listën e PMB-ve dhe etiketave të përdorimit, si dhe listën e produkteve plehëruese, të cilat përditësohen vazhdimisht duke i bërë të qartë fermerëve të mos përdorin produkte kontrabandë që janë të ndaluara në vendet e BE-së dhe në vendin tonë. Fermerët, çdo përdorues apo konsumator ka aksesin e mundëshëm për të marrë informacionin e plotë jo vetëm për përdorimin, por dhe pasojat nga keqpërorimi i tyre.

    Iu bëjmë thirrje që për çdo rast paligjshmërie, parregullsie apo abuzimi që konstatojnë të njoftojnë në numrat e publikuar në faqet zyrtare të MBZHR apo institucioneve të varësisë, për tu bërë pjesë e përgjegjësisë së përbashkët në garantimin dhe ruajtje e sigurisë ushqimore në vend./ATSH/