ATV

Category: Lajme

  • LDK-ja akuzon Qeverinë për reduktime të energjisë elektrike

    LDK-ja akuzon Qeverinë për reduktime të energjisë elektrike

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tash e disa ditë qytetarët në shumë komuna po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

    Fajin për këtë gjendje, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka Qeveria.

    Anëtari i kësaj partie, Visar Azemi, vlerëson se reduktimet janë si pasojë e mungesës së vizionit për plan konkret nga ana e Qeverisë.

    “Reduktimet që kanë filluar në shumë qytete e fshatra janë shumë të ashpra. Gjendja bëhet edhe më e vështirë nëse marrim parasysh edhe të ftohtin që po mbretëron tek ne. Këto reduktime dhe kjo mungesë e energjisë elektrike janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofroj zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike”, tha Azemi.

    Por, Azemi vlerëson se LDK-ja e ka një zgjidhje për këtë problematikë.

    “Kemi ripërsëritur se mungesa e energjetike eliminohet vetëm me ndërtimin e centralit modern me gazë, projekt i cili është në planprogramin e LDK-së dhe do të filloj së zbatuari menjëherë pas ardhjes në pushtet. Kosova duhet të ndërtoj këto kapacitete gjeneruese të energjisë elektrike jo vetëm për sigurinë nacionale të saj që është jashtëzakonisht, por edhe për heqjen e varësisë energjetike nga importet. Këto investime do të ndikojnë që qytetarët të kenë energji elektrike me një kosto të përballueshme”, shtoi Azemi.

    Ndërkohë KESCO ka njoftuar se me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 megavat në kohë të caktuara.

    Si rezultat, sistemi elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin.

    Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit.

    Për të ndihmuar në këtë është kërkuar nga qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00.

  • Faturimi sipas konsumit, trefishon pagesën për ngrohje nga Termokos

    Faturimi sipas konsumit, trefishon pagesën për ngrohje nga Termokos

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Banesa e Astrit Kasapolllit është vetëm 38 metra katrorë.

    Në fillim të këtij viti, ky dhe 60 familjet e tjera të një kompleksi banesor në lagjen Dardania në Prishtinë, pranuan propozimin e Termokosit për faturimin në bazë të konsumit e jo sipas metrit katror.

    Nga kjo, Kasapolli priste çmim më të volitshëm për ngrohje.

    Mirëpo, për muajin tetor, kostoja e energjisë termike të shpenzuar, i kushtoi 3 fish më shumë se sezonin paraprak.

    “Nga 27 euro sa i vinte sezonin e kaluar, tash erdhi 90 euro, shuma është tëpër e madhe, diçka nuk është normale nuk është tu funksion, shumicën e ditës kanë qenë të ndalura vetëm në mbrëmje i kam leshu…dikush duhet të jep përgjegjësi këtu”, tha Kasapolli.

    Nga çmimi që pa në faturë, i habitur është edhe Agim Tahiri.

    Andaj, përfaqësuesi i kompleksit banesor, dërgoi disa ankesa në Termokos.

    “Mundeni me I fokusu këto dy janë ankesat që I kamë bërë I kanë marrë shifrat dhe na kanë marrë faturat mirëpo ende asgjë nuk ka as sqarim as asnjë arsyetim…”, tha Tahiri.

    Kasapolli thotë se edhe kur u vendosen matësit, informacionet lidhur me përdorimin e valvuleve nuk ishin të qarta.

    Sipas tij, ankesat lidhur me dyshimet për keqpërdorime nuk u morën parasysh nga ndërmarrja. Dhe kështu sqarime shtesë, presin se do të marrin pasi bënë një hap tjetër.

    “E kemi fillu një peticion, ne përmes tij vetëm po dom sqarime…dëshirojmë me pas një zgjidhje ose nga Termokosi ose nga kompania, nuk pe dimë as ku matën as qysh matën, nga 52 tash po paguam në 120 euro nuk është normale…”, shtoi Tahiri.

    Në këto rrethana asnjëri prej tyre nuk e ka ndërmend ta kryejnë pagesën.

    Ankesa për çmime të larta, kanë edhe konsumatorët që shpenzimi i energjisë u faturohet ende në bazë të metrit katror.

    Sqarime për krejt këtë situate ka kërkuar edhe iniciativa CorrWatch, e cila mbikëqyr llogaridhënien e institucioneve publike.

    “Këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike. CorrWatch, i bën thirrje Termokosit të kryejë detyrimin ligjor për shërbim të drejtë e cilësor për konsumatorët dhe ZRRE-së që të ndërhyjë sa herë që të drejtat e tyre shkelen”, thuhet në përgjigjen nga CorrWatch.

    Mirëpo, asnjëra prej këtyre dy institucioneve, lidhur me ankesat nuk kanë reaguar publikisht, madje përgjigje nuk i kthyen as ATV-së.

  • Cedomir Aksiq, dënohet me 15 vjet burgim për krime në Shtime

    Cedomir Aksiq, dënohet me 15 vjet burgim për krime në Shtime

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Derisa po largohej nga shtëpia drejt malit, Hajriz Brahimi ishte qëlluar për vdekje nga forcat serbe, të cilat kishin hyrë në Reçak më 15 janar 1999.

    Ushtarët serbë, të cilët po ashtu vranë dhjetëra burra tjerë të fshatit, udhëhiqeshin Çedomir Aksicin, ndaj të cilit u zhvillua gjykimi në mungesë.

    19 muaj pas ngritjes së aktakuzës, e pas shumë seancave të zhvilluara, trupi gjykues ndaj tij shpalli aktgjykim dënues.

    Gjatë gjykimit, u vërtetuan dëshmitë e dëshmitarëve të cilët thonë se panë Aksiçin, duke kryer masakrën e Reçakut.

    “Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë me armë, duke e vrarë edhe Sadik Mujotën, i cili ishte duke kaluar rrethojën e oborrit me qëllim që të largohej nga vendi ku ndodheshin të njëjtit”, tha Violeta Namani, kryetare e trupit gjykues.

    Përveç Reçakut, Aksic akuzohet edhe për krime lufte në fshatin Petrovë, ndaj banorëve të cilët po strehoheshin në mal.

    “Hysenaj ishte ndaluar nga i akuzuari Aksiq, i cili kishte veshur një uniformë “lara-lara” dhe kishte një armë pushkë “10-she”, duke shtënë ndaj tij. Më vonë, trupi i të njëjtit ishte gjetur pa shenja jete nga banorët e fshatit”, tha më tej Namani.

    Aktakuza ndaj Çedomir Aksicit ishte e para që u ngrit në mungesë, në maj të vitit 2023. Paraprakisht, Prokuroria kishte shteruar të gjitha mundësitë për ta siguruar praninë e tij në gjykim.

  • Azem Syla lirohet nga të gjitha akuzat në rastin “TOKA”

    Azem Syla lirohet nga të gjitha akuzat në rastin “TOKA”

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla është liruar nga të gjitha akuzat në rastin “Toka”.

    Përveç Sylës, nga akuzat u liruan edhe Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

    Ndërsa të akuzuarit e tjerë u dënuan me gjithsej 39 vjet burgim dhe 300 mijë euro gjobë.

    Sipas gjykatës, Prokuroria arriti të provojë tjetërsimin e pronave shoqërore, por jo edhe përfshirjen e Sylës, dhe disa personave të tjerë në grupin e organizuar kriminal.

    Një ndër rastet e profilit të lartë të korrupsionit, ai “Toka”, mori epilog, pas tetë vjetësh nga ngritja e aktakuzës, në 2016-n. Rreth hetimeve kishte pasur si rrallëherë bashkëpunim edhe me Serbinë.

    Mungesa e palëve gjatë seancave, ndryshimi i trupit gjykues e deri te ankesat e avokatëve për shkresat e lëndës, e karakterizuan rastin, ku sipas aktakuzës, u përvetësuan prona shtetërore te personat fizikë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 30 milionë euro.

  • ​Tre të vdekur nga rënia e autobusit në një liqen në Norvegji

    ​Tre të vdekur nga rënia e autobusit në një liqen në Norvegji

    Të paktën tre persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku sot në Norvegji.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:30 me orën lokale në Hadsel në veriperëndim të vendit skandinav, kur një autobus doli nga rruga dhe pjesërisht përfundoi në liqenin Asvatnet, raporton televizioni publik NRK.

    “Autobusi është pjesërisht nën ujë. Deri më tani janë raportuar tre të vdekur, katër persona janë lënduar rëndë. Gjithsej 58 persona u përfshinë në aksident”, tha shefi i shtabit në qarkun e policisë Nordland, Bent Are Eilertsen.

    Tre persona u transportuan me helikopter në spitalin Stokmarknes. Disa nga pasagjerët u evakuuan në një shkollë pranë Svolavaer. Nuk ka asnjë listë pasagjerësh të autobusit të linjës së rregullt Narvik-Lofoten.

    Raportohet për reshje të dendura bore dhe erëra të forta në zonë.

  • ​Këto janë pagat mesatare në Evropë

    ​Këto janë pagat mesatare në Evropë

    Ka tregues të ndryshëm për krahasimin e pagave dhe të ardhurave, por llogaritja e re e Eurostatit, paga mesatare vjetore e rregulluar për punonjës me kohë të plotë, del veçanërisht e dobishme.

    Sipas Eurostat, në vitin 2023 paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë varionte nga 13.503 euro në Bullgari në 81.064 në Luksemburg, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 37.863 euro.

    Nëntë shtete anëtare kanë paga mbi mesataren e BE-së, ndërsa 17 vende kanë rënë poshtë. Holanda nuk është përfshirë në të dhëna për shkak të dallimeve në metodologji.

    Përveç Luksemburgut, paga mesatare e rregulluar ishte mbi 50.000 euro në pesë vende të tjera. Ndër to Danimarka (67.604), Irlanda (58.679), Belgjika (57.989), Austria (54.508) dhe Gjermania (50.988). Finlanda, Suedia dhe Franca renditen gjithashtu mbi mesataren e BE-së.

    Bullgaria pasohet në fund nga Hungaria (16.895), Greqia (17.013), Rumania (17.739), Polonia (18.054) dhe Sllovakia (19.001, të gjitha me paga vjetore nën 20.000 euro. Italia dhe Spanja janë nën mesataren e BE-së me paga vjetore prej rreth 32.500 euro.

    Kroacia ka një pagë mesatare vjetore prej 21.523 eurosh, ndërsa Sllovenia qëndron më mirë – 33.081 euro.

    Duke qenë se kostoja e jetesës ndryshon nga vendi në vend, duhet të merret parasysh edhe standardi i fuqisë blerëse. Kur pagat vjetore përshtaten me këtë standard të fuqisë blerëse, diferencat janë më të vogla në krahasim me shifrat nominale. Megjithatë, ka ende dallime të rëndësishme në të gjithë BE-në.

    Paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë për punonjës, e matur me standardin e fuqisë blerëse varionte nga 20.525 në Greqi në 53.745 në Luksemburg. Në terma nominalë, Greqia u rendit e treta nga fundi, por rezultatin më të keq e pati për nga standardi i fuqisë blerëse.

    Në këtë tregues, vetëm shtatë vende tejkaluan mesataren e BE-së: Luksemburgu, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Austria, Irlanda dhe Franca.

    Midis 26 vendeve të BE-së, paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë për punonjës u ul vetëm në Suedi midis 2022 dhe 2023.

    Në Suedi, paga mesatare ra me 1.817 euro, duke reflektuar një rënie prej 4 për qind për shkak të konvertimit të koronës suedeze në euro. Në BE pagat u rritën me 2.225 euro ose 6 për qind.

    Në terma nominalë, pagat janë rritur më së shumti në Luksemburg, Belgjikë dhe Irlandë dhe në secilin prej këtyre vendeve ato arrijnë mbi 4.000 euro. Pagat mesatare në Maltë, Greqi dhe Itali janë rritur me më pak se 1.000 euro.

    Duke parë ndryshimet në përqindje, rritja më e lartë u vu re në Rumani, Hungari, Poloni, Letoni dhe Kroaci, ku pagat mesatare u rritën mbi 15 për qind. Në të kundërt, rritjet ishin nën 5 për qind në Maltë, Itali, Greqi, Danimarkë, Finlandë dhe Qipro.

  • ​Hovenier jep detaje nga takimi lamtumirës me Kurtin

    ​Hovenier jep detaje nga takimi lamtumirës me Kurtin

    Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier ka zhvilluar sot takim lamtumirës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

    Diplomati amerikan në një postim në platformën X ka dhënë detaje nga biseda e takimit.

    “Ne diskutuam mbi progresin e Kosovës gjatë mandatit tim dhe bashkëpunimin e ngushtë që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara të avokojnë në mënyrë më efektive që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.

    Hovenier do ta përfundojë mandatin e tij në Kosovë në fund të këtij muaji. Ai pati thënë më herët se shërbimi në Prishtinë do të jetë i fundit për të dhe se në fund të vitit do të pensionohet.

    “Do të dal në pension pas 34 vjet e shtatë muajsh, në fund të dhjetorit”, ka thënë ai.

  • ​Trump do të rikthejë ndalimin familjar për migrantët me fëmijë

    ​Trump do të rikthejë ndalimin familjar për migrantët me fëmijë

    Administrata e presidentit Donald Trump do të rivendosë ndalimin familjar për migrantët me fëmijë, deklaroi sot këshilltari i lartë për kufijtë i presidentit, Tom Homan.

    Homan tha se administrata synon të ndërtojë objekte të ndalimit familjar.

    “Ti e dije se ishe në vend në mënyrë të paligjshme dhe zgjodhe të kishe një fëmijë. Kështu që e vendose familjen në atë pozicion. Do të na duhet të ndërtojmë objekte familjare. Sa shtretër do të na duhen, do të varet nga ato që thonë të dhënat,” tha Homan për Washington Post.

    Nën administratën Trump, ai tha se familjet e ndaluara së bashku do të deportoheshin së bashku. Megjithatë, ai pranoi se qeveria nuk mund të largojë fëmijët që janë shtetas të SHBA-së. Politika u jep prindërve një zgjedhje për të vendosur nëse do të ndanin familjen, shtoi ai.

    Administrata Biden i dha fund ndalimit familjar për migrantët në vitin 2021.

  • ​Bosnja shqyrton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    ​Bosnja shqyrton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës Zukan Helez paralajmëroi se vendi po rishqyrton shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shkak të zhvillimeve të reja globale.

    Duke theksuar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të kontribuonte në zhvillimin personal dhe do të ngjallte një ndjenjë disipline, Helez tha për Anadollu se vendi po punon për zgjidhje alternative.

    “Fqinjët tanë Serbia dhe Kroacia njoftuan se do të fillojnë të vendosin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Megjithatë, do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të strukturës komplekse kushtetuese, “tha Helez.

    “Megjithatë, ne e dimë se është shumë e vështirë sepse kërkon pëlqimin e shumë subjekteve politike. Ne kemi të drejtë për 50% të numrit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bosnjës”, shtoi ai.

    Ushtria boshnjake ka rreth 10 mijë ushtarë dhe 5 mijë rezervistë, tha Helez, duke shtuar se ky është model i ri dhe i ndryshëm sipas standardeve të NATO-s.

    Helez tha se BeH është e vetëdijshme për detyrimet e saj lidhur me anëtarësimin në NATO dhe po punon për t’i përmbushur ato.

  • ​Aeroplani i Azerbajxhanit u rrëzua nga raketa ruse, sugjerojnë hetimet fillestare

    ​Aeroplani i Azerbajxhanit u rrëzua nga raketa ruse, sugjerojnë hetimet fillestare

    Sipas mediave azerbajxhanase të enjten, hetimet fillestare sugjerojnë se një sistem raketor rus shkaktoi rrëzimin e aeroplanit të Azerbajxhanit Airlines në qytetin Aktau të Kazakistanit të enjten.

    Duke cituar burime qeveritare, një raport në gazetën e lajmeve Azerbajxhan AnewZ pretendoi se rezultatet paraprake të hetimit për incidentin përcaktuan se avioni u sulmua nga një sistem raketor Pantsir teksa i afrohej qytetit Grozny.

    Sipas raportit, sistemi i komunikimit të avionit ishte plotësisht i paralizuar për shkak të përdorimit të sistemeve ruse të luftës elektronike, gjë që rezultoi në zhdukjen e avionit nga radarët ndërsa ishte në hapësirën ajrore ruse. Ai shtoi se avioni u rishfaq në radarë vetëm kur ishte në zonën përreth Detit Kaspik.

    Të mërkurën, një fluturim AZAL me 67 persona në bord që udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në qytetin e Grozny në Çeçeni u rrëzua rreth 3 kilometra nga qyteti Aktau i Kazakistanit, i vendosur në bregun e Detit Kaspik.

    Sipas zyrtarëve kazakë, 38 persona humbën jetën, ndërsa 29 të tjerë mbijetuan. Azerbajxhani dhe Kazakistani kanë nisur hetimet për incidentin.

    Si Azerbajxhani Airlines ashtu edhe Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë thanë se gjetjet paraprake treguan për një përplasje me zogj si shkak të rrëzimit.

    Megjithatë, pamjet nga vendi i rrëzimit tregojnë vrima të mëdha në bishtin e avionit, duke ndezur spekulime se ai mund të jetë rrëzuar nga një sulm.

    Më herët të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzoi të komentojë raportet e mediave që pretendonin se rrëzimi i avionit ishte rezultat i një sulmi. /AA