ATV

Category: Lajme

  • Mbi 10.000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

    Mbi 10.000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

    Më shumë se 10.000 imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

    Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, tha grupi Caminando Fronteras, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

    Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanari të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

    Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

    Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

    Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

    Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

    Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

    Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike./rel

  • Ish-diplomati amerikan: ShBA-ja nuk do të ketë më qasje tradicionale ndaj Kosovës dhe Serbisë

    Ish-diplomati amerikan: ShBA-ja nuk do të ketë më qasje tradicionale ndaj Kosovës dhe Serbisë

    Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, thotë se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk mund të vazhdojnë pa ndryshuar asgjë, “nëse nuk duam t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur”.

    Ai beson se rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë, pasi, siç thotë, Trump do marrëveshje.

    “Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, thotë Munter në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

    Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka avantazhe dhe disavantazhe në raport me presidentin e zgjedhur, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka punuar në krijimin e lidhjeve personale me njerëzit e administratës së tij.

    “Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë… Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik.

    Kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më qëllim i Donald Trumpit. Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje“.

    Munter ishte ambasador i SHBA-së në Serbi, kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

  • Azerbajxhani në zi për viktimat e aksidentit ajror

    Azerbajxhani në zi për viktimat e aksidentit ajror

    Në Azerbajxhan më 26 dhjetor është shpallur ditë zie për të nderuar viktimat nga avioni i pasagjerëve që u rrëzua një ditë më parë në Kazakistan.

    Avioni i kompanisë Azerbaijan Airlines kishte 67 persona në bord. Autoritetet kanë thënë se 38 persona kanë vdekur dhe 29 i kanë mbijetuar përplasjes.

    Fluturakja ishte nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Grozni të rajonit rus, Çeçeni. Por, avioni devijoi rrugën dhe tentoi të bënte ulje emergjente afër qytetit Aktau në perëndim të Kazakistanit.

    Autoritetet në Azerbajxhan dhe Kazakistan kanë nisur hetimet për të kuptuar shkakun e rrëzimit, teksa është gjetur edhe incizimi nga kabina e pilotit.

    Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, tha se ende është herët të përcaktohet shkaku i rrëzimit të avionit, por sugjeroi se moti i lig mund të ketë kontribuar në incident.

    “Informacioni që më është dhënë është se avioni ndryshoi rrugën nga Bakuja për në Grozni për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe u nis drejt aeroportit të Aktaut para se të rrëzohej”, tha ai.

    Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit tha se “të gjithë skenarët janë duke u hetuar”.

    Në avionin e rrëzuar ishin 42 shtetas të Azerbajxhanit, 16 të Rusisë, gjashtë të Kazakistanit dhe tre të Kirgizisë.

    Zëvendëskryeministri kazak, Qanat Bozymbaev – i cili është përgjegjës për komisionin e posaçëm qeveritar për hetimin e incidentit – tha se shumica e viktimave nuk kanë mundur të identifikohen menjëherë, pasi kanë pësuar djegie të rënda.

    Sa i përket të lënduarve, ai tha se disa kanë lëndime të moderuara, por ka edhe persona në gjendje të rënduar shëndetësore që kanë pësuar djegie të mëdha.

    Ndërkaq, sa u përket të shpëtuarve, nëntë janë rusë, të cilët janë dërguar në Moskë me një avion nga Ministria ruse e Emergjencave më 26 dhjetor.

    Kompania Azerbaijan Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet nga Bakuja drejt Çeçenisë derisa të kryhen hetimet për tragjedinë.

    Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka cituar zyrtarë të kenë thënë se avioni kishte kaluar të gjitha kontrollet në tetor dhe piloti kishte “përvojë të madhe” me mbi 15.000 orë fluturim./REL

  • Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në veri, Sveçla: Jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset

    Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në veri, Sveçla: Jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

    Ai tha se kjo u bë në respektim të plotë të legjislacionit dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional.

    “Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla.

  • Sot mbyllet afati, Kurti fton mërgatën për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e shkurtit

    Sot mbyllet afati, Kurti fton mërgatën për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e shkurtit

    Sot është afati i fundit për t’u regjistruar mërgata, për të votuar. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i vendit Albin Kurti, përmes një videomesazhi në rrjetin social Facebook duke u bërë thirrje atyre që nuk janë regjistruar te regjistrohen.

    “Mërgatë e dashur ju falënderoj të gjithëve që jeni regjistruar për të votuar nga jashtë vendit në ambasadat dhe konsullatat tona dhe përmes postës. Afati i fundit është sonte ora 23:59 minuta. Andaj ju që ende nuk jeni regjistruar regjistrohuni dhe përfitoni nga lehtësirat që i kemi bërë për ju për të qenë pjesë e zgjedhjeve tona dhe vendimeve të përbashkëta. Më lehtë e më thjeshtë kurrë s’ka qenë. E di që jeni të angazhuar me punë dhe obligime. Por, ju premtoj që procedura nuk ju merr më shumë se 4 minuta kohë. 4 minuta të kohës suaj të vlefshme për 4 vjet vendimtare për Kosovën, për progresin dhe sigurinë e shtetit tonë”, ka thënë Kurti.

    Kryeministri i vendit tha se pa regjistrim nuk ka votim.

    ”Ju që jeni regjistruar kontaktoni miqtë dhe familjarët tuaj e meqë tashmë e dini si bëhet regjistrimi ndihmoni edhe ata që të regjistrohen suksesshëm. Pa regjistrim nuk ka votim. Regjistrohuni online në platformën e KQZ-së për të votuar nga jashtë për zgjedhjet e shkurtit 2025. Vota juaj është e drejtë demokratike dhe shërbim i pazëvendësueshëm për vendin tonë”, tha Kurti.

    Ndryshe zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2024.

    Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora

  • Netanyahu kërcënon grupin Huthi të mbështetur nga Irani lidhur me sulmet e shtuara

    Netanyahu kërcënon grupin Huthi të mbështetur nga Irani lidhur me sulmet e shtuara

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një paralajmërim për grupin Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen, të cilët kanë shtuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit në javët e fundit, transmeton Anadolu.

    “Ne po godasim armiqtë tanë dhe ata që mendojnë se mund të na e prenë fillin e jetës këtu. Kjo do të zbatohet për të gjithë”, tha Netanyahu të mërkurën X në një mesazh me rastin e fillimin të festës hebraike Hanukkah.

    “Huthit do të mësojnë, siç kanë mësuar Hamasi, Hezbollahu, regjimi i Asadit dhe të tjerët, dhe edhe nëse kërkon kohë, ky mësim do të kuptohet në gjithë Lindjen e Mesme”, shtoi ai.

    Grupi jemenas thotë se sulmet e tij janë hakmarrje për luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 45.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023./AA/

  • LDK-ja përfundon fushatën paraelektorale, Abdixhiku fton qytetarët të bashkohen për ndryshim

    LDK-ja përfundon fushatën paraelektorale, Abdixhiku fton qytetarët të bashkohen për ndryshim

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mbështetësit e partisë për pjesëmarrjen e tyre aktive në turin paraelektoral.

    Abdixhiku e cilësoi këtë periudhë si “madhështore”, duke shtuar se ajo krijoi një momentum të ri për LDK-në dhe për Kosovën, si një hap i rëndësishëm drejt fitores së madhe që do të realizohet në zgjedhjet e ardhshme.

    “Turneu paraelektoral i ndryshimit, përfundoj; për t’i hapur vend tani fushatës elektorale që do të nisë më 11 janar të vitit 2025. Ishte bukur, ishte zjarrtë, ishte thjeshtë madhështore – si asnjëherë më parë. LDK dhe mbështetësit tanë krijuan momentum të ri, si prelud i fitores të madhe për Republikën”, ka shkruar Abdixhiku.

    Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu mirënjohjen për qytetarët, të cilët sipas tij, dhanë “jetë” lëvizjes për ndryshim dhe e mbushën partinë me shpresë për një të ardhme më të ndritshme.

    Abdixhiku theksoi se ringritja e LDK-së është e pashmangshme dhe se e ardhmja është e ndritur, duke e përshkruar si një refuzim të ndarjes, përçarjes dhe urrejtjes që përhapet në shoqëri.

    “Ju i dhatë jetë lëvizjes sonë për ndryshim, ju i dhatë shpresë LDK-së dhe Kosovës për të ardhmen që na pret. Mbi të gjitha, ju na dhatë zërin që na mungonte kaherë. Ringritja jonë është e destinuar; e ardhmja jonë është thjeshtë e bukur! Ajo qëndron si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes e urrejtjes që na shtyhet gjithandej”, u shpreh Abdixhiku.

    Ai gjithashtu bëri thirrje për angazhim të madh në fushatën elektorale që do të nisë më 11 janar 2025, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e festave dhe takimeve të mëdha që do të organizohen gjatë periudhës së ardhshme.

    Abdixhiku përfundoi me mesazhin: “Ndryshimi po vjen, bëhu ndryshimi!”

  • ​Shtohen shërbimet mjekësore për policët

    ​Shtohen shërbimet mjekësore për policët

    Mbi 3 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) iu janë nënshtruar kontrolleve mjekësore sistematike. Ndërkaq, janë kryer mbi 2 mijë e 100 kontrolle mjekësore psikologjike për rekrutët e rinj të Policisë së Kosovës. Këto shërbime janë kryer në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit mes PK-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve.

    Në një konferencë të përbashkët për media mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës u theksua se ofrimi i shërbimeve mjekësore specialistike në kuadër të kësaj marrëveshjeje ka ndikuar në ruajtjen e mirëqenies shëndetësore për të gjithë të punësuarit e PK-së.

    Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari tha se janë të gatshëm të ofrojnë këto shërbime edhe në vitet vijuese si dhe për të rritur nivelin e shërbimeve.

    “Ajo se çfarë është më e veçantë e vitit 2024 është se për 150 për qind kemi shtim të shërbimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Mbi 3 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës iu kanë nënshtruar kontrolleve sistematike. Si Shërbim Spitalor në nivel të Kosovës me të gjitha organet e sigurisë me të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi dhe ofrimin e këtyre shërbimeve në këtë rast edhe Policinë e Kosovës, jemi të gatshëm për të ofruar këto shërbime edhe në vitet vijuese, për të rritur edhe nivelin e shërbimeve. Përpos një memorandumi që e kemi të dakorduar ne jo rrallë herë kemi dalë jashtë këtij memorandumi për të ofruar për nevojat dhe për obligime ose detyra specifike të cilat kanë qenë kërkesa të departamentit të Policisë së Kosovës”, tha Hajdari.

    Ndërkaq, drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës, Lendita Kajtazi vlerësoi se kjo marrëveshje mes PK-së dhe SHKUK-së ka rezultuar e suksesshme.

    “Marrëveshja e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për ofrimin e shërbimeve mjekësore, psikologjike për personelin policor dhe rekrutët vlerësojmë se ka rezultuar me rezultat jashtëzakonisht të mirë. Bazuar në natyrën e punës në ndikim, nën presion psikofizik të personelit policor për të garantuar një siguri të përgjithshme në vend, ofrimi i shërbimeve mjekësore specialiste në kuadër të QKUK-së dhe të spitaleve rajonale të SHKUK-së ka ndikuar në ruajtjen e mirëqenies shëndetësore për të gjithë të punësuarit e Policisë së Kosovës, duke ndikuar kështu në rritjen e efikasitetit, në përmbushjen e detyrave zyrtare të tyre për të ruajtur sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, potencoi Kajtazi.

    Kajatazi potencoi se përveç kontrollimit mjekësor sistematik, janë realizuar edhe testime mjekësore periodike për të gjithë pjesëtarët e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës.

    Ndër të tjera, ajo tregoi edhe numrin e pjesëtarëve që kanë marrë këto shërbime.

    “Përveç kontrollimit mjekësor sistematik kemi arritur të realizojmë testime mjekësore periodike për të gjithë pjesëtarët e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës. Në raportin përmbledhës nëntor 2023 dhe dhjetor 2024 bazuar në memorandum mirëkuptimi në fjalë kemi arritur të realizojmë 3 mijë e 78 kontrollime mjekësore sistematike. Po ashtu kemi arritur kontrollime mjekësore psikologjike për rekrutët e rinj të PK-së, 2 mijë 148. Kontrollime mjekësore psikologjike për rekrutët, minoritetet 170. Po ashtu, pjesëtarë të Departamentit të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës kanë kryer testime mjekësore psikologjike në QKUK 549. Ekzaminime mjekësore të avancuara kanë qenë të realizuara për punonjësit e Policisë ku ka pasur nevojë dhe rekomandime”, tha Kajtazi.

    Ndërkaq, në kuadër të pyetjeve nga gazetarët, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari tha se janë me prioritet të gjitha kategoritë e sistemit të sigurisë, duke shtuar se në këtë rast anashkalohen edhe listat e pritjes, raporton kp.

    Hajdari: Kategoritë e sistemit të sigurisë në Kosovë, natyrisht që janë me prioritet

    “Jo vetëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por edhe për pjesëtarët e FSK-së dhe kategoritë e tjera të sistemit të sigurisë në Kosovë, natyrisht që janë me prioritet dhe anashkalohet lista e pritjes sidomos tek rastet urgjente”, theksoi Hajdari.

    Marrëveshja e bashkëpunimit mes PK-së dhe SHSKUK-së për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve është nënshkruar në nëntor të vitit 2023.

  • Aksion për lirimin e pronave të uzurpuara në veri, Policia has në struktura paralele

    Aksion për lirimin e pronave të uzurpuara në veri, Policia has në struktura paralele

    Me kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Policia ka asistuar sot për lirimin e disa pronave.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai tha se aksioni u bë në një objekt banesor, derisa tha se gjatë aksionit kanë hasur në disa struktura paralele.

    “Komuna ka kërkuar intervenimin e policisë për lirimin e disa pronave. Kur kemi bërë bastisje kemi hasur në disa struktura paralele. Punëtorët janë larguar”, tha ai.

    Elshani tha se tashmë me rastin është duke u marrë Prokuroria.

  • BQK: Viti 2024 mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

    BQK: Viti 2024 mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka mbajtur sot konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarë, ku njoftoi se se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Ismaili bëri të ditur se megjithëse deri në shtator ishte regjistruar një rritje prej 4.6%, ekonomia e Kosovës pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për këtë vit.

    Në lidhje me inflacionin, ai theksoi se shkalla mesatare për këtë vit ka qenë 1.6%, një nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2025. Po ashtu, remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro.

    “Ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për vitin 2024. Derisa deri në shtator është arritur një rritje prej 4.6%”.

    “Shkalla mesatare e inflacionit në Kosovë arriti 1.6%, dhe pritjet janë që inflacioni të mbyllet në 1.6%, siç pritet të jetë edhe në vitin 2025”.

    “Remitancat kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor, dhe ne presim që të mbyllen në 1.3 miliardë euro. Ky ishte viti i parë me liberalizimin e vizave, dhe prandaj e kemi pritur një ngjarje të tillë”.

    Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e investimeve të huaja direkte, theksoi Ismaili, të cilat kanë arritur në 657 milionë euro. Ky trend pozitiv, sipas pritshmërive të BQK-së, do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.

    “Investimet e huaja direkte kanë arritur në 657 milionë euro, që tregon një rritje, dhe ne presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet 2025-2026. Eksporti i shërbimeve vazhdon me një trend pozitiv”.

    Ndërkohë, asetet e sektorit financiar, pa përfshirë BQK-në, kanë arritur në 12.2 miliardë euro, ndërsa totali, duke përfshirë BQK-në, është 14.2 miliardë euro.

    “Asetet e sektorit financiar kanë arritur në 12.2 miliardë euro pa përfshirë BQK-në, ndërsa 14.2 miliardë euro me përfshirë BQK-në”, ka bërë të ditur Ismaili.