ATV

Category: Lajme

  • ​Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë pothuajse tërë ditën

    ​Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë pothuajse tërë ditën

    Një pjese e lagjeve në kryeqytet kanë mbetur pa rrymë gjatë ditës së sotme (e hënë) nga ora 11:00, përkatësisht lagjja e “Muhaxherëve”.

    Në KEDS thonë se ndërprerja e energjisë elektrike në këtë lagje është e planifikuar për punime në rrjet.

    Zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi thekson se në lagjen e “Muhaxherëve” kjo kompani ka ndal furnizimin me energji elektrike si rrjedhojë e punimeve të planifikuara. Derisa shton se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike pritet të zgjatë deri në ora 15:00.

    “Ka punime të planifikuara deri rreth orës 15:00, që lidhen kryesisht me punim në rrjet”, thekson Krasniqi për KosovaPress.

    Përndryshe, kohëve të fundit janë paraqitur probleme të mëdha energjinë elektrike në disa qytete të Kosovës, si Malisheva, Istogu, Prishtina, Ferizaj, Fushë Kosova, e ku mungesat kanë qenë deri në 12 orë. Si shkak i ndërprerje kanë ndodhur edhe protesta në Ferizaj.

  • Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.

    Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

    “Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.

    Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.

    Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.

    Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

    Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.

    Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.

    Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare./REL

  • Osmani uron Veteranët e UÇK-së: 30 dhjetori, mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari

    Osmani uron Veteranët e UÇK-së: 30 dhjetori, mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar veteranët për Ditën e Veteranëve të UÇK-së.

    “Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar. Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut”, ka shkruar Osmani.

    Ajo në urimin e saj thekson se kjo datë mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar Adem jashari.

    “30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së!”, ka thënë presidentja Osmani.

  • Zgjedhjet për president në Kroaci: Milanoviq fiton shumicën e votave në raundin e parë, shkon në balotazh

    Zgjedhjet për president në Kroaci: Milanoviq fiton shumicën e votave në raundin e parë, shkon në balotazh

    Presidenti aktual i Kroacisë, Zoran Milanoviq, fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën, por duhet të përballet edhe me balotazh kundër një kandidati të partisë në pushtet për të siguruar një mandat tjetër pesëvjeçar.

    Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Milanoviq me prirje të majtë fitoi 49% ndërsa kundërshtari i tij kryesor Dragan Primorac, kandidat i partisë konservatore në pushtet HDZ, mbeti shumë prapa me 19%, raporton Associated Press.

    Sondazhet parazgjedhore kishin parashikuar se të dy do të përballeshin në raundin e dytë më 12 janar, pasi asnjë nga tetë pretendentët e zgjedhjeve presidenciale nuk ishte parashikuar të merrte më shumë se 50% të votave.

    Milanoviq falënderoi mbështetësit e tij, por paralajmëroi “ky ishte vetëm një vrap i parë”.

    “Le të mos jemi triumfues, le të jemi realistë, të vendosur me këmbë në tokë”, tha ai.

    Milanoviq është kritik i hapur i mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Ai shpesh krahasohet me Donald Trump për stilin e tij luftarak të komunikimit me kundërshtarët politikë.

  • Çfarë do të ndodhë në Siri, udhëheqësi rebel: Zgjedhjet e reja mund të zgjasin deri në katër vite

    Çfarë do të ndodhë në Siri, udhëheqësi rebel: Zgjedhjet e reja mund të zgjasin deri në katër vite

    “Mbajtja e zgjedhjeve të reja në Siri mund të zgjasë deri në katër vjet”, kështu deklaroi lideri rebel Ahmed al-Sharaa.

    Kjo është hera e parë që ai jep një afat kohor për zgjedhjet e mundshme në Siri që kur grupi i tij Hayat Tahrir al-Sham (HTS) udhëhoqi një ofensivë rebele që rrëzoi ish-presidentin Bashar al-Assad.

    Në intervistën me transmetuesin shtetëror saudit Al Arabiya, ai tha se hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet.

    Ndër të tjera shtoi se mund të kalojë gjithashtu një vit përpara se sirianët të fillojnë të shohin ndryshime të rëndësishme dhe përmirësime në shërbimet publike pas përmbysjes së regjimit të Asadit.

    Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Jolani , ka udhëhequr autoritetet e reja të vendit pasi presidenca e Asadit ra në fillim të këtij muaji. Që atëherë, janë ngritur pyetje mbi mënyrën se si HTS do të qeverisë vendin multi-etnik.

    HTS filloi si një grup xhihadist, duke përkrahur dhunën për të arritur qëllimin e tij për krijimin e një shteti të qeverisur nga ligji islamik (Sheriati), por është distancuar nga ajo e kaluar në vitet e fundit.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj 13 personave për incidentin vdekjeprurës në Novi Sad

    Ngrihet aktakuzë ndaj 13 personave për incidentin vdekjeprurës në Novi Sad

    Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jelena Tanaskoviq, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor muajin e kaluar.

    Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 15 njerëz të vdekur dhe dy të lënduar.

    Prokuroria në Novi Sad tha në një komunikatë të hënën se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si, krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

    Aktakuza është ngritur pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës, sipas Prokurorisë.

    Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.

    Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

    Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.

    Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiq, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat.

    Studentët gjithashtu kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke e bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë.

    Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.

    Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

    Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen.

    Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviq.

    Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burgim nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi./REL/

  • Gjatë legjislaturës së tetë u miratuan më së shumti ligje, por u regjistruan dhe mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare

    Gjatë legjislaturës së tetë u miratuan më së shumti ligje, por u regjistruan dhe mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare

    “Në mungesë të kuorumit”, ishte fjala që u përmend më së shumti nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, raporton EO.

    Kjo u bë e ditur nga raporti i shpalosur të hënën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), raport ky që vlerësoj performancën e Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

    Hulumtuesja e lartë në KDI, Violeta Haxhimolli, ka thënë se gjatë kësaj legjislature gjithmonë ka pasur kuorume në letra, por që kuorumet kanë munguar në praktikë.

    Ajo tha se janë regjistruar mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare.

    Sipas saj, legjislatura e tetë është legjislatura që ka miratuar ligje më së shumti se çdo legjislaturë tjetër, ku u miratuan 282 ligje në total.

    Ajo ka shtuar se kryeministri Kurti dhe ministrat, janë përgjigjur në 83 për qind të pyetjeve të deputeteve, ndërsa 17 për qind nuk përgjigjen.

    “Kryesia e Kuvendit ka mbajtur 93 mbledhje ku 124 mbledhje kanë qenë të planifikuara. Janë mbajtur 263 seanca, viti 2022 ishte viti me më së shumti seanca. “Në mungesë të kuorumit” ishte fjalia që u përmend më së shumti nga kryetari i Kuvendit. 35 për qind e seancave janë lënë në vazhdimësi. Shumë deputet ishin të pranishme në fillim të seancës dhe e braktisen në mes seancën. Gjithmonë ka pasur kuorum në letër e as një herë në praktik. Kishte edhe mungesa të shumta të deputeteve, ka deputet që në shumicën e rasteve nuk kanë ardhur fare në seanca. Deputet kanë bërë 5 mijë mungesa. Lista serbe është e para me mungesë me 32 për qind, e dyta është VV-ja me 27 për qind, PDK 16 për qind, LDK 14 për qind, AAK 5 për qind. Për nga sasia e ligjeve legjislatura e tetë ka miratuar ligje më së shumti se çdo legjislaturë tjetër, janë miratuar 282 ligje në total. Planin legjislativ u përmbush ne nivel 36 për qind, Kuvendi nuk e përmbushi as një here për katër vite planin legjislativ”, tha Haxhimolli.

  • Policia e Ferizajt shqipton 791 gjoba dhe heq katër patentë shoferësh brenda 1 jave

    Policia e Ferizajt shqipton 791 gjoba dhe heq katër patentë shoferësh brenda 1 jave

    Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 791 gjoba kundërvajtëse gjatë javës së kaluar.

    Gjatë këtyre kontrolleve, janë hequr katër patentë shoferësh për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë raportuar 62 aksidente, përfshirë 19 aksidente me lëndime, ku 27 persona janë dëmtuar, dhe 43 aksidente me dëme materiale.

    Policia e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me masa të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe apelon për kujdes të shtuar nga shoferët në rrugë.

  • KPK për deklaratën e Kurtit: Të gjithë janë të barabartë para ligjit

    KPK për deklaratën e Kurtit: Të gjithë janë të barabartë para ligjit

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, ka theksuar mbështetjen e plotë të KPK-së për Prokurorinë Speciale të Kosovës në zbatimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor.

    Ai theksoi se “të gjithë janë të barabartë para ligjit”, duke i bërë jehonë deklaratës lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti, që të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore.

    Në një konferencë për media, Hajdaraj theksoi se KPK mbështet punën e Prokurorisë Speciale dhe përkushtimin e saj në realizimin e detyrave të saj.

    Kryeministri Kurti, nga ana tjetër, ka shmangur disa herë ftesën për intervistim nga Prokurorinë dhe ka shprehur gatishmërinë për të pritur prokurorët në zyrën e tij për të diskutuar çështjen, por pa ofruar përgjigje formale për intervistimin.

  • Kore e Jugut, 179 të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Kore e Jugut, 179 të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Një aeroplan udhëtarësh shpërtheu në flakë të dielën pasi doli nga pista në një aeroport të Koresë së Jugut dhe u përplas në një mur betoni. Shumica e 181 personave në bord vdiqën në një nga fatkeqësitë më të rënda të aviacionit të vendit.

    Aeroplani i kompanisë Jeju Air u rrëzua gjatë uljes në qytetin Muan, rreth 290 kilometra në jug të Seulit. Ministria e Transportit tha se bëhet fjalë për një avion 15-vjeçar Boeing 737-800 që po kthehej nga Bangkoku dhe se përplasja ndodhi në orën 9:03 të mëngjesit sipas kohës lokale.

    Autoritetet thanë se 179 veta humbën jetën. Punonjësit e urgjencës tërhoqën në vend të sigurt dy persona, të dy anëtarë të ekuipazhit. Zyrtarët shëndetësorë thanë se ata janë të vetëdijshëm dhe nuk janë në rrezik për jetën.

    Dy persona llogariteshin të zhdukur rreth nëntë orë pas incidentit. Mes 179 trupave të gjetur, zyrtarët deri më tani kanë identifikuar 57 prej tyre, tha agjencia e zjarrfikësve. Udhëtarët ishin kryesisht nga Koreja e Jugut, si dhe dy shtetas tajlandez.

    Agjencia zjarrfikëse dërgoi në vendin e ngjarjes 32 kamionë dhe disa helikopterë për të vënë flakët nën kontroll. Rreth 1,570 zjarrfikës, policë, ushtarë dhe zyrtarë të tjerë u dërguan gjithashtu në vend, sipas agjencisë zjarrfikëse dhe ministrisë së Transportit.

    Pamjet e përplasjes të transmetuara nga kanalet televizive të Koresë së Jugut shfaqën aeroplanin e kompanisë Jeju Air duke rrëshqitur nëpër pistën e aeroportit shpejtësi të madhe, me sa duket me mjetet e uljes ende të mbyllura, duke kapërcyer pistën dhe duke u përplasur me një mur betoni dhe duke shpërthyer. Stacione të tjera televizive lokale transmetuan pamje me shtëllunga të dendura tymi të zi që dilnin nga aeroplani, i cili u përfshi nga flakët.

    Lee Jeong-hyeon, shefi i stacionit të zjarrfikësve në Muan, tha në një konferencë shtypi se avioni u shkatërrua plotësisht dhe vetëm pjesa e bishtit mbeti e dallueshme midis rrënojave. Ai tha pos shqyrtohen mundësi të ndryshme rreth asaj që e shkaktoi rrëzimin, duke përfshirë mundësinë që avioni ishte përplasur me zogj.

    Zyrtarët e ministrisë së Transportit thanë më vonë se vlerësimi i tyre i hershëm i të dhënave të komunikimit tregon se kulla e kontrollit të aeroportit lëshoi një paralajmërim për mundësinë e përplasjes me zogj goditjen pak para se avioni të synonte të ulej dhe t’i jepte pilotit lejen për t’u ulur në një zonë tjetër. Piloti dërgoi një sinjal shqetësimi pak para se avioni të dilte nga pista, thanë zyrtarët.

    Zyrtari i lartë i Ministrisë së Transportit Joo Jong-wan tha se punëtorët kanë marrë të dhënat e fluturimit dhe “kutinë e zezë” të avionit, të cilat do të hetohen nga ekspertët e qeverisë për të mësuar shkakun e përplasjes dhe zjarrit. Ai tha se mund të duhen muaj që hetuesit të përfundojnë punën e tyre. Pista në aeroportin Muan do të jetë e mbyllur deri më 1 janar, tha ministria.