ATV

Category: Lajme

  • Pesë të vdekur nga stuhia e fortë dimërore në ShBA

    Pesë të vdekur nga stuhia e fortë dimërore në ShBA

    Të paktën pesë persona kanë vdekur në një stuhi dimërore që ka kapur një pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke çuar në mbyllje masive të shkollave, kaos udhëtimesh dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

    Shtatë shtete amerikane shpallën gjendje emergjente: Maryland, Virginia, West Virginia, Kansas, Missouri, Kentucky dhe Arkansas.

    Më shumë se 2,300 fluturime janë anuluar, me afro 9,000 vonesa të raportuara gjithashtu për shkak të motit ekstrem të shkaktuar nga vorbulla polare e ajrit të ftohtë.

    Rreth 190,000 njerëz nuk kishin energji elektrike herët të martën në të gjitha shtetet në rrugën e stuhisë, sipas raportimeve të mediave botërore.

    Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), bora dhe reshjet parashikohen të vazhdojnë gjatë ditës në pjesën më të madhe të pjesës verilindore të SHBA-së.

    Ndërsa reshjet më pas do të ndalen, ajri i ftohtë i Arktikut pritet të mbajë kushtet e akullta në një pjesë të vendit për disa javë të tjera.

  • Arrestohen dy persona në Prizren, dyshohet se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një personi

    Arrestohen dy persona në Prizren, dyshohet se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një personi

    Dy persona janë arrestuar në Prizren pasi dyshohen se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një tjetri.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00 dhe është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Dhunë në familje”.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit i kanë demoluar disa vila dhe shtëpinë ankuesit mashkull kosovar. Vlera e demit raportohet të jetë e lartë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar: dy pushkë gjuetie, 105 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një thikë, një shufër metalike, tre karikator dhe një automjet.

    Bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Dyshohet se u rrah nga bashkëshorti, gruaja në Ferizaj dërgohet në strehimore

    Dyshohet se u rrah nga bashkëshorti, gruaja në Ferizaj dërgohet në strehimore

    Një grua në Ferizaj është dërguar në strehimore pasi dyshohet se u rrah nga bashkëshorti. Ky i fundit gjendet në arrati.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 23:00.

    “I dyshuari mashkull kosovar-bashkëshorti dyshohet se ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare, ku si pasoj me 03.01.2025 ishte larguar nga shtëpia. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati, rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

  • Stagnim ekonomik, Rafuna: Bizneset në gjendje të vështirë, ngecën investimet kapitale

    Stagnim ekonomik, Rafuna: Bizneset në gjendje të vështirë, ngecën investimet kapitale

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar qeverinë për mungesën e masave efektive që mbështesin bizneset, duke theksuar se politika fiskale nuk ka ndryshuar që nga pandemia. Ai ka kërkuar që të miratohen lehtësira dhe ndryshime në TVSh, si dhe reformë të thelluar të politikave fiskale – për të krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.

    Në një intervistë për KosovaPress, Rafuna është shprehur i shqetësuar për gjendjen e vështirë të bizneseve në Kosovë, duke theksuar se investimet kapitale, që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik, nuk janë realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.

    Ai ka vënë në dukje se nuk ka asnjë projekt konkret që mund të konsiderohet si sukses, ndërkohë që investimet kapitale, të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, nuk janë realizuar siç duhej.

    Rafuna, gjithashtu, ka theksuar se, edhe pse diaspora ka kontribuar me investime, ato janë fokusuar kryesisht në sektorin e paluajtshmërive. Sipas tij, kjo ka rezultuar në një zhvillim ekonomik që nuk është i qëndrueshëm, pasi investimet në këtë sektor nuk krijojnë vende të qëndrueshme pune dhe nuk stimulojnë rritjen afatgjatë të ekonomisë.

    “Nuk është se ka pas ndonjë përkrahje për bizneset. Në qoftë se shohim në kuptimin e politikave fiskale, që rreth 4 apo 5 vite prej pandemisë, që nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë freskim i politikave fiskale, përkundër që ka qenë kërkesa jonë që të ketë ende më shumë lirime, shkallëzim të TVSh-së, të ketë një reformim serish të TVSh-së, nuk kemi pas një transparencë, dialog sa i përket sjelljes së ligjeve…Ka mbizotëruar një pasiguri totale juridike sa i përket biznesit”, ka deklaruar Rafuna.

    Rafuna vlerëson se ngecjet më të mëdha kanë qenë tek pjesa e investimeve kapitale të cilat sipas tij nuk janë realizuar.

    “Ngecjet më të mëdha që kemi vërejtur dhe që kemi parë kanë qenë sidomos tek pjesa e investimeve kapitale, ajo pjesë ku neve si biznes na intereson shumë dhe të cilat janë një infuzion shumë i madh për ekonominë e vendit tonë. Asnjëherë gjatë këtyre katër viteve nuk është realizuar ajo shumë e cila ka qenë e paraparë me ligjin e buxhetit. Ai trend ka vazhduar edhe në vitin e fundit të mandatit të kësaj qeverie, edhe pse kemi qenë shumë të zëshëm dhe kemi kërkuar që në qoftë se nuk mund të rritet shuma e investimeve kapitale të shpenzohet ajo që është e paraparë…Nuk po më kujtohet që ka ndonjë projekt që ja vlen. Kemi shumë projekte, shumë rrugë që kanë mbetur të pa realizuara, por nuk e di asnjë projekt që u finalizua dhe qëja vlen të përmendet…Nuk e kemi asnjë projekt konkret kapital që ja kish vlejte të potencohet”, ka nënvizuar Rafuna.

    Ai thekson se diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në investime, por sipas tij, në sektorin e paluajtshmerisë.

    Rafuna konsideron që këto investime duhet të kthehen në projekte konkrete zhvillimore që do të kishin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës.

    “Te investimet e huaja duhet t’i falënderohemi diasporës të cilët kanë bërë investime. Ato të cilat kanë dominuar kanë ardhur në paluajtshmëri që sërish është pyetje e madhe se a duhen gjitha ato të konsiderohen investime apo jo? Sidomos tek ato paluajtshmëri për të cilat nuk merret një e mirë materiale. Kështu, sërish dominojnë diaspora dhe nuk kemi arrit që të riorientojmë diasporën në projekte konkrete zhvillimore. Dhe tani jemi duke punuar bashkë me të gjitha shoqatat, agjencitë e diasporës që të krijojmë një zyrë këtu që do t’i ndihmojmë diasporës tonë për t’i kthyer ato mjete në projekte konkrete zhvillimore për interes të vendit”, ka thënë Rafuna.

    Ai flet edhe për masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dështimi nga sanksionet nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptim të imazhit të vendit.

    “Dëmtimi nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptimin e imazhit. Dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë situatën sa i përket investimeve, dhe për qindjes së nivelit të zhvillimit ekonomik. Në qoftë se i përmbledhim shohim shpenzimi i pakët i investimeve kapitale nën masa ndëshkuese që nuk i kemi thithur minimumi 300 milionë që kanë qenë të parapara për projekte kapitale. Shto këtu edhe borxhin e ulët, pra mos rritja e borxhit për projekte kapitale për interes të shtetit e sheh më së miri se ku jemi me nivelin e zhvillimit ekonomik si shtet…Në qoftë se nuk kishin qenë këto masa ne së paku i kishim thith gjitha ato grante, mjete që kanë qenë të parapara për investime të cilat i kanë marrë vendet tjera përreth neve, por ne nuk kemi mundur t’i marrim si rezultat i këtyre masave. Tek fondi i digjitalizimit gjitha shtetet e rajonit morën pjesën e vet, kurse Kosova nuk arriti ta thith atë pjesën e vet, dhe po ashtu edhe në fonde tjera”, ka thënë Rafuna.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit.

    Këto sanksione kanë hyrë në fuqi më 28 qershor 2023, derisa përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

  • ​Dërgohet për trajtim në Turqi i lënduari nga fishekzjarrët në Prizren

    ​Dërgohet për trajtim në Turqi i lënduari nga fishekzjarrët në Prizren

    Personi që ishte lënduar natën e 31 dhjetorit pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren, është dërguar për trajtim në Turqi të hënën.

    Pas lëndimit nga zjarri i madh, ai ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.

    Bashkësia Islame e Kosovës tha përmes një njoftimi se në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë, kanë mundësuar që personi i lënduar të dërgohet me aeroplan special për në Turqi.

    Sipas BIK-ut, trajtimi do të bëhet në Qendrën Hulumtuese Spitalore për djegie të thella në Stamboll.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në natën e Vitit të Ri.

    Zjarri ishte përhapur edhe në lokalet dhe ndërtesat rreth pikës së shitjes.

    Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e saktë të dëmeve.

  • Katër të lënduar nga aksidenti mes disa veturave në Prizren

    Katër të lënduar nga aksidenti mes disa veturave në Prizren

    Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit mes disa veturave, që ndodhi mbrëmë pas mesnate në rrugën “Wesley Clark” në Prizren.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale.

    “Rasti ka ndodhur rreth orës 00:28. Pra, aksident me lëndime dhe dëme materale. Hetimet po zhvillohen nga Stacioni Policor në Prizren”, tha Gashi.

  • Tërmet i fuqishëm në Kinë, raportohet për mbi 50 të vdekur

    Tërmet i fuqishëm në Kinë, raportohet për mbi 50 të vdekur

    Më shumë se 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pas një tërmeti të fortë në Kinë, sipas mediave shtetërore të vendit.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) tha se kishte regjistruar një tërmet me magnitudë 7.1 ballë, me qendër në rajonin e Tibetit, shkruajnë mediat e huaja.

    Ai goditi në një zonë malore, pranë kufirit me Nepalin, pak pas orës 9:05 të mëngjesit të martën, sipas Qendrës së Rrjeteve të Tërmeteve në Kinë.

    Televizioni shtetëror i Kinës (CCTV) tha se epiqendra ishte në rajonin Tingri, rreth 380 km (240 milje) nga kryeqyteti i Tibetit Lhasa dhe rreth 23 km (14 milje) nga qyteti i dytë më i madh i rajonit, Shigatse – i njohur gjithashtu si Xigaz.

    Shigatse është një nga qytetet më të shenjta të Tibetit. Është shtëpia e Manastirit Tashilhunpo – selia tradicionale e Panchen Lama, i cili është i dyti vetëm pas Dalai Lamës për sa i përket autoritetit shpirtëror në budizmin tibetian.

    Ndërkohë janë publikuar pamje që tregojnë momentin e dridhjeve dhe pasojat e tij, përcjell Telegrafi.

  • Vdes një i burgosur në QKUK, po trajtohej nga gripi

    Vdes një i burgosur në QKUK, po trajtohej nga gripi

    Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka njoftuar se sot, rreth orës 22:00, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet A.M.

    I ndjeri ishte duke u trajtuar nga një grip, i cili e ka progreduar në mushkëri.

    Edhe pas trajtimeve nga mjekët adekuat në klinikën infektive, gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe nuk ka mundur të mbijetojë.

  • 105 kërkesa për falje nga të burgosurit – Një pret faljen nga presidentja Osmani, 16 të tjera në shqyrtim

    105 kërkesa për falje nga të burgosurit – Një pret faljen nga presidentja Osmani, 16 të tjera në shqyrtim

    Është viti i katërt që presidentja Vjosa Osmani nuk është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese që t’i fal të burgosurit, pavarësisht numri i kërkesave për falje në vitin 2024 ka arritur 105 kërkesa për falje.

    Por, nga presidenca kanë bërë të ditur se këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca.

    Ndërsa, gjithsej janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.

    Përfaqësues të drejtësisë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thonë se pavarësisht që presidentja ka mundësi që të fal ose jo të burgosurit, mos faljen e tyre e konsiderojnë si një shkelje të të drejtave të njeriut.

    Avokati Xhevdet Smakiqi, tha se mungesa e faljeve për katër vite është një keqpërdorim i diskrecionit presidencial.

    Sipas tij, praktika e faljeve është një element i rëndësishëm i demokracive perëndimore, që ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve.

    “Është e çuditshme në një shtet demokratik siç pretendon dhe është Kosova me Kushtetutën e saj dhe ne duhet të zbatojmë praktikat më të mira të shteteve demokratike perëndimore. Ju e keni parë që edhe Joe Biden dhe plot shtete ku presidentët në fund të vitit, apo për ndonjë festë kombëtare zakonisht e përdorin institutin e drejtës penale që është falja, pra në mënyrë individuale të presidenteve të shteteve përfshirë edhe Vjosa Osmanin ka diskrecion. Por, nuk mund të quhet diskrecion apo keqpërdorim të diskrecionit, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të diskrecionit të presidentes e cila për katër vite nuk e ka aprovuar as një rekomandim të Komisioneve të cilët ekzistojnë një varg kërkesash dhe kushtesh të cilat përmbushen”, ka thënë ai.

    Sipas Smakiqit, për një periudhë katërvjeçare, presidentja Osmani nuk ka pranuar asnjë rekomandim për falje, duke e cilësuar këtë si një shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

    Ai tha se është e dhimbshme mos falja e të dënuarve duke marr parasysh që vetë Osmani është juriste.

    “Unë e konsideroj këtë si pjesë të karakterit të Vjosa Osmanit dhe është e dhimbshme se ajo është edhe vetë juriste. Mbi këtë bazë çuditem se çfarë etike profesionale mund të ketë një presidente e cila për katër vite rresht nuk fal sepse falja nuk nënkupton që t’i po ndërhynë në sistemin e drejtësisë, por nënkuptim një vullnet të mirë dhe një praktikë demokratike, në një shtet ku nuk do të thotë të lirohen të burgosurit, por për shembull t’i falen disa vite, ti falen disa muaj, ata që janë në fund dënimit që kanë sjelle të mira që nuk janë në komisione disiplinore të SHKK-së. Pra’ ata të cilët në një farë mënyre janë përgatitur të kthehen shoqërisë, presidentja nuk po ja jep këtë mundësi dhe unë e konsideroj edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo do të pasqyrohet edhe në raportin e progresit të organizatave të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

    Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë, duke e krahasuar me sisteme diktatoriale.

    Shala ka theksuar se mungesa e faljeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e të burgosurve për t’u sjellë mirë dhe ka pasur gjithashtu shqetësime se ky veprim do të ketë pasoja për reputacionin e vendit.

    “Nuk ka ndodh në historinë jo vetëm të Kosovës por edhe në shtet diktatoriale fashiste që nuk ka pasur falje, i ke parë kohën e fundit para një viti sa ka përfituar Shqipëri të burgosurit, edhe Biden ka falur një numër të madh të dënuarve, në mesin e tyre edhe një shqiptar i akuzuar për trafikim me narkotik. Që tek ne nuk hynë as në listë për falje. Ne mendoj se ajo po e shpërdor një të drejtë kushtetuese sikurse që po e shpërdor sjelljen e mirë të burgosurve, sepse nuk mund të motivohen të burgosurit që të sillen mirë në qoftë se nuk ka falje. Në anën tjetër po e vënë në pozitë shumë të rëndë Shërbimin Korrektues të Kosovës që punon shumë me të burgosur. Dhe e treta nuk është normale, këtë vit janë vetëm 94 kërkesa dhe më herët kanë qenë 400-500, të mos të gjendet as një burgosur i vetëm i cili e meriton faljen”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se është për tu çuditur edhe fakti se si vetë presidentja ka krijuar Komisionin, i cili i trajton kërkesat e të burgosurve për falje dhe se nuk i merr parasysh ato rekomandime të Komisionit.

    Shala ka përmendur edhe disa raste të të burgosurve që do të duhej të liroheshin.

    “Me këtë presidentja po e krijon një perceptim që Kosova është shoqëri kriminale dhe nuk mund të falet as kush, është një porosi e keqe edhe për vendim edhe për jashtë. Vetë presidentja e formon një Komision ad hoc i cili i trajton kërkesat të burgosurve, ata anëtar paguhen prej buxheti të Kosovës edhe në fund i vije puna që vetë presidentja nuk po i beson atij Komision që vetë e ka themeluar i cili ja dërgon presidentes një listë të ngushtë për ata që e meritojnë që të falen. Kjo do ta përfundoj mandatin thuaj pa falur as një të burgosur, për ne është e pa kuptueshëm. Edhe ne që punojmë gjatë me të burgosur e kemi të qartë se kush e meriton të falen. Kemi raste në mesin e femrave për shembull shtatëzëna e dënuar për trafik, e burgosur me kancer shtetase e Serbisë e dënuar në Kosovë që vetëm është barrë për burgjet dhe buxhetin e Kosovës dhe nuk e sheh as një arsye që ajo të fal. Është e pa kuptueshëm edhe ne nuk kemi përgjigje për këtë veprim të presidentes”, ka thënë ai.

    BNga Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për EO kanë thënë se gjatë vitit 2024 ka pranuar 94 kërkesa për falje, por që asnjëra nuk është miratuar nga Presidentja.

    “Gjatë viti kemi pranuar gjithsej 94 kërkesa për falje nga personat e dënuar. Deri më tani, kur në pozitën e Presidentes ka qenë znj. Vjosa Osmani, nuk kemi pranuar asnjë dekret për falje nga Zyra e Presidentes”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

    Nga Presidenca në një përgjigje me shkrim kanë thënë se një rast janë duke e shqyrtuar.

    Bekim Kupina, Këshilltar për Media në Presidencë ka thënë se deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.

    “Gjatë vitit 2024 janë pranuar njëqind e pesë (105) kërkesa për falje të personave të dënuar të cilat janë duke u shqyrtuar nga Komisioni për Falje. Deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë (89) kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë. Këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një (1) të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca”, ka thënë Kupina.

  • Kongresi certifikon fitoren e presidentit të zgjedhur Trump

    Kongresi certifikon fitoren e presidentit të zgjedhur Trump

    Kongresi amerikan zyrtarisht certifikoi fitoren elektorale të Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke i hapur rrugë betimit të tij më 20 janar.

    Certifikimi i rezultatit zgjedhor në 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë u përcoll me një ceremoni të shkurtër zyrtare gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

    Kjo seancë u udhëhoq nga Nënpresidentja Kamala Harris, rivalja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, e cila u paraqit në rolin e drejtueses së Senatit.

    Ky ritual, që bëhet çdo katër vjet, dalloi nga ngjarjet e para katër viteve kur një turmë përkrahësish të Trump hynë me forcë në Kapitol, duke bërë një përpjekje të dështuar për ta bllokuar certifikimin e humbjes së vitit 2020 ndaj presidentit demokrat Joe Biden.

    Trump vazhdon të bëjë pretendime të pavërtetuara se humbja e tij në vitin 2020 ishte rezultat i një vjedhje të përhapur.

    Certifikimi përfundimtar vulosi rezultatet paraprake se Trump fitoi 312 votat e Kolegjit Zgjedhor krahasuar me 226 votat e Harris.

    Republikanët do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, raporton VOA.

    Republikanët po ashtu fituan shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, fitore që do t’i japin Trumpit përkrahjen e partisë, e cila i nevojitet për të zbatuar planin e tij për shkurtim të taksave dhe dëbim të emigrantëve të jashtëligjshëm.

    Demokratët nuk u përpoqën që të bllokojnë certifikimin e fitores së Trump të hënën.