ATV

Category: Lajme

  • Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj, nëna si dëshmitare

    Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj, nëna si dëshmitare

    Një zhvillim i pazakontë ka shoqëruar hetimet për vrasjen e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim, raporton Sinjali.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Viktimë në këtë rast është Florim Haxhidema rreth 32 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

    Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike.

    Banesa ku ndodhi ngjarja i përkiste Muhamet Begishollit. Në momentin e incidentit, sipas hetimeve, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj.

    Burimet bëjnë të ditur se Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

    Ndërkohë, H. R., bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjeta Roshajt, në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

  • KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Klinës

    KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Klinës

    Stacioni i zjarrfikëseve në Komunën e Klinës, është pajisur me mjete të reja falë një donacioni nga KFOR, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet lokale.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Zenun Elezaj përmes një postimi në rrjete sociale në Facebook.

    Ai kishte marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit nga KFOR-i, i angazhuar në Komandën Rajonale Perëndim (RC-Ë), i cili dhuroi pajisje për Stacionin e Zjarrfikësve të Komunës së Klinës.

    ”Ky donacion do të forcojë kapacitetet operacionale të zjarrfikësve, duke rritur gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe me efikasitet rasteve të zjarreve, fatkeqësive dhe emergjencave të tjera.Falënderoj KFOR-in për këtë donacion të rëndësishëm dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi ndërtuar ndër vite”, thuhet tutje në njoftim.

  • KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona të kryeqytetit

    KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona të kryeqytetit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtës do të zhvillojnë sot intervenime në disa rrugë dhe zona.

    Sipas njoftimit punimet do të realizohen në këto zona: Rr. “Bedrush Çollaku”, Rr. “Fuad Dibra”, Rr. “Bia UÇK”, Rr. “Gjorgj Balsha”, Rr. “Sharri”, Rr. “Goleshi”, Rr. “Muhamet Maksiri”, Rr. “Korabi”, Rr. “Ali Sikoli”, Rr. “Sami Ukshini”, Rr. “Xheladin Hana”, Fsh.Bardhosh.

    KRU “Prishtina” ka bërë te ditur se ekipet e saj janë në terren për realizimin e punëve të mirëmbajtjes dhe sanimeve të problemeve të evidentuara në rrjet.

  • Sot, dita më e nxehtë e javës – temperaturat deri në 38°C

    Sot, dita më e nxehtë e javës – temperaturat deri në 38°C

    Sot pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius.

    Gjatë ditës moti do të jetë kryesisht me diell, i shoqëruar me vranësira të pjesërishme në disa zona .

  • Policia gjen kallash në veturën e një personi në Drenas

    Policia gjen kallash në veturën e një personi në Drenas

    Policia ka bërë të ditur se një person në Drenas është vetaksidentuar dhe gjatë intervenimit në aksident, policia ka gjetur një kallash brenda veturës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se arma me fishekë është konfiskuar dhe i dyshuari është intervistuar.

    “I dyshuari mashkull kosovar ishte vetë aksidentuar, dhe policia gjatë intervenimit në aksident, ka hasur në një armë zjarri AK-47 me 20 fishekë të cilën i dyshuari e kishte brenda veturës. Arma me fishekë është konfiskuar, dhe i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Syla: Veteranët të mos flasin në emër të organizatës për protestat në Shqipëri

    Syla: Veteranët të mos flasin në emër të organizatës për protestat në Shqipëri

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për protestat që po mbahen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar.

    Ai u ka bërë thirrje veteranëve që marrin pjesë në protesta të mos flasin në emër të organizatës.

    Syla tha se OVL-UÇK nuk ka informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, prandaj nuk dëshiron të përfshihet në to.

    Syla bëri të ditur se reagimi i organizatës erdhi pasi morën informacione nga dega e OVL-UÇK-së në Tiranë se disa veteranë po tentonin të paraqiteshin në protestë në emër të organizatës.

    “Neve u kemi bërë thirrje sepse, në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga dega jonë në Tiranë, e cila përfaqëson luftëtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, kemi marrë informacione se ka tendenca që disa bashkëluftëtarë tanë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, shkojnë edhe të flasin e të kenë ndonjë qëndrim eventualisht në emër të organizatës së veteranëve të luftës në këtë protestë”, tha Syla.

    Sipas tij, çdo veteran ka të drejtë të marrë pjesë në protesta si individ, por jo të përfaqësojë organizatën.

    Ai shtoi se, përderisa nuk ekziston një qëndrim zyrtar, është e papranueshme që individë të flasin në emër të veteranëve.

    Syla foli edhe për raportin që OVL-UÇK ka me institucionet shqiptare, duke nënvizuar se organizata dëshiron të ruajë bashkëpunimin institucional pavarësisht se kush është në pushtet.

    Ai shtoi se organizata nuk ka asnjë vlerësim për protestat, por dëshiron stabilitet në Shqipëri.

    “Nuk kemi ndonjë vlerësim, ndonjë mendim ose ndonjë qëndrim për protestat që po zhvillohen atje, vetëm se kemi dëshirë me pa shtetin tonë qysh është më së miri, me pa shtetin tonë amë si anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kemi qejf me pa vetëm lajme të mira, po asnjëherë trazira eventualisht. Edhe këto protesta që i shohim sot nuk na vjen mirë që i shohim, sepse s’kemi qejf me pa asnjë gjë të keqe në shtetin tonë”, tha Syla.

    Ai u bëri thirrje veteranëve të jenë të kujdesshëm nëse vendosin të marrin pjesë në protesta. /EO

  • Haradinaj shpreh ngushëllime për vdekjet në Deçan: Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur

    Haradinaj shpreh ngushëllime për vdekjet në Deçan: Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e bashkëluftëtarit Xhemajl Mustafaj dhe djali i tij, Hasanit që humbën jetën tragjikisht në Maznik të Deçanit.

    Ai gjithashtu njoftoi se pas një sëmundje të shkurtër, është ndarë nga jeta edhe bashkëluftëtari nga Juniku, Faik Nimon Tofaj.

    “Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur! Në Maznik të Deçanit humbën jetën bashkëluftëtari ynë Xhemajl Mustafaj dhe djali i tij, Hasani. Po ashtu, pas një sëmundjeje të shkurtër u nda nga jeta edhe bashkëluftëtari ynë nga Juniku, Faik Nimon Tofaj”.

    “Familjeve Mustafaj dhe Tofaj, të afërmve, miqve e bashkëluftëtarëve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Xhemajlin, Hasanin dhe Faikun. U prehshin në paqe”, thuhet në njoftim.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 37 centë, ndërsa benzina 1 euro e 35 centë.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • 44 aksidente për 24 orë në Kosovë, dy prej tyre me fatalitet

    44 aksidente për 24 orë në Kosovë, dy prej tyre me fatalitet

    44 aksidente kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku dy prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, 21 me të lënduar dhe 21 të tjerë me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithashme të policisë, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 502 gjoba trafiku.

    Gjithashtu, në 24 orëshin e fundit janë arrestuar 17 persona, 13 janë dërguar në mbajtje dhe dy në vuajtje të dënimit.

  • Doli për të marrë ajër të pastër, detaje për vdekjen tragjike të policit në pikën kufitare të Morinës

    Doli për të marrë ajër të pastër, detaje për vdekjen tragjike të policit në pikën kufitare të Morinës

    Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti trafiku në vendin e tij të punës.

    Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kanë ndarë edhe detaje mbi rrethanat e ngjarjes.

    Sipas tyre, aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Pikën Kufitare në Morinë. Bazuar në informacionet e para, Gashi kishte dalë për të marrë ajër të pastër, kur u godit nga një veturë.

    “Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

    Për rrethanat e aksidentit pritet të ketë më shumë detaje nga autoritetet kompetente, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit do të njoftojnë në vijim.