ATV

Category: Lajme

  • Linja 7C rikthehet në itinerarin e saj të qarkullimit, hyn në fuqi nga 1 korriku

    Linja 7C rikthehet në itinerarin e saj të qarkullimit, hyn në fuqi nga 1 korriku

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se linja e autobusit 7C do të rikthehet në itenerarin e saj të mëparshëm të qarkullimit, i cili do të hyjë në fuqi nga 1 korriku.

    Sipas njoftimit, linja do të kthehet në qarkullim siç ka funksionuar më herët, me qëllim të përmirësimit të organizimit të transportit publik, rritjes së efikasitetit të linjës, respektimit më të saktë të orareve të qarkullimit dhe ofrimit të një shërbimi më të besueshëm për qytetarët.

    “Sipas këtij ndryshimi, autobusi i linjës 7C nuk do të vazhdojë më deri te ETC, por do ta përfundojë itinerarin dhe do të kthehet te rrethi i FSK-së, ashtu siç ka funksionuar më herët. Lusim të gjithë udhëtarët që ta kenë parasysh këtë ndryshim gjatë planifikimit të udhëtimeve të tyre”, thuhet tutje në njoftim.

  • Komisionerët evropianë do të vizitojnë Turqinë përpara samitit të NATO-s

    Komisionerët evropianë do të vizitojnë Turqinë përpara samitit të NATO-s

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas së bashku me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos dhe Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner do të vizitojnë Turqinë më datat 29-30 qershor.

    Kallas, Kos dhe Brunner pritet të takohen me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.

    Vizita vjen përpara Samitit të NATO-s në Ankara, që do të zhvillohet më 7-8 korrik.

    “Vizita do të jetë mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Turqi, për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm dhe për të eksploruar rrugë shtesë për bashkëpunim, me Turqinë që është vend kandidat dhe aleat i NATO-s”, tha blloku në një deklaratë.

    Kjo do të jetë vizita e dytë zyrtare e Kallasit në Turqi.

  • Krimi në Ferizaj: Vajza, e dyshuara kryesore – bashkë me babanë në qeli për 48 orë

    Krimi në Ferizaj: Vajza, e dyshuara kryesore – bashkë me babanë në qeli për 48 orë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj është deklaruar lidhur me vrasjen e 32-vjeçarit mbrëmë në Ferizaj.

    Sipas komunikatës për media, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë një e dyshuar, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, në ndalim për 48 orë është edhe babai i saj (M.B.), deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast, transmeton Klankosova.tv.

    “Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë. Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale”, thotë mes tjerash Prokuroria.

  • Sindikata e Policisë ngushëllon familjen e policit Rexhep Gashi, që humbi jetën gjatë detyrës në Vërmicë

    Sindikata e Policisë ngushëllon familjen e policit Rexhep Gashi, që humbi jetën gjatë detyrës në Vërmicë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën në orët e hershme të së hënës në një aksident trafiku pranë pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, teksa ishte në kryerje të detyrës.

    Përmes një telegrami ngushëllimi, Sindikata u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    “Me rastin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, thuhet në telegramin e Sindikatës.

  • Maliqi: A ka Kurti ndonjë shpjegim përse s`është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik për 6 vite?

    Maliqi: A ka Kurti ndonjë shpjegim përse s`është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik për 6 vite?

    Politologu Agon Maliqi ka shtruar një pyetje të rëndësishme për kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Duke komentuar qasjen refuzuese të qeverisë ndaj projektit të gazit amerikan, ai ka kërkuar nga qeveria një shpjegim thelbësor për këtë çështje.

    Në profilin e tij në Facebook, Maliqi ka shkruar se pushteti dhe zëdhënësit e tij duhet të iu tregojnë qytetarëve pse gjatë këtyre 6 viteve të qeverisjes nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i energjetik.

    “Ta lëmë anash gazin amerikan për një moment dhe ta marrim të mirëqenë – për hir të debatit – argumentin qeveritar se nuk po na u dashka. Qeveria po insiston se Kosova mund t’i plotësojë nevojat e saja energjetike përmes strategjisë së bazuar në: 1) thëngjill; 2) energji të ripërtëritshme; 3) kogjenerim për ngrohje; 4) investime në efiçencë të përdorimit. A e kanë ndonjë shpjegim Albin Kurti dhe zëdhënësit e tij mediatikë se përse asnjë kapacitet i ri domethënës nga burimet e ripërtëritshme nuk është ndërtuar dhe as nuk ka nisur së ndërtuari këto 6 vite që ai është kryeministër? Përjashto këtu dy parqet e enegjisë nga era të cilat vetëm u inauguruan nga Kurti por janë miratuar në qeverinë Haradinaj. Një park solar në Rahovec prej rreth 100MË i cili iu dha një biznesi të diasporës (Orllati) në vitin 2024 ka dy vite që nuk e ka filluar zbatimin”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Si shpjegohet kjo ngathësi dhe kjo neglizhencë ndaj sigurisë enegjetike që na e ka rritur varësinë prej importit? Deri tani, në mungesë të ndonjë shpjegimi tjetër, i vetmi shpjegim bindës janë raportimet e panumërta për përfitime milionëshe nga tregtarët/importuesit e rrymës, paratë e të cilëve me shumë gjasë po përdoren për ta mirëmbajtur gjendjen ekzistuese”, ka shkruar Maliqi.

  • Tërmetet me magnitudë 7.5 ballë nuk janë aq të rralla – Pse ai në Venezuelë ishte aq shkatërrues?

    Tërmetet me magnitudë 7.5 ballë nuk janë aq të rralla – Pse ai në Venezuelë ishte aq shkatërrues?

    Është tashmë e qartë se ndikimi i tërmeteve në Venezuelë do të jetë shkatërrues, me të paktën 1,430 të vdekur të konfirmuar, 3,238 të plagosur dhe mijëra të raportuar të zhdukur.

    Megjithatë, tërmetet me magnitudë 7.5+ ballë, nuk janë të rralla.

    I pari që goditi Venezuelën veriore gjatë natës kishte një magnitudë prej 7.2 ballë, ndërsa i dyti u mat me magnitudë 7.5.

    Tërmetet me magnitudë 7.0-7.9 ballë janë mjaftueshëm të forta për të shkaktuar dëme serioze në zonat e populluara.

    Në magnitudë 8.0 ballë e lart, qytete dhe qyteza të tëra mund të shkatërrohen.

    Që nga viti 2024, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së ka regjistruar njëmbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 7.5 ballë në të gjithë botën.

    Jo të gjithë kanë parë aq shumë viktima dhe aq shumë dëme sa është raportuar deri më tani në Venezuelë.

    Më herët këtë muaj, një tërmet me magnitudë 7.8 ballë goditi Filipinet, duke shkaktuar 19 viktima.

    Në qershor të vitit të kaluar, një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi bregun e Gadishullit Kamchatka në Rusinë lindore. Ishte i shtati më i madhi i regjistruar në historinë e vendit, megjithatë nuk u raportuan viktima të drejtpërdrejta.

    Një tërmet me magnitudë 6.9 u raportua gjithashtu sot në Japoni, pak pas atyre në Venezuelë – por deri më tani nuk është raportuar për të lënduar ose të vdekur këtu.

    Pse dy tërmetet në Venezuelë kanë qenë kaq shkatërrues?

    Një pjesë e shpjegimit është se tërmetet në Venezuelë goditën pjesën më të populluar të vendit.

    Kjo do të thotë që ndikimi është ndjerë nga një numër më i madh njerëzish, por ka prekur edhe një përqendrim më të lartë ndërtesash, si dhe infrastrukturën publike si rrugët dhe urat.

    Tërmetet goditën qytetin e Karakasit, kryeqytetin e Venezuelës, me një popullsi prej më shumë se dy milionë banorësh, dhe patën ndikimin më të madh në shtetin e La Guaira, në bregdetin verior, ku jetojnë rreth 380,000 njerëz.

    Në të kundërt, disa tërmete të tjera me magnitudë të madhe kanë ndodhur kohët e fundit në zona me popullsi të ulët ose pa popullsi, si në mes të oqeanit.

    Një tërmet me magnitudë 7.6 ballë goditi Oqeanin Paqësor pranë shtetit ishullor të Tongës në mars të këtij viti.

    Tetorin e kaluar, një tjetër tërmet me magnitudë 7.6 ballë goditi Grykën Drake – një rrugë detare midis Kilit dhe Antarktidës që lidh oqeanet Paqësor dhe Atlantik.

    Dridhje të cekëta

    Tërmetet në Venezuelë ndodhën gjithashtu në një thellësi mjaft të vogël.

    Tërmeti i dytë goditi vetëm 9 kilometra nën sipërfaqen e Tokës.

    Tërmete të tjera kanë goditur në thellësi më të mëdha, duke zvogëluar efektin e lëkundjes në sipërfaqen e Tokës.

  • Tahiri: Kosova rrezikon të hyjë prapë në bllokadë institucionale

    Tahiri: Kosova rrezikon të hyjë prapë në bllokadë institucionale

    Pak javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, kanë nisur paralajmërimet se Kosova rrezikon prapë të hyjë në një proces të bllokadës politike.

    Kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, partitë politike ende nuk kanë nisur asnjë konsultim për krijimin e institucioneve të reja.

    Një veprim të tillë nuk e ka ndërmarrë ende Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e parakohshme.

    Deputeti i rizgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se rreziku ekziston që prapë të ketë bllokadë, pasi sipas tij, gjuha dhe qasja e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet problematike.

    “Kosova ka rrezik të madh të përsëritet, me hy prapë në bllokadë. Fakti që diskutohet a duhet më së pari të zgjidhet presidenti apo qeveria, nënkupton që ideja është me kapë një post.”, ka thënë Tahiri në një intervistë për EO.

    Ai ka thënë se Aleanca është partia e vetme e cila ka dhënë platformë për të dalë nga kriza, pa kërkuar asnjë post apo pjesëmarrje në qeverisje.

    Tahiri ka shtuar se Aleanca nuk synon ta bllokojë procesin, por vendimi për votën rreth presidentit do të varet nga kandidatura konkrete.

    “Këto janë kushtet tona dhe ne nuk e bllokojmë procesin. Pra, ne shkojmë në kuorum. A e votojmë apo jo, varet prej njerëzve dhe se çfarë emrash nxjerrin ata. Ne duhet ta dimë emrin, mirëpo këto që përmenda janë kushtet tona”, ka thënë Tahiri.

  • Theren me thikë dy 19-vjeçarë në Prizren

    Theren me thikë dy 19-vjeçarë në Prizren

    Janë therur me thikë dy persona të moshës rreth 19-vjeçare në Prizren.

    Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka njoftuar se njëri pacient ka paraqitur disa plagë në shpinë dhe në regjionin e belit.

    Në njoftimin e spitalit thuhet se janë kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe radiologjike, si dhe është ofruar trajtimi fillestar i plagëve në Shërbimin e Emergjencës.

    Spitali njoftoi gjithashtu se pas konsultimit me kirurgun kujdestar, pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë në Repartin e Kirurgjisë, ndërkaq pacienti i dytë ka pasur një plagë në regjionin e kofshës së djathtë dhe pas trajtimit në Shërbimin e Emergjencës, është liruar në shtëpi.

    “Më 28.06.2026, rreth orës 01:10, në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren janë pranuar dy pacientë, të lindur në vitin 2007, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara me mjet të mprehtë. Njëri pacient ka paraqitur disa plagë në shpinë dhe në regjionin e belit”.

    “Janë kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe radiologjike, si dhe është ofruar trajtimi fillestar i plagëve në Shërbimin e Emergjencës. Pas konsultimit me kirurgun kujdestar, pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë në Repartin e Kirurgjisë. Pacienti i dytë ka paraqitur një plagë në regjionin e kofshës së djathtë. Pas trajtimit dhe përpunimit të plagës në Shërbimin e Emergjencës, ai është liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

  • “Në shënjstrën e FSK-së”, ushtarë të Kosovës përfundojnë trajnimin për snajper

    “Në shënjstrën e FSK-së”, ushtarë të Kosovës përfundojnë trajnimin për snajper

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin për snajper.

    Këto trajnime kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe avancimit të aftësive profesionale të personelit ushtarak.

    Në një njoftim për media të FSK-së, thuhet se trajnimi kishte për synim certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë operativë, të aftë për të vepruar sipas standardeve moderne ushtarake dhe për të përdorur sisteme të ndryshme të armëve në misione të ndryshme operative.

    “Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi në qitje precize, taktika fushore, kamuflim, vëzhgim, lëvizje taktike dhe zbatimin e procedurave operacionale në terren.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të investojë në zhvillimin profesional dhe operacional të personelit të saj, duke ngritur gatishmërinë dhe kapacitetet e forcës në përputhje me standardet më të larta ushtarake.

  • Pas 5 orësh operacion, shpëtohet turisti polak i bllokuar në Kanionin e Gjipesë

    Pas 5 orësh operacion, shpëtohet turisti polak i bllokuar në Kanionin e Gjipesë

    Pas më shumë se pesë orësh operacion kërkim-shpëtimi, rreth ores 23-30 min është bërë e mundur nxjerrja e turistit 30-vjeçar nga Polonia, i cili kishte mbetur i bllokuar në zonën e Kanionit të Gjipesë.

    Në operacion u angazhuan forcat e Policisë së Shtetit, Delta Force, shërbimi zjarrfikës, si edhe alpinistë të specializuar, pasi terreni tepër i vështirë e bëri ndërhyrjen jashtëzakonisht të komplikuar.

    Sipas informacioneve, 30-vjeçari, i cili ndodhej së bashku me të fejuarën e tij, kishte rënë në një greminë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen e tij pa ndërhyrjen e ekipeve të specializuara.

    Turisti ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në pjesën e brinjëve dhe në trup. Për shkak të relievit të vështirë, helikopteri nuk ka mundur të afrohej dhe të realizonte evakuimin nga ajri.

    Si pasojë, i plagosuri u transportua me barelë nga efektivët e Policisë së Shtetit, Delta Force dhe ekipet e shpëtimit deri në një zonë të aksesueshme, ku më pas u dërgua drejt spitalit.

    Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. /Euronews.al/