ATV

Category: Lajme

  • Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka bërë të ditur se në vitin 2008 kishte informuar ministrin e atëhershëm serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, për dyshimet mbi ekzistencën e një varri masiv në zonën ushtarake të Pasuljanski Livade.

    Në një postim në rrjetin social X, Kandiq shkruan se tema e një varri masiv të mundshëm ishte pjesë e takimit të saj me ministrin Shutanovac.

    “Një varr masiv i mundshëm në Pasuljanski Livade ishte tema e takimit tim me Ministrin serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovec, në vitin 2008. E informova se kisha folur me një person që pretendonte të kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik që ai përdori për të transportuar trupat nga Kosova në bazën ushtarake në Pasuljanski Livade. Ai kërkoi para për më shumë informacion. Ai nuk më telefonoi më kurrë. Unë menjëherë e informova Ministrin Šutanovac. As ai nuk më u përgjigj kurrë”, ka shkruar Kandiq.

    Deklarata e saj vjen në kohën kur çështja e varrezave masive dhe e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas raporteve të institucioneve të Kosovës, rreth 1,600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit.

  • “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur drejtuesit të “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, në një debat të ashpër publik që lidhet me protestën e diasporës që po vijon prej më shumë se 28 ditësh dhe me akuzat për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.

    Debati është zhvilluar përmes deklaratave publike, ku të dyja palët kanë shkëmbyer akuza të forta për qeverisjen, përgjegjësinë politike dhe trajtimin e qytetarëve shqiptarë.

    Florian Haçkaj ka akuzuar kryeministrin Rama për gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe për gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri, duke pretenduar se shumë shqiptarë detyrohen të kurohen jashtë vendit për shkak të mungesës së shërbimeve cilësore në sistemin publik.

    Ai ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke e akuzuar për përgjegjësi në degradimin e sistemit shëndetësor dhe për, siç u shpreh ai, “ikjen e qytetarëve për kurim jashtë vendit”.

    Në një tjetër deklaratë, Haçkaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke thënë se qytetarët duhet të marrin vetë drejtimin e vendit dhe të ndërtojnë një sistem pa korrupsion.

    Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe ka theksuar se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti.

    Ai ka thënë se i është referuar kritikëve politikë dhe jo popullit në përgjithësi, duke shtuar se “populli nuk përfaqësohet nga individë që, sipas tij, përdorin gjuhë fyese dhe shpifje”.

    Rama ka reaguar edhe ndaj akuzave për sistemin shëndetësor, duke theksuar se në dekadën e fundit janë bërë reforma të rëndësishme në këtë sektor, ndërsa ka pranuar se ka ende nevojë për përmirësime.

    Në deklaratën e tij, kryeministri është shprehur se është i lidhur me një “kontratë me popullin sovran të Shqipërisë deri në vitin 2029”, duke nënkuptuar vazhdimin e mandatit të tij politik.

    Haçkaj ka këmbëngulur se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në gjendje të rënduar dhe se qytetarët përballen me vështirësi të mëdha, duke u detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

    Rama i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se transformimi i shëndetësisë në vitet e fundit është “i dukshëm dhe i dokumentuar”, edhe pse, sipas tij, sistemi mbetet ende me nevoja për përmirësim.

    Debati është përshkallëzuar edhe mbi protestën e diasporës, ku Haçkaj ka akuzuar kryeministrin për mungesë përgjegjësie dhe për trajtim të padrejtë të qytetarëve kritikë.

    Rama ka deklaruar se protesta është ndikuar nga grupe dhe individë me agjenda të caktuara, duke theksuar se nuk i konsideron ata përfaqësues të gjithë popullit shqiptar.

  • Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga kushte të ndryshueshme atmosferike, duke nisur me mot shumë të nxehtë dhe duke përfunduar me freskim të ndjeshëm dhe paqëndrueshmëri.

    Sipas njoftimit zyrtar, në ditët e para të javës vendi do të ndikohet nga masa të ajrit të nxehtë, të cilat do të sjellin temperatura të larta dhe kushte tipike vere me vapë intensive.

    Megjithatë, nga mesi i javës parashikohet një ndryshim i dukshëm i situatës meteorologjike, si pasojë e depërtimit të një mase më të freskët ajrore nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim pritet të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, rritje të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe zhvillim të vranësirave lokale.

    IHK paralajmëron gjithashtu mundësinë e reshjeve të shiut në disa zona, të shoqëruara me shkarkime rrufesh, duke krijuar kushte të përkohshme të motit të paqëndrueshëm.

    Paralelisht me njoftimin meteorologjik, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta.

    Instituti rekomandon respektimin e masave mbrojtëse, veçanërisht për grupet e ndjeshme të popullsisë, për të shmangur rreziqet shëndetësore që lidhen me vapën ekstreme.

  • OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar për një konferencë për media që do të mbahet nesër.

    Konferenca do të mbahet në zyrat e OVL- UÇK-së në Prishtinë, nga ora 13:00.

    Detaje të tjera lidhur me temat që do të diskutohen nuk janë bërë të ditura.

  • Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Policia ka ndaluar disa persona pas përfundimit të manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.

    Personat janë ndaluar nën dyshimin se kanë kënduar këngë nacionaliste kundër shtetit të Kosovës.

    Gatë kontrollit të pjesëmarrësve në dalje nga Gazimestani, janë identifikuar të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar nga policia, raporton Kallxo.com.

    Ende nuk dihet se sa persona janë ndaluar.

    Policia e Kosovës u kishte dhënë udhëzime se si duhen të sillen gjatë manifestimit. Atyre u ishte bërë të qartë që të mos bëjnë veprime që nxisin urrejtje.

    Me të përfunduar manifestimi, Policia ka filluar t’i kontrolloj një nga një pjesëmarrësit para se të largohen nga Gazimestani.

  • Aksident mes tri veturave, shtatë të lënduar në fshatin Rogovë

    Aksident mes tri veturave, shtatë të lënduar në fshatin Rogovë

    Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave që ndodhi sot në magjistralen Gjakovë–Prizren.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    “Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën magjistrale Gjakovë–Prizren, në fshatin Rogovë. Në këtë aksident janë përfshirë tri automjete dhe si pasojë e përplasjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka dalë në vendngjarje dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit,” deklaroi Krasniqi.
    Krasniqi, theksoi se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti.

  • “Pini ujë shpesh”, hani ushqime të lehta”, IKSHKP përsërit këshillat për shkak të temperaturave të larta

    “Pini ujë shpesh”, hani ushqime të lehta”, IKSHKP përsërit këshillat për shkak të temperaturave të larta

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre gjatë temperaturave të larta.

    Përmes një njoftimi, IKSHPK rekomandon që qytetarët të pinë ujë shpesh për të shmangur dehidratimin, të konsumojnë ushqime të lehta dhe të freskëta, si dhe të shmangin pijet alkoolike dhe ato me përmbajtje të lartë sheqeri.

    Po ashtu, instituti këshillon që të vishen rroba të lehta dhe trupi të freskohet rregullisht me ujë për të përballuar vapën.

  • Koci paralajmëron qytetarët që kalojnë nëpër Serbi: Postimet në rrjete sociale mund t’ju sjellin probleme

    Koci paralajmëron qytetarët që kalojnë nëpër Serbi: Postimet në rrjete sociale mund t’ju sjellin probleme

    Avokati Arianit Koci ka apeluar për kujdes ndaj qytetarëve që udhëtojnë ose kalojnë transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për pasojat e mundshme ligjore lidhur me përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale.

    “Për ata që udhëtojnë nëpër Serbi, nëse kaloni tranzit ose qëndroni në Serbi, keni parasysh se komentet që mund të keni publikuar në rrjete sociale, forume apo platforma të tjera publike në internet – nëse janë fyese, kërcënuese ose mund të interpretohen si nxitje e urrejtjes, mund të kenë pasoja juridike”, ka shkruar Koci.

    Ai shton se përmbajtje të tilla mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve serbe.

    “Në disa raste, përmbajtje të tilla mund të jenë objekt i interesimit të autoriteteve serbe”, ka deklaruar ai.

    Koci thekson se, varësisht nga legjislacioni, mund të ketë edhe masa ndaj udhëtarëve.

    “Varësisht nga rrethanat konkrete dhe legjislacioni që zbatohet, mund të ndaloheni, të intervistoheni dhe, nëse ekziston bazë ligjore, të procedoheni penalisht ose për kundërvajtje”, ka paralajmëruar ai.

    Ai ka bërë thirrje që mesazhi të shpërndahet për vetëdijesim të qytetarëve.

  • Gjermania pa kondicionerë përballë valëve të të nxehtit, temperaturat rekord detyrojnë ndryshimin e rregullave

    Gjermania pa kondicionerë përballë valëve të të nxehtit, temperaturat rekord detyrojnë ndryshimin e rregullave

    Ndryshe nga SHBA apo pjesë të Azisë, shumë familje në Gjermani dhe në Evropën Veriore nuk janë të përgatitura për t’u përballur me nxehtësi ekstreme.

    Por temperaturat në mbarë botën po rriten gjithnjë e më shumë.

    Në vende si Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Japonia, muajt e nxehtë dhe të lagësht të verës bëhen të përballueshëm falë rrymës së ajrit të freskët nga gumëzhima e kondicionerit. Në shumë pjesë të Evropës, zgjidhja është shpesh shumë më e thjeshtë: mbyllja e roletave, ndezja e ventilatorit dhe mbajtja pranë e shumë uji me akull.

    Sipas Departamentit Amerikan të Energjisë, rreth 90 për qind e njerëzve që jetojnë në SHBA kanë kondicioner në shtëpi. Në Evropë, ku në disa raste mbizotërojnë kushte të ngjashme klimaterike, kjo përqindje është vetëm rreth 20 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), megjithëse ekzistojnë dallime të mëdha mes vendeve.

    Në Spanjë rreth gjysma e të gjitha banesave kanë ajër të kondicionuar. Ndërsa në Gjermani, sipas një studimi të porositur nga portali krahasues Verivox, vetëm rreth 6 për qind e banesave janë të pajisura me një sistem fiks kondicionimi, ndërsa 13 për qind të tjera përdorin pajisje portative, të cilat zakonisht ftohin dukshëm më dobët. Arsyeja është e qartë: deri para pak kohësh, kondicionerët nuk ishin të nevojshëm në shumë vende evropiane, veçanërisht në ato veriore.

    Vera të nxehta ka pasur – çfarë ka ndryshuar tani?

    Moti i nxehtë ka qenë gjithmonë pjesë e verës në Evropë. Por ndërkohë, valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Temperaturat e larta që zgjasin me ditë apo edhe javë rrezikojnë infrastrukturën, ekosistemet dhe shëndetin e njerëzve. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka treguar se këto valë ekstreme të nxehtit po shtohen më shpejt nga sa kishin parashikuar modelet klimatike, veçanërisht në Evropën Perëndimore.

    Një analizë e fundit nga ClimaMeter, një bashkim studiuesish evropianë që hulumtojnë fenomenet ekstreme të motit, zbuloi se temperaturat në qershor 2026 ishin rreth 2 deri në 4 gradë Celsius (3,6 deri në 7,2 gradë Fahrenheit) më të larta se sa do të kishin qenë në kushte të ngjashme në fund të shekullit të 20‑të. “Kjo situatë çon në një rritje të menjëhershme të kërkesës për energji elektrike për ftohje,” shpjegoi Tommaso Alberti, një studiues italian në ClimaMeter, në një deklaratë.

    Kërkesa për kondicionerë dhe pajisje ftohëse në Gjermani është rritur me 75 për qind midis viteve 2019 dhe 2024 – viti më i nxehtë i regjistruar deri më tani. Eurovent, shoqata e industrisë për ngrohje, ventilim, ajër të kondicionuar dhe teknologji ftohjeje, ka regjistruar një rritje “të qëndrueshme” në vitet e fundit.

    Megjithatë, pavarësisht këtij trendi, në Evropë vazhdon të ketë rezistencë ndaj kondicionerëve, tha Stijn Renneboog, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Eurovent-it: “Në këshillat se si të qëndrojmë të freskët, që qarkullojnë në rrjetet sociale, ende shoh rekomandime për të mos përdorur kondicionerë”, i tha ai DW-së në një email. “Freskimi ende shumë shpesh konsiderohet luks”, shkruan Renneboog. Ndërkohë, nxehtësia përbën një rrezik serioz për shëndetin publik: “Në Evropë çdo vit ka dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me temperaturat e larta.”

    Shtëpitë evropiane janë ndërtuar për ngrohje, jo për ajër të kondicionuar
    Për shumicën e evropianëve është e vështirë ta ruajnë freskinë në banesat e tyre gjatë verës. Shumë shtëpi dhe apartamente në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës Qendrore dhe Veriore janë projektuar për të mbajtur nxehtësinë brenda gjatë muajve të ftohtë, por jo për të siguruar ftohje maksimale në vapë. Një studim i fundit tregoi se pothuajse gjysma e të anketuarve në të gjithë BE‑në mbështeten në përmirësimin e hijezimit dhe izolimit për t’i shpëtuar nxehtësisë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz po marrin në konsideratë edhe përdorimin e kondicionerëve.

    “Koha kur kondicionerët në Evropë ishin ende pak të përhapur po i afrohet fundit,” deklaroi Helge Brinkmann, zv/drejtor në Boston Consulting Group dhe specialist për energjinë e gjelbër dhe mjedisin, në një analizë shtatorin 2025.

    Megjithatë, sipas analizës, instalimi i një sistemi klimatizimi në ndërtesat e vjetra banimi në Evropë shpesh përbën sfidë. Punimet e gjera të rinovimit mund ta bëjnë të mundur vendosjen e sistemeve të reja. Por në qytetet evropiane me ndërtesa historike, shpesh duhet të kapërcehen edhe “pengesat shtesë administrative dhe estetike”.

    “Një problem serioz social dhe i politikës shëndetësore”

    Kostoja është një faktor tjetër që i pengon shumë evropianë të instalojnë një sistem klimatizimi. Rritja e çmimeve të energjisë e bën të kushtueshme përballimin e nxehtësisë, dhe 38 për qind e të anketuarve në një sondazh në shkallë të BE-së deklaruan se nuk kanë mundësi ta përballojnë ftohjen e banesës së tyre.

    Një studim nga viti 2020 shqyrtoi se si ngrohja globale po rrit nevojën për klimatizim në vendet me klimë të butë si Franca, Spanja, Suedia dhe Holanda. Përfundimi: shtresat e popullsisë me të ardhura më të ulëta preken në mënyrë disproporcionale. Stijn Renneboog nga Eurovent shpjegon se ngrohja në dimër konsiderohet një nevojë bazë, por kjo nuk vlen njësoj për ftohjen: “Ndoshta duhet të pranojmë gjithashtu se pamundësia për t’i ftohur ndërtesat në mënyrë të sigurt gjatë verës po kthehet gjithashtu në një problem serioz social dhe shëndetësor.”

    Edhe shqetësimet mjedisore deri tani e kanë frenuar përhapjen e kondicionerëve në Evropë. Konsumi total i energjisë për ftohjen e ndërtesave të banimit dhe hapësirave të tjera në BE është rritur në mënyrë konstante gjatë dekadës së fundit, veçanërisht që nga viti 2020. Të dhënat më të fundit nga zyra evropiane e statistikave Eurostat tregojnë se, ndonëse konsumi i energjisë për ngrohjen e ndërtesave në vitin 2024 ka shënuar një rënie të lehtë, konsumi i energjisë për ftohje u rrit me 15,3 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

    A ka alternativa ndaj kondicionerëve?

    Po, ekzistojnë alternativa më miqësore me mjedisin ndaj kondicionerëve tradicionalë, shpjegon Jean‑Sebastien Broc nga Instituti për Politikën Evropiane të Energjisë dhe Klimës gjatë një vale të nxehti në korrik 2025: “Ndërtesat e reja mund të projektohen në mënyrë që të kufizohet nevoja për ftohje, duke u dhënë përparësi alternativave ndaj kondicionerëve.”

    Këto alternativa përfshijnë projektimin e ndërtesave në mënyrë që të mundësohet qarkullimi natyror i ajrit në hapësira, si dhe përdorimin e materialeve që depozitojnë më pak nxehtësi.

    Për më tepër, ndërtesat duhet të kenë sisteme të përmirësuara mbrojtjeje nga dielli, si roleta, tenda dhe streha çatie. Pompat moderne të nxehtësisë – tashmë standard në disa vende, ndërsa ende relativisht të shtrenjta në të tjera – përbëjnë një mënyrë efikase për nga energjia dhe emetimet për ngrohjen e shtëpive. Versionet moderne mund të përfshijnë edhe funksion ftohjeje, i cili është i dobishëm gjatë verës.

    Përveç masave në ndërtesa, hapësirat e gjelbra dhe elementet ujorë mund të kontribuojnë gjithashtu në ftohjen e qyteteve dhe në uljen e efektit të ishullit të nxehtësisë urbane; shumë qytete po mbështeten në zgjidhje të përbashkëta si sistemet e mjegullës spërkatëse dhe qendrat publike të ftohjes. Në qytete si Parisi, Stokholmi dhe Kopenhaga, klimatizimi po centralizohet tashmë – në mënyrë të ngjashme me ngrohjen qendrore – përmes ftohjes së centralizuar: uji i ftohtë transportohet përmes tubave nëntokësorë në disa ndërtesa për t’i ftohur ato. /DW

  • 14 kushtet për paqe mes Izraelit dhe Libanit, pika më e “nxehtë” mbetet Hezbollahu

    14 kushtet për paqe mes Izraelit dhe Libanit, pika më e “nxehtë” mbetet Hezbollahu

    Marrëveshja e njoftuar nga SHBA-të mes Izraelit dhe Libanit, e cila synonte të sillte fundin e konfliktit dhe një fazë të re stabiliteti në rajon, është tronditur që në hapat e parë. Shkak është bërë reagimi i Hezbollahut, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen dhe ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër Izraelit.

    Dokumenti me 14 pika parashikonte një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga disa zona në jug të Libanit, rikthimin e kontrollit të plotë të ushtrisë libaneze mbi territorin dhe çarmatimin e grupeve të armatosura, veçanërisht Hezbollahut.

    Një nga pikat më të rëndësishme ishte ndryshimi politik në qëndrimin e Bejrutit, pasi marrëveshja përfshinte njohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe synimin për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve. Megjithatë, zbatimi i saj u përball menjëherë me pengesa të mëdha.

    Hezbollahu, i cili nuk mori pjesë në negociata, e cilësoi marrëveshjen të papranueshme dhe deklaroi se nuk do të heqë dorë nga përballja me forcat izraelite. Ky qëndrim ka vënë në pikëpyetje të gjithë planin për një armëpushim afatgjatë dhe rikthimin e qetësisë në kufirin Izrael-Liban.

    Sipas marrëveshjes, tërheqja izraelite do të ndodhte vetëm pas çarmatimit të grupeve të armatosura dhe pasi ushtria libaneze të merrte kontrollin e plotë të zonave kufitare. Por pikërisht çështja e Hezbollahut mbetet problemi kryesor, pasi grupi ka ndikim të madh në Liban dhe refuzon të dorëzojë armët.

    SHBA-të kishin parashikuar një rol të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes, përmes mbështetjes financiare, trajnimit të ushtrisë libaneze dhe mbikëqyrjes së procesit. Washingtoni synonte që fondet për rindërtimin të mos përdoreshin nga grupet e armatosura.

    Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se nuk kërkon territore në Liban, por do të vazhdojë veprimet ushtarake nëse sulmet nga Hezbollah nuk ndalen. Dokumenti gjithashtu kufizon rolin e aktorëve të jashtëm, duke kërkuar që asnjë shtet apo grup të mos përdorë territorin libanez për sulme.

    Me refuzimin e Hezbollahut, marrëveshja që shihej si një hap drejt paqes tashmë ndodhet në një pikë kritike. E ardhmja e saj mbetet e paqartë, ndërsa tensionet në kufirin Izrael-Liban vazhdojnë të jenë të larta.

    14 pikat kryesore të marrëveshjes:

    Fund i konfliktit: Izraeli dhe Libani deklarojnë synimin për t’i dhënë fund përplasjes dhe njohin sovranitetin dhe të drejtën e njëri-tjetrit për të ekzistuar.

    Tërheqja izraelite: Ushtria izraelite do të largohet gradualisht nga disa zona në jug të Libanit.

    Rikthimi i kontrollit libanez: Ushtria libaneze do të marrë kontrollin e plotë të territorit dhe kufirit.

    Çarmatimi i grupeve të armatosura: Parashikohet çarmatimi i Hezbollahut dhe i çdo grupi tjetër jashtë kontrollit të shtetit.

    Hezbollahu, pika më e vështirë: Marrëveshja nuk e përmend drejtpërdrejt grupin, por kërkon çarmatimin e tij përpara tërheqjes së plotë izraelite.

    Siguria në kufi: Synohet që banorët e zhvendosur të kthehen në shtëpi dhe të shmangen sulmet e reja.

    Roli i ushtrisë libaneze: Forcat libaneze do të forcohen me ndihmën e SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

    Mbështetja amerikane: SHBA-të do të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes dhe do të ndihmojnë me fonde për rindërtimin.

    Ndalimi i sulmeve: Izraeli thotë se do të ndalojë operacionet ushtarake nëse ndalen sulmet nga Hezbollah.

    Pa ndikim nga Irani apo aktorë të tjerë: Libani nuk do të lejojë përdorimin e territorit të tij për sulme nga grupe apo shtete të tjera.

    Mundësi për forcë ndërkombëtare: Parashikohet mbështetje nga vende arabe dhe ndërkombëtare për të parandaluar rikthimin e milicive.

    Rindërtimi i Libanit: Synohet krijimi i një Libani të sigurt dhe nën kontrollin e plotë të shtetit.

    Mbikëqyrje e vazhdueshme: SHBA-të dhe partnerët do të monitorojnë zbatimin dhe përdorimin e fondeve.

    Paqja nuk ka afat të caktuar: Nuk u vendos një datë përfundimtare, pasi procesi varet nga zbatimi i kushteve dhe çarmatimi i Hezbollahut.