ATV

Category: Lajme

  • AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave në verë

    AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave në verë

    Studimi i fundit i Aleancës Kosovare të Bizneseve nxjerr në pah ndikimin e madh që kanë qytetarët e Kosovës në ekonominë turistike të Shqipërisë. Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik maj–tetor 2026, qytetarët pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro.

    Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten kontribuuesit më të mëdhenj në turizmin e Shqipërisë, duke shpenzuar qindra miliona euro çdo sezon veror. Kështu vlerëson Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e cila, bazuar në një studim të realizuar nga 28 maji deri më 28 qershor 2026, ka analizuar lëvizjen dhe shpenzimet e qytetarëve kosovarë gjatë fundjavave në Shqipëri.

    Sipas studimit, gjatë pesë fundjavëve të monitoruara, mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar fundjavën në Shqipëri.

    “Për një qëndrim prej dy deri në tre netësh, secili prej tyre shpenzon mesatarisht të paktën 300 euro, duke përfshirë akomodimin në hotele apo apartamente, ushqimin dhe pijet, karburantin, taksën rrugore, transportin, argëtimin dhe blerjet”.

    Kjo do të thotë sipas AKB se vetëm në një fundjavë, ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët e Kosovës.

    “Duke marrë për bazë të gjithë sezonin turistik nga 1 maji deri më 30 tetor, që përfshin 26 fundjava, shpenzimet arrijnë në rreth 195 milionë euro. Në këtë shifër nuk janë përfshirë pushimet njëjavore apo më të gjata që shumë familje kosovare kalojnë gjatë verës, çka nënkupton se kontributi real financiar është edhe më i madh”.

    AKB vlerëson se këto shifra e konfirmojnë Kosovën si tregun dhe partnerin më të rëndësishëm për turizmin shqiptar.

    Sipas organizatës, vizitorët nga Kosova ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave të hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe sektorëve të tjerë të shërbimeve.

    Në reagimin e saj, Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon që ky bashkëpunim ekonomik të mos mbetet vetëm në nivelin e konsumit, por të thellohet përmes investimeve të përbashkëta në sektorin e turizmit, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe krijimit të paketave të përbashkëta turistike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se studimi dëshmon qartë rolin kyç që kanë qytetarët e Kosovës në zhvillimin e turizmit shqiptar.

    “Rreth 195 milionë euro që shpenzohen vetëm gjatë 26 fundjavave të sezonit maj–tetor përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e Shqipërisë. Ky partneritet ekonomik duhet të vlerësohet dhe të zhvillohet më tej përmes politikave të përbashkëta dhe investimeve strategjike. Kur fiton turizmi shqiptar, fitojnë edhe bizneset dhe qytetarët në të dy anët e kufirit”.

    Sipas AKB-së, turizmi mbetet një nga urat më të rëndësishme që lidh ekonomikisht Kosovën dhe Shqipërinë, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe duke krijuar përfitime të ndërsjella për bizneset dhe qytetarët.

  • Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët

    Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët

    Lista Serbe sot ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas Listës Serbe janë bërë “parregullsive serioze që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për popullin serb”.

    Në ankesë pretendohet se partia Për Liri Drejtësi dhe Mbijetesë e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë.

    Për këtë arsye, Lista Sereb e konsideron të papranueshme që, siç thuhet “mandati të fitohet me vota nga komunitetet joserbe dhe në komuna ku praktikisht nuk ka serbë”.

    KQZ-ja më 27 qershor ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor në Kosovë.

    Sipas rezultateve, Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate, ndërsa një mandat i ka takuar listës “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është fituar nga Nenad Rashiqi.

    PZAP-ja ka afat 4 ditë për të kthyer përgjigje në ankesë. Nëse ankesa refuzohet, ata kanë të drejtë ankesë në Gjykatën Supreme. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat.

    Me përfunidm të shqyrtimit të ankesave KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimate të zgjedhjeve të 7 qershorit. /Koha

  • Rama: Prishtina më 2 korrik nikoqire e ngjarjes qendrore për 250-vjetorin e SHBA-së

    Rama: Prishtina më 2 korrik nikoqire e ngjarjes qendrore për 250-vjetorin e SHBA-së

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 2 korrik kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjes qendrore “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years”, e organizuar në kuadër të programit për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas Ramës, aktiviteti do të përcjellë mesazhin se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm një histori suksesi, por edhe një vizion i përbashkët për të ardhmen.

    Rama në një postim në Facebook bëri të ditur se në Kryeqytet ka pritur një delegacion nga Washington D.C., të udhëhequr nga Dr. Faton Bislimi, në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, pjesë e programit zyrtar të kremtimit të 250-vjetorit të SHBA-së.

    Rama tha se në takim morën pjesë profesori Daniel Serwer, profesori Edward P. Joseph, Besa Pinchotti, majori Mario Marquez, filantropi Ramiz Tafilaj dhe personalitete të tjera që, sipas tij, kanë dhënë kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Sipas kryetarit të Prishtinës, gjatë takimit u diskutua për 250-vjetorin e demokracisë amerikane, rrugëtimin e Kosovës si shtet i lirë e demokratik, si dhe mundësitë për partneritete të reja që do të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në të ardhmen.

  • IKSHPK apelon qytetarët për kujdes gjatë temperaturave të larta

    IKSHPK apelon qytetarët për kujdes gjatë temperaturave të larta

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi ekspozimi i zgjatur në vapë mund të ndikojë negativisht në shëndet, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të IKSHPK-së thuhet se për të reduktuar rrezikun nga temperaturat e ngritura gjatë qëndrimit në ambientet e hapura, IKSHPK rekomandon:

    Të evitoni qëndrimin dhe aktivitetet fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.

    Të qëndroni sa më shumë në vende me hije ose në ambiente të freskëta.

    Të mbroni kokën dhe fytyrën duke mbajtur kapelë.

    Gjatë ekspozimit në diell, të përdorni syze dielli për mbrojtjen e syve.

    Të mbroni lëkurën duke përdorur krem mbrojtës ndaj rrezeve të diellit.

    Të pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin.

    IKSHPK thekson se respektimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në parandalimin e goditjes nga të nxehtit, dehidratimit dhe problemeve të tjera shëndetësore që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta.

  • Letonia dhe Ukraina fillojnë prodhimin e përbashkët të dronëve në kufirin rus

    Letonia dhe Ukraina fillojnë prodhimin e përbashkët të dronëve në kufirin rus

    Kryeministri letonez Andris Kulbergs deklaroi se Letonia dhe Ukraina planifikojnë të ndërtojnë së bashku një fabrikë për prodhimin e dronëve në kufirin me Rusinë dhe Bjellorusinë.

    Siç raportohet nga mediat e huaja, gjatë një vizite në bazën ushtarake në rajonin Latgale, Kulbergs tha se bashkëpunimi midis dy vendeve do të përfshijë zhvillimin e industrisë ushtarake, përfshirë prodhimin e dronëve në zonën kufitare.

    Sipas fjalëve të tij, është planifikuar gjithashtu të futet një sistem për kapjen e dronëve në kufi, me qëllim që të zvogëlohet nevoja për të angazhuar avionë luftarakë në çdo incident.

  • Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, si dolën analizat?

    Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, si dolën analizat?

    Pak ditë pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, burime për ABC News thanë se kanë dalë rezultatet e analizave nga laboratori ISUV që tregojnë se mostrat e ushqimeve dhe kampionet ambientale kanë dalë të pastra nga ngarkesa bakteriale që analizuan nga Instituti i Referencës për S.coli, Salmonelë dhe Listeria.

    Burime pranë grupit të hetimit thonë se pritet tashmë edhe rezultati nga dokumentat e marra nga krimi ekonomik pranë AKU-së në lidhje me kontrollet që janë kryer kompanisë së ushqimit nëse ka pasur ose jo parregullsi.

    60 kursantë të Akademisë së Policisë në Tiranë dyshohet e u helmuan sërish ditën e 25 qershorit.

    Ata shfaqën shenja si të vjella, diarre dhe temperaturë, dhe u dërguan menjëherë në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndihmë mjekësore./abcnews.al

  • Nga nxehtësia ekstreme në stuhi, rrufeja godet Kullën Eiffel

    Nga nxehtësia ekstreme në stuhi, rrufeja godet Kullën Eiffel

    Rrufeja ka goditur Kullën Eiffel ndërsa një stuhi e fuqishme përfshiu Parisin të shtunën në mbrëmje, duke i bërë vizitorët të kërkonin strehim.

    Moti dramatik pasoi ditë të tëra me vapë rekord në Francë, ku autoritetet thonë se temperaturat ekstreme kontribuan në një rritje të ndjeshme të vdekjeve.

    Raportohet se Franca ka regjistruar mbi 1,000 vdekje nga nxehtësia, ndërsa temperaturat përvëluese kanë përfshirë vendin.

    Disa pjesë të vendit kanë kaluar 40°C këtë javë, duke shtuar presion mbi spitalet dhe ndihmësit e parë mes një rritjeje të thirrjeve emergjente.

    Më shumë se 30 zona ishin nën alarm të kuq për nxehtësi për pjesën më të madhe të javës, dhe vendi regjistroi ditën e tij më të nxehtë të mërkurën, me temperaturën mesatare 24-orëshe që arriti në 30°C.

    Ndryshe, temperaturat janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën ditët e fundit.

  • ​Eurodeputeti Reuten: Deklaratat e Vuçiq për dorëheqje, manovër për të ruajtur pushtetin

    ​Eurodeputeti Reuten: Deklaratat e Vuçiq për dorëheqje, manovër për të ruajtur pushtetin

    Deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq se do të japë dorëheqje, janë pjesë e një strategjie për ruajtjen e kontrollit politik, në një moment të rritjes së presionit publik dhe protestave të vazhdueshme.

    Kështu vlerëson eurodeputeti holandez Thijs Reuten, teksa komenton zhvillimet e fundit politike në Serbi.

    “Njoftimi për të hequr dorë nga posti i Presidentit është një manovër për të hartuar një strategji që të mbetet në pushtet për sa më gjatë të jetë e mundur, në një mënyrë apo tjetër. Kjo është ajo që ka të bëjë kjo lëvizje klasike e manualit të autokratëve. Le të mos e humbasim fokusin”, thotë ai përmes një reagimi në X.

    Reuten shton se mbeten në anën e popullit serb.

    “Ne mbetemi në anën e popullit serb, i cili vazhdon të ketë kërkesa shumë të thjeshta: zgjedhje të drejta, jo vetëm diskutim për sundimin e ligjit, por zbatim të tij, si dhe transparencë”, përfundon ai. /Kp/

  • OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë

    OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë

    Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se temperaturat ekstreme mund të jenë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë në Evropë.

    “Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori dhe lidhen me temperaturat e larta në Evropë”, shkroi Tedros në rrjetin X.

    “Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme – qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen”, shtoi ai.

    Gjatë fundjavës së shkuar, në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Çekinë, janë thyer rekordet e temperaturave, duke arritur ose tejkaluar 40 gradë Celsius.

    Autoritetet çeke u bënë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetin fizik dhe lëshuan paralajmërime për smog në pjesën qendrore dhe veriore të vendit, për shkak të niveleve të larta të ozonit pranë sipërfaqes së tokës, të shkaktuara nga vapa.

    Në Gjermani u reduktuan udhëtimet me tren në një linjë kryesore në landin perëndimor, Nordrhajn-Vestfalenit, ndërsa në qytetin lindor të Lajpcigut u pezullua qarkullimi i tramvajeve.

    Policia e Berlinit përdori topa uji për t’i ndihmuar banorët e kryeqytetit të freskoheshin.

    Sipas mediave lokale, shumë njerëz qëndruan brenda në shtëpi dhe shmangën daljet jashtë deri pas perëndimit të diellit.

    Kompania franceze e shpërndarjes së energjisë, Enedis, njoftoi të dielën pasdite se rreth 36.000 familje në veri dhe në qendër të Francës kanë mbetur pa energji elektrike.

    Qeveria e Hungarisë tha se centrali bërthamor Paks në këtë vend, ka ulur prodhimin të dielën, për shkak të temperaturës së lartë të lumit Danub – uji i të cilit përdoret për ftohje.

    Valë e të nxehtit ekstrem mbërthen qytetet e Evropës

    Tedros tha se stresi nga nxehtësia, shpesh quhet “vrasës i heshtur”, duke shtuar se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për të përballuar temperatura të tilla.

    “I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valëve të të nxehtit që dikur ndodhte një herë në një brez, tani po përsëritet pothuajse çdo vit”, tha ai.

    Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi disa shkencëtarë të kenë thënë se vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka qenë më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë. /REL

  • Nuk dorëzohen dy kandidatët e PDK-së, dorëzojnë ankesën në PZAP

    Nuk dorëzohen dy kandidatët e PDK-së, dorëzojnë ankesën në PZAP

    Kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar sot ankesë në PZAP për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Ankesa e tyre do ta shtyjë procesin e certifikimit të zgjedhjeve. Afati i fundit për ankesa në PZAP përfundon në orën 12:00, më 29.06.2026.

    “Unë dhe kandidati Qëndrim Kryeziu kemi dorëzuar ankesë në PZAP për rezultatet përfundimtare të publikuara nga KQZ-ja, për shkak se rezultati i përfundimtar i publikuar është i pasaktë, i paverifikuar. Ankesa është e bazuar dhe rezultati nuk mund të certifikohet”, tha Bekim Haxhiu para mediave.