ATV

Category: Lajme

  • IKShPK-ja bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, thotë se intensiteti i gripit e ka kaluar pragun epidemik

    IKShPK-ja bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, thotë se intensiteti i gripit e ka kaluar pragun epidemik

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një thirrje për qytetarët e Kosovës që të vaksinohen kundër gripit sezonal, për të cilin tha që në javët e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara, intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit duke e kaluar pragun epidemik.

    IKSHPK shton se kjo situatë rezulton me rritje të fluksit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.

    “Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun”, thotë Instituti.

    Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet si: Punëtorët shëndetësorë; Gratë shtatzëna; Personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar; Personat mbi 65 vjeç; dhe Fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.

    Instituti tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.

    IKSHPK u bën thirrje gjithashtu qytetarëve që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si:

    Mbajtjen e higjienës personale;

    Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë;

    Redukimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale);

    Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz;

    Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina;

    Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm;

    Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi .

    Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

  • PZAP-ja e dënon edhe me 6 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje pas ankesave të LDK-së

    PZAP-ja e dënon edhe me 6 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje pas ankesave të LDK-së

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar edhe dy gjoba tjera ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, në vlerë totale prej 6 mijë euro. Të dy gjobat i janë shqiptuar pas ankesave që ka dorëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Gjoba në vlerë prej 4 mijë e 500 euro, VV i është shqiptuar shkaku i një baneri të kandidatit për deputet Halil Thaçi, që është vendosur në ndërtesën kolektive në Obiliq, që është pronë komunale, e pa lejen e Komunës.

    “Paneli pas shikimit të shkresave të lëndës dhe përgjigjes në ankesë të paraqitur nga subjekti politik LVV, vlerësoj se pretendimet e Subjektit Politik LDK, janë të qëndrueshme dhe si të tilla i aprovoj për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë paraqesin shkelje nga ana e Subjektit Politik LVV gjegjësisht e kandidatit për deputet nga ky subjekt politik ka vendosur banerë/posterëve në ndërtesë kolektive-publike”, theksohet në vendim.

    VV-ja e ka kundërshtuar këtë ankesë duke thënë se baneri është vendosur në hapësirën private, konkretisht në murin e banesës së titullarit juridik të banesës dhe i cili ka thënë pëlqimin paraprak.

    PZAP e ka cilësuar të pa bazuar këtë pretendim, duke thënë se posteri është vendosur në hapësirën e jashtme të objektit të banimit kolektiv dhe se për këto raste duhet leje e veçantë nga Drejtoria në Komunën e Obiliqit.

    “Detyrohet Subjekti Politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, që gjobë e shqiptuar sin ë pikën -II- të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”, thuhet në vendim.

    Gjoba tjetër në vlerë prej 1 mijë e 500 euro, Lëvizjes Vetëvendosje i është shqiptuar për shpërndarjen e disa njoftimeve për një tubim në Prishtinë.  Saktësisht, vendosjen e posterëve në shtyllë dhe trafo elektrike ku u bënte thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në tubimin në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.

    Ankesa është bërë nga LDK-ja, që ka bashkangjitur edhe katër fotografi që dëshmojnë vendosjen e posterëve – njoftimeve në kundërshtim me rregullativën zgjedhore.

    Edhe kjo ankesë është kundërshtuar nga VV-ja, e cila e ka akuzuar LDK-në se njoftimet e tyre i ka vendosur vetë kjo parti në vendet e palejuara për t’i dëmtuar financiarisht.

    Pretendimet e VV-së, Paneli i ka cilësuar si supozime e që ka thënë se nuk janë argumentuar me fakte dhe prova konkrete.

  • Walker viziton “Reporting House”: Kam qenë i interesuar për historinë e Kosovës gjatë 30 viteve të fundit

    Walker viziton “Reporting House”: Kam qenë i interesuar për historinë e Kosovës gjatë 30 viteve të fundit

    Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker vizitoi ekspozitën “Reporting House” (Shtëpia e Gazetarëve) në Prishtinë, në të cilën gjenden të ekspozuara video-materiale, intervista e dëshmi të shumta nga lufta e fundit në Kosovë.

    Walker u informua nga afër me përmbajtjen e video-materialeve me dëshmi të ndryshme, protestat në shenjë rezistence të viteve 90-ta, fotografi e artefakte që janë të ekspozuara tek ish-Shtëpia e Mallrave në qendër të Prishtinës.

    “Jam shumë i impresionuar, para së gjithash, që ekziston ky muze. Dhe nuk është vërtetë një muze, është një udhëtim përmes historisë së fundit të Kosovës. Kam mësuar kaq shumë vetëm në këto 45 minuta për disa gjëra që duhej t’i dija më herët. Kam qenë shumë i interesuar për historinë e Kosovës gjatë 30 viteve të fundit dhe mendoja se dija shumë, por pothuajse gjithçka që më është treguar në këto 45 minuta është e re për mua. E re për mua”.

    “Lidhjet mes asaj që ka ndodhur këtu dhe asaj që ka ndodhur në Bosnjë janë gjëra që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Prandaj fakti që ky muze është krijuar dhe organizuar në këtë mënyrë, për mua, është shumë mbresëlënës. Shumë mbresëlënës. Dhe, siç i thashë drejtorit, kam një vajzë që është e angazhuar në krijimin e një muzeu për të treguar informacione që njerëzit mund të mos i kenë dëgjuar më parë. Ky është një mënyrë jashtëzakonisht pozitive për t’u treguar kosovarëve të të gjitha moshave dhe etnive se çfarë ka ndodhur këtu gjatë dekadave të fundit”, ka thënë Walker për Ekonomia Online.

  • Avokatja e Krasniqit: Njëri nga patologët që ka bërë autopsinë, ishte dëshmitar i mbrojtjes së Millosheviqit për masakrën e Reçakut

    Avokatja e Krasniqit: Njëri nga patologët që ka bërë autopsinë, ishte dëshmitar i mbrojtjes së Millosheviqit për masakrën e Reçakut

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra, tha të enjten në Hagë se njëri prej patologëve që ka bërë autopsinë e që dëshmitarit John Clarke i është kërkuar interpretim, ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit për masakrën e Reçakut.

    Profesori në fjalë, sipas avokates ishte Stadica Dobriçanin, për të cilin dëshmitari tha se me këtë person nuk ka pasur asnjë kontakt personal ose profesional, raporton“Betimi për Drejtësi“.

    “Doktor Clarke, a e dini ju që Stadica Dorbricanin ka qenë dëshmitar i mbrojtjes për gjykimin e Millosheviqit në TPNJ dhe madje ka qenë dëshmitar fakti në mbrojtjen e Millosheviqit për masakrën e Reçakut që besoj se e njihni, a e dini ju këtë?”, tha Alagendra.

    “Jo, nuk e dija këtë”, tha Clarke.

    Dëshmitari u pajtua që mjekët e autopsisë duhet të jenë profesionalë dhe anshmëritë nacionaliste, ideologjike, personale dhe në veçanti ekspertëve të komuniteteve që janë përfshirë në konflikt, duhen marrë parasysh kur gjykohet paanshmëria e një eksperti të caktuar.

    Ai mohoi se mori informacion nga ZPS-ja për anshmëritë politike dhe profesionale të profesor Dobricaninit, të cilat mund të kenë ndikuar në përfundimet e tij.

    Me pas, avokatja kërkoi që t’i prezantohet një dokument, për çka kundërshtoi prokurori James Pace.

    Ai tha se dokumenti në fjalë i ka vetëm dy faqe që mendohet se janë nxjerrë nga një dëshmi më e gjatë dhe nuk e kanë dëshminë në tërësi. Gjithashtu, ai tha se eksperti është një patolog kriminalistike dhe sa u takon viktimave për të cilat përmenden në aktakuzë, nuk përmenden viktimat e Reçakut.

    Si rrjedhojë, prokurori kërkoi që të pyetet mbrojtja se cila është relevanca për këto pyetje. E Alagendra tha se dëshiroi që të marrë opinione prej dëshmitarit Clarke lidhur me fiziologjinë.

    “Doja të merrja opinione prej doktor Clarke lidhur me fiziologjinë e kosovarëve. Pra, atributet fizike të kosovarëve. Karakteristikat e kosovarëve, sepse ka qenë në Kosovë dhe është në gjendje që të na e jep një mendim. Veç kësaj, do të kisha më shumë informacion sa i takon paanshmërisë së profesor Dobricaninit”, tha ai.

    Si rrjedhojë, u rrëzua kundërshtimi i Prokurorisë dhe mbrojtja e Krasniqit vijoi me pyetje të veta.

    Kur filloi seanca pas pushimit 30 minutash, Hashim Thaçi kërkoi që ta marrë fjalën pasi ishte i pranishëm përmes video-lidhjes. Si rrjedhojë, ndërhyri avokatja e tij, Nina Tavakoli duke kërkuar seancë private, gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

    Ndërsa, për dëshmitarin nuk pati pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.

  • Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n

    Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë.

    NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi i ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës.

    “Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë, shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte.

    “Nuk do të jenë miliarda shtesë; do të jenë triliona shtesë”, shtoi ai, duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

    Rutte nguli këmbë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet “të rrisin, e jo ta zvogëlojnë mbështetjen” që janë duke ia dhënë asaj, pothuajse tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Ne duhet ta ndryshojmë trajektoren e luftës”, tha Rutte, duke shtuar se Perëndimi “nuk mund të lejojë që në shekullin e XXI-të një shtet ta pushtojë një shtet tjetër dhe të përpiqet ta kolonizojë atë”.

    Në Evropë është duke u rritur frika se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të kërkojë t’i japë fund shpejt luftës duke mbajtur bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kushte që janë të pavolitshme për Ukrainën, por Rutte u duk i kujdesshëm për të mos i bërë gjërat me nxitim.

    “Nëse kemi marrëveshje të keqe, ajo do të nënkuptonte se do ta shihnim presidentin e Rusisë duke festuar me liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës, dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, tha ish-kryeministri holandez.

    “Ky do të ishte një gabim i madh gjeopolitik”, shtoi Rutte.

    I dërguari i ri i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i kritikoi aleatët që flasin për vazhdimin e luftës dhe vijojnë të mos i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, sipas udhëzimeve të NATO-s.

    Ai tha se amerikanët mendojnë se është “skandaloze” që administrata Biden nuk pranoi të bisedojë me Putinin.

    Liderët e NATO-s kanë janë pajtuar që çdo shtet anëtar duhet t’i shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetet e tyre ushtarake.

    Aleanca vlerëson se 23 vende do ta arrijnë këtë cak këtë vit, megjithëse pothuajse një e treta do të mbetet prapa. Polonia dhe Estonia shpenzojnë më së shumti në bazë të PBB-së.

    “Nuk mund t’i kërkoni popullit amerikan ta zgjerojë ombrellën e NATO-s, kur anëtarët e tanishëm nuk po paguajnë pjesën që u takon atyre”, tha Grenell.

    Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.

    Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.

    Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.

    Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

    Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022./REL

  • Nuk i ofroi IKD-së qasje në dokumente publike, AIP-ja gjobit KPK-në me 3 mijë euro

    Nuk i ofroi IKD-së qasje në dokumente publike, AIP-ja gjobit KPK-në me 3 mijë euro

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka marrë vendim me të cilin i shqiptoi gjobë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në shumën prej 3 mijë euro.

    Ky vendim është marrë më 21 janar 2025 pas shqyrtimit të ankesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për heshtjen e KPK-së ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, kërkesa e palës ankuese (IKD) ka pasur të bëjë me qasje në informacione se sa aktakuza ishin ngritur nga secili prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, për sa persona të akuzuar për departament, si janë zgjidhur dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore. Po ashtu, edhe se sa aktakuza janë ngritur në gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023, a ka qenë vendimi lirues apo dënues dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore.

    Në vendim, bëhet e ditur se kërkesa e IKD-së për qasje në dokumente publike ishte parashtruar më 25 tetor 2024. Përderisa, ankesa në AIP ishte parashtruar më 6 nëntor 2024.

    Aty thuhet se AIP gjatë shqyrtimit të ankesës, e ka obliguar KPK-në që t’i ofrojë palës ankuese (në këtë rast IKD-së) qasje të plotë në informacionet që kanë qenë objekt kërkese.

    Sipas vendimit, KPK-ja me gjithë paralajmërimin e AIP-së se kishte vetëm shtatë ditë afat për ta jetësuar kërkesën e palës ankuese, duke i ofruar qasje në informacionet e kërkuara, nuk e ka zbatuar vendimin e Agjencisë.

    Po ashtu, në vendim thuhet se duke pasur parasysh heshtjen e KPK-së, si rrjedhojë e moszbatimit të këtij vendimi, AIP me anë të njoftimit për shqiptimin e gjobës administrative të 8 janarit 2025, ka njoftuar zyrtarin kryesor administrativ se mund ta shfrytëzojë afatin prej 7 ditësh për të përmirësuar shkeljen e evidentuar në vendimin e lartcekur, para se të shqiptojë gjobë administrative.

    Në lidhje me këtë, thuhet se institucioni publik (KPK), më 10 janar 2025, ka kërkuar afat shtesë nga AIP edhe për një muaj për sigurimin e të dhënave për palën ankuese (IKD).

    Arsyetimi i tyre, sipas vendimit, kishte qenë se gjatë evidentimit ka pasur një problem teknik në arkivimin e tyre dhe se nevojitet një periudhë njëmujore për t’i nxjerrë të dhënat nga raportet evidentuese.

    Por, në vendim thuhet se AIP e ka njoftuar Këshillin Prokurorial se nuk ka ndonjë bazë ligjore që e mbështet shtyrjen e afatit, duke e lënë afatin e pandryshuar. Përderisa, thuhet se KPK-ja nga 8 janar 2025, nuk i ka përcjellë AIP-së informacionet e kërkuara ng apala ankuese (IKD).

    “Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke pasur për bazë faktin se institucioni publik nuk i ka përcjellë informacionet objekt kërkese dhe nuk ka ofruar ndonjë bazë ligjore për mos ofrimin e qasjes në dokumente publike, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës së shqyrtimit të kësaj ankese, duke nxjerrë vendimin Nr.Gj-1001/2024, përmes të cili i shqiptohet gjobë institucionit publik në fjalë, shuma e së cilës bazohet në paragrafin 3 të nenit 33 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike”, thuhet në fund të arsyetimit të këtij vendimi.

    KPK-ja obligohet që shumën prej 3 mijë euro ta paguajë në afat prej 30 ditësh dhe se me kalimin e afatit të përcaktuar, i njëjti kthehet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga përmbaruesi privat.

    Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur mund të paraqesë padi për kundërshtim në gjykatë kompetente për çështje administrative në afat prej 30 ditësh nga dita e dorëzimit të vendimit. Por, inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.

  • Norvegjia mund të bëhet vendi i parë që e heq sistemin VAR

    Norvegjia mund të bëhet vendi i parë që e heq sistemin VAR

    Norvegjia pritet të bëhet vendi i parë që do ta braktis VAR-in pasi 19 nga 32 klube të divizionit të parë të futbollit në këtë shtet votuan për ta hequr video-referimin.

    Pas periudhës prej katër muajsh konsultime me klube, futbollistë dhe grupe tifozësh, klubet e divizionit të parë dhe të dytë norvegjez votuan për ta hequr VAR-in, ndërsa e nisën rekomandimin drejt Federatës Norvegjeze të Futbollit (NFF), e cila do ta marrë vendimin definitiv.

    NFF pritet ta marrë vendimin final në muajin mars, ndërsa “ESPN” mëson se shtëpia e futbollit norvegjez mund edhe ta anulojë këtë rezultat.

    Divizioni i parë i futbollit norvegjez, Eliteserien, e kishte prezantuar VAR-in në vitin 2023, ndërsa tifozët nga i gjithë vendi e kishin kundërshtuar zëshëm këtë vendim.

    Në fillim të këtij sezoni, ndeshja mes Rosenborgut me Lillestrøm ishte ndërprerë pasi tifozët kishin gjuajtur në fushë torta me peshk dhe sende të tjera për të protestuar ndaj VAR-it.

    Ndeshjet tjera ishin ndërprerë nga gjuajtja e tapave të shampanjës, topa të tenisit etj.

    Trazirat që i shkaktuan tifozët çuan në periudhën e konsultimeve dhe mundësinë e heqjes së VAR-it nga Federata Norvegjeze.

  • Ndotja e lartë e ajrit, IKShPK-ja del me rekomandime se si të veprojmë për ta reduktuar rrezikun

    Ndotja e lartë e ajrit, IKShPK-ja del me rekomandime se si të veprojmë për ta reduktuar rrezikun

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se këto ditë, Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

    IKShPK-ja thekson se ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.

    Institut bën të ditur se efektet shëndetësore afatshkurtra të ndotjes së ajrit në shëndet: sëmundjet, shtrimet në spital, komplikimet shëndetësore dhe vdekjet, ndërkaq, efektet shëndetësore afatgjata: sëmundshmëria, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare.

    “Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë: sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive.

    Të dhënat e OBSh-së tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Përafërsisht 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa 190.000 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta”, thuhet tutje.

    Në njoftim jepen po ashtu të dhëna, ku thuhet se 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e udhëzuesit të OBSh-së lidhur me nivelet e larta të ndotësve.

    “Ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jo-kualitative që po përdorin qytetarët, trafiku dhe industria”.

    IKShPK-ja më poshtë ka dhënë rekomandime për reduktimin e rrezikut, kur ajri ka vlera të larta të ndotjes:

    Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;

    Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave, derisa zgjasin vlerat e larta;

    Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.

    Të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërish të ndalohet hapësirave të mbyllura sikur e përcakton edhe vet ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.

    Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prira për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

  • Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore

    Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore. Këtë e ka bërë të ditur, zv/kryeprokurori i kësaj prokurorie, Valdet Gashi, derisa po prezantonte raportin vjetor të punës se kësaj prokurorie, në mbledhjen e 261-të e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

    Anëtari i KPK-së, Arian Gashi, pyeti se pse ka një disbalancë mes lëndëve të kryera të disa prokurorë, duke thënë se disa prej tyre kanë kryer vetëm gjysmën e lëndëve që kanë në punë, e disa prej tyre dyfishin e tyre, duke qenë se PSRK-së iu kanë shtuar 9 prokurorë të rinjë.

    Për këtë, zv/kryeprokurori Gashi u përgjigje duke thënë se prokurorët e rijnë kanë filluar punën në qershor të vitit të kaluar dhe janë angazhuar me hetimin e kontratave njëburimore.

    Sipas tij, po hetohen 1 mijë e 600 kontrata njëburimore për të cilat tha se nuk ka informacione dhe duhet të analizohen, për çka tha se janë aktivizuar dhe janë duke pritur informata nga Policia.

    Ai ka thënë se këto raste kanë krijuar këtë disbalancë mes prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gashi bëri të ditur se Prokuroria Speciale, në 2024 ka bartur 1 mijë e 757 lëndë nga viti 2023, dhe janë pranuar 489 lëndë të reja. Ai tha se në 2024 janë zgjedhur 288 lëndë, apo 58.9 % e lëndëve të pranuara.

    Gashi tha se në 2023 puna e kryerjes është me e lartë, por në 2024 janë ballafaquar më sfida siç është ndryshimi i ligjit për PSRK-në, siç ka vendosur edhe disa pozita për zyrtarë që më herët kanë qenë në Themelore.

    Ushtruesi i detyrës se Kryeprokurori të Shtetit Besim Kelemendi, tha se në këtë raport mungojnë të dhëna për përqindjen e normës se kryer nga prokurorët. Ai shtoi se e përgëzon PSRK-në për punën, por foli për efikasitetin e prokurorëve të ri, për çka tha se mund të jetë më i mirë duke sugjeruar të mbahen diskutime me këta prokurorë.

    Gashi tha se beson që prokurorët do të tregojnë efikasitet në 2025-ën.

    Zv/kryeprokurori u pyet edhe nëse ka aktakuza për shpëlarja e parave, për të çka tha se ka aktakuza dhe aktgjykime dënuese, por aktualisht nuk janë në raport por mund të plotësohet.

    Ai foli edhe për ligjin për kompetencat e zgjeruara, ku tha se aplikohet në gjithë ato raste ku vlerësohet.

    Në lidhje me pushimet e hetimeve në rastet kur të përfshirë janë ministra të qeverisë aktuale, Gashi tha se për ta janë të parëndësishëm emrat, dhe se rastet trajtohen në mënyrë të paanshëm, duke shtuar se kjo përgjigje është dhënë nga Kryeprokurori Blerim Isufaj pasi i është parashtruar pyetja në konferencën vjetore.

    Me rekomandim që të plotësohet raporti brenda një jave me raportet plotësuese dhe punën e gjithë prokurorëve, më 10 vota për u aprovua Raporti i Punës se Prokurorisë Speciale.

  • Drenas, arrestohen dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje

    Drenas, arrestohen dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje në Drenas.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Me 22.01.2025 është raportuar se viktima femër kosovare me dy të dyshuarit meshkuj kosovarë pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale në kohë të ndryshme. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po ashtu në Fushë Kosovë, është identifikuar një i dyshuar i cili dyshohet se ka kryer po ashtu veprën penale të dhunimit ndaj një gruaje.

    “Fushë Kosovë / Korrik 2024. Lidhur me rastin është identifikuar i dyshuari i cili dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për sigurimin e prezencës së të dyshuarit dhe për trajtim të procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.