ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani: Kosova do të vazhdojë partneritetin me administratën e re të SHBA-së

    ​Osmani: Kosova do të vazhdojë partneritetin me administratën e re të SHBA-së

    Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati konfirmoi angazhimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar thellimin e partneritetit me administratën e re amerikane, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe interesat strategjike.

    Gjatë takimit Osmani dhe Prattipati diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ruajtur stabilitetin dhe për të çuar përpara reformat demokratike.

    Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e delegacionit presidencial të Kosovës në aktivitetet inauguruese të presidentit të sapo zgjedhur amerikan Donald Trump.

  • ​Blerja e votave, Shormaz: Vuçiq vazhdon lojën e ndyrë ndaj Kosovës

    ​Blerja e votave, Shormaz: Vuçiq vazhdon lojën e ndyrë ndaj Kosovës

    Politikani serb Dragan Shormaz ka akuzuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq se po vazhdon lojën e tij të ndyrë në raport me Kosovën, duke blerë votat e serbëve për zgjedhjet e 9 shkurtit në emër të ndarjes së ndihmave.

    Beogradi zyrtar ka njoftuar se do të ndajë nga 170 euro ose 20 mijë dinarë ndihma në emër të asistencës sociale për 5 mijë serbë, vendim që do të zbatohet nga 1 shkurti.

    “Vuçiq gjithmonë bën lojë të ndyrë! Tani në mes të fushatës ka lëshuar para për 5 mijë serbë në Kosovë dhe kushti për ato para sigurisht që do të jetë që ata ta votojnë Listën Serbe, e cila është e përbërë nga të paaftë të dëshmuar. Të shohim si do të arrijnë ato para në Kosovë?!”, shkruan Shormaz në platformën X.

  • ​John Ratcliffe konfirmohet në krye të CIA-s, njihet si mik i shqiptarëve

    ​John Ratcliffe konfirmohet në krye të CIA-s, njihet si mik i shqiptarëve

    Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffe të enjten për të shërbyer si drejtor i CIA, duke e vendosur në krye të agjencisë së inteligjencës.

    Votimi ishte 74 me 25 pro dhe disa demokratë iu bashkuan të gjithë republikanëve të pranishëm në konfirmimin e tij.

    Mbështetja që Ratcliffe mori nga demokratët pasqyron evolucionin e politikës amerikane. Gjatë administratës së parë Trump, Ratcliffe nuk mori asnjë mbështetje nga demokratët dhe kualifikimet e tij u vunë në pikëpyetje, kur ai u emërua drejtor i inteligjencës kombëtare.

    Por pesë vjet më vonë, pikëpamjet e Ratcliffe kanë ndryshuar. Ndryshe nga disa prej zgjedhjeve të Trump për postet e tjera të kabinetit, Ratcliffe konsiderohet të jetë i kualifikuar për pozicionin e tij. Pikëpamjet e tij për çështjet e sigurisë kombëtare janë të lidhura ngushtë me ato të shumicës republikane të Senatit.

    Republikanët e Senatit kishin shpresuar të konfirmonin Ratcliffe dhe disa kandidatë të tjerë në fillim të javës. Por demokratët, duke shprehur rezerva për disa zgjedhje, e kanë ngadalësuar shtytjen pasi Senati konfirmoi shpejt Marco Rubio si sekretar të Shtetit të hënën.

    Ratcliffe njihet edhe si mik i shqiptarëve. Në vitin 2016, ai ishte i ftuar special në Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në Nju Jork.

  • “Dikur kanë qenë ‘in’ akademikët”, Hodaj thotë se preferencat për deputetët në Kosovë, viteve të fundit kanë ndryshuar

    “Dikur kanë qenë ‘in’ akademikët”, Hodaj thotë se preferencat për deputetët në Kosovë, viteve të fundit kanë ndryshuar

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, vlerësoi se preferencat për deputetët në Kosovë kanë ndryshuar me kalimin e viteve.

    Sipas Hodajt, derisa më herët, akademikët dhe figurat e jetës shoqërore ishin më të preferuar për t’u bërë deputetë, tani vëmendja është zhvendosur te personat aktivë në terren që angazhohen drejtpërdrejt me elektoratin.

    “Preferenca për deputetët mendoj që me kalimin e viteve kanë ndryshu në Kosovë. Në atë kohë ka qenë shumë ‘in’ me qenë akademikë, profesorë, doktorë. Pastaj ndryshoi, më shumë janë preferuar njerëz të terrenit, komandantë e kështu me radhë”, tha Hodaj.

    Deklaratën e plotë të Taulan Hodajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rexhaj: Përbërja në parlamentin e fundit nuk është model i një parlamenti të mirë

    Rexhaj: Përbërja në parlamentin e fundit nuk është model i një parlamenti të mirë

    Profesori në Kolegjin AAB, Xhavit Rexhaj, i ftuar në emisionin CONTEXT në ATV, e ka kritikuar përbërjen dhe funksionimin e parlamentit aktual, duke e cilësuar si një model jo të mirë të një parlamenti.

    Rexhaj vuri në pikëpyetje diversitetin dhe pasurinë që sjellin ndryshimet në përbërjen e deputetëve, veçanërisht me shumicën aktuale parlamentare.

    “58 deputetë i ka pasur Vetëvendosja, plus 11 që kanë shkuar ministra, dhe kanë hyrë të tjerë. Janë bërë 69 deputetë. Sa i solli kjo pasuri LVV-së apo vetëm një makinë të disiplinuar votimi? Nuk jam fort i sigurt se kjo sjell pasuri në jetën parlamentare. Ky parlament i fundit, për mua, nuk është model i parlamentit të mirë, me disa përjashtime”, tha Rexhaj.

    Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi përmend kandidatët për deputet që e kanë të siguruar mandatin pa pasur nevojë të dalin në fushatë

    Hamidi përmend kandidatët për deputet që e kanë të siguruar mandatin pa pasur nevojë të dalin në fushatë

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se disa kandidatë për deputet e kanë të siguruar mandatin në Kuvend, falë bazave të tyre të forta elektorale dhe mbështetjes nga liderët lokalë, të cilët sipas tij, nuk kanë nevojë fare te dalin në fushatë.

    Sipas Hamidit, disa deputetë e kanë të vështirë të sigurojnë mandat, ndërsa të tjerë mbështeten në figura të fuqishme që u sigurojnë votat pa shumë përpjekje.

    “Janë disa deputetë që mund të mos angazhohen aspak në fushatë, por kanë vendin e siguruar në Parlament. Për shembull, Mërgim Lushtaku nuk ka nevojë të dalë fare në fushatë, sepse Sami Lushtaku i siguron vota sa të dojë”, tha Hamidi.

    Ai komentoi edhe për angazhimin e kryetarëve të komunave si kandidatë për deputetë, duke thënë se partitë opozitare synojnë të mobilizojnë votuesit përmes figurave lokale, por kjo qasje mbart edhe rreziqe.

    “Kryetarët e komunave në garë kanë një risk të madh, sidomos në komunat e vogla, sepse nuk duan të dalin keq në zgjedhje,” shtoi Hamidi.

    Deklaratën e plotë të Lavdim Hamidit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Problemi kryesor i Ligjit Zgjedhor në Kosovë është sistemi njëzonal

    Gashi: Problemi kryesor i Ligjit Zgjedhor në Kosovë është sistemi njëzonal

    Ish-deputeti Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se sistemi njëzonal i zgjedhjeve është një nga problemet më të mëdha të ligjit zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të pafavorshëm për kandidatët nga rajonet me më pak votues.

    Sipas Gashit, në sistemin njëzonal të gjithë kandidatët garojnë në gjithë Kosovën, gjë që krijon vështirësi për ata që vijnë nga rajone me bazë më të ngushtë elektorale.

    “Gjithnjë 110 kandidatët garojnë në krejt Kosovën. Ai që niset prej një regjioni ku ka pak vota të një partie të caktuar, e ka problem me kompensu numrin e madh të votave në krejt Kosovën”, tha Gashi.

    Ai sugjeroi se një sistem shumëzonal do të ishte më i drejtë, duke e bërë garën më të qartë dhe të ndershme për kandidatët dhe votuesit.

    “Krejt ndryshe do të ishte sikur të ishte sistemi shumëzonal. Të kishim gjashtë zona, dihet se cila zonë kish nxjerrë shtatë-tetë kandidatë, dhe popullata dhe votuesi i kish njoft shumë më mirë se tash”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hodaj: Votimi i 10 kandidatëve mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime

    Hodaj: Votimi i 10 kandidatëve mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime

    Avokati Taulant Hodaj, i ftuar në emisionin CONTEXT në ATV, tha se votimi i 10 kandidatëve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por gjithashtu mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime.

    Sipas Hodajt, zgjerimi i mundësisë për votuesit dhe kandidatët është pozitiv, por rrit kompleksitetin e procesit nga numërimi deri te rinumërimi i votave.

    “Ka avantazhe dhe disavantazhet e veta. A e komplikon procesin? E komplikon. A mund të ketë keqpërdorime? Po, sepse tash ka më shumë deputetë dhe deri te numërimi e rinumërimi mund të ndodhin manipulime”, tha Hodaj.

    Ai tha se për të shmangur keqpërdorimet, institucionet e drejtësisë duhet të jenë të përqendruara jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe në fazën e numërimit.

    “Këtu ndoshta duhet të jetë përqendrimi i organeve të drejtësisë, i fokusuar përtej ditës së zgjedhjeve, edhe gjatë procesit të numërimit dhe rinumërimit”, u shpreh Hodaj.

    Deklaratën e plotë të Taulant Hodajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi: Në këto zgjedhje nuk ka me pasë mundësi me vjedh vota

    Hamidi: Në këto zgjedhje nuk ka me pasë mundësi me vjedh vota

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ligjet e reja zgjedhore dhe masat për transparencë e bëjnë pothuajse të pamundur manipulimin e votave në zgjedhjet e ardhshme.

    Hamidi tha se masat e reja përfshijnë transparencë të plotë në numërimin e votave dhe monitorim të rreptë nga komisionet zgjedhore.

    “Mundësia e manipulimit me këtë ligjin e ri është shumë e vogël, sepse numërimi i votave të subjekteve politike bëhet nga kuadrot e KKZ-ve, janë me kamera transparente, dhe tani shkojnë në QNR”, tha Hamidi.

    Ai përmendi se rastet e mëparshme të manipulimeve të cilat kanë çuar shumë komisionerë përpara drejtësisë, gjë që ka shtuar kujdesin në këtë proces.

    “Mos harrojmë se janë me dhjetëra raste komisionerësh që përballen me procese gjyqësore,” shtoi Hamidi.

    Deklaratën e plotë të Lavdim Hamidit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

    ​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

    Ambasadori i Serbisë Slobodan Vukçeviq është ftuar sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, pas shpalljes “non-grata” të dy shtetasve shqiptarë të cilët ishin pjesë e një seminari të shoqërisë civile në Beograd.

    MEPJ e Shqipërisë kërkoi nga ambasadori serb sqarime lidhur me rastin dhe theksoi nevojën që Serbia të rishikojë apelimin e vendimeve të marra, si dhe u kërkua të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

    MEPJ e Shqipërisë tha ndalimi dhe largimi nga territori i Serbisë i dy përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet për të ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe se ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

    “Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd”, thuhet në reagimin e MEPJ të Shqipërisë në Facebook.

    Me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

    Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Një aktivitet tërësisht apolitik dhe pa asnjë lidhje me protestën antiqeveritare nisur prej nëntorit të vitit të shkuar.

    Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.