ATV

Category: Lajme

  • Senati amerikan e konfirmon sekretarin e Thesarit, Scott Bessent

    Senati amerikan e konfirmon sekretarin e Thesarit, Scott Bessent

    Senati amerikan ka konfirmuar të hënën, Scott Bessent-in si sekretar të Thesarit, në qeverinë e Presidentit Donald Trump.

    Drejtuesi miliarder i fondeve të investimeve, tashmë ka një rol qendror në hartimin e përparësive politike të administratës së re në lidhje me uljen e taksave, të shpenzimeve qeveritare dhe menaxhimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatët dhe kundërshtarët.

    Si sekretari i 79-të i Thesarit, Bessent do të ketë ndikim mbi mbledhjen e taksave dhe tregun e borxhit të thesarit prej 28 trilionë dollarësh, mbi politikën fiskale, rregulloret financiare, sanksionet ndërkombëtare dhe investimet nga jashtë.

    Votimi ishte 68-29, me 16 demokratë që mbështetën emërimin e tij, raporton VOA.

    Bessent, 62 vjeç, tashmë është shfaqur si një mbrojtës i fuqishëm për agjendën ekonomike të Presidentit Trump, e cila përqendrohet tek ulja e taksave dhe vendosja e tarifave të larta, që demokratët dhe disa ekonomistë, argumentojnë se mund të zhbëjnë një pjesë të përparimit që ka bërë Rezerva Federale në vendosjen e inflacionit nën kontroll.

  • Netanyahu planifikon të takohet me Trump javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë

    Netanyahu planifikon të takohet me Trump javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu planifikon të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, raportoi të hënën uebfaqja izraelite Walla News, duke cituar tre burime izraelite dhe amerikane të paidentifikuara.

    Thuhet se ky është një gjest nga presidenti republikan ndaj Netanyahut në dritën e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, për të cilën Trump ka kërkuar kredi. Vizita në Shtëpinë e Bardhë do të ishte e para e çdo lideri të huaj në Uashington që kur Trump rihyri në detyrë javën e kaluar. Këtu është një ekstrakt nga raporti Walla:

    Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë thanë se plani aktual është që Netanyahu të arrijë në Uashington më 3 shkurt dhe të largohet më 5 shkurt.

    Këshilltarët e Netanyahut dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë datën e saktë të takimit mes Netanyahut dhe Trump.

    Zyrtarët izraelitë thanë se mbërritja e Netanyahut në Uashington varet kryesisht nga fakti nëse shëndeti i tij pas operacionit (të prostatës) (ai iu nënshtrua muajin e kaluar) do ta lejojë Netanyahun të marrë një fluturim 12-orësh dhe një orar intensiv të takimeve të punës.

    Netanyahu, i cili ishte një nga të parët që uroi Trumpin kur mundi Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, e ka quajtur republikanin “mikun më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.

    Gjatë mandatit të parë të Trump, ai dha fitore të rëndësishme diplomatike për kryeministrin izraelit, duke përfshirë njohjen e sovranitetit izraelit mbi lartësitë e Golanit në vitin 2019 dhe mbështetjen e marrëveshjeve të Abrahamit me shtetet e Gjirit.

    Të shtunën Trump tha se kishte urdhëruar rifillimin e dërgesave të disa prej bombave më të mëdha në Izrael.

  • Faza fillestare e armëpushimit të Gazës pritet të zgjasë gjashtë javë

    Faza fillestare e armëpushimit të Gazës pritet të zgjasë gjashtë javë

    Faza fillestare e armëpushimit të Gazës, e cila hyri në fuqi më 19 janar 2025, pritet të zgjasë gjashtë javë, me robërit izraelitë që shkëmbehen me të burgosur palestinezë çdo të shtunë.

    33 pengje janë caktuar për lirim në fazën e parë të marrëveshjes tre-pjesëshe të armëpushimit, e cila përfshin gra, fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë.

    Pritet që Hamasi të dorëzojë pengjet në Kryqin e Kuq në secilën prej këtyre të shtunave për t’u përcjellë forcave izraelite dhe më pas të burgosurit palestinezë të lirohen nga burgu disa orë më vonë.

    Tre pengje dhe 90 të burgosur palestinezë u liruan në shkëmbimin e parë më 19 janar. Të shtunën, katër ushtarë izraelite të marra peng nga Hamasi më 7 tetor 2023 u liruan, si dhe rreth 200 të burgosur palestinezë të mbajtur në burgun ushtarak Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar.

  • Studentët bllokojnë Beogradin

    Studentët bllokojnë Beogradin

    Studentët e universiteteve të Serbisë nisën të hënën një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi thelbësor të trafikut në Beograd, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve rreth një shembjeje vdekjeprurëse të një çatie në një stacion treni në muajin nëntor, që la pas vetes 15 të vdekur.

    Fermerë serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protestat shumëjavëshe në të cilat kërkohet përgjegjësi për aksidentin vdekjeprurës në qytetin verior të Novi Sadit, për të cilin kritikët fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.

    Fushata e demonstratave në rrugë paraqet sfidën më të madhe në vite për kontrollin e fortë të qeverisë populiste mbi pushtetin në Serbi.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri Millosh Vuçeviç dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiç, paralajmëruan se do të shpallin më vonë të hënën “vendime të rëndësishme” për situatën, por nuk e bë e qartë menjëherë se cilat mund të ishin vendimet.

    Presidenti Vuçiç është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai ka akuzuar studentët se punojnë për fuqi të huaja për të rrëzuar qeverinë, por pa dhënë prova dhe pa saktësuar se për cilat fuqi bëhet fjalë.

    Disa incidente kanë përshkuar protestat në rrugë javët e fundit, përfshirë dy incidente në të cilat shoferët përplasën makinat me turmën duke plagosur dy vajza të reja.

    Policia rrugore siguroi të hënën bllokadën e studentëve për të shmangur ndonjë incident të ngjashëm. Studentët protestues ngritën tenda në vendin e protestës, i cili është një kryqëzim i rëndësishëm.

    Disa studentë luanin volejboll, të tjerë u ulën në batanije në trotuar ose shëtisnin në një ditë të ngrohtë. Studentët mbajtën gjithashtu një heshtje 15-minutëshe përkujtimore në orën 11:52, pikërisht në të njëjtën kohë kur çatia në një stacion treni në Novi Sad u rrëzua më 1 nëntor.

    Shumë në Serbi besojnë se çatia e madhe prej betoni u rrëzua për shkak të punës së parregullt të rindërtimit, pasojë e korrupsionit.

    Prokurorët në Serbi kanë ngritur akuza kundër 13 personave, përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por, ish ministri i ndërtimit Goran Vesiç është liruar nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet mbi pavarësinë e hetimit.

    Stacioni kryesor hekurudhor në Novi Sad u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze. /VOA

  • Eksperti mjeko-ligjor për një viktimë: Me plagët dhe lëndimet që ka pas nuk do të mbijetonte edhe po t’i ofrohej ndihmë mjekësore

    Eksperti mjeko-ligjor për një viktimë: Me plagët dhe lëndimet që ka pas nuk do të mbijetonte edhe po t’i ofrohej ndihmë mjekësore

    Eksperti mjekoligjor, Marek Gasior duke folur për një viktimë për të cilën autopsinë e kishte bërë një mjeke e quajtur Marie Frankman, ai tha se me aq plagë dhe lëndime, edhe nëse do i ofrohej ndihmë mjekësore nuk do të mbijetonte.

    “Me lëndime dhe plagë kaq të mëdha, nuk ka gjasa ndoshta edhe me ndihmë mjekësore të duhur, në kohë të duhur nuk mund të kishte gjasa që personi të mbijetonte. Është shumë e pagjasë”, tha Gasior, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, prokurorja ia prezantoi dëshmitarit raportin e autopsisë të bërë nga Frankman ku tha se në titull të saj shkruheshin vendimet kryesore tek viktima: Koka, qafa, kafka është bërë një thyerje e pjesës zigomatike përballë pjesës në balle me një çngjyrosje në të kuqe për indet e buta dhe kockat.

    Dëshmitari tha se kjo pjesë në ballë që ka ndryshim ngjyre për indet e buta dhe kockat është në përgjithësi mes syve, hundës, dhe gojës.

    “Në përgjithësi është në mes hundës, syve dhe gojës. Mund të shkojë edhe deri tek veshi i majtë. Po flasim pra për këtë pjesë të fytyrës”, tha Gasior.

    Prokurorja pyeti dëshmitarin se çfarë do të thotë ‘hapje e çepjës’ sipas asaj që është shkruar në raportin e autopsisë së Frankman.

    Si rrjedhojë, dëshmitari tha se ato mund të shkaktohen nga një mjet i fortë.

    “Kjo do të thotë se pika e lidhjes është thyer. Këto plagë zakonisht shkaktohen nga një send i fortë, mjet i fortë në rastet kur përdoret ai përdoret me një forcë të caktuar”, tha Gasior.

    Ndërsa, për çngjyrosje të indeve të buta, dëshmitari tha se me shumë gjasë është shkaktuar nga gjakderdhja vaskulare në atë zonë të trupit.

    “Në fjalinë e parë të autopsisë, Maria shkruan se kufoma është ruajtur mirë që do të thotë që pacienti dhe trupi i tij ka qenë i ruajtur mirë. Prania e ndryshimit të kësaj ngjyre, me shumë gjasë është shkaktuar nga gjakderdhja vaskulare në atë zonë të trupit”, tha Gasior.

    Ndërsa, për nëntitullin e raportit të Marie Frankman, prokurorja tha se flitet për trupin, brinjët duke shtuar se në pjesën e djathtë brinjët numër 6 dhe 7 janë thyer në pjesën e jashtme, çngjyrosje në brinjë dhe inde të buta”.

    Ajo shtoi se në raport thuhet se ka lëngë me ngjyrë të kuqe në zgavrën e gjoksit përkatësisht në pjesën e djathtë të trupi të viktimës. Ndërsa për pjesën e majtë ajo tha se janë të thyer brinja 5 dhe 9 në pjesën e jashtme, brinja 8 dhe 10 të thyera në pjesën anash dhe ajo 9 ka dy thyerje të anshme si dhe çngjyrosje të indeve dhe kockave.

    Ndërsa, prokurorja në këtë pikë fillimisht u ndal për të pyetur për lëngun e kuq në pjesën e djathtë të zgavrës së gjoksit.

    “Ajo që përshkruhet këtu kemi: Brinjë të thyer 6, 7 në anën e djathtë dhe në anën e majt brinjët 5 deri në 9 dhe 5 deri në 10 që do të thotë thyerje të brinjëve në të dy anët. Në pjesën mes dy brinjëve, kemi një arterie dhe një venë vertebrale. Brinjët e thyere të cilët dëmtojnë indet e buta do të thotë që këto vena dhe arterie kanë plasur dhe kanë shkaktuar gjakderdhje në zgavrën e gjoksit. Pra, dëmtimet e mëdha dhe brinjët e thyer shkaktojnë lëndime edhe në mushkri-indet e mushkërive dhe këto janë dy llojet e gjakderdhjeve që kemi vërejtur. Në rastin e pacientit i cili kishte shumë brinjë të thyera kishte gjithashtu një thereshim të mushkërive”, tha ai.

    Si rrjedhojë, prokurorja pyeti dëshmitarin nëse personi me këto plagë, po të merrte trajtim mjekësor a do të mbijetonte.

    “Me lëndime dhe plagë kaq të mëdha, nuk ka gjasa ndoshta edhe me ndihmë mjekësore të duhur, në kohë të duhur nuk mund të kishte gjasa që personi të mbijetonte. Është shumë e pagjasë”, tha Gasior.

  • Rasti i Liridona Ademajt, Haxhiu: Do të ndjekim me vëmendje procesin

    Rasti i Liridona Ademajt, Haxhiu: Do të ndjekim me vëmendje procesin

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me procesin gjyqësor të vrasjes së Liridona Ademajt.

    Haxhiu thekson se këtë rast do ta ndjek me vëmendje dhe shpreson se drejtësia të triumfojë.

    “Ky proces është i rëndësishëm jo vetëm për të vendosur përgjegjësinë për krimin e rëndë, por edhe për të dërguar një mesazh të fuqishëm kundër femicidit. Do të ndjekim me vëmendje duke u siguruar që ata që janë përgjegjës të marrin dënimin maksimal për krimin rëndë”, ka shkruar Haxhiu.

  • Policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë

    Policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë

    Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë  se policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë.

    Ai ka thënë se pesë të lënduarit në aksidentin në fshatin Çubrel të Skenderajt në mesin e tyre edhe 4 policë janë në gjendje stabile.

    “Të lënduarit e aksidentit janë trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente, gjendja e tyre ka qenë stabile, pastaj janë transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit”, ka thënë Syla.Në aksidentin e së dielës mbrëma tre person, anëtarë të familjes Gashi nga Peja humbën jetën ku një veturë civile u aksidentua me një veturë të policisë.

    Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga hetimet e para dyshohet se aksidenti u shkaktua nga polici që drejtonte veturën zyrtare i cili është suspenduar.

  • PZAP-ja dënon koalicionin e AAK-së me partnerët me 3 mijë e 700 euro

    PZAP-ja dënon koalicionin e AAK-së me partnerët me 3 mijë e 700 euro

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar koalicionin AAK-NISMA-E30-Konservatorët-IDEAL me me 3 mijë e 700 euro.

    Kjo pas ankesës së degës së Vetëvendosjes në Prishtinë, se posterët e kandidatit për deputet Nuredin Lushtaku ishin vendosur në hapësirë publike, në një ndërtesë të banimit kolektiv në sheshin e qytetit në Skenderaj.

    AAK-ja më pas është ankuar mirëpo PZAP-ja nuk e ka marrë parasysh ankesën, duke e dënuar koalicionin me 3 mijë e 700 euro, pasi sipas këtij organi, me këtë veprim koalicioni e ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

  • Vetëvendosje gjobitet nga PZAP-ja me 11 mijë euro në dy raste të ndara

    Vetëvendosje gjobitet nga PZAP-ja me 11 mijë euro në dy raste të ndara

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar sërish Lëvizjen Vetëvendosjen, e këtë herë me 11 mijë euro, por në dy raste të ndara.

    PZAP-ja ka njoftuar se këto vendime janë marrë në seancën e panelit të mbajtur dje.

    Në rastin e parë, Vetëvendosja është dënuar me 5 mijë euro, pas aprovimit të ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës për shkak të siç thuhet në njoftimin e PZAP-së, të ndeshjes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.

    Në njoftimin e PZAP-së thuhet se në ankesën nga PDK-ja, thuhet se kandidatja për deputete nga radhës e VV-së, Albena Reshitaj ka publikuar një fotografi në Facebook, në një nga tubimet e mbajtura të Vetëvendosjes, në të cilën shihet një parrullë e vendosur nga simpatizantët dhe mbështetësit e VV-së, e që siç thuhet në ankesë, ka gjuhë e cila nxit urrejtje, ofendim, denigrim dhe shpreh ngjyrime përçmuese për partitë kundërshtare të VV-së.

    Edhe në rastin e dytë të dënimit të Vetëvendosjes, ankesa është dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës, ankesë kjo që u pranua dhe VV-së iu shqiptua gjoba prej 6 mijë eurosh.

    Në ankesë thuhet se kandidati i VV-së për deputet, Haxhi Avdyli ka postuar një video një Facebook, me tekst shoqërues, që është realizuar brenda Klinikës së Neurologjisë, ku provokohet numri i listës, me të cilin ai kandidon, si person që mban pozitë publike, siç thuhet në ankesë, ka shfrytëzuar këto ambiente me qëllim të përfitimit të votave.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Në Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë hënë është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Seanca u shty për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokallës, avokati, Ndrec Dodaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Tomë Dodaj, avokati Tomë Kuçi deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Dodaj tha se shkresat e lëndë i ka pranuar dhjetë minuta para se të nis kjo seanca, dhe se nuk ka arritur që të flas me klientit të tij apo t’ia shpjegoi të njëjtit çështjen e provave, duke shtuar se nuk ka kushte për vazhdimin e kësaj seance.

    Lidhur me këtë, prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq tha se më 22 janar 2025, avokati Skender Bojani e ka marrë shkresat e lëndës në emër të avokatit Ndrec Dodaj.

    “Kam bisedu me avokatin dhe me tha qe shkon me i marrë për veti dhe i thash me e marrë edhe lëndën time. Kur kam shku në prokurori, me kërkesë të avokatit, kam thënë që a muj me i marrë edhe shkresat e avokatit Dodaj. Unë e kam njoftuar ditën e premte apo të shtunën, dhe aj me tha vi të hënë i marr”, tha avokati Bojani.

    Po ashtu, sipas prokurores edhe mbrojtësi i të pandehurit Dodaj, avokati Kuçi kishte pasur problema me email dhe i njëjti nuk i kishte pranuar shkresat e lëndës.

    “Unë kam pas probleme dhe vazhdoj me pas, sot e kam marr aktakuzën… i mbrojturi im gjatë gjithë procedurat penale ka pranu fajësinë por sot si mbrojtje nuk mundemi të deklarohemi për pranimin e fajësisë”, shtoi avokati Kuçi.

    Lidhur me mos pranimin e shkresave të lëndës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku tha se prokuroria i ka njoftuar me kohë mbrojtësit e të pandehurve që për shkak të volumit të provave të njëjtit të vijnë më ‘external disk’ për të marrë provat.

    Ajo tha se për shkak të papërgjegjshmërisë së avokatëve Dodaj dhe Kuçi, nuk ka kushte për vazhdim të seancës dhe e njëjta u shty.

    “Nuk mundemi me vazhu me këtë shqyrtim, meqenëse avokatët Ndrec Dodaj dhe Agron Kuçi nuk janë të pajisur me shkresat të lëndës… Është hera e fundit që unë shtyj shqyrtimin për papërgjegjësitë e juaja”, tha gjyqtarja Dërmaku.

    Lidhur më këtë, avokati Dodaj, kërkoi që të bënte një replikë, e cila nuk u lejua nga gjyqtarja Dërmaku.

    Përkundër kësaj, paraprakisht avokatit Dodaj iu tërhoq vërejta nga gjykata për mbajtje të qetësisë dhe mosprishjes së rendit.

    I njëjti, megjithatë tentoi që të merrte fjalën gjatë seancës, ku në këtë rast atij iu shqiptua një gjobë në shumë prej 500 euro për mosbindje ndaj gjyqtares.