ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje

    Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.

    Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranauar vendimin e tij.

    Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.

    Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

    Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar.

    Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024, raporton REL.

    Pasi që renditi ato që i cilësoi si suksese të Qeverisë së tij, Vuçeviq tha se ajo që hodhi hije të madhe mbi mandatin e tij, ishte ngjarja në Novi Sad.

    “Që nga ai moment, Serbia sikur ka mbetur e ngujuar në atë fatkeqësi”, tha Vuçeviq.

    Ai paralajmëroi se gjatë ditës do të japë dorëheqje edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.

    “Me këtë i plotësojmë edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve më ekstremë”, tha kryeministri i dorëhequr serb.

  • Trump në takimin me ligjvënësit republikanë, thekson objektivin për masa të forta kufitare

    Trump në takimin me ligjvënësit republikanë, thekson objektivin për masa të forta kufitare

    Presidenti Donald Trump i mirëpriti ligjvënësit republikanë të hënën me një fjalim përmbledhës të javës së tij të parë në detyrë dhe u kërkoi atyre të mbështesin goditjen e tij ndaj emigracionit të paligjshëm dhe propozimet për sigurinë kufitare.

    “Ne nuk kërkojmë ndjesë dhe po veprojmë me shumë shpejtësi”, tha Presidenti Trump.

    “Unë vërtet fokusohem tek kufiri më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ai, duke ia ulur rëndësinë inflacionit, një çështje që mbështeti kandidimin e tij vitin e kaluar, por që mbi të cilën ai ka më pak kontroll si president.

    Duke folur në takimin vjetor për politikat të ligjvënësve republikanëve, Presidenti Trump i bëri të qarta ambiciet e tij politike ndërsa i nxiti ligjvënësit të mbështesin axhendën e tyre konservatore.

    “Ne po krijojmë një shumicë të re politike që po shkatërron dhe po zëvendëson koalicionin ‘New Deal’ të Franklin Roosevelt-it, që dominoi politikën amerikane për më shumë se 100 vite”, tha ai.

    Konferenca po mbahet në ‘Trump National Doral Miami’, një vendpushim elegant me katër fusha golfi në pronësi të presidentit miliarder.

    Edhe pse republikanët janë euforikë për fitoret zgjedhore që u kanë dhënë kontroll të plotë në Uashington, ata do të përballen gjithashtu me negociata të vështira në javët dhe muajt e ardhshëm.

    Atyre u duhet të gjejnë konsensusin për një projekt-ligj shpenzimesh buxhetore përpara afatit të 14 marsit, kur skadon financimi për qeverinë federale, raporton VOA.

    Përveç kësaj, republikanët janë duke punuar me një plan buxhetor që do të përcaktonte kuadrin për planet e tyre më të gjera, përfshirë uljen e taksave, zhvillimin e karburanteve fosile dhe sigurinë kufitare.

    Me një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, atyre do t’u duhet pothuajse unanimiteti për t’i kaluar propozimet pa mbështetjen e demokratëve.

  • Vdiqën në aksident, sot u jepet lamtumira e fundit tre anëtarëve të familjes Gashi

    Vdiqën në aksident, sot u jepet lamtumira e fundit tre anëtarëve të familjes Gashi

    Nga një aksident i rëndë trafiku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja.

    Aksidenti ndodh të dielën në mbrëmje në fshatin Çubrel të Skenderajt, ndërsa ishte e përfshirë edhe një veturë e Policisë së Kosovës.

    Zarif, Agim dhe Gyltene Gashi mbetën të vdekur si pasojë e këtij aksidenti.

    Ata do të varrosen në ora 14:00 në varrezat e qytetit.

    Të lënduar mbetën edhe zyrarët policorë, të cilët edhe dyshohet të kenë qenë shkaktarë të aksidentit. Ata janë jashtë rrezikut për jetë.

    Ani pse në rrugë pati kufizime të shpejtësisë dhe shenja që tregonin për rrezikun e mundshëm, ato nuk u respektuan.

    Prandaj edhe inspektorati mori masa të hënën, duke e suspenduar zyrtarin policor, i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit.

    Për aksidentin e së dielës, që u cilësua si “rrezik i trafikut publik- me fatalitet”, është ndaluar një person, derisa hetimet po vazhdojnë.

     

  • Zhduket një grua në Prizren, rasti po hetohet

    Zhduket një grua në Prizren, rasti po hetohet

    Raportohet se një grua ka dal nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 27.01.2025 rreth orës 08:00, në Prizren.

    Tutje thuhet se rasti është nën hetime.

    “Është raportuar se nga shtëpia ka dalë viktima femër kosovare dhe nga atëherë nuk dihet vendndodhja e saj. Rasti në hetime”, thuhet në raport.

  • Dyshohet se sulmoi nënën e tij, arrestohet një burrë në Fushë-Kosovë

    Dyshohet se sulmoi nënën e tij, arrestohet një burrë në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person për shkak se dyshohet se e kishte sulmuar nënën e tij.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 11:30, në Fushë Kosovë.

    Tutje në raport thuhet se me vendim të prokurorit pas intervenimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet se e kishte sulmuar nënën e tij. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Arrestohen dy të dyshuar për përdorim të substancave narkotike

    Arrestohen dy të dyshuar për përdorim të substancave narkotike

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për përdorim të substancave narkotike në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    “Dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar për shkak se gjatë kontrollit të shtëpisë dhe veturës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar 8.41 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Po ashtu nga të dyshuarit në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një veturë, tre telefona celularë, para të gatshme dhe një thikë”, thuhet në raport.

    Të dyshuarit pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Dështon të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Dështon të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Nën masa të rrepta sigurie është sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton Ekonomia Online.

    Për shkak të mungesës të njërit nga të akuzuarit, Ymer Dragusha, ka dështuar të filloj gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve lidhur me aktakuzën e re të Prokurorisë Speciale.

    Në rasti “KEK”, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z për bashkëkryerjen e veprën me ish-kryeshefin.

    Avokatja Sadie Krasniqi ka thënë që nuk ka arritur të kontaktojë me të dhe nuk ka asnjë informacion në lidhje me të.

    Ndërsa, avokatët e tjerë u ankuan rreth disa shkresave të lëndës, Prokuroria Speciale në anën tjetër i ka ftuar mbrojtësit që në afatin sa më të shkurtër t’i paraqesin vërejtjen në mënyrë të mos prongolohet çështja.

    Sipas Prokurorisë thuhet se të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

  • Tragjedia në resortin në Turqi, hetuesit zbulojnë shkakun e zjarrit masiv

    Tragjedia në resortin në Turqi, hetuesit zbulojnë shkakun e zjarrit masiv

    Hetimet kanë zbuluar shkakun e zjarrit masiv në resortin e skive në Turqi që la së paku 78 viktima, 36 prej të cilëve fëmijë.

    Sipas autoriteteve, dyshohet se shkak për rënien e zjarrit masiv është bërë një zgarë elektrike në katin e 4 të godinës 13 katëshe e më pas pati përhapje të shpejtë në të gjithë resortin.

    Mediat raportojnë se ishte ora 3.30 e së martës ku ra zjarri, ndërsa alarmi në hotel nuk u aktivizua. Në orën 3.53 minuta në të gjithë ndërtesën u ndërpre energjia elektrike. Personat që ishin zgjuar mundën të dilnin nga drita e celularit, ndërkohë zjarrfikësit kanë shkuar vonë në vendngjarje.

    Ndonëse resorti ndodhet vetëm 35 km larg nga qendra e qytetit të Bolu, forcat zjarrfikëse shkuan aty në orën 4.25 minuta dhe brenda 5 minutave arritën që të shpëtonin mbi 50 persona.

    Në orën 5.48 minuta zjarri përfshiu të gjithë objektin ndërsa u deshën disa orësh për shuarjen e flakëve.

    Kontrolle janë zhvilluar edhe në resorte të tjera në zonë. Në njërin prej tyre, që ka të njëjtën pronar me atë ku ra zjarri janë arrestuar 11 persona pasi nga kontrolli rezultuan disa shkelje.

    Resorti i skive që u përfshi nga flakët nisi të funksiononte që në vitin 1978 dhe kishte një kapacitet për të pritur 500 vizitorë. Në momentin që ra zjarri brenda hotelit kishte mbi 250 persona.

  • Vazhdon bllokada studentore në Serbi, studentët kaluan natën në rrugë

    Vazhdon bllokada studentore në Serbi, studentët kaluan natën në rrugë

    Studentë dhe qytetarë, mijëra prej tyre, kanë kaluar natën duke bllokuar Autokomandën, një nga qendrat më të mëdha të trafikut në Beograd.

    Kjo bllokadë që zgjati 24 orë, vazhdon edhe sot deri në orën 10:00 dhe studentët kanë bërë thirrje për një tubim paqësor për t’i kujtuar edhe një herë autoritetet për kërkesat që i kanë shtyrë ata të bllokojnë fakultetet në të gjithë Serbinë për dy muaj.

    Studentë dhe qytetarë po planifikojnë të organizojnë edhe një fushatë pastrimi në Autokomanda pas bllokimit të rrugës.

    Siç raporton N1, grupe të reja qytetarësh po mbërrijnë në vendin e ngjarjes për të mbështetur studentët në bllokadë.

    Raportohet se protestuesit kanë kaluar natën në masë të madhe tek Autokomanda dhe gjithçka ka shkuar pa incidente.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd.

    Bllokada 24-orëshe është organizuar tri ditë pasi mijëra njerëz i janë bashkuar thirrjes për grevë të përgjithshme.

    Protesta e studentëve dhe akademikëve para Ministrisë së Arsimit në Beograd dhe një pankartë me mbishkrimin “Grevë e përgjithshme”, 19 janar 2025.

    Studentët, që janë bllokuar punën e më shumë se 60 fakulteteve për më shumë se dy muaj, janë duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për 15 vdekjet e shkaktuara nga incidenti në Novi Sad.

    Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë paraprakisht se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Akademikët, në anën tjetër, kanë thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar pjesërisht dhe që pezullimi i punës do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës.

    Më shumë se 5.000 profesorë universitarë në Serbi kanë mbështetur bllokadën e studentëve.

    Përmes një peticioni ata dënojnë tentimet e Qeverisë për t’i frikësuar studentët – duke i bërë publike të dhënat e tyre personale, apo edhe duke dërguar agjentë të agjencive qeveritare në shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre.

    Zyra e Prokurorit të Lartë në Novi Sad ka paditur 13 njerëz lidhur me incidentin e nëntorit.

    Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Goran Vesiq, asistentja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtorja e kompanisë publike infrastrukturore, Jelena Tanaskoviq.

    Dhjetë prej të paditurve janë në mbajtje, Vesiq është në arrati, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndryshe, Naser Krasniqi është dëshmitari i ri i Prokurorisë, dëshmia e të cilit ka nisur pasditen e së hënës.

    Një avokat është caktuar për të ndihmuar dëshmitarin, duke siguruar se ai mund të kërkojë udhëzime në lidhje me çdo çështje të mundshme të vetinkriminimit.

    Në përgjigje ndaj kërkesës së dëshmitarit, trupi gjykues, në përputhje me rregullën 151, e siguroi dëshmitarin se dëshmia e tij nuk do të përdoret kundër tij në ndonjë ndjekje penale të mëvonshme para DHSK-së.

    I pyetur nga trupi gjykues, Krasniqi bëri të ditur se dëshiron që dëshmia të kryhet në seancë të hapur.