ATV

Category: Lajme

  • Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it diskutuan për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës

    Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it diskutuan për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka pritur sot në takim pune Shefin e Misionit të EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, si dhe bashkëpunëtorët e tij, raporton EO.

    Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it kanë zhvilluar diskutime të frytshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

    Konkretisht në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mes Prokurorisë Speciale dhe Misionit EULEX, si dhe për mbështetjen e këtij Misioni në ruajtën e pavarësisë institucionale.

    Nga ana tjetër Shefi i EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, duke e vlerësuar punën e Prokurorisë Speciale, theksoi se institucioni që ai drejton brenda mandatit të tij do të vazhdojë mbështetjen për Prokurorinë Speciale në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit nënshkruan edhe marrëveshje për pranimin e një donacioni, konkretisht një veture dhuruar nga Misioni EULEX, për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kryeprokurori Isufaj falënderoi Misionin ELUEX për dhurimin e kësaj veture, e cila do të përdoret për nevojat e Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar rolin, përkushtimin dhe mbështetjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhënë në vazhdimësi për institucionin e Prokurorisë Speciale, si dhe duke shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së sukseseve të përbashkëta.

  • Bislimi e uron Sorensenin për pozitën e emisarit, i kërkon një qasje të balancuar ndaj palëve

    Bislimi e uron Sorensenin për pozitën e emisarit, i kërkon një qasje të balancuar ndaj palëve

    Kreu i Ekipit Negocaitor të Kosovës, Besnik Bislimi, e ka uruar diplomatin danez, Peter Sorensen, për marrjen e pozitës së emisarit për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.

    Në një postim në “X”, Bislimi ka thënë se i uron një mandat të suksesshëm si ndërmjetësues.

    Ai i ka kujtuar Sorensenit se duhet një qasje e balancuar mes palëve në dialog, meqë ky është parakusht për suksesin e procesit të normalizimit.

    “Urime Peter Sorensen për emërimin si Përfaqësues i Lartë i ri i BE-së për procesin e dialogut. I urojmë atij një mandat të suksesshëm si lehtësues, me një qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi.

    Peter Sorensen do ta pasojë sllovakun Miroslav Lajcak nga data 1 shkurt 2025.

  • ​Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të pijeve në Evropë, flasin edhe nga AUV

    ​Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të pijeve në Evropë, flasin edhe nga AUV

    Nga njësia evropiane për mbushjen e pijeve të kompanisë Coca-Cola kanë thënë dje se ka urdhëruar një tërheqje masive të pijeve Coke, Sprite dhe të tjera, pasi ka vërejtur nivele të larta të kloratit të cilat mund të paraqesin rreziqe shëndetësore për përdoruesit e këtyre pijeve.

    Tërheqja, e shpallur të hënën nga Coca-Cola Europacific Partners Belgium, sipas The Economic Times, kanaçet dhe shishet e qelqit që kishin nivele të larta të kësaj substance prek Coke, Sprite dhe pije të tjera të shpërndara në Belgjikë, Holandë, Britani, Gjermani, Francë dhe Luksemburg që nga muaji nëntor.

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, Lamir Thaçi ka thënë për KosovaPress se deri më tani AUV nuk ka ndonjë lajmërim-notifikim për dyshime rreth sigurisë së produktit të Coca Cola e cila tregtohet në Kosovë.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deri me tani nuk ka ndonjë lajmërim-notifikim për dyshime rreth sigurisë se produktit Coca Cola e cila tregtohet ne Kosove. Jemi duke e monitorua situatën përmes mekanizmave te kontaktit me autoritete dhe organizata të sigurisë së ushqimit. Mbi çdo ndryshime do ta mbajmë konsumatorin te informuar. Deri me tani nuk ka asnjë dyshim”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Thaçi.

    Për më tepër, për sigurinë ushqimore, Republika e Kosovës merr njoftime nga Sistemi për Paralajmërim të Shpejt për Ushqim (RASFF) i Bashkimit Evropian.

    Në një opinion shkencor të publikuar më 2015, Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit patën theksuar se ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit përbën shqetësim të mundshëm shëndetësor për fëmijët, veçmas te ata që kanë mungesë të vogël apo të mesme të jodit.

  • ​KQZ merr vendim për mbylljen e tri qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike, miraton edhe sloganin

    ​KQZ merr vendim për mbylljen e tri qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike, miraton edhe sloganin

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të mbyllen qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në tre vende, në Kanbera në Australi, Ankara të Turqi dhe Iowa në ShBA me 32 votues. Kjo për shkak numrit të vogël të votueseve.

    Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka thënë se gjithë këta votues të regjistruar do të mund të votojnë përmes postës në kutitë postare që janë të hapur nga KQZ në këto shtete.

    “Po ashtu Këshilli i Operacioneve Zgjedhore ka shqyrtuar edhe një rekomandim të ardhur nga sekretariati i cili është diskutuar po ashtu edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme për mbylljen e tre qendrave të votimit, ku po ashtu janë njoftuar edhe votuesit e këtyre përfaqësive diplomatike e qendrave të votimit jashtë vendit që do të mbyllen. Pra, bëhet fjalë për Kanbera në Australi, e cila ka pas 18 votues të regjistruar, bëhet fjalë për Ankaranë në Turqi me 25 votues të regjistruar për votim fizik dhe Iowa në ShBA me 32 votues të regjistruar për votim fizik…Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tre përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë në kuti postare në vendin përkatës”, tha Elshani.

    Po ashtu, është miratuar dizajni dhe sloganin për fushatën e informimit publik.

    “Kemi rekomandim për dizajn dhe sloganin që do të përdorët për këto zgjedhje…Slogani është ky “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, vota jote për Kosovën 2025, ky është slogani”, tha Elshani.

    Në mbledhjen që ka mbajtur KQZ të martën, po ashtu ka akredituar vëzhguesit e dhjetëra përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare. Në mesin e të akredituarëve ishin edhe organizata jo-qeveritare vendore dhe vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Në përgjithësi, KQZ akeditoi grupin e radhës prej 1 mijë e 680 vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, prej të cilëve 13 vëzhgues nga trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë, 1 mijë e 126 vëzhgues nga OJQ-të vendore, 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Nga numri i përgjithshëm i të akredituarëve, KQZ akreditoi rreth 400 vëzhgues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat janë të specializuar në fushën e zgjedhjeve, në mesin e të cilave: Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Asambleja Paramentare e Këshillit të Evropës, Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB), IFES, International IDEA, National Demokratic Institute (NDI), International Republican Institute (IRI), Zyra e BE-së në Kosovë, etj.

    Po ashtu, KQZ ka akreditoi më shumë se 80 vëzhgues të ambasadave të ndryshme në Kosovë, 24 prej të cilëve nga ambasada e SHBA-ve dhe 30 të tjerë nga ajo e Britanisë së Madhe. Edhe ambasadat e shteteve tjera si ajo e Francës, Italisë, Holandës, Japonisë, Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, u akredituan nga KQZ.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, zgjedhjet e 9 shkurtit do të vëzhgohen edhe nga institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme, si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria./kp

  • Nëna rreh mjeken pas vdekjes së djalit në QSUT

    Nëna rreh mjeken pas vdekjes së djalit në QSUT

    Nëna e 12-vjeçarit i cili humbi jetën në 8 janar në Spitalin Pediatrik në QSUT ka rrahur mjeken e këtij spitali me pretendimin se ajo ka neglizhuar mjekimin e djalit të saj. Policia ka nisur hetimin mbi rastin, pas kallëzimit të mjekes së spitalit pediatrik.

    “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, për shtetasen R. S., 44 vjeçe, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, pasi ka kallëzuar shtetasja J. B., mjeke në Spitalin Pediatrik, se 44-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, në ambientet e këtij spitali, me pretendimin se ajo ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar të shtetases R. S., i cili ka humbur jetën më datë 08.01.2025, në këtë spital”.

    Kujtojmë se në 8 janar humbi jetën në QSUT, 12-vjeçari nga Maliqi. Në reagimin e saj QSUT deklaroi se i mituri u diagnostikua me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. (A2 Televizion)

  • KQZ akrediton vëzhgues të dhjetëra organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe OJQ-ve

    KQZ akrediton vëzhgues të dhjetëra organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe OJQ-ve

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit duket se kanë zgjuar interesimin e madh të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Kosovë, vëzhguesve ndërkombëtar të cilët përfaqësojnë institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

    Vetëm gjatë mbledhjes së martë, KQZ ka akredituar vëzhguesit e dhjetëra përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Kosovë dhe të organizatave ndërkmbëtare.

    Në mesin e të akredituarave ishin edhe organizata jo-qeveritare vendore dhe vëzhgues nga Instiuticioni i Avokatit të Popullit.

    Në përgjithësi, KQZ akeditoi grupin e radhës prej 1,680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, prej të cilëve 13 vëzhgues nga trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme; 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë; 1,126 vëzhgues nga OJQ-të vendore; 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Nga numri i përgjithshëm i të akredituarëve, KQZ akreditoi rreth 400 vëzhgues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të cilat janë të specializuara në fushën e zgjedhjeve, në mesin e të cilave: Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Asambleja Paramentare e Këshillit të Evropës, Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB), IFES, International IDEA, National Demokratic Institute (NDI), International Republican Institute (IRI), Zyra e BE-së në Kosovë, etj.

    Po ashtu, KQZ ka akreditoi më shumë se 80 vëzhgues të ambasadave të ndryshme në Kosovë, 24 prej të cilëve nga ambasada e SHBA-ve dhe 30 të tjerë nga ajo e Britanisë së Madhe.

    Edhe ambasadat e shteteve tjera si ajo e Francës, Italisë, Holandës, Japonisë, Finlandës, Suedisë dhe Turqisë u akredituan nga KQZ. Sipas njoftimit të KQZ-së, zgjedhjet e 9 shkurtit do të vëzhgohen edhe nga institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme, si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria.

  • Trump rikthen në ushtri trupat që refuzuan të merrnin vaksinat kundër COVID-19

    Trump rikthen në ushtri trupat që refuzuan të merrnin vaksinat kundër COVID-19

    Donald Trump nënshkroi një sërë urdhrash ekzekutivë, e një nga ta rivendos mijëra trupa që u dëbuan nga ushtria për refuzimin e vaksinave COVID-19 gjatë pandemisë.

    Trump nënshkroi urdhrat ekzekutivë ndërsa po fluturonte nga Miami në Uashington.

    Një nga urdhrat ekzekutivë titullohej eliminimi i “radikalizmit gjinor në ushtri” dhe ka për qëllim për të rishikuar shërbimin e trupave transgjinore në ushtri, deri në ndalimin e tyre, shkruan The Guardian.

    Por, urdhri tjetër për ushtrinë ka për synim kthimin e trupave të shkarkuar për refuzimin e vaksinave COVID-19.

    Raportohet se mijëra pjesëtarë të shërbimit u hoqën nga ushtria pasi Pentagoni e bëri të detyrueshme vaksinën në 2021.

    Ndryshe, këto masa janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të administratës Trump për të rivendosur disa nga politikat dhe vendimet e tij të mëparshme, duke përfshirë qëndrimin kundër politikave të administratës Biden që mbështesin diversitetin dhe përfshirjen në ushtri.

  • Varrosen tre anëtarët e familjes Gashi nga Peja, që humbën jetën të dielën në një aksident trafiku në rrugën Mitrovicë – Prishtinë

    Varrosen tre anëtarët e familjes Gashi nga Peja, që humbën jetën të dielën në një aksident trafiku në rrugën Mitrovicë – Prishtinë

    U është dhënë lamtumira e fundit tre anëtarëve të familjes, Zarif, Agim dhe Gyltene Gashi, të cilët mbetën të vdekur si pasojë e aksidentit që ndodhi në Skenderaj.

    Aksidenti ndodh të dielën në mbrëmje në fshatin Çubrel, ndërsa ishte e përfshirë edhe një veturë e Policisë së Kosovës. Në ceremoninë e varrimit ishte edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, si edhe shumë qytetarë.

  • Policia konfiskon përkohësisht 13 patentë shoferë për kundërvajtje në Vushtrri

    Policia konfiskon përkohësisht 13 patentë shoferë për kundërvajtje në Vushtrri

    Policia e Kosovës në Vushtrri ka konfiskuar përkohësisht 10 patentë shoferë për kundërvajtje- tejkalim nga ana e djathtë.

    Sipas njotimit të policisë shoferët kanë rrezikuar edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

    “Në vazhdën e angazhime në paradalim dhe ofrimin e sigurisë në trafik,   njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri,  gjatë monitorimit dhe kontrollit në trafikun rrugor në rrugën nacionale në hyrje të Vushtrrisë, gjatë ditës së djeshme kanë identifikuar trembëdhjetë (13) kundërvajtës të cilët kanë bërë tejkalime nga na e djathtë, me ç’rast kan rrezikuar edhe pjesëmarrësit  e tjerë në trafik.  Ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar vendime për kundërvajtje me gjobë në shumë prej njëqindepesëdhjetë (150)euro, një (1) pikë negative, si dhe masa mbrojtëse-konfiskim i përkohshëm i patentë shoferit në kohëzgjatje prej tre (3) muajve.”

  • Krasniqi konfirmon se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendën e ndalimit në Kleçkë

    Krasniqi konfirmon se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendën e ndalimit në Kleçkë

    Dëshmitari Naser Krasniqi ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, duke shtuar së më pas i arrestuari është dërguar në Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

    Veç kësaj, dëshmitari Krasniqi gjatë dëshmisë së tij konfirmoi se ka pasur Gjykatë Ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nënshkrimi që ka përgatitur dhe dorëzuar këtë kallëzim penal është i imi në anën e djathtë ku është emri, mbiemri dhe nënshkrimi. Kurse, në anën e majtë ku është data dhe nënshkrimi i personit që ka pranuar çështjen. (Nënshkrimi është ) i zotit Sokol Dobruna”, tha dëshmitari fillimisht për një dokument që iu prezantua.

    Për Sabit Shalën, dëshmitari tha se është i vetmi person që është ndaluar me urdhër të Sokol Dobrunës.

    “Dhe është i vetmi person që është mbajtur në Terpezë, në të njëjtin objekt dhe shtëpi ku kemi qëndruar unë, Bajram Gashi dhe disa motra medicinale, ku njëra prej tyre ka qenë edhe motra e Bajram Gashin dhe nga aty derisa e kemi përgatitur dosjen, kemi përcjellë çështjen dhe personin tek zoti Sokol Dobruna, përkatësisht në qendrën e mbajtjes”, tha dëshmitari.

    Ai tha se në Kleçkë ka pasur qendër ndalimi, ku është dërguar edhe Sabit Shala.

    “Janë dorëzuar çështja-lënda dhe personi është dërguar në mbajtje në Qendrën e ndalimit në Kleçkë”, tha Krasniqi.

    Naser Krasniqi gjithashtu shtoi se kishte ardhur babai i Sabit Shalës për ta kërkuar të birin, për çka ky e kishte informuar se ishte dërguar ne Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

    “Pas disa dite aty në Terpezë ku qëndronim në shtëpinë afër shkollës ku qëndronim me Bajram Gashin dhe persona të tjerë që i ceka më herët, ka ardhur babai i zotit Sabit Shala për ta kërkuar djalin e tij. Ka qenë së bashku me një shoqërues. Ai pyeti për djalin e tij se ku e ka djalin. E informova se djalin e ka në Qendren e ndalimit në Kleçkë”, tha dëshmitari.

    Duke treguar se çfarë bisedoi me babain e Sabit Shalës, ai konfirmoi se kishe Gjykatë Ushtarake sipas tij në UÇK.

    “Pastaj, ai tha se unë kam ardhur që unë të rri në vend të djalit dhe djali të lirohet. Atëherë unë i shpjegova që nuk është në kompetencat e mia një gjë e tillë dhe pasi pyeti unë i tregova që është në kompetencën e Gjykatës Ushtarake dhe ai kërkoi që të takohej me kryetarin e Gjykatës Ushtarake për ta diskutuar të njëjtën kërkesë të tij. Meqenëse Bajram Gashi administrator i togut të Policisë Ushtarake e njihte paraprakisht Habibin, atëherë ne së bashku vendosëm që të ia bëjmë një favor dhe vendosëm që së bashku të shkojmë në Divjakë për ta takuar zotin Sokol Dobruna”, tha dëshmitari Krasniqi.

    Dëshmitari tregoi se kur shkoi të fliste me Sokol Dobrunën, ky i fundit i kishte thënë se “si ka mundësi që krimineli ka ardhur ta nxjerrë kriminelin”.

    “Aty për t’u futur tek Shtabi i Përgjithshëm përkatësisht tek zoti Sokol Dobruna ka pasur një roje, ka qenë një laurë e vendosur diku në hyrje pak më lartë. Ata të tre kanë mbetur tek laura dhe roja ku ka qenë për të hyrë në Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa unë kam shkuar tek Sokol Dobruna. Ia kam shpjeguar Dobrunës tërë atë që e thash se kush ka ardhur dhe pse ka ardhur dhe që dëshironte ta takonte Dobrunën. I njëjti u deklarua se si ka mundësi me ardhë krimineli me e nxjerrë kriminelin nga burgu. Me ardhë krimineli me garantu për kriminelin”, tha dëshmitari Krasniqi.

    Si rrjedhojë, dëshmitari tha se Dorbuna ka urdhëruar që të dërgohen dy anëtarë të njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që ta ndalojnë babain e Sabit Shalës, Habibin.

    “Jo veç që nuk ka pranu të takohet dhe diskutojë me prindin e Sabitit, por ka urdhëruar përgjegjësin e sigurimit, njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që t’i dërgojë dy persona të asaj njësie për ta ndaluar zotin Habib Shalën”, tha ai.

    Dëshmitari pohoi se ka pasur Rregullore të UÇK-së për mbledhjen e fondeve përmes tarifave të vendosura për automjete që ishin të regjistruara në sistemin e atëhershëm serb.

    Dëshmitari shtoi se makinat që janë parë në lëvizje me këto tabela është dashur të paguajnë 300 deri në 900 marka. Tha se ka qenë detyrë, por që diku ka mundur të zbatohet më shumë e diku më pak, po ashtu se përjashtoi mundësinë që kjo detyre të mos zbatohej fare.

    “Çdo detyrë që unë kam pranuar, unë e kam përcjellë të dy njësitet e mia që kanë vepruar në kuadër të Brigadës 121”, tha dëshmitari.

    Ai u pyet se personat në njësitet e tij a i kanë zbatuar çdo herë detyrat që janë dhënë nga ai. Krasniqi tha se çdo herë janë munduar t’i zbatojnë detyrat për aq sa kanë pasur mundësi në kontest të rrethanave.

    Dëshmitari tha se detyrën e ka marrë nga komandanti i Brigadës, i cili vetëm ai e di se nga e ka marrë këtë urdhër por që ky i fundit sipas Krasniqit është thirrur në Shtabin e Përgjithshëm.

    Naser Krasniqit iu prezantua një fotografi për të cilën tha se nga 6 personat i njeh së paku katër prej tyre. Dëshmitari identifikoi Shukri Bujën, Fatmir Limajn, Naser Shalën dhe Shpejtim Telakun.

    “Për këtë nuk jam i sigurt, më ngjan me dikë por nuk jam i sigurt”, kur u pyet për një gurua në fotografi, të cilën e identifikoi në mes Shukri Bujës dhe Fatmir Limajt.

    Për Naser Shalën, dëshmitari tha se e ka pasur nofkën “Fytyra”. Ndërsa, për personin në fotografi që ishte afër Naser Shalës, tha se nuk e di sigurt se kush është por që i ngjan me dikën. Tha se ngjan me Fatmir Shurdhajn.

    Ndërsa, për vendin e fotografisë ai tha se ngjan me ambientin e selisë së komandës së Brigadës 121 e cila para ofensivës së parë është përdorur nga pika ‘Çeliku’. Krasniqi shtoi si mundësi që fotografia mund të jetë në vendin e quajtur “Fshati i ri”.

    Në një fotografi tjetër, dëshmitari tha se i njeh të gjithë dhe sipas tij ishin Fatmir Limaj, Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Shpejtim Telaku dhe Naser Shala. Për Telakun, dëshmitari tha se ka qenë vazhdimisht truprojë e Fatmir Limajt.

    Në prova materiale u pranuan të dy fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.