ATV

Category: Lajme

  • Kurti mori pjesë në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes

    Kurti mori pjesë në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me synimin e ndarjes së praktikave më të mira dhe forcimit të bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se qëndrueshmëria dhe gatishmëria janë domosdoshmëri shtetërore dhe kombëtare.

    “Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme, duke minimizuar rreziqet dhe maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike”, deklaroi ai.

    Për këtë aspekt, gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar Qëndrueshmërinë tonë Kombëtare, sikurse përgatitja e hartimit të draft konceptit dhe më pas miratimi i tij në Qeveri në shtator të vitit të kaluar, investimi në infrastrukturën strategjike, përmirësimi i sistemeve të energjisë së rinovueshme dhe ngritja e kapaciteteve për reagimin emergjent ndaj krizave.

    “Kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë, nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake, kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje. E në këtë aspekt besoj që qëndrueshmëria jonë kombëtare ka traditë të thellë historike, pra ajo çfarë duhet të bëjmë në shekullin XXI-të dhe posaçërisht në këtë dekadë është që këtë qëndrueshmëri tonën kombëtare ta përshtatim për avancimet tona të jashtëzakonshme teknologjike të shekullit XXI dhe sidomos institucionet e shtetit të jenë të sinkronizuara edhe karshi sfidave por edhe përbrenda me njëra tjetrën.” shtoi kryeministri.

    Republika e Kosovës vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t’i bashkërendojë e t’i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO. Ashtu sikurse aleatët e NATO-s, kryeministri tha se u jemi përkushtuar shtatë kërkesave bazë për Qëndrueshmërinë kombëtare duke i inkorporuar këto kërkesa në Planin e Reagimit Kombëtar.

    Kryeministri Kurti tha se do të fuqizohen edhe më shumë katër shtyllat kyçe të qëndrueshmërisë: parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen nga goditjet.

    “Do të sigurohemi që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në burime, trajnime dhe mbështetje për të ndërtuar kapacitete lokale qëndrueshmërie. Për ne, një shoqëri e qëndrueshme është ajo që kujdeset për të gjithë – pa lënë askënd prapa”. përfundoi kryeministri.

  • Aksident në rrugën “Nëna Terezë”, vetura godet motoçiklistin

    Aksident në rrugën “Nëna Terezë”, vetura godet motoçiklistin

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, ku një veturë ka goditur një motoçiklist, raporton ATV.

    Për shkak të aksidentit, rruga u bllokua përkohësisht.

    Policia ka dalë në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të kryer hetimet e nevojshme.

    Ende nuk dihet shkalla e lëndimeve të motoçiklistit. /atvlive.tv

  • ​Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjobit Italinë

    ​Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjobit Italinë

    Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Italinë për rrezikimin e jetëve të njerëzve duke hedhur në mënyrë të paligjshme mbetje toksike në rajonin Campania, gjë që ka çuar në një rritje të numrit të pacientëve me kancer dhe ndotje të ujërave nëntokësore.

    Vendimi e shpalli shtetin fajtor për shkeljen e të drejtës së qytetarëve për jetën duke dështuar në “zgjidhjen e problemit të hedhjes së mbeturinave të përhapura” në toka private “shpesh të kryera nga grupe të organizuara kriminale” në një zonë ku jetojnë rreth 2.9 milionë njerëz.

    Zona, e quajtur “toka e zjarrit” për shkak të sasive të mëdha të mbetjeve toksike, ka parë një rritje të shkallës së kancerit dhe ndotjes së ujërave nëntokësore, tha gjykata.

    “Gjykata konstatoi në veçanti se shteti italian nuk arriti të trajtonte një situatë kaq të rëndë me kujdesin e duhur dhe ekspeditën e nevojshme, pavarësisht se e kishte njohur problemin prej shumë vitesh, veçanërisht në vlerësimin e problemit, parandalimin e vazhdimit të tij dhe komunikimin me publikun”, thuhet në një deklaratë të gjykatës.

    Çështja u ngrit nga 41 banorë italianë të provincave Caserta dhe Napolit dhe pesë organizata rajonale me bazë në Campania.

    Qeveria ka tani dy vjet për të “zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse” për të trajtuar problemin e hedhjes së paligjshme të mbetjeve në Campania, duke përfshirë krijimin e një “mekanizmi të pavarur monitorues”.

    Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Evropiane dënon Italinë për menaxhim joadekuat të mbetjeve të rrezikshme, veçanërisht në rajonin e Campanias, ku mafia e Camorra luajti një rol të rëndësishëm në depozitimin e paligjshëm të mbetjeve, kujton portali Politiko me qendër në Bruksel.

    Në vitin 2010, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian vendosi se Italia kishte shkelur ligjin e BE-së duke dështuar të siguronte asgjësimin e duhur të mbetjeve në rajon.

    Pas vendimit, në dhjetor 2014, gjykata e gjobiti Italinë me 40 milionë euro për dështimin në zgjidhjen e çështjes, gjoba më e madhe ndonjëherë ndaj një shteti anëtar të BE-së në atë kohë.

    Në vitin 2015, gjykata e gjobiti Italinë me 20 milionë euro shtesë dhe vendosi një gjobë ditore prej 120 mijë eurosh deri në zgjidhjen e problemeve.

  • ​KE kërkon raporte për sulmet ndaj studentëve nga prokuroritë serbe

    ​KE kërkon raporte për sulmet ndaj studentëve nga prokuroritë serbe

    Komisioni Evropian ditëve të fundit u ka kërkuar prokurorëve në Serbi që të raportojnë mbi ecurinë e procedurave kundër sulmuesve të studentëve që kanë qenë në bllokada dhe në rrugët e Beogradit muajt e fundit, pas shembjes së një tende në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

    Këtë informacion për “Nova” e kanë konfirmuar disa burime të ndryshme nga drejtësia serbe. Së bashku me kolegët e tyre nga Beogradi, jo zyrtarisht, të njëjtën kërkesë e kanë marrë edhe prokurorët e Novi Sadit.

    Sipas këtyre informacioneve, Prokuroria e Apelit dhe ajo e Lartë kanë kërkuar raporte për të gjitha rastet që kanë në punë, e gjitha për shkak se KE e ka kërkuar atë raport, për qëllime të mbledhjes së radhës të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri.

    Përveç protestave të studentëve, KE po kërkon të dhëna edhe për të gjitha protestat e tjera që u zhvilluan në Serbi gjatë vitit 2024, përfshirë protestat kundër mashtrimit zgjedhor pas zgjedhjeve në dhjetor 2023.

    Informacioni me interes për KE ka të bëjë me numrin e personave kundër të cilëve fillimisht janë ngritur kallëzime penale, përshkrimin e atyre veprave, numrin e të dyshuarve që janë urdhëruar të ndalohen, si dhe me paraburgimin, apo ndonjë masë tjetër për të siguruar prania e tyre.

    Të dhënat e kërkuara përfshijnë numrin e hetimeve të nisura dhe numrin e kallëzimeve penale të pushuara, si dhe përshkrimin e veprimeve të ndërmarra në procesin e sigurimit të provave.

    Në fund, prokuroritë janë pyetur për rezultatin e procedurës së iniciuar, përkatësisht sa persona janë dënuar, sa janë liruar dhe sa marrëveshje janë nënshkruar për pranimin e fajësisë.

    Kujtojmë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pasur një takim sot me Emmanuel Gioffre, shef i delegacionit të BE-së në Serbi. Deklarata zyrtare pas takimit ishte e shkurtër: “Presidenti njoftoi vetëm se Gioffre kishte një takim të shkurtër për shumë tema”.

  • ​Banka Qendrore Evropiane ka ulur edhe më tej normat e interesit

    ​Banka Qendrore Evropiane ka ulur edhe më tej normat e interesit

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) uli sërish normat e interesit në eurozonë sot me një çerek pikë përqindjeje, duke theksuar se çmimet më të përballueshme të kredisë për kompanitë dhe qytetarët duhet “me kalimin e kohës” të nxisin konsumin dhe investimet.

    Norma e interesit për ri-financimin e bankave nga 5 shkurti do të jetë 2.9 për qind, ndërsa për depozitat bankare njëditore do të jetë 2.75 për qind. Bankat komerciale do të paguajnë një normë interesi prej 3.15 për qind për kreditë njëditore në të ardhmen, sipas një deklarate të BQE.

    Kështu, BQE uli normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje në fillim të vitit të ri, duke ruajtur ritmin e lehtësimit të politikës monetare nga viti 2024. Rënia e normave të interesit gjatë vitit të kaluar ka ulur gradualisht kostot e huamarrjes së re për kompanitë dhe individët, me vazhdimin e kushteve të shtrënguara të financimit, thuhet në një deklaratë të Këshillit Drejtues nga mbledhja e sotme.

    Politika monetare mbetet kufizuese dhe qytetarët dhe kompanitë po shlyejnë kreditë e vjetra me norma të larta interesi, theksojnë ata.

    Inflacioni vazhdon të dobësohet dhe ky proces po “përparon mirë”, theksuan ata, duke theksuar se në fund të vitit 2024 pritej një përshpejtim i lehtë pasi faktori i rënies së theksuar të çmimeve të energjisë ishte ‘zhdukur’.

    Në dhjetor, inflacioni i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ishte 2.4 për qind, duke sinjalizuar një rritje të lehtë të përshpejtuar të çmimeve për të tretin muaj radhazi, sipas të dhënave të Eurostat. Çmimet e energjisë ishin pothuajse në nivelin e dhjetorit 2023. Në muajin nëntor ato ishin 2.4 për qind më të ulëta me bazë vjetore dhe në tetor 4.6 për qind më të ulëta.

    Në vitin 2025 në tërësi, rritja e çmimeve të konsumit në eurozonë pritet të ngadalësohet në 2.1 për qind dhe në 1.9 për qind në vitin 2026, parashikoi BQE në dhjetor.

    Në vitin 2027, sipas përllogaritjeve të tyre, inflacioni duhet të përshpejtohet sërish pak, në 2.1 për qind, për shkak të hyrjes në fuqi të sistemit të zgjeruar të tregtimit të emetimeve të karbonit.

    Ekonomia e eurozonës do të jetë e dobët edhe në afat të shkurtër, thotë BQE. Aktiviteti industrial vazhdon të bjerë dhe të ardhurat reale më të larta “nuk i kanë inkurajuar ende sa duhet familjet që të rrisin ndjeshëm konsumin”.

    Megjithatë, ekonomia mund të llogarisë ende në kushte të favorshme për rimëkëmbje, beson BQE, duke vënë në dukje se rritja e të ardhurave reale dhe çmimet më të përballueshme të kredisë duhet të nxisin përfundimisht konsumin dhe investimet.

    Kërkesa globale po forcohet, kështu që eksportet gjithashtu mund të ofrojnë mbështetje, me kusht që tensionet tregtare të mos përshkallëzohen.

  • FSK merr pjesë në stërvitjen ndërkombëtare në bazën ushtarake amerikane në Gjermani

    FSK merr pjesë në stërvitjen ndërkombëtare në bazën ushtarake amerikane në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me një kontingjent në ushtrimin ndërkombëtar “Combined Resolve 25”, i cili po zhvillohet në bazën ushtarake amerikane në Hohenfels, Gjermani, raporton EO.

    Ky ushtrim sipas njoftimit të FSK-së ka për qëllim testimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të NATO-s, si dhe përgatitjen e shteteve partnere për operacione të përbashkëta dhe ndërveprim.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Jordanisë, Hazem Issam El-Khatib Al-Tamimi

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Jordanisë, Hazem Issam El-Khatib Al-Tamimi

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Jordanisë në Kosovë, Hazem Issam El-Khatib Al-Tamimi.

    Duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Jordanisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

    Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përkrahjes së Jordanisë për Kosovën në forume ndërkombëtare dhe vazhdimin e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Në takim me ambasadorin Al-Tamimi, Presidentja Osmani theksoi nevojën për intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

    Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitën zyrtare të Presidentes Osmani në Jordani, bazuar në ftesën nga Mbreti Abdullah II, me qëllim që të thellohen edhe më tej raportet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona.

  • ​Eurodeputetët kritikojnë Lajçak: Qasja e pa balancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialog

    ​Eurodeputetët kritikojnë Lajçak: Qasja e pa balancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialog

    Emisari në largim i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar sot takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Eurodeputetët i kanë thënë diplomatit sllovak se qasja e pa balancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

    Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet me shtetet.

    Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

    Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

    Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

    Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

    Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

    Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

    Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.

  • Murati thotë se Qeveria Kurti i ka rritur pagën më së shumti për arsim

    Murati thotë se Qeveria Kurti i ka rritur pagën më së shumti për arsim

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria Kurti është qeveria me rritjen më të lartë të pagave në arsim brenda një mandati.

    Sipas tij rritja ekonomike është 232 euro.

    “Qeveria Kurti është e vetmja qeveri që ka rritur pagat në sektorin publik 3 herë brenda mandatit, konkretisht në vitin 2023, 2024, dhe 2025.”

    Ai ka krahasuar edhe me qeveritë e kaluara kur Bedri Hamza e Avdullah Hoti ishin ministra të Financave.

    “Në qeverinë Haradinaj, ku Ministër i Financave ishte Bedri Hamza, pagat për mësimdhënësit ishin rritur vetëm 4% apo 16 euro. Njësoj ishin rritur pagat edhe pë shërbyesit tjerë publikë vetëm 4%. Përjashtim bëjnë pozitat e Kryeministrit, Ministrave, dhe sistemit të drejtësisë, të cilat ishin rritur 100%.”

    “Në Qeverinë Mustafa rritja e pagave ishte bërë duke e shtuar shtesën e përvojës së punës, e cila nënkuptonte që rritja ishte jo e njëtrajtshme për të gjithë, por varej nga vitet e përvojës së punës që secili kishte.”

    “Të dhënat për periudhën 2014-2024 janë marrë nga Thesari dhe paraqesin ecurinë e pagës mesatare në një shkollë fillore. Ndërkaq për vitin 2025 është përfshirë edhe rritja tashmë e miratuar prej 2 fazave nga 55 euro bruto, për gjithsej 110 euro bruto shtesë. Mesatarja e nxjerrë nga Thesari përfshin edhe pozitat mbështetëse, por edhe stafin me orë jo të plota, prandaj është më e ulët sesa paga faktike e një mësimdhënësi.”

  • Behrami publikon fotografi me James Rubin-in: Me zëdhënësin e çlirimit dhe mikun e përbetuar të presidentit Thaçi

    Behrami publikon fotografi me James Rubin-in: Me zëdhënësin e çlirimit dhe mikun e përbetuar të presidentit Thaçi

    Kandidati për deputetë me numër 75 nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ka publikuar një fotografi me James Rubin-in, raporton Ekonomia Online.

    Behrami e ka vlerësuar lartë figurën e Rubin-it, duke thënë se pa njerëz sikurse ai projektimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës do ishte i pamundur.

    Postimi i plotë:

    Me zëdhënësin e çlirimit, negociatorin e paqes, mikun tim, mikun e Kosovës dhe mikun e përbetuar të presidentit Hashim Thaçi.

    James Rubin, bashkë me elitat e arta të Amerikës, nuk ngritën vetëm zërin kundër masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë, por ngritën edhe aeroplanët për t’i dhënë fund aparteidit në zemër të Evropës.

    Projekti i lirisë dhe i pavarësisë, pa njerëz si Rubinim do të ishte i pamundur.
    Mirëmëngjesi!

    Dihet a!

    #PDK 131✅
#BedriHamza 1✅
#ArtanBehrami 75✅