ATV

Category: Lajme

  • Kina: Tarifat e SHBA shkelin seriozisht rregullat e OBT-së

    Kina: Tarifat e SHBA shkelin seriozisht rregullat e OBT-së

    Në një deklaratë që njoftonte tarifat hakmarrëse, Ministria e Financave e Kinës akuzoi administratën Trump për shkeljen e rregullave të tregtisë ndërkombëtare.

    Njoftimi i Kinës sinjalizon gatishmërinë e Pekinit për të miratuar një përgjigje të vogël ndaj tarifave amerikane, duke habitur disa vëzhgues, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    “Vendosja e njëanshme e tarifave nga SHBA-ja shkel seriozisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të veta, por gjithashtu minon bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së.”

    Megjithatë, ndryshe nga tarifat e vendosura nga SHBA, të cilat synojnë të gjitha mallrat kineze, taksat e importit të Kinës do të synojnë vetëm disa lloje të produkteve.

  • Kallas: Normalizimi i plotë i raporteve Kosovë – Serbi, rruga e vetme drejt BE-së

    Kallas: Normalizimi i plotë i raporteve Kosovë – Serbi, rruga e vetme drejt BE-së

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar lidhur me emërimin e Peter Sorensen si i dërguari i ri evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një postim në platformën X, Kallas ka theksuar rëndësinë e punës që e pret në këtë proces, duke e cilësuar normalizimin e plotë të marrëdhënieve si kushtin kyç për integrimin e të dyja vendeve në BE.

    “E mirëpres ngrohtësisht Peter Sørensen si EUSR për Dialogun. Ka shumë punë të rëndësishme përpara. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është e vetmja rrugë për Kosovën dhe Serbinë që t’i bashkohen BE-së. Faleminderit për përpjekjet tuaja, Miroslav Lajçak! Puna e bërë shërben si bazë për riangazhimin”, ka shkruar Kallas.

  • Aktakuzë kundër katër personave – tentuan të transportonin dhe shisnin drogë nga Kosova në Shqipëri

    Aktakuzë kundër katër personave – tentuan të transportonin dhe shisnin drogë nga Kosova në Shqipëri

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.T., E.D., R.V., dhe P.S., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 06.06.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”,

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të njëjtit sipas aktakuzës më datë 05.06.2024, rreth orës 22:38 pa autorizim transportojnë me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, sasi të konsiderueshme të narkotikëve, të cilët janë shpallur të ndaluara me ligj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në atë mënyrë që të akuzuarit vendosin narkotikët në bagazhet e dy automjeteve VV Golf 7, dhe nisen në drejtim të kufirit Kosovë – Shqipëri për të shkuar në Shëngjin në festivalin “Unum”.

    “Gjatë rrugës, pasi tejkalojnë shpejtësinë e lëvizjes, automjetit të parë që drejtohej nga E.D., i shqiptohet tiketa nga ana e policisë, dhe në ato momente i pandehuri D.T., që ishte në veturën e dytë, pasi kishte ndaluar veturën shkon tek vetura e parë, ku e tërheq një çantë krahu nga automjeti dhe e gjuan në një largësi rreth pesë metra, me ç’rast pas shqiptimit të tiketave, i njëjti shkon në të njëjtin vend për të marrë çantën me qëllim që ta vendos në veturë, me ç’rast zyrtarët policorë reagojnë dhe gjatë kontrollimit të çantës vërejnë substanca të konsiderueshme narkotike të vendosura në qese të najlonit, ku sipas ekzaminimit të laboratorit, të datës 21.01.2025 kanë rezultuar si në vijim:

    – Kokainë të përzier me fenacetin me peshë neto të përgjithshme për dhjetë paketime 7.78 gram – Kokainë pesha neto 132.16 gram,
    – Kokainë të përzier me fenacetin me peshë 66.30 gram,
    – MDMA Methyllenedioksymethapfenatime (MDMA) pesha neto 693.28 gram,
    – MDMA pesha neto e përgjithshme 841.21 gram,
    – MDMA 305 qese me peshë prej 305.66 gram- MDMA dhe ketamin të përzier me kafeinë gjithsej 296 qese, me peshë 319.14 gram,
    – MDMA dhe ketamin të përzier me kafeinë pesha neto 0.98 gram,
    – MDMA pesha neto e përgjithshme 470.22 gram,
    – Substancë narkotike kokainë të përzier me fenacetin pesha neto për tetë paketime 6.40 gram,
    – MDMA 1.13 gram, ketamin pesha neto 273.17 gram, ketamin pesha neto për 18 qese 165.69 gram,
    – MDMA dhe ketamin në përzierje me kafeinë pesha neto 5.49 gram,
    – MDMA dhe ketamin në përzierje me kafeinë pesha neto 0.93 gram
    – MDMA dhe ketamin në përzierje me kafeinë pesha neto 1.54 gram,
    – MDMA pesha neto 2.24 gram
    – Substancë psikotrope e llojit kanabis me peshë 4.60 gram,
    – MDMA me pesha neto 11.39 gram,
    – MDMA me peshë neto 1212.9 gram
    – MDMA me peshë neto 912.70 gram,
    – Substancë narkotike e llojit kanabis me peshë 0.31 gram”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes, ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve, si dhe në kuptim të nenit 269 par. 2 dhe 270 dhe 276 par. 2 nëpar. 2.2 dhe 2.5 të KPP-së, ka propozuar që si dënim plotësues të bëhet konfiskimi i përhershëm i sendeve të sekuestruara, po ashtu të konfiskohen dy vetura VV Golf 7, si dhe nga të katër të pandehurit të konfiskohet shuma rreth 7.788 euro, dhe 100 dollar, para të përfituara nga vepra penale.

    “Gjithashtu, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

     

  • U jepet lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht në Jabllanicë

    U jepet lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht në Jabllanicë

    Në Jabllanicë të Dushkajës me nderimet më të larta ju dha lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetës pasditen e së shtunës.

    Kjo është një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar bashkë, tha Ardian Gjini në fjalën e tij gjatë ceremonisë së varrimit.

    “Idealin, Ramën dhe Vetonin sot po i përcjellim në amshim. Këta tre engjëj do t’i kemi në zemër tanë jetën”, tha Gjini.

    Ish-drejtori i shkollës ‘Dëshmorët e Kombit’, Hysen Brahimaj tha se Ideali, Rama e Vetoni ishin shembuj të nxënësve të përkushtuar e në sjellje shembullore.

    Tre fëmijët humbën jetën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës.

  • Aksident mes dy veturave në rrugën Gjilan-Prishtinë, lëndohen gjashtë person

    Aksident mes dy veturave në rrugën Gjilan-Prishtinë, lëndohen gjashtë person

    Një aksident trafiku mes dy veturave ka ndodhur orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Parallovë, në rrugën për Gjilan-Prishtinë.

    Si pasojë e aksidentit, gjashtë persona kanë marrë lëndime trupore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    Hashani tha se nga të lënduar, njëri është i lënduar më rëndë dhe është dërguar në Prishtinë, kurse pjesa tjetër e të lënduarve janë liruar për në shtëpi.

    “Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit mes dy veturave civile. Një person i lënduar pak më rëndë është dërguar në Prishtinë, pjesa tjetër, pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë liruar në shtëpi”, tha Hashani.

  • Kryeshefi i “Pastrimit” akuzon Ramën për manipulim: Betejë për tenderë e kontroll mbi paranë publike

    Kryeshefi i “Pastrimit” akuzon Ramën për manipulim: Betejë për tenderë e kontroll mbi paranë publike

    Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama për manipulim vetëm për t’ua dhënë tenderët miqve të tij.

    Përmes një reagimi pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave nga Rama, Reçica ka thënë se Rama po bën veprime që bllokojnë shërbimet publike dhe krijojnë kaos.

    “Më 07.01.2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, kam kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet. U deshën më shumë se 10 ditë për një përgjigje, dhe në atë takim dukej i vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje. Për më tepër, Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të ‘Pastrimit’ të sabotojnë shërbimin, vetëm që të krijojë kaos për të ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave kompanisë private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin tim (për të cilat kemi fakte të mjaftueshme)”, ka shkruar Reçica në Facebook.

    Ai tutje ka thënë se punëtorët e “Pastrimit” po punojnë pa pushim për shtatë ditë të javës, por sipas tij, synimi është hapja e një tenderi me negocim.

    “Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024 ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM ‘Pastrimin’. Këtë herë, duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal. Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.

  • Tarifat e paralajmëruara nga Trump, Scholz: Të dëmshme për ShBA-në dhe Evropën

    Tarifat e paralajmëruara nga Trump, Scholz: Të dëmshme për ShBA-në dhe Evropën

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se tarifat e paralajmëruara nga presidenti amerikan, Donald Trump janë “të dëmshme për SHBA-në dhe Evropën”.

    Scholzi ka thënë se shpreson që të gjendet një rrugë bashkëpunuese ndërmjet aleatëve, raporton The Guardian.

    “Çdo tarifë do të ishte e keqe për SHBA-në dhe e keqe për Evropën”, është shprehur Scholz.

    Gjithashtu një reagim ka pasur edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se nëse preken interesat tregtare të Evropës, do ketë reagime.

    “Nëse ne sulmohemi në aspektin tregtar, Evropa si një fuqi e vërtetë, do të duhet të ngrihet në këmbë dhe për këtë arsye të reagojë”, është shprehur Macron.

  • Osmani kërkon drejtësi për qytetarët e vrarë para 25 vjetësh në Mitrovicë

    Osmani kërkon drejtësi për qytetarët e vrarë para 25 vjetësh në Mitrovicë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka kujtuar dy netët e tmerrit që përjetuan qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës, më 3 dhe 4 shkurt 2000. Në këtë ngjarje të tmerrshme u vranë 10 njerëz të pafajshëm.

    “Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka thënë se dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

    “Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!”, thotë Osmani.

  • Aksident i rëndë te rruga ‘B’ në Prishtinë, 7 automjete të përfshira – 5 persona të lënduar

    Aksident i rëndë te rruga ‘B’ në Prishtinë, 7 automjete të përfshira – 5 persona të lënduar

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën ‘B’ në Prishtinë, ku të përfshira kanë qenë shtatë automjete.

    Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti dha më shumë detaje.

    Si pasojë e këtij aksidenti, bazuar në të dhënat fillestare, pesë persona janë lënduar.

    “Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘B’ në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira shtatë automjete (4 prej tyre në lëvizje ndërsa 3 të parkuara). Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit janë lënduar pesë persona”, tha Ahmeti.

  • Çështja e mbeturinave, Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme

    Çështja e mbeturinave, Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme

    Çështja e mbeturinave është kthyer në një problem të madh për Komunën e Prishtinës.

    Lidhur me këtë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një konferencë shtypi.

    Ai gjatë fjalës së tij ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme sa i përket mbeturinave në kryeqytet.

    Rama ka thënë se janë angazhuar kompani private për menaxhim të mbeturinave pasi kompania “Pastrimi”, sipas tij nuk ka kapacitet ta kryejë menaxhimin e tyre e vetme.

    “Kemi angazhuar kompani private për menaxhim sepse “Pastrimi” s’ka pasur kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej që ka ardhur, (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallur do ta vazhdojmë edhe tashti”, ka thënë ai.

    Nga ana tjetër drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se me këtë gjendje janë dërguar sinjale politike.

    Sipas tij, opozita në Kuvendin komunal, LVV-ja dhe PDK-ja kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin.

    Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës patën fajësuar bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.

    Lidhur me angazhimin e privatëve në pastrimin e Prishtinës, punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar gjatë muajit nëntor.

    Me anë të kësaj proteste, rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes patën shprehur drojën se mund të mbesin pa punë.