ATV

Category: Lajme

  • Peci: Kjo Qeveri ka arritur të shtrijë sovranitetin në çdo cep të Kosovës

    Peci: Kjo Qeveri ka arritur të shtrijë sovranitetin në çdo cep të Kosovës

    Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria aktuale ka arritur të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të Kosovës.

    Ai tha se, përtej çështjeve zgjedhore, arritja më e rëndësishme është vendosja e kontrollit shtetëror në të gjithë territorin, pavarësisht kritikave të opozitës.

    “Për mua është e rëndësishme më shumë se sa një proces zgjedhor dhe më shumë se sa kush do të jetë në qeveri, është për shkak se kjo Qeveri ka arritë që të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të Kosovës”, tha Faton Peci.

    Ai shtoi se disa oponentë të opozitës kanë dërguar mesazhe që e barazojnë ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri me regjimin e Millosheviqit dhe Rankoviqit, duke mohuar gjithashtu rëndësinë e sulmit në Banjskë.

    “Oponentë shumë të rëndësishëm të opozitës kanë përçua mesazhe të qarta. Mesazhet e qarta të opozitës kanë qenë që sjellja e policisë së Kosovës i ngjason asaj policie të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90 ose ka pasur të tillë që e kanë krahasu këtë qeverisje me imponimin e rendit të ligjit dhe ligjshmërisë në veri, si sjellësi kështu në periudhën e Rankoviqit, ose ka pasur edhe të tilla që sulmin në Banjskë nuk e kanë cilësu si akt terrorist, do të thotë, me fjalë tjera, me përkthye përtej kësaj, edhe vrasjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, nuk e kanë vlerësu si akt kriminal”, tha Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Peci: Qytetarit i janë dhënë prova të mjaftueshme për një qeverisje të mirë

    Peci: Qytetarit i janë dhënë prova të mjaftueshme për një qeverisje të mirë

    Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se qytetarët kanë marrë prova të mjaftueshme për ta vlerësuar qeverisjen aktuale si të mirë.

    Ai tha se, përveç programit qeverisës, besueshmëria e qytetarëve lidhet kryesisht me liderin dhe ekipin, të cilët garantojnë një qeverisje të përgjegjshme.

    “Në funksion të kësaj, unë mendoj që janë dhënë provat e mjaftueshme në nivel të qeverisë për një qeveri siç ka qenë e mirë, përkundër faktit që ne kemi ardhë në qeveri në kohën më të përshtatshme”, tha Faton Peci.

    Ai shtoi se qeverisja e tyre ka ndodhur në kohën më të papërshtatshme, për shkak të sfidave globale, përfshirë pandeminë, krizën energjetike dhe inflacionin.

    “Koha ka qenë më e papërshtatshme për shkak se sfidat kanë qenë edhe në nivelin global. Kemi ardhë në drejtim të qeverisë në kohën kur ka qenë pandemia në diçka që ndodh njëherë në një shekull. Kanë pasur kriza e energjisë dhe inflacioni, që rëndom të vie në gjithë shekullin, Mandej, agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe pasojat për mbarë globin, si dhe edhe sulmet terroriste ose që mund ta quajmë nivel të agresionit të Serbisë kundrejt Kosovës, të cilët kanë marrë shumë angazhim dhe energji”, tha Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haxha: Premtimet e kryeministrit aktual janë më racionale

    Haxha: Premtimet e kryeministrit aktual janë më racionale

    Gazetari dhe analisti Uran Haxha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se programi i partisë në pushtet për këto zgjedhje është më racional krahasuar me të kaluarën.

    Ai tha se, ndryshe nga herët e tjera, kryeministri aktual duket se ka nxjerrë mësime nga programi i kaluar dhe ka bërë një kualifikim të premtimeve të tij.

    ” Herën e fundit, ndoshta kryeministrin aktual ke mujtë me e kapë për disa gjana, siç duket ka marrë mësim prej programit të së kaluarës. Ka kuanifikim, i cili është i kapshëm ose është me thanë ma racional”, tha Uran Haxha.
    Ai shtoi se, ndërkohë që partia në pushtet ka bërë premtime më të arsyeshme, partitë opozitare kanë kaluar në fazën e dhënies së premtimeve të mëdha financiare pa një bazë të qartë për burimin e fondeve.

    “Disa parti tjera opozitare kanë kalu në atë stad që me bo me bo premtime me numra edhe me shifra të parëve për investime, pa pasë një bazë, pa pasë një mbështetje se ku ka me qenë burimi i atyre pareve”, tha Haxha.

    Deklaratën e plotë të Uran Haxhës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Zeqaj: Partitë politike nuk kanë qenë të sinqerta për dialogun me Serbinë

    Zeqaj: Partitë politike nuk kanë qenë të sinqerta për dialogun me Serbinë

    Gazetari dhe analisti Florent Zeqaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se të gjitha partitë politike nuk kanë qenë të sinqerta në raport me dialogun me Serbinë.

    Ai tha se, pavarësisht marrëveshjeve të jetësuara me aleanca dhe fuqi të mëdha politike, sinqeriteti në lidhje me dialogun me Serbinë ka mbetur një problem thelbësor.

    “Të gjitha partitë politike nuk kanë qenë të sinqerta në raport me situatën kryesore që është dialogu me Serbinë dhe karshi kësaj, në raport me krejt ato marrëveshje që janë jetësu me aleancat edhe me fuqi të mëdha politike. Po e shohim që edhe sot, edhe në këtë kohë kur po mbahet fushata, subjektet politike duke filluar me Qeverinë që është pushtet, po edhe me subjektet politike opozitare, njëfarë forme po i largohen temeve që janë kryesorja, për shembull nuk po përmendin çka ka me ndodhë me dialogun”, tha Zeqaj.

    Deklaratën e plotë të Florent Zeqajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrijnë në KQZ edhe 1640 pako me fletëvotime nga Austria

    Arrijnë në KQZ edhe 1640 pako me fletëvotime nga Austria

    Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ka njoftuar se gjatë pasdites së sotme në KQZ janë sjellur edhe 1 mijë e 640 pako me fletëvotime.

    Këtë e konfirmoi për EOe, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se tha se këto i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria.

    “Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, deklaroi Elezi.

    Ai theksoi se aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlenë vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    “Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, theksoi ai.

  • Trumpi thotë se për marrjen e Gazës nën kontroll s’do të nevojiteshin ushtarë amerikanë

    Trumpi thotë se për marrjen e Gazës nën kontroll s’do të nevojiteshin ushtarë amerikanë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se Izraeli do t’ia dorëzonte Gazën ShBA-së pas përfundimit të luftimeve dhe se atje nuk do të kishte nevojë për ushtarë amerikanë.

    “Rripi i Gazës do t’u dorëzohej Shteteve të Bashkuara nga Izraeli në përfundim të luftimeve. Palestinezët… tashmë do të ishin rivendosur në komunitete shumë më të sigurta e më të bukura, me shtëpi të reja e modern, në rajon” – shkroi presidenti Trump në rrjetin “Truth Social”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    “Ata në të vërtetë do të kishin një mundësi për të qenë të lumtur, të sigurt dhe të lirë. ShBA-ja, duke punuar me ekipe të mrekullueshme për zhvillim nga mbarë bota, do ta fillonte ngadalë dhe me kujdes ndërtimin e atij që do të bëhej njëri nga zhvillimet më të mëdha dhe më spektakolare të llojit të vet në Tokë” – shkroi më tej presidenti amerikan.

    “Nuk do të nevojiteshin ushtarë nga ShBA-ja! Do të mbretëronte stabiliteti për rajonin” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Propozimi i Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza ka nxitur kundërshtim të gjerë ndërkombëtar.

    Kundër këtij plani kanë dalë fuqi botërore si Rusia e Kina, por edhe shtetet kryesore evropiane si Gjermania, Franca, Britania e Spanja.

  • Masakër në Goma: Gati 3000 të vrarë pas luftimeve të ashpra

    Masakër në Goma: Gati 3000 të vrarë pas luftimeve të ashpra

    Pothuajse 3000 persona janë vrarë në qytetin Goma, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (RDK), pasi rebelët e “Alliance Fleuve Congo” (AFC), duke përfshirë grupin e armatosur M23, morën kontrollin e tij pas përleshjeve me ushtrinë kongoleze, njofton OKB.

    Sipas OKB-së, 2000 trupa janë mbledhur nga rrugët, ndërsa 900 të tjerë ndodhen në morgjet e spitaleve. Ndërkohë, rebelët shpallën një armëpushim, por qeveria e Kinshasës e quajti atë një “mashtrim”, ndërsa luftimet vazhdojnë në provincën South Kivu, shkruan CNN.

    Kongo, SHBA dhe OKB akuzojnë Ruandën për mbështetjen e M23, por Ruanda mohon akuzat, ndonëse ka pranuar praninë e trupave të saj në lindje të Kongos për “sigurinë kombëtare”.

    M23, i përbërë kryesisht nga Tutsi-etnikë, ka pushtuar një pjesë të madhe të provincës North Kivu, e pasur me minerale të rralla, përfshirë koltanin, një komponent kyç në prodhimin e telefonave dhe kompjuterëve.

    Situata në Goma mbetet e rëndë, me trupat ende të shpërndarë në rrugë dhe një krizë humanitare në përkeqësim.

  • “Pastrimi” pranon gjashtë kamionë të rinj, vazhdon gjendje e jashtëzakonshme me mbeturina

    “Pastrimi” pranon gjashtë kamionë të rinj, vazhdon gjendje e jashtëzakonshme me mbeturina

    Gjashtë nga tetë kamionë sa janë blerë nga Komuna e Prishtinës për KRM “Pastrimi” janë dorëzuar të enjten në vlerë prej 1. 4 milion euro, raporton EO.

    Nga Komuna e Prishtinës theksuan se vazhdon të mbetet “gjendje e jashtëzakonshme me mbeturina”, ndërsa nga KRM “Pastrimi” nuk e kanë të qartë arsyen.

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, përmendi numrin e madh të kontejnerëve për të cilat pret që kompania t’i shpërndajë sa më shpejtë.

    “Po bëjmë pranim dorëzimin e 6 prej 8 kamionëve të cilët komuna i ka blerë me një vlerë prej 1.4 milion euro dhe këta do t’i dedikohen ndërmarrjes ‘Pastrimi’ në mënyrë që ta kemi më të lehtë te përballojmë situatën në të cilën jemi. Ne tani kemi edhe një stok prej 2500 kontejnerë të cilët pritet së shpejti ndërmarrja t’i shpërndaj në kryeqytet”, u shpreh Brestovci, teksa shtoi se “gjendja e jashtëzakonshme me mbeturina” vazhdon të mbetet në fuqi.

    “Ne e kemi krijuar një grup punë që në përditshmëri po e bënë verifikimin e gjendjes në teren. Po i shqyrtojmë ankesat që po vijnë nga qytetarët. Ne e kemi pasur një raport të përpiluar për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme dhe jemi në vlerësim të situatës se si është situata dhe cilat janë hapat konkret që duhet t’i marrim”, ka thënë Brestovci.

    E kryeshefi i Ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se ende nuk e kuptojnë arsyen se pse Komuna e Prishtinës e ka shpallur gjendje së jashtëzakonshme, duke shtuar se me pranimin e këtyre kamionëve kjo gjendje duhet që të hiqet.

    “Këtë pjesën e gjendje së jashtëzakonshme apo emergjente ende nuk e kam të qartë. Ende nuk e kemi të qartë se në çfarë forme është shpallur kjo gjendje sepse edhe ne jemi duke i bërë disa matje në teren, ne i kemi punuar të hënën në mëngjes komplet territorin dhe jemi duke bërë analiza se sa ka pasur vonesa në shërbime nga operatori privat. Sepse një gjë të tillë se kemi pranuar zyrtarisht as nga operatori privat as nga komuna. Ne shumë shpejt do të dalim me një raport zyrtar, normalisht vlerësoj që me shtimin edhe të këtyre kamionëve gjendje ka me qenë 300 për qind me e mire sa i përket shërbimit dhe besoj që nuk duhet që të vazhdoj një gjendje e tillë”, u shpreh ai.

  • Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës – Njëri dënohet me 3 vite e tjetri me 2 vite burgim

    Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës – Njëri dënohet me 3 vite e tjetri me 2 vite burgim

    Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Jashari u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj u dënua me 2 vite burgim.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktgjykimit, i pandehuri Jashari për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse i pandehuri Baftijaraj për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, u dënua me 2 vite burgim.

    Të njëjtit obligohen që të paguajnë edhe kompensimin e buxhetit të shtetit, në vlerën e dëmit të shkaktuar prej 36 mijë e 450 euro e 29 centë.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë dhe të akuzuarve Ylber Jashari dhe Bekim Baftijaraj, të cilët po akuzoheshin për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punimet ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me shembjen e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare.

    “Ne kemi arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, i propozoj gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se e njëjta është lidhur me vullnetin e palëve dhe është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore”, tha prokurori Kujtim Munishi.

    Gjithashtu edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Sevdai Zejnullahu dhe Besjana Ismajli janë deklaruar se janë në pajtim me marrëveshjen e arritur.

    Tutje në këtë seancë, prokurori Munishi, theksoi pas arritjes së kësaj marrëveshja për pranimin e fajësisë, dënimin të cilin e kanë propozuar Prokuroria, është 5 mijë deri në 7 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht për të akuzuarin Ylber Jashari. Ndërsa për të akuzuarin Bekim Baftaraj i njëjti propozoi 6 muaj burgim me kusht i cili do të zëvendësohet me gjobë në shumën 3 mijë deri në 4 mijë e 500 euro.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 20 janar 2025, Ylber Jashari akuzohej se nga 11 gushti 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.

    Me këtë, akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Kurse, Bekim Baftijaraj akuzohej se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Baftijaraj me rastin e punimeve “Rikonstruimi i kulmit te objektit të Komunës se re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratën për sanimin e kulmit të ndërtesës, ku gjatë ekzekutimit të kësaj kontrate ka kryer punë të tjera e jo ato sikur pozicionet 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.15 të kontratës se lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës nja pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës se re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U., si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër vetura të parkuara përreth.

    Me këtë, Baftijaraj ngarkohej se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

  • Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për një person për vrasje të rëndë

    Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për një person për vrasje të rëndë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.L., nga fshati Pleshinë e Ulët-Komuna Ferizaj, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 23.01.2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizaj, i pandehuri F.L., në mënyrë mizore dhe për motive ende të panjohura ka privuar nga jeta viktimën B.V., dhe i njëjti më pas e gropos viktimën në një vend në mal, me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse më datë 05.02.2025 nga disa persona të fshatit Manastirc gjendet trupi i pajetë i viktimës B.V. me të cilën do të kryente veprën penale “Vrasje e rëndë” neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

    “I pandehuri F.L., që nga data 5 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur”, thuhet në njoftim.