ATV

Category: Lajme

  • Votojnë të burgosurit në Smrekonicë

    Votojnë të burgosurit në Smrekonicë

    Të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës në Vushtrri kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Një i burgosur, në një intervistë për ATV-në, u shpreh se procesi ka qenë i rregullt dhe pa vështirësi.

    “Ka qenë e lehtë të gjejmë emrat në listë dhe nuk kemi pasur probleme në votim. Pavarësisht se jemi të kufizuar, kemi të drejtën tonë demokratike për të votuar, sikurse çdo qytetar tjetër”, tha ai.

    Sa i përket informimit për programet politike, ai tregoi se kandidatët dhe platformat e partive i kanë ndjekur kryesisht përmes mediave dhe televizioneve, duke u informuar mbi opsionet para se të hidhnin votën e tyre. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Arian Mavriqi bën thirrje për kontribut në ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore në Kosovë

    Arian Mavriqi bën thirrje për kontribut në ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore në Kosovë

    Fotografi i njohur i botës së egër në Kosovë, Arian Mavriqi, në një prononcim për ATV-në, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh në mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore.

    Në deklaratën e tij gjatë ditës së zgjedhjeve, Mavriqi tha se ndonëse politika mund të ndihmojë në ruajtjen e natyrës, deri më tani nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme për këtë çështje.

    “Shpresoj që tash e tutje të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se biodiversiteti është një pjesë e rëndësishme e këtij vendi. Duhet patjetër të kontribuojmë për ta ruajtur sa më shumë”, u shpreh Mavriqi.

    Ai gjithashtu bëri thirrje për një bashkëpunim serioz mes shtetit dhe komunitetit të fotografëve dhe dokumentuesve të jetës së egër, në mënyrë që të mbrohen speciet e rrezikuara dhe të parandalohet zhdukja e tyre. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • “Kanë thirrë njerëz në telefon” – Elshani jep detaje për arrestimin e 5 të dyshuarve për ndikim te votuesit në veri

    “Kanë thirrë njerëz në telefon” – Elshani jep detaje për arrestimin e 5 të dyshuarve për ndikim te votuesit në veri

    Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, për ATV-në ka konfirmuar se pesë persona janë arrestuar për ndikim në procesin zgjedhor.

    Katër prej tyre, punonjëse të Qendrës për Punë Sociale të strukturave paralele serbe në Zubin Potok, dyshohet se kanë telefonuar votuesit duke i kërcënuar me ndalimin e ndihmave sociale nëse nuk votonin për një parti të caktuar.

    Një person tjetër është arrestuar në Mitrovicën e Veriut për një rast të ndodhur në jug të qytetit. Sipas Elshanit, kjo përbën ndërhyrje direkte në votime, ndaj me urdhër është vendosur ndalimi i tyre.

    Ai tha se situata e sigurisë në veri është e qetë dhe nuk ka pasur probleme të tjera për t’u evidentuar, ndërsa policia është e përgatitur të reagojë në rast të ndonjë parregullsie deri në përfundim të procesit zgjedhor. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Voton Lumir Abdixhiku, fton qytetarët të dalin masvisht në zgjedhje

    Voton Lumir Abdixhiku, fton qytetarët të dalin masvisht në zgjedhje

    Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka votuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë.

    Abdixhiku ftoi qytetarët e Kosovës të marrin pjesë masivisht duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Ai tha se sot është ditë e demokracisë ku qytetarët do të vendosin për fatin e tyre për katër vitet e ardhshme.

    “Është ditë e mirë, është ditë e bukur, është ditë e demokracisë. Në këtë ditë të demokracisë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për 4 vitet e ardhme të tyre dhe të Republikës së Kosovës. I uroj të gjithë votuesit që për herë të parë në këto zgjedhje japin votën për të ardhmen e Republikës”, tha Abdixhiku.

    Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

    Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.

    Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, raporton KP.

  • Loiseau: BE po monitoron procesin zgjedhor me 104 vëzhgues në mbarë Kosovën

    Loiseau: BE po monitoron procesin zgjedhor me 104 vëzhgues në mbarë Kosovën

    Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka thënë se ky mision është në terren në mbarë Kosovën.

    Loiseau ka thënë se me 104 vëzhgues në terren, BE është e përkushtuar ta monitorojë nga afër procesin zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

    “Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor”.

    “Aktualisht ndodhem në Prishtinë, ku isha edhe dje. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën”.

    “Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”.

    “Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo.

  • ​Voton Hamza, fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar

    ​Voton Hamza, fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar

    Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza bashkë me familjen e tij kanë votuar në Mitrovicë, në qendrën e votimit në “Andon Zako”.

    Hamza u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

    “Unë bashkë me bashkëshorten Remen, dy vajzat, Doruntinën dhe Diellzën dhe djalin Ensarin e shfrytëzuam të drejtën për të votuar. I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të drejtën e tyre demokratike për të votuar, për ta zgjedhur qeverinë për 4 vitet e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj që gjithçka do të shkojë mirë. Nuk ka asnjë arsye dhe në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë…Nuk kam asnjë informacion që ka parregullësi”, tha Hamza.

  • Policia tregon për planin dhe angazhimet në mbarëvajtje të procesit zgjedhor

    Policia tregon për planin dhe angazhimet në mbarëvajtje të procesit zgjedhor

    Policia e Kosovës njofton për planifikimet dhe fazat kyçe të urdhrit operativ policor “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës” të cilat po mbahen sot me datën 9 shkurt 2025.

    Sipas njoftimit të policisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    “Zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë”, thuhet në njoftim.

    Ky plan operativ ka paraparë katër faza: Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    Sipas policisë, tanimë dy fazat e para veçse janë realizuar, “përderisa tani jemi në zbatimin e fazës së tretë e që është faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e fundit, deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor vazhdon të jetë: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    “Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, vazhdon të ketë të caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime me kohë për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

    “Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në komunikatë.

  • Voton kryeministri Albin Kurti

    Voton kryeministri Albin Kurti

    Kryeministri i Kosovës, si dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti ka votuar në vendvotimin te Fakulteti Ekonomik.

    Ai është shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë votimit.

    Kurti ka inkurajuar qytetarët që të votojnë.

    “Përdorni shancin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme”, tha ai

  • I veshur me setër e kravatë, 101-vjeçari nga Klina voton dhe jep intervistë për ATV-në

    I veshur me setër e kravatë, 101-vjeçari nga Klina voton dhe jep intervistë për ATV-në

    Zef Berisha, një 101-vjeçar nga fshati Dobërdol i Klinës, ushtron të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Pavarësisht moshës së shtyrë dhe vështirësive me dëgjimin, ai është përgatitur për tu paraqitur në qendrën e votimit, i veshur me setër dhe kravatë, duke treguar përkushtim dhe respekt për procesin demokratik.

    Në një intervistë për ATV-në, ai konfirmoi se ka votuar gjithmonë dhe e konsideron pjesëmarrjen në zgjedhje një obligim qytetar.

    Djali i tij, Anton Berisha, tha se babai i tij ka qenë gjithmonë aktiv në votime dhe se sot, po ashtu këtë obligim do ta kryejë vullnetin e tij të plotë.

    Berisha, i cili festoi ditëlindjen e 101-të vetëm tri ditë më parë, është një nga qytetarët më të moshuar që merr pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme, raporton EO.

    Ismet Kryeziu nga DNV-ja tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit dhe deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike.

    Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,970,944 votues, prej të cilëve 125,852 janë votues që do të votojnë për herë të parë.

    “Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë të votojnë fizikisht nëpër misionet diplomatike, DnV beson se një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkaku i vonesave në hapjen e vendvotimeve ka qenë mungesa e komisionerëve, dhe kjo ka ndodhur në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga KQZ-ja,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që mund të cenonin fshehtësinë e votës. Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që mund ta cënonte fshehtësinë e votës.

    “Ambienti dhe siguria rreth Qendrave të Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metra të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, në përputhje me përcaktimet ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast kur kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje, si e drejtë universale, duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt,” tha Kryeziu.

    Në lidhje me informimin e votuesve për të votuar saktë, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale.

    “ në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht, secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit.”

    Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se janë raportuar dy incidente në hapjen e vendvotimeve, kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.