Lidhje Demokratike e Kosovës ka ftuar qytetarët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet parlamentare të sotme.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, u shpreh optimist se procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet.
Në një konferencë për media, Mustafa ditën e sotme e konsideroi të rëndësishme për demokracinë.
“Kjo ditë e zgjedhjeve sot është e rëndësisë historike për Republikën tonë. Një ditë e rëndësishme për demokracinë, një demokraci ku ju populli e njeh mundësinë të dëgjoheni në çdo zgjedhje. Mos e humbisni këtë mundësi, mënyra për të dëgjuar është të dilni të votoni. Mënyra për tu dëgjuar është të dilni dhe të votoni siguroni që të votoni dhe të ushtroni të drejtën tuaj demokratike.. Besojmë që procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet dhe të ec pa asnjë problem”, u shpreh ai.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që gjatë procesit të votimit të sigurojë vendosjen e kamerave të sigurisë dhe kabinave të votimit në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke shmangur çdo cenim të privatësisë së qytetarëve dhe fshehtësisë së votës.
Agjencia po ashtu përsërit kërkesën për Partitë Politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson se çdo shkelje e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale do të trajtohet në përputhje me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe kompetencat ligjore të Agjencisë”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, raporton KP.
Luli dhe Melihatja, një çift shqiptar nga Roterdami i Holandës, kanë udhëtuar drejt Kosovës për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025, ndonëse kishin mundësinë ta bënin këtë përmes postës.
Në një intervistë për ATV-në nga studioja e hapur në Gjakovë, ata shpjeguan arsyet pse preferuan të jenë fizikisht të pranishëm në vendin e tyre të origjinës në këtë ditë të rëndësishme.
“Dita e zgjedhjeve është festë për ne. Kemi mundësi të votojmë edhe nga Holanda, por preferojmë të vijmë në Kosovë. Është një rast i mirë për të takuar familjen dhe për të qenë pjesë e kësaj atmosfere”, u shpreh Luli.
Çifti tregon ka mbërritur në Kosovë mbrëmë dhe planifikon të kthehet nesër.
“Kjo është një e drejtë që duhet shfrytëzuar, është mëkat të mos e bësh”, thanë ata në fund të intervistës. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:
Elissa Slotkin senatore e Shteteve të Bashkuara për Michiganin, ka shkruar për zgjedhjet në Kosovë.
Ajo në profilin e saj në ‘X’, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një partneritet të qëndrueshëm të rrënjosur në vlerat dhe miqësinë e përbashkët demokratike.
“Ndërsa populli i Kosovës shkon drejt qendrave të votimit të dielën, unë mbështes të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet vendeve tona”, shkroi ajo.
Giovanni Pietro Barbano, ka njoftuar se EULEX-i përmes patrullave të tij tokësore është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën me rastin e ditës së zgjedhjeve.
Shefi i EULEX-it tha se ky monitorim bëhet për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë.
“Aktualisht në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet. EULEX-i, përmes patrullave të tij tokësore të mbikëqyrura nga Qendra jonë për Situatë dhe Koordinim, është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano në “X”.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin në telefon për të diskutuar një fund të luftës në Ukrainë, raportoi New York Post të shtunën vonë.
Në një intervistë në bordin e Air Force One të premten, Trump tha se “më mirë të mos tregonte”, kur u pyet se sa herë kanë folur të dy udhëheqësit.
“Ai (Putini) dëshiron të shohë që njerëzit të ndalojnë së vdekuri”, tha Trump për New York Post.
As Kremlini dhe as Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters.
Në fund të janarit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini është gati të mbajë një telefonatë me Trump dhe Moska po pret një fjalë nga Uashingtoni se edhe ajo është gati, transmeton Telegrafi.
Të premten, Trump tha se ndoshta do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky javën e ardhshme për të diskutuar fundin e luftës.
Lufta, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, do të shënojë përvjetorin e saj të tretë më 24 shkurt. Mijëra njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve ukrainas, janë vrarë gjatë konfliktit.
Trump i tha New York Post se ai “ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin”, dhe se ai ka një plan konkret për t’i dhënë fund luftës. Por ai nuk ka bërë të ditur detaje të tjera.
“Shpresoj të jetë i shpejtë. Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është kaq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar”, tha Trump.
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj sërish ka ftuar qytetarët që të dalin për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.
Ai në konferencën për medie të dielën, tha se deri tani ka një dalje të respektueshme të votuesve, derisa shtoi se organizimi i zgjedhjeve deri tani është në nivel, raporton KP.
“Është dita më e rëndësishme për katër vitet që po vijnë. Sot me votë vendosi ju për Kosovën dhe duke qenë se të gjitha kushtet janë si duhet, moti është i mirë, ditë me diell dhe aspekti organizativ është në nivel….Ju bëj thirrje dilni me votu, ka një dalje të respektueshme por ju bëj thirrje të gjithëve dilni me votu se kjo është dita juaj, vendimi i juaj për Kosovën. Kjo jo vetëm për përfaqësuesit e juaj në parlament, por edhe për ata që do të jenë në qeverinë e ardhshme. Me votën e juaj ju e drejtoni Kosovën”, tha Haradinaj.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) tha se është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve ë Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.
Përmes një komunikate, KPM u ka bërë thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjes zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat e heshtjes zgjedhore dhe mund të dëmtonte procesin e votimit.
“Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës. Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik”, thuhet në komunikatën e KPM-së.
Njoftimi i KPM-së:
KPM fton të gjithë të licencuarit (OSHMA) që të zbatojnë obligimet ligjore nga Kreu VIII i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Nr. 08/L-228 dhe Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.
Neni 52, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ”Ndalimi i Përfshirjes në Media” përcakton se:
1. Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, gjatë periudhës që fillon me hapjen e vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të tyre.
2. Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”.
Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës. Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Konjufca tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit. Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme sot është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit tonë. Është dita e zgjedhjeve. Pra, prej këtij procesi do të konstituohet legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E pastaj ajo legjislaturë pritet ta zgjedhë edhe qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Unë do ta shfrytëzoja rastin që së pari që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është gjëja më rëndësishme për republikën tonë. Që zgjedhjet të jenë të drejta, që të kalojnë si është më së miri, pa incidente e pa probleme. Tjetra është që në demokraci flet populli dhe ashtu që zëri i popullit të jetë sa më i fuqishëm. Bëjmë thirrje që të dalin sa më shumë qytetarë që të jetë e mundshme, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë bëhen pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të vazhdimësisë së ndërtimit të institucioneve tona shtetërore dhe të konsolidimit të mëtutjeshëm të demokracisë tonë”, tha Konjufca, raporton KP.
Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, është duke vizituar në këto momente qendrën e votimit “Vik Karaxhiq” në Zveçan.
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë: