ATV

Category: Lajme

  • Krasniqi: Opozita nuk ka arritur të marrë vota të reja, Vetëvendosje ende e fortë

    Krasniqi: Opozita nuk ka arritur të marrë vota të reja, Vetëvendosje ende e fortë

    Analisti politik, Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nëse numrat e votave janë të sakta, opozita nuk ka arritur të krijojë një valë të re mbështetësish kundër pushtetit aktual.

    Sipas Krasniqit, Vetëvendosje mbetet forcë kryesore politike në Kosovë, edhe pse ka humbur një numër të caktuar votash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    “Kaloi numrin prej tetëqind mijë votave në Kosovë. Nëse këto shifra janë të sakta dhe gabimi është nën një për qind, atëherë nuk ka votë opozitare të mjaftueshme për ta përmbysur pushtetin. Ka një votë kundërshtuese, por jo përmbysëse,” tha Krasniqi.

    Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Mbyllen 32 qendrat e votimit në jug të Mitrovicës

    ​Mbyllen 32 qendrat e votimit në jug të Mitrovicës

    Të gjitha qendrat e votimit në jug të Mitrovicës janë mbyllur me kohë për zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur sot në vendin tonë.

    Janë gjithsej 32 qendra të votimit në këtë komunë, ku 81 mijë e 482 qytetarë kanë pasur të drejtën e votës së tyre.

    Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla fillore “Andon Zako Çajupi”, ku edhe ka filluar numërimi i votave, dalja e qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është rreth 25 për qind.

    Melihate Meha, menaxhere e kësaj qendre, ka bërë të ditur për KosovaPress se procesi ka vijuar qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar.

  • Nis numërimi i votave në qendrat e votimit

    Nis numërimi i votave në qendrat e votimit

    Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar numërimi i votave në këto qendra ku është organizuar procesi i sotëm zgjedhor.

    Ekipi i KosovaPress po qëndron në një qendër votimi në kryeqytet, ku nga afër po përcjell procesin e votimit të numërimit të votave nga komisionerët.

    Për herë të parë mediat e akredituara lejohen të vëzhgojnë procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.

    Procesi zgjedhor ka filluar në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

  • Përfundon procesi i votimit në Kosovë

    Përfundon procesi i votimit në Kosovë

    Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Deri në orën 17:00 dalja në zgjedhje ishte 38.9 për qind në nivel vendi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas pak pritet të dalë me të dhëna nga dalja deri në ora 19:00.

  • DnV: Nuk ka pasur shkelje serioze gjatë procesit zgjedhor

    DnV: Nuk ka pasur shkelje serioze gjatë procesit zgjedhor

    Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se nuk ka pasur shkelje gjatë procesit zgjedhor që do të mund të ishin bazë për kontestim të rezultateve. Rrjeti i organizatave joqeveritare gjatë vëzhgimit të këtij procesi zgjedhore thanë se kanë vërejtur se në 5 për qind të vendvotimeve është fotografuar vota.

    Eugen Cakolli nga DnV tha se gjatë pasdites nuk ka asnjë incident të ri serioz që do të mund të kishte ndikim në procesin zgjedhor.

    “Problemet e vazhdueshme me ngjyrën materikuluese, e cila ende është duke u raportuar se po fshihet lehtësisht nga gishtat e votuesve është një prej elementeve që mund të ketë ndikim në të paktën besueshmërinë e publikut në rezultatin zgjedhor. Derisa nuk ka shkelje të tjera të një natyre më serioze që mund të ishte bazë qoftë për kontestim të rezultateve apo të procesit zgjedhor në tërësi”, u shpreh ai.

    Ai është pyetur edhe për postimin e fundit të kryeministrit Albin Kurti para mbylljes së heshtjes zgjedhore, ku tha se PZAP duhet ta shqyrtojë nëse është thyerje e rregullave.

    “Kërkesa për të dalë sa më shumë votues në zgjedhje në vetvete nuk përbën shkelje mirëpo ne besojmë që rastet kur liderët politik të subjekteve të caktuara politike aludojnë në votën ndaj subjekteve të tyre politike, mund të jenë raste kur PZAP duhej të merrte vendim dhe t’i shqyrtonte nëse të njëjtat kanë thyer rregullat e heshtjes zgjedhore, që në këtë drejtim nuk janë edhe aq të qarta sa i përket pjesës se a konsiderohet kërkesa apo thirrje që qytetarët dhe mbështetësit e një partie të dalin të votojnë si shkelje e heshtjes zgjedhore”, deklaroi ai

    Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, Cakolli tha se ka qenë i qetë, me pak parregullsi.

    “Sa i përket parregullsive kryesore që e kanë karakterizuar 10 orëshin e procesit të votimit, vijon të dominoj problemi i pasaktësisë së listës së votuesve, respektivisht vështirësitë që votuesit janë duke pasur për të gjetur emrin e tyre në listën e votimit. Deri më tani vëzhguesit tanë kanë raportuar që mbi 70 për qind të vendvotimeve në nivel vendi kanë pasur deri në 10 raste kur votuesit nuk kanë arritur që ta gjejnë vendvotimin e tyre. Madje, ajo çfarë bie në sy është që brenda kësaj përqindje rreth 20 për qind e tyre kanë pasur deri në 50 raste kur votuesit nuk kanë mundur ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për shkak të pasaktësisë së listës së votimit”, tha ai.

    Cakolli shtoi se deri më tani votuesit me asistencë përbëjnë 6 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.

    Edhe Violeta Haxholli nga DnV derklaroi se deri në orën 17:00 nuk ka pasur shkelje të reja procedurale.

    “Deri në orë 17:00 kemi pasur diku rreth 10 për qind të vendvotimeve ku qytetarët kanë tentuar të votojnë me dokumente jo valide, qoftë dokumente të lëshuara nga UNMIK apo shtete të tjera sidomos tek komuniteti serb apo kudo që lëshohen nga Serbia. Sa i përket fotografimit të votës, fatkeqësisht edhe në këto zgjedhje ku ka qenë një fenomen i shprehur, ne e kemi hasur gjatë vëzhgimit tona në 5 për qind të vendvotime. Aludimi gjithmonë është që vota fotografohet nga qytetarët sepse ajo mund të jetë votë e blerë nga subjektet politike apo mund të jetë frikësim i votuesit apo thjesht ndërrim i përcaktimit të votuesit se për kë ai do të votojë”, deklaroi ajo. /kp

  • Mbyllen vendvotimet në Prishtinë

    Mbyllen vendvotimet në Prishtinë

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë përfunduar zyrtarisht me mbylljen e vendvotimeve në orën 19:00.

    Gazetarja e ATV-së, Benita Zeneli, raportoi nga shkolla fillore “Dardania” në Prishtinë, ku dera e qendrës së votimit është mbyllur menjëherë pas përfundimit të kohës së lejuar për votim.

    Sipas rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), qytetarët që kishin hyrë në vendvotime para orës 19:00 janë lejuar të përfundojnë votimin.

    Në Prishtinë, mbi 212,000 qytetarë kishin të drejtë vote, ndërsa deri në përditësimin e fundit nga KQZ në orën 17:00, vetëm 79,000 votues e kishin shfrytëzuar këtë të drejtë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Në veri nuk është vërejtur ndonjë incident gjatë zgjedhjeve

    Në veri nuk është vërejtur ndonjë incident gjatë zgjedhjeve

    Në Mitrovicën e Veriut, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë incident të raportuar gjatë ditës së zgjedhjeve, përveç arrestimit të pesë personave një ditë më parë, të cilët dyshohen për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

    Gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj, raportoi se sipas zyrtarëve monitorues të Demokracisë në Veprim, nuk është vërejtur ndonjë incident serioz, veçanërisht gjatë pjesës së pasdites.

    Sa i përket pjesëmarrjes, deri në orën 17:00, në Mitrovicën e Jugut kanë votuar 29.16% e qytetarëve, që përkthehet në 23,700 votues. Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, pjesëmarrja ka qenë më e ulët, me 8.45% ose 836 qytetarë që kanë votuar.

    Pavarësisht daljes më të ulët në veri, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, pa tensione apo incidente të mëdha që do të mund të ndikonin në procesin zgjedhor. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • ​Prokuroria kërkon informacione nga organi kompetent për ngjyrën matrikuluese

    ​Prokuroria kërkon informacione nga organi kompetent për ngjyrën matrikuluese

    Koordinatorja nacionale, Laura Pula ka deklaruar se deri më tani gjashtë persona janë ndaluar për dy lloje të veprave penale e që kanë të bëjnë me cenimin e fshehtësisë së votimit dhe kanosjen e kandidatit.

    Pula për KosovaPress tregoi se pesë raste të ndalimit janë në Mitrovicën e Veriut dhe Jugut, dhe një rast në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    “Aspekti i mbrojtjes së votës së qytetarëve ka shkuar shumë mirë sa i përket Prokurorit të Shtetit bazuar në aktivitetet të cilat i kemi pasur që nga ora 7 e mëngjesit dhe që vijojnë deri në ora 23:00 sonte, deri në përfundim të procesit dhe numrit të votave.. Krejtësisht i kemi 6 persona të cilët janë të ndaluar në drejtim të veprave penale kundër të drejtës së votimit dhe kemi disa informata edhe për veprime të tjera të cilat janë në punë e sipër nga prokurorët kompetent të terrenit që varësisht nga rezultatet do të pasojnë eventualisht me ndonjë hetim tjetër…Për veprat penale të cilat janë ndaluar këta persona janë dy vepra penale është cenimi i fshehtësisë së votimit edhe kanosja e kandidatit… Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës që ka të bëjë me Mitrovicën e Veriut edhe me Mitrovicën e Jugut dhe një rast e kemi edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë“,”, theksoi prokurorja.

    Lidhur me dyshimet për ngjyrën materikuluese, Pula tha se për këtë shqetësim kanë kërkuar informacione nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    “Kemi pas një shqetësim për të cilin shqetësim ne kemi kërkuar nga organi kompetent mënyrën e furnizimit me këto markera për të evidentuar në rastin e shkuarjes për të votuar. Presim në të ardhmen se varësisht se si ka shkuar procedura e marrjes së këtyre dhe në përfundim të dimë se e a është e vërtet kjo çka po thuhet se akoma nuk e kem të verifikuar se a është e vërtet se vërtet po fshihet markeri nga gishtat e votuesve”, tha Pula.

    100 prokurorë të cilët janë të angazhuar sot në mbrojtje të votës së lirë kanë qenë të shpërndarë në zyrat e Prokurorive si dhe në stacionet policore.

    Koordinatorja nacionale, Laura Pula foli edhe rreth dyshimeve për keqpërdorim të votave si në rastin e Kroacisë.

    “Jo vetëm votat e Kroacisë, por të gjitha votat të cilat kanë votuar jashtë dhe do të sillen nga diaspora tani ne do t’i trajtojmë me prioritet. Akoma nuk ka përfunduar i tërë procesi ne jemi gardian të mbrojtjes së votës dhe të procesit në tërësi”, theksoi ajo.

    Edhe pak minuta kanë mbetur deri në përfundimin e procesit të sotëm zgjedhor. Sipas të dhënave të KQZ-së deri në ora 15:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 28.32 për qind, apo mbi 558 mijë 246 votues, në zgjedhjet e sotme parlamentare./KP

  • Edhe pak minuta nga mbyllja e vendvotimeve, vërehet një numër i konsiderueshëm i votuesve në Prishtinë

    Edhe pak minuta nga mbyllja e vendvotimeve, vërehet një numër i konsiderueshëm i votuesve në Prishtinë

    Në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, pavarësisht se procesi i votimit po i afrohet fundit, ende ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh që po presin për të votuar.

    Gazetarja e ATV-së, Benita Zeneli, raportoi nga vendi i ngjarjes se dhjetë minuta para mbylljes së qendrave të votimit, qytetarët po shfrytëzojnë momentet e fundit për të kryer obligimin e tyre qytetar.

    “Ndërkohë që po afrohet ora e përfundimit të votimit, një numër i madh qytetarësh vazhdojnë të presin tek vendvotimet për të ushtruar të drejtën e tyre,” tha ajo. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Pak minuta para mbylljes së vendvotimeve, nuk ka fluks të madh të votuesve në Gjilan

    Pak minuta para mbylljes së vendvotimeve, nuk ka fluks të madh të votuesve në Gjilan

    Në kryeqendrën e votimit në Gjilan, procesi zgjedhor po i afrohet fundit pa ndonjë fluks të madh votuesish.

    Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, raportoi nga terreni se në minutat e fundit nuk janë krijuar radhë të gjata dhe pjesëmarrja duket e ulët krahasuar me orët e mëparshme.

    “Nuk ka ndonjë ngarkesë në këto minutat e fundit, para përfundimit të procesit zgjedhor. Edhe nëpër klasat ku zhvillohet votimi, nuk kemi parë ndonjë fluks të theksuar,” tha Hoti.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë: