ATV

Category: Lajme

  • Hashani: Mund të kemi zgjedhje pas një viti nëse dështon zgjedhja për president

    Hashani: Mund të kemi zgjedhje pas një viti nëse dështon zgjedhja për president

    Profesori i Ekonomisë, Medain Hashani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja brenda një viti, nëse nuk arrihet të zgjidhet Presidenti i vendit.
    Sipas Hashanit, Vetëvendosje nuk e ka synuar domosdoshmërisht fitoren në këto zgjedhje, pasi mund të jetë duke kalkuluar për zhvillime të mëdha ndërkombëtare.

    “Si po e shoh situatën, pritet që ai vetë (Albin Kurti) në këto zgjedhje nuk ka dashur t’i fitojë. Ka preferuar të jetë në opozitë për shkak të marrëveshjeve të mëdha që mund të ndodhin në nivel ndërkombëtar. Ai dëshiron të jetë sërish opozitë dhe të luajë gjithmonë rolin e viktimës edhe në zgjedhjet e ardhshme,” tha Hashani.

    Ai shtoi se nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit të Kosovës, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje brenda një viti.

    “Po supozojmë që pas një viti do të kemi zgjedhje, nëse nuk mundet të zgjidhet Presidenti i Kosovës. Kurti gjithmonë ka dashur ta luajë rolin e viktimës dhe e ka përdorur këtë edhe gjatë katër viteve të qeverisjes së tij,” u shpreh Hashani.

    Deklaratën e plotë të Medain Hashanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Stavileci: Qytetarët sot votuan për Ma Mirë, Kosova dëshmoi edhe një herë se është një demokraci e pjekur

    Stavileci: Qytetarët sot votuan për Ma Mirë, Kosova dëshmoi edhe një herë se është një demokraci e pjekur

    Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është një demokraci e pjekur, “ku qytetarët vendosin me votën e tyre për të ardhmen e vendit”, raporton EO.

    Në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve, Stavileci ka thënë se dita e zgjedhje është e rëndësishme për demokracinë tonë.

    “Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë. Qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë politike, duke votuar me përgjegjësi dhe qetësi. Kjo është një fitore për vendin tonë dhe për të ardhmen që të gjithë bashkë po ndërtojmë. Një falënderim i veçantë i shkon kandidatit tonë për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili udhëhoqi një fushatë dinjitoze, me ide dhe program të qartë për zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me vizionin dhe udhëheqjen e tij i dha kësaj fushate energjinë dhe unitetin që i nevojitej”, ka thënë Stavileci në konferencë për media.

    “Kjo ishte një fushatë që frymëzoi dhe bashkoi njerëzit rreth vlerave të zhvillimit, përgjegjësisë dhe progresit. Një falënderim i përzemërt shkon për çdo votues, aktivist, mbështetës, komisioner dhe vëzhgues të PDK-së, të cilët punuan me përkushtim të madh. Falë jush, kjo fushatë ishte një histori suksesi. Puna juaj nuk ka përfunduar ende – mbrojtja e secilës votë është prioriteti ynë i përbashkët. Ne jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve. Prandaj, mbetemi të kujdesshëm dhe të përkushtuar që çdo votë të numërohet me korrektësi dhe transparencë. Siç kemi thënë nga fillimi, ne respektojmë procesin dhe do të presim përfundimin e numërimit zyrtar para se të dalim me qëndrime të tjera politike. Gjatë mbrëmjes, kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, do të mbajë një konferencë tjetër për të ndarë me ju reflektimet dhe vizionin tonë për hapat e mëtejshëm”, u shpreh ai.

  • ​KQZ del me përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, nis numërimi

    ​KQZ del me përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, nis numërimi

    Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një konferencë për media tha se procesi zgjedhor gjatë ditës ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa probleme të theksuara.

    Ai gjithashtu ka dhënë përqindjen e qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e sotme.

    “Procesi zgjedhor është zhvilluar në rregull dhe pa probleme që do ta cenonin integritetin e tij. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 2 mijë e 297 vendvotime apo 90.68 për qind e tyre nga 2.533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në shkurt 2025 kanë votuar 40.04 për qind apo votues nga 1 milion 1 milion e 970 mijë e 944 sa ishin në listë votuese me të drejtë vote. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të njëjtën kohë në zgjedhjet 46.90 për qind”, ka thënë Elezi.

    Ai tha pas orës 19:00 ka nisur numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike.

  • ​Numërimi i votave, VV-ja iu kërkon vigjilencë vëzhguesve

    ​Numërimi i votave, VV-ja iu kërkon vigjilencë vëzhguesve

    Lëvizja Vetëvendosje iu ka kërkuar “vigjilencë dhe përkushtim” vëzhguesve dhe komisionerëve.

    Reagimi i LVV-së vjen pak pas mbylljes së vendvotimeve dhe fillimit të numërimit të votave për subjektet politike.

    “Të dashur vëzhgues dhe komisionerëve. Ju jeni mbrojtësit e vullnetit popullor andaj vigjilencë dhe përkushtim për mbrojtjen e votës. Punë të mbarë”, ka shkruar kjo parti në Facebook.

  • Haradinaj: Opozita i fitoi zgjedhjet, po pres me padurim të bashkëpunojmë për formimin e Qeverisë

    Haradinaj: Opozita i fitoi zgjedhjet, po pres me padurim të bashkëpunojmë për formimin e Qeverisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se opozita i ka fituar zgjedhjet.

    Ai tha se rezultati i AAK-së është dyshifrorë e jo siç është paraqitur në Exit Pollet nga 6 deri 8%.

    Ai tha se pres të bashkëpunojë me opozitën për formimin e Qeverisë.

    “Ne jemi të sigurt që kemi rezultat dyshifror, këtë do ta vërtetojmë me numërimin e vendit. Ajo që po më gëzo është se opozita i ka fituar zgjedhjet dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për formimin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj.

  • Mustafa: LDK ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhjet e kaluara

    Mustafa: LDK ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhjet e kaluara

    Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besin Mustafa, në një konferencë për media, tha se sipas të dhënave nga vëzhguesit në terren dhe exit poll-i i partisë, LDK ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhjet e kaluara, raporton ATV.

    Ai tha se ky është exit poll-i më i madh i realizuar ndonjëherë në Kosovë dhe rezultatet tregojnë një rritje të ndjeshme të LDK-së.

    “Exit poll-i ynë, i bazuar në 18 mijë respondentë, tregon se Vetëvendosje ka 34 për qind, LDK ka 24 për qind, ndërsa PDK 22 për qind. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se LDK ka së paku dyfishim të votave nga zgjedhjet e kaluara, pa llogaritur ende votat e diasporës,” tha Mustafa.

    Sipas tij, votat e diasporës pritet të përmirësojnë edhe më shumë rezultatin e LDK-së, duke e rritur atë me dy deri në tri pikë përqindjeje.

    “Presim një rezultat të shkëlqyeshëm nga diaspora, i cili mund ta rrisë përkrahjen për LDK-në me të paktën dy deri në tri për qind,” shtoi Mustafa. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Besin Mustafës në konferencën për media, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hashani: VV e ka dëmin e madh në këto zgjedhje, s’mundet të krijojë qeveri vetë

    Hashani: VV e ka dëmin e madh në këto zgjedhje, s’mundet të krijojë qeveri vetë

    Profesori i Ekonomisë, Medain Hashani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndonëse Vetëvendosje ka ende përqindje të konsiderueshme të votave, dëmi i madh për këtë parti është se nuk mund të formojë qeverinë e vetme.

    Sipas Hashanit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tashmë Vetëvendosje nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për të qeverisur pa pasur nevojë për partnerë të tjerë politikë.

    “Partia Vetëvendosje, edhe pse në këtë rast ka një përqindje më të vogël të votave, prapë ka dëmin më të madh sepse nuk mund të krijojë qeverinë e vetme”, tha Hashani.

    Deklaratën e plotë të Medain Hashanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Lladrovci: Nuk i besoj exit poll-eve, por PDK ka një ngritje të thellë në Drenas

    Lladrovci: Nuk i besoj exit poll-eve, por PDK ka një ngritje të thellë në Drenas

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk u beson exit poll-eve, por beson se Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar një ngritje të dukshme në komunën e tij.

    Ai falënderoi qytetarët e Drenasit për daljen masive në zgjedhje dhe theksoi se kjo tregon një përkushtim të madh qytetar ndaj procesit demokratik.

    “Duhet t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Drenasit për një dalje masive në zgjedhje. Kanë kryer një detyrim kushtetues në mënyrë jashtëzakonisht të mirë, me një pjesëmarrje prej 26,820 votuesish. Jam shumë i lumtur dhe falënderoj për qetësinë dhe organizimin e tyre, duke dëshmuar edhe një herë që jemi qytetarë kampion, komunë kampione,” tha Lladrovci.

    Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve, ai theksoi se nuk ka bërë sondazhe dhe nuk i beson exit poll-eve, por rezultatet fillestare tregojnë një fitore të thellë të PDK-së në Drenas.

    “Nuk kam bërë sondazhe dhe nuk i besoj shumë exit poll-eve, por nga rezultatet e para që kemi marrë, ne jemi fitues mbi 80 për qind në disa klasë votimi. Kjo nuk do të thotë që e gjithë komuna është vetëm e jona, por besoj se rezultati do të jetë shumë i thellë për PDK-në në Drenas,” tha Lladrovci.

    Deklaratën e plotë të Ramiz Lladrovcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Nuk ka përmbysje të pushtetit, por ka rikthim të opozitës

    Gashi: Nuk ka përmbysje të pushtetit, por ka rikthim të opozitës

    Historiani Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rezultatet e fundit tregojnë një rikthim të opozitës, por jo një përmbysje të pushtetit aktual.

    Sipas Gashit, opozita ka arritur të rikuperojë një pjesë të votave, por Vetëvendosje mbetet ende forca kryesore politike.

    “Vetëvendosje ka nxjerrë rreth 40 për qind të votave, ndërsa partitë opozitare rreth 38 për qind. Edhe me shtesat nga diaspora dhe kalimin e pragut nga disa lista të vogla, ndryshimi nuk është i mjaftueshëm për ta quajtur përmbysje të pushtetit,” tha Gashi.

    Ai tha se, megjithëse opozita po forcohet, rritja e saj ende nuk ka arritur nivelin për të ndryshuar balancën e pushtetit.

    “Rezultati nuk është përmbysje, por është rikthim i opozitës. Kjo tregon një tendencë të ndryshimit të ekuilibrave politikë, por jo një ndryshim rrënjësor,” tha Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Pjesëmarrja nën 40 për qind, më e ulët se më 2021 dhe 2019

    ​Pjesëmarrja nën 40 për qind, më e ulët se më 2021 dhe 2019

    Në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë kanë votuar 39.72 për qind ose 72 mijë e 928 qytetarëve me të drejtë vote nga gjithsej 1 milion e 970 mijë e 944.

    Në të dhënat e publikuara të orës 19:44 nuk përfshihen pjesëmarrja në vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.

    Shikuar në përqindje ka pjesëmarrje më të ulët të daljes në votime në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para katër vjetësh. Po ashtu, dalja është më e ulët se në vitin 2019.

    Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces zgjedhor ka qenë 48,78 % apo 903,379 votues. Ndërkaq, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 dalja në votim ishte 44.56 për qind apo 826,916 mijë qytetarë.