ATV

Category: Lajme

  • Netanyahu thotë se lufta nis sërish nëse nuk lirohen pengjet

    Netanyahu thotë se lufta nis sërish nëse nuk lirohen pengjet

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të martën deklaroi se armëpushimi në Gaza do të përfundojë dhe luftimet me Hamasin do të vazhdojnë nëse grupi militant palestinez nuk liron pengjet deri të shtunën në mesditë, shkruan Reuters.

    “Në dritën e njoftimit të Hamasit për vendimin e tij për të shkelur marrëveshjen dhe për të mos liruar pengjet tona, mbrëmë urdhërova ushtrinë të mbledhë forcat brenda dhe rreth Rripit të Gazës. Ky operacion po kryhet në këtë kohë dhe do të përfundojë në një të ardhme shumë të afërt”, ka thënë Netanyahu.

    Njoftimi erdhi pasi Netanyahu u takua me disa ministra kyç, për të cilët ai tha se i dhanë mbështetje të plotë ultimatumit.

    Nuk është e qartë nëse Netanyahu nënkuptonte që Hamasi duhet të lirojë të gjitha pengjet e mbajtura në Gaza apo vetëm tre që pritej të liroheshin të shtunën sipas armëpushimit.

     

  • ​Në Mitrovicë ende s’ka nisur numërimi i votave për deputetë

    ​Në Mitrovicë ende s’ka nisur numërimi i votave për deputetë

    Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, i paraparë të fillojë sot nëpër qendrat komunale të votimit në Mitrovicë, ende nuk ka filluar.

    Përveç pjesëtarëve të policisë, të cilët ndodhen brenda palestrës sportive “Minatori” në Mitrovicë, që do të shërbejë si qendër për numërim të votave, askush tjetër nuk ndodhet brenda këtij objekti, raporton KP.

    Deri më tash numërimi ka filluar vetëm në katër komuna: Prishtinë, Obiliq, Partesh dhe Lipjan.

  • Dyshohet se një grua u dhunua dhe u sulmua fizikisht në Gjilan, prokuroria inicion rastin si “Trafikimi me njerëz”

    Dyshohet se një grua u dhunua dhe u sulmua fizikisht në Gjilan, prokuroria inicion rastin si “Trafikimi me njerëz”

    Prokuroria Themelore në Gjilan bën të ditur se pas postimit nga qytetarët në rrjetin social “Facebook” të fotografisë së të dëmtuarës A.S. me lëndime trupore, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarre veprime hetimore, lidhur me këtë çështje penale.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të identifikohet/en kryerësi/it e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim.

  • Hovenier përmend Kosovën: Shpërbërja e USAID-it rrit rrezikun për popullsitë e cenueshme të botës

    Hovenier përmend Kosovën: Shpërbërja e USAID-it rrit rrezikun për popullsitë e cenueshme të botës

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se përpjekja e administratës Trump për të shpërbërë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dëmton interesat strategjike të SHBA-së, dëmton pozitën ndërkombëtare, rrit rrezikun për popullsitë më të cenueshme të botës dhe dëmton padrejtësisht nëpunësit publikë besnikë dhe jopartiakë.

    Hovenier ka përmendur edhe investimet e USAID-it në Kosovë, ku ai deri para pak javësh ishte ambasador. Hovenier ka thënë se USAID-i ka kontribuuar në avancimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonet e ish-shkatërruara nga lufta si Kosova.

    “Duhet ta di – deri para gjashtë javësh, isha ambasador i SHBA-së në Kosovë – një vend me një mision të madh të USAID-it. Kolegët tanë të USAID-it ishin një pjesë integrale dhe thelbësore e “Ekipit të Vendit” ndërinstitucional që unë drejtova, duke mbështetur përpjekjet tona strategjike për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në një cep të pasigurt të Evropës.

    “USAID është një mjet i vlefshëm i politikës së jashtme amerikane. Me më pak se 1% të buxhetit federal, puna e kolegëve tanë të USAID-it është një pazar për Amerikën. Kthimi i investimit është i madh me suksese të tilla si: Partneriteti me ushtrinë tonë për të luftuar ISIS-in në Siri, përmbajtja e kërcënimeve shëndetësore në zhvillim si Ebola në nivel global, reduktimi i imigracionit të paligjshëm duke përmirësuar kushtet në vende të tjera, Konkurrimi me Kinën për ndikim ekonomik. Avancimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonet e ish-shkatërruara nga lufta si Kosova”, ka thënë Hovenier në një opinion të publikuar në Belingham Herald.

    Hovenier tutje ka argumentuar se eliminimi i programeve dhe stafi të USAID-it është dhuratë për konkurrentët e Amerikës.

    “Zvogëlimi ose eliminimi i programeve dhe stafit të USAID-it është një dhuratë për konkurrentët tanë. Investimet e zhvillimit të Kinës në mbarë botën janë rritur me 525% gjatë 15 viteve të fundit; tërheqja e programeve dhe personelit të zhvillimit të SHBA-së zvogëlon ndikimin dhe aftësinë tonë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive zhvillimeve në rajonet kryesore strategjike. Vendimi i papritur i administratës Trump për të tërhequr pothuajse të gjithë forcën e punës së USAID-it jashtë shtetit ndëshkon padrejtësisht nëpunësit publikë të përkushtuar që zbatojnë me besnikëri politikat e SHBA-së dhe programet e miratuara nga Kongresi, shpesh duke punuar në mjedise me kërcënim të lartë në mbarë botën me rrezik të madh personal. Punonjësit e USAID-it janë patriotë që zbatojnë politikën e presidentit dhe ekipit të tij të sigurisë kombëtare. Ata punojnë për çdo president pavarësisht nga përkatësia partiake apo politike. Ky vendim i pamatur po krijon kaos, po mbjell frikë dhe po prish shumë jetën dhe karrierën, dhe po ndikon negativisht në familje”, ka thënë Hoveneir.

    Ai tutje thotë se kjo përpjekje e administratës Trump për të shpërbërë USAID-in nuk është në dobi të asnjë partie dhe është në dëm të të gjithë amerikanëve.

    “Po kështu, kostoja për tatimpaguesit amerikan për këtë largim të papritur e të çorganizuar nuk është e parëndësishme: një vlerësim shumë i ulët i kostos për riatdhesimin e 1400 oficerëve të USAID-it dhe familjeve të tyre është 20 milionë dollarë. Siç pohon një deklaratë e fundit e një grupi dypartiak prej pesë ish-administratorësh të USAID-it, të cilët udhëhoqën agjencinë nën presidentët demokratë dhe republikanë: “të dobësosh dhe madje të shkatërrosh agjencinë nuk është në dobi të asnjë partie politike dhe në dëm të të gjithë amerikanëve. … Ndërsa ne nuk jemi dakord për të gjitha çështjet, ne pajtohemi me gjithë zemër se programet e USAID-it dhe të ndihmës së huaj të Amerikës janë jetike për interesat tona, se burrat dhe gratë e karrierës së USAID-it i kanë shërbyer mirë secilit prej nesh dhe se është detyrë e administratës dhe Kongresit që të mbrojnë me shpejtësi rolin statutor të agjencisë.” Kjo përpjekje e administratës Trump për të çmontuar USAID-in dëmton interesat prioritare të SHBA-së, mohon ndihmën për shpëtimin e jetës dhe keqtrajton nëpunësit publikë besnikë të SHBA-së”, ka thënë Hovenier.

  • ​Këto janë ndeshjet e sotme në Champions

    ​Këto janë ndeshjet e sotme në Champions

    Pas ndeshjeve të së martës, gara më prestigjose evropiane për klube, Liga e Kampionëve do të vazhdojë edhe sot me ballafaqime interesante.

    Në program janë katë sfida që janë: Club Brugge-Atalanta, Celtic-Bayern Mynich, Feynoord-Milan dhe Monaco-Benfica, raporton KosovaPress.

    Këto ndeshje janë të vlefshme për fazën e payoff-it të Ligës së Kampionëve dhe janë me sistem vajtje-ardhje.

  • ​Policia realizon një bastisje në Mitrovicë, sekuestrohet një armë

    ​Policia realizon një bastisje në Mitrovicë, sekuestrohet një armë

    Policia e Kosovës në Mitrovicë ka kryer një bastisje dhe si rezultat ka sekuestruar një armë.

    Sipas njoftimit të policisë si rezultat i bastisjes është gjetur dhe është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tetë fishekë.

    “Mbi bazën e informacionit dhe dyshimeve të arsyeshme për posedim ilegal të armës, policia në Mitrovicën e Jugut, me datën 11 janar 2025 ka realizuar një bastisje. Bastisja është realizuar në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Mitrovicën e Jugut, ku si rezultat i bastisjes është gjetur dhe është sekuestruar një armë e llojit ‘Pistoletë’ me tetë fishekë”, thuhet në njoftim.

    Në cilësi të të dyshuarit për posedim ilegal të armës policia ka thënë se është intervistuar i dyshuari i moshës së mitur, ku pas procedurave të intervistimit i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt.

    Ndaj tij sipas policisë është iniciuar rast për vepër penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.

  • ​13 vjet nga tragjedia në Restelicë

    ​13 vjet nga tragjedia në Restelicë

    Sot mbushen 13 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit ku si pasojë e rënies së ortekut të borës kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familje.

    Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm në atë kohë 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton te të afërmit e saj.

    Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

  • ​Moti sot me vranësira, vende-vende pritet të ketë riga shiu të përziera me borë

    ​Moti sot me vranësira, vende-vende pritet të ketë riga shiu të përziera me borë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat sipas institutit parashihen të dendësohen dhe të krijojnë kushte që vende-vende të ketë riga shiu të përziera me borë.

    “Temperaturat minimale priten të lëvizin ndërmjet -5°C deri -3°C, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 3°C deri në 5°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4m/s”, thuhet në njoftim.

  • Më 19 shkurt mbahet ankandi i dytë i letrave me vlerë

    Më 19 shkurt mbahet ankandi i dytë i letrave me vlerë

    MFPT fut në funksion edhe një shërbim të ri në “E-Kosova” për punëtorët dhe punëdhënësit
    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 19 shkurt 2025 do të mbahet ankandi i dytë i letrave me vlerë për vitin 2025.

    Në këtë ankand, do të emetohen Obligacione me maturitet 2 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

    “Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (2 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi”, thuhet në njoftim.
    Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ministria ka rekomanduar që ta kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.

  • Rexhaj tregon pse fitoi Lëvizja Vetëvendosje

    Rexhaj tregon pse fitoi Lëvizja Vetëvendosje

    Profesori në Kolegjin AAB, Xhavit Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se fitorja e Vetëvendosjes nuk ishte rastësi, por rezultat i një mungese mesazhi të qartë dhe frikës së opozitës për t’u marrë me temat e rëndësishme.

    Sipas tij, zgjedhjet e vitit 2021 ishin një anomali e krijuar nga gabimet e partive opozitare, të cilat Vetëvendosja i shfrytëzoi në favor të saj.

    “Unë e konsideroj 2021-shin anomali. Kjo ndodhi për shkak të sjelljes së gabuar të opozitës, të cilën Vetëvendosja e shfrytëzoi. Por, kur hiqet kjo anomali, shihet se ka pasur një ngritje të vazhdueshme të Vetëvendosjes. Partitë opozitare nuk po munden të bindin votuesit se janë zgjedhja e duhur, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe programeve të mira”, tha Rexhaj.

    Ai shtoi se një ndër arsyet kryesore të dobësisë së opozitës ishte mungesa e një mesazhi të qartë dhe hezitimi për të trajtuar çështje të rëndësishme për qytetarët.

    “Konsideroj që partitë e opozitës nuk e patën mesazhin e qartë dhe, nga ana tjetër, më dukej sikur kishin frikë të merreshin me tema të forta e të rënda”, u shpreh Rexhaj.

    Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: