ATV

Category: Lajme

  • Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Loiseau: Vuçiq bëri presion

    Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Loiseau: Vuçiq bëri presion

    Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës, deklaron shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau. Ajo thotë se presidenti serb, Alaksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi, kanë bërë presion që të votohet një listë e caktuar.

    Në një intervistë për KosovaPress, Loiseau kritikon edhe emisarin amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell për deklarimet e tij gjatë fushatës zgjedhore në vend.

    Grenell pati shkruar se “Retorika e Kurtit duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”. “

    Mos u mashtroni”, kishte thënë ai.

    Loiseau i cilëson këto deklarata jo vetëm si ndërhyrje por edhe “shokuese”.

    “Ka aspekte pozitive, së pari ka shumëllojshmëri listash, duke përfshirë edhe në veri, kështu që ka shumë mundësi për votuesit, dhe votuesit që vijnë jashtë Kosovës, do të mund të votojnë lehtësisht si në zgjedhjet e mëparshme, pavarësisht thashethemeve. Do të isha më negative në lidhje me raportet për presionet që vijnë nga Serbia për të votuar për një listë të caktuar. Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, ishim dëshmitarë të ndërhyrjes nga dërguari i posaçëm i SHBA-ve, [Richard]Grenell, dhe kjo është e pafat, shokuese dhe jo diplomatike. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin [serb] Vuçiq, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, deklaron ajo.

    Ajo kritikon partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore.

    “Kishte një shumëllojshmëri listash, që natyrisht është e mirë, duke përfshirë shumicën e komunave dhe parti politike joshumicë. Tonaliteti i fushatës ndonjëherë ishte mjaft i ashpër. [Kishte] Më shumë kritikë të kundërshtarit sesa promovim të programit tënd. Ishte veçanërisht e ashpër për kandidatet gra, në takime, tubime dhe online. Për këtë më vjen shumë keq, sepse është një pengesë për gratë që të hyjnë në politikë, dhe nuk duhet të jetë kështu. Media bënë më të mirën për të intervistuar kandidatët nga parti të ndryshme politike, por siç e dimë të gjithë, partia në pushtet vendosi të mos marrë pjesë në disa debate ose të shkojë në disa intervista në disa media, dhe është një turp, sepse duhet të sigurojmë që votuesit të kenë një mundësi të informohen dhe të dëgjojnë gjithçka, dhe për partitë e vogla mbulimi mediatik nuk ishte i barabartë”, shprehet ajo në intervistën për KosovaPress.

    Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, ndër të tjera, thotë se personat me aftësi të kufizuara kanë pasur problem qasjen në disa qendra votimi.

    “Pamë që votuesit mund të votonin, megjithatë kishte probleme me qasjen në disa qendra votimi për votuesit me aftësi të kufizuara. Kishte shumë pasiguri për mënyrën se si të zbatohej ligji zgjedhor në lidhje me votimin me asistencë, sepse nëse shikoni ligjin, nëse kërkoni votim me asistencë, duhet të paraqisni një certifikatë, dhe nuk kam parë asnjë qendër votimi që të ketë kërkuar një certifikatë. Ndoshta kjo duhet të sqarohet. Por, atmosfera ishte shumë e qetë, dhe njerëzit ishin vërtet të interesuar që demokracia të jetë diçka e gjallë në Kosovë”, përfundon ajo.

    Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, për çka Loiseau konsideron se ishte proces paqësor.

    Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Të drejtë vote në Kosovë kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues, ndërkaq numri i qytetarëve që kanë votuar më 9 shkurt është mbi 799 mijë.

  • Këto janë gjobat e shqiptuara në trafik gjatë 24 orëve

    Këto janë gjobat e shqiptuara në trafik gjatë 24 orëve

    Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar dy mijë e 109 tiketa trafiku.

    Në raportin e policisë potencohet po ashtu se janë regjistruar 27 aksidente trafiku me dëme materiale, derisa aksidente trafiku me të lënduar 13 raste, transmeton KosovaPress.

    Gjithashtu në raport janë evidentuar edhe 17 të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 persona janë dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar dy mijë e 109 tiketa trafiku.

    Në raportin e policisë potencohet po ashtu se janë regjistruar 27 aksidente trafiku me dëme materiale, derisa aksidente trafiku me të lënduar 13 raste.

    Gjithashtu në raport janë evidentuar edhe 17 të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 persona janë dërguar në mbajtje.

  • ​Trump: Shpresojmë që Kina të na ndihmojë ta ndalim luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

    ​Trump: Shpresojmë që Kina të na ndihmojë ta ndalim luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

    Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet vitit të saj të katërt, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë që mendon se presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili është aleat i Vladimir Putin, mund të ndihmojë Amerikën për t’i dhënë fund konfliktit.

    “Shpresojmë që Kina të na ndihmojë ta ndalim luftën, veçanërisht mes Rusisë dhe Ukrainës… ata kanë shumë fuqi mbi atë situatë, dhe ne do të punojmë me ta”, tha Trump muajin e kaluar para elitave politike dhe biznesore të mbledhura në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

    Trump ka thënë se këtë shpresë e ka ndarë me Xi-në gjatë një telefonate disa ditë para inaugurimit të tij muajin e kaluar, raporton CNN News.

    Megjithëse Trump mund ta ketë vështirësuar bashkëpunimin me Xi-në duke vendosur një tarifë prej 10 për qind mbi importet kineze, lufta në Ukrainë mbetet një mundësi e rrallë për bashkëpunim, veçanërisht ndërsa Pekini kërkon të shmangë përshkallëzimin e tensioneve tregtare.

    “Nëse Trump e sheh bashkëpunimin e Kinës si kyç për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë, Kina mund të tundohet të luajë një rol të dobishëm,” tha Yun Sun nga Stimson Center, duke theksuar se Kina do të ketë kujdes për të mos dëmtuar aleancën me Rusinë.

    Kina është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetësuese e paqes, por Perëndimi e sheh atë më shumë si një mbështetëse të Putinit. Xi nuk rrezikon lehtë këtë partneritet, pasi është thelbësor për strategjinë e tij kundër Perëndimit dhe për të riformësuar rendin botëror në favor të Kinës.

    Në një tryezë negociatash, Xi do të ishte më shumë aleat i Putinit sesa i Trumpit, gjë që Uashingtoni duhet ta trajtojë me kujdes për të mos izoluar aleatët evropianë apo për të mos arritur një marrëveshje të papranueshme për Ukrainën.

    “Pekini nuk dëshiron një Rusi të dobët,” tha Chong Ja Ian nga Universiteti Kombëtar i Singaporit. “Sepse atëherë do të humbiste një partner të rëndësishëm”.

  • Kjo është Vaktia e Ramazanit 2025

    Kjo është Vaktia e Ramazanit 2025

    Bashkësia Islame e Kosovës ka publikuar vaktinë e Ramazanit për vitin 2025.

    Muaji i madhërishëm i Ramazanit do të fillojë me 1 mars, ditë e shtunë, ndërsa përfundon me 29 mars, po ashtu ditë e shtunë.

    Dita e parë e Fitër Bajramit do të jetë më 30 mars, ditë e diel.

    Ramazani është muaji më i zgjedhur dhe më i rëndësishmi për të gjithë myslimanët. Muaji në të cilin është urdhëruar agjërimi dhe në të cilin filloi zbritja e Kur’anit të madhërishëm.

    Është muaji i sakrificës dhe i përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, për ditë të bardha, të paqta. Është muaji i shenjtë që zbret engjëjt në Tokë për të përhapur mirësinë mes nesh.

    Muaji i Ramazanit është gjithashtu një mundësi për të parë “bazat dhe themelet” e praktikës shpirtërore. Mbi të gjitha, është kohë e solidaritetit dhe e ndarjes.

    Besimtarët gjatë këtij muaji abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe kënaqësitë trupore nga agimi deri në muzg, me shpresën se kjo do të çojë në devotshmëri më të madhe.

  • Liderët globalë diskutojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale, Osmani: Kosova duhet të përfshihet në këtë transformim

    Liderët globalë diskutojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale, Osmani: Kosova duhet të përfshihet në këtë transformim

    Kosova ka marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, ku liderë dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje dhe inovacione që do të transformojnë botën.

    Në këtë samit për inteligjencën artificiale, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

    “Kosova në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale. Liderë nga mbarë bota dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë
    botën, duke e vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja theksoi rëndësinë e këtij diskutimi, duke deklaruar se teknologjia po udhëheq një revolucioni global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të përfshihet në këtë transformim të madh.

    “Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të jetë pjesë e këtij transformimi”, u shpreh Osmani.

    Ajo theksoi se është e rëndësishme që vendet si Kosova të kontribuojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron ky zhvillim për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

  • Goditi me thikë dy të mitur javë më parë në Prishtinë – arrestohet i dyshuari

    Goditi me thikë dy të mitur javë më parë në Prishtinë – arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi që i njëjti më 5 shkurt të këtij viti kishte goditur me thikë dy të mitur.

    Arrestimi i tij ka ndodhur të martën nga policia.

    “Më 11.02.2025 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte goditur me thikë dy viktimat meshkuj kosovarë (të mitur) duke ju shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në raportin e policisë.

    I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • BE: Mezi presim formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet

    BE: Mezi presim formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet

    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se mezi pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i cilësoi si paqësore dhe konkurruese.

    Në një komunikatë të përbashkët më 11 shkurt, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim në BE, Marta Kos, thanë se do ta “vazhdojmë angazhimin tonë me autoritetet, me qëllim mbështetjen e Kosovës për t’u afruar më shumë me BE-në dhe për të përfituar plotësisht nga mundësi të rëndësishme si, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

    Pas numërimit të 99 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare – megjithëse, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.

    Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.

    Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Rreth 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë votuan më 9 shkurt në zgjedhje që misioni vëzhgues i bllokut i vlerësoi si pozitive dhe të qeta, por me disa të meta.

    BE-ja pret që Qeveria e re e Kosovës të angazhohet në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe t’i rrisë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike, si dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, thuhet në komunikatë.

    Partia e kryeministrit Kurti është përballur me kritika për përdorim të gjuhës negative dhe për bojkotimin e medias gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë nga vetë misioni vëzhgues i BE-së në Kosovë.

    Në fillim të janarit, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i bënë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

    Ajo kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

    BE-ja gjithashtu e përsëri se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë për Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj evropiane.

    “Prej Kosovës pritet t’i zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, pa vonesa të mëtejshme dhe pa parakushte. Nuk ka zgjidhje tjetër mos dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet tutje në komunikatë.

    Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por asnjëra prej tyre nuk ka bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj deri tani.

    Sipas komunikatës, Komisioni Evropian “mbetet i gatshëm ta përgatisë një opinion” rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, “sapo Këshilli ta kërkojë atë”.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, por vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat

    Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare, vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit./REL

  • Elon Musk mohon ‘marrjen armiqësore’ të qeverisë në debutimin e Shtëpisë së Bardhë

    Elon Musk mohon ‘marrjen armiqësore’ të qeverisë në debutimin e Shtëpisë së Bardhë

    Elon Musk mohoi të drejtonte një “marrje armiqësore” të qeverisë amerikane dhe mbrojti planet e tij për uljen e kostove ndërsa bëri një paraqitje të parë surprizë në Shtëpinë e Bardhë të martën.

    Njeriu më i pasur në botë mori pyetje nga gazetarët në Zyrën Ovale teksa qëndronte pranë Presidentit Donald Trump, i cili e ka ngarkuar atë të zvogëlojë madhësinë dhe shpenzimet e qeverisë federale.

    Trump më pas nënshkroi një urdhër që i jepte Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë së Musk (Doge) më shumë autoritet për të shkurtuar fuqinë punëtore federale. Ai udhëzoi krerët e agjencive qeveritare që të respektojnë Doge, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Agjencia është kritikuar nga demokratët të cilët e kanë akuzuar për mungesë transparence dhe përpjekjet e saj janë penguar gjithashtu nga sfidat ligjore.

    Por Musk, i cili u mor në pyetje nga gazetarët për herë të parë që kur Trump mori detyrën muajin e kaluar, i përshkroi shkurtimet gjithëpërfshirëse të qeverisë si masa “logjike të shëndoshë” që “nuk janë drakoniane apo radikale”.

    “Populli votoi për reformën e madhe të qeverisë dhe kjo është ajo që njerëzit do të marrin,” tha ai. “Kjo është ajo që ka të bëjë demokracia.”

    “Unë pres që të shqyrtohem plotësisht”, shtoi ai. “Nuk është se mendoj se mund të shpëtoj me diçka.”

    Sipërmarrësi miliarder i teknologjisë, i cili vetë u emërua dhe nuk u zgjodh, i përshkroi punonjësit federalë si një “degë të pazgjedhur, të katërt, antikushtetuese të qeverisë” që ai tha se ka “më shumë pushtet se çdo përfaqësues i zgjedhur”.

    Pronari 53-vjeçar i Tesla, X dhe SpaceX kishte veshur një kapele të zezë Make America Great Again dhe bëri shaka të herëpashershme me gazetarët që e pyesnin për kritikët e tij. Ai kishte djalin e tij të vogël, të quajtur X Æ A-Xii – ose shkurt X – në supet e tij për një pjesë të konferencës për shtyp.

    “Nuk është opsionale për ne të reduktojmë shpenzimet federale”, tha Musk. “Është thelbësore. Është thelbësore që Amerika të mbetet tretës si një vend.”

    Musk u pyet gjithashtu për një pretendim të rremë të kohëve të fundit se qeveria amerikane po dërgonte prezervativë me vlerë miliona dollarë në Gaza. “Disa nga gjërat që unë them do të jenë të pasakta dhe duhet të korrigjohen,” u përgjigj Musk.

  • ​Dita e finales/ Trepça apo Bashkimi, sonte mësohet fituesi i Kupës së Kosovës

    ​Dita e finales/ Trepça apo Bashkimi, sonte mësohet fituesi i Kupës së Kosovës

    Super finalja e ProCredit Kupës së Kosovës në basketboll ka vënë përballë Trepçën dhe Bashkimin.

    Përballja pritet të jetë me spektakël, duke marrë parasysh rivalitetin mes skuadrave, por edhe formën e treguar në këtë edicion.

    Ky trofe është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, që synimin e vetëm e kanë fitoren.

    Mitrovicasit kanë fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, duke përfshirë edhe tri herët e fundit. Bashkimi ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm, më 2001.

    Në pesë takimet e fundit direkte mes tyre, mitrovicasit kanë tri fitore derisa prizrenasit dy.

    Sa i përket garave në ProCredit Superligë, të dy skuadrat kanë nga 14 fitore e gjashtë humbje.

    Rruga drejt finales nuk ishte aspak e lehtë. Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Proton Cable Prizrenin, kurse në gjysmëfinale rivalin e vjetër, Sigal Prishtinën, ku edhe pse humbën ndeshjen e parë, u rikthyen në atë të dytë për të siguruar biletën për finale.

    Bashkimi në çerekfinale eliminoi Borën, derisa në gjysmëfinale Vëllaznimin. Në ndeshjen e parë pësuan nga kuqezinjtë, derisa në përballjen e dytë arritën rikthimin për të siguruar finalen.

    Ndeshja finale zhvillohet sonte nw Pallatin e Rinsiw në Prishtinë nga ora 19:00.

  • Publikohet logoja zyrtare shtetërore si dhe programi i manifestimeve në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Publikohet logoja zyrtare shtetërore si dhe programi i manifestimeve në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kosova me 17 shkurt, feston 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Më këtë rast Qeveria e ka publikuar logon zyrtare të kësaj date dhe programin për shënimin e Pavarësisë.

    “Logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 17-të vjetorit të Pavarësisë dhe programi i plotë i manifestimeve shtetërore”, thuhet në njoftimin qeveritar.