ATV

Category: Lajme

  • ​OVL UÇK bojkoton organizimet nga qeveria aktuale për pavarësi dhe Epopenë

    ​OVL UÇK bojkoton organizimet nga qeveria aktuale për pavarësi dhe Epopenë

    Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së ka vendosur sot të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.

    Në një deklaratë për media pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së OVL të UÇK-së thuhet se deri te ky vendim ka ardhur për shkak se Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për bashkëpunim me OVL UÇK, duke i përjashtuar nga çfarëdo forme e financimit dhe mbështetjes ligjore dhe institucionale, por vetëm duke ofenduar, përjashtuar, linçuar dhe persekutuar nga çdo e drejtë ligjore.

    “Duke e parë të arsyeshme që kjo Qeveri ka qenë një nga qeveritë që ka shkelur çdo të drejtë tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike, në mënyrë të organizuar nga Kryesia e OVL UÇK-së dhe degët tona t’i festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së OVL UÇK-së.

  • ​Në prag të 17 shkurtit, FSK-ja priti nxënës, mësues e edukatorë

    ​Në prag të 17 shkurtit, FSK-ja priti nxënës, mësues e edukatorë

    Nxënës, mësues dhe edukatorë kanë vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës në prag të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    FSK ka bërë me dije se nxënësit dhe stafi i shkollave kanë pasur mundësinë të njihen nga afër me detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Ata patën mundësinë të shohin pajisjet dhe automjetet ushtarake të FSK-së, si dhe kanë mësuar për historinë dhe traditat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vizita është organizuar në kuadër të aktivitetit për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pjesëmarrësit kanë shprehur mirënjohje për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur vendin dhe për të ruajtur sigurinë dhe paqen”, thuhet në njoftim.

    Ky aktivitet sipas FSK-së është një shembull i bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve arsimore dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, me qëllim të edukimit të nxënësve për rëndësinë e sigurisë dhe paqes në shoqëri.

  • ​Ky është numri i zarfeve të anuluara me fletëvotime nga diaspora

    ​Ky është numri i zarfeve të anuluara me fletëvotime nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora, për shkak siç u tha parregullsive të shfaqura.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, tha se zarfet janë anuluar për shkak se në disa prej tyre ishin vetëm regjistrimi për votim dhe jo fletëvotimi, përcjell KP.

    Në anën tjetër, ai tha se numërimi i votave për kandidatë për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka nisur në 18 komuna, ndërkaq në tetë të tjera do të nisë sot.

    Sipas tij, vonesat në komunat e tjera po ndodhin për shkak të problemeve teknike. Mirëpo, anëtarët e KQZ-së kërkuan nga Sekretariati që të kenë një plan B nëse bie sistemi dhe të fillojë numërimi manual.

  • Kallas: Do të përpiqemi ta bëjmë funksional dialogun Kosovë-Serbi

    Kallas: Do të përpiqemi ta bëjmë funksional dialogun Kosovë-Serbi

    Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë të enjten se është duke dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo paralajmëroi se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

    “Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë”, tha Kallas në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve.

    “Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kallas.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

    Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

    Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

    Pasardhësi i tij, Peter Sorensen nga Danimarka, e nisi zyrtarisht punën më 1 shkurt.

    Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit.

    Kallas tha se po pret derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.

    Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

    Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

    Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

    Kallas e përsëriti të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është e nevojshme për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara.

    “Nëse ato mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, tha ajo.

  • Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih – çka pritet të ndodhë?

    Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih – çka pritet të ndodhë?

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.

    Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.

    Ndryshe, këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë do të mblidhen në hotelin Bayerischer Hof për Konferencën treditore të Sigurisë në Munih.

    Dhe përderisa do të ketë bollëk deklaratash zyrtare dhe diskutimesh në nivele të larta, ato që cilësohen si bisedimet më të rëndësishme – për të ardhmen e Ukrainës – do të zhvillohen në prapaskenë.

    Shumë nga diskutimet e ditëve të fundit lidhur me konferencën janë përqendruar tek ajo se a do ta paraqesë një plan paqeje të shumëpritur i dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.

    Kellogg i tha agjencisë AP se Shtëpia e Bardhë po merret me detajet e çdo negociate të mundshme.

    “Kur të kthehemi nga Munihu, duam t’ia dorëzojmë presidentit opsionet, në mënyrë që kur ai të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes, ta dijë se si do të duket kjo gjë për të”, tha Kellogg.

    Përtej Ukrainës, shumë liderë në Munih do ta kenë vëmendjen e tyre në Gazë, pasi afati për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi përfundon në mesditën e 15 shkurtit – pikërisht në mes të konferencës.

    Trumpi ka paralajmëruar më parë se “të gjitha opsionet janë të hapura dhe le të shpërthejë ferri” nëse ato nuk lirohen.

  • Hamasi thotë se do të lirojë më shumë pengje siç ishte planifikuar

    Hamasi thotë se do të lirojë më shumë pengje siç ishte planifikuar

    Hamasi tha të enjten se do të lironte grupin e ardhshëm të pengjeve izraelitë siç ishte planifikuar, duke hapur rrugën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe që kërcënonte armëpushimin në Rripin e Gazës.

    Grupi militant tha se ndërmjetësit egjiptianë dhe tw Katarit kanë pohuar se do të punojnë për të “hequr të gjitha pengesat” dhe se do të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit.

    Deklarata tregonte se tre pengje të tjerë izraelitë do të liroheshin të shtunën. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli mbi njoftimin e Hamasit, raporton Associated Press.

    Lëvizja e Hamasit duhet të lejojë që armëpushimi në Rripin e Gazës të vazhdojë për momentin, por e ardhmja e tij mbetet në dyshim.

    Hamasi kishte kërcënuar se do të vononte lirimin e radhës të pengjeve izraelitë, duke e akuzuar Izraelin për dështimin e përmbushjes së detyrimeve të tij për të lejuar hyrjen në tenda dhe strehimore, mes shkeljeve të tjera të supozuara të armëpushimit. Izraeli, me mbështetjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte kërcënuar se do të rinovonte ofensivën nëse pengjet nuk liroheshin.

  • Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Kobra City”

    Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Kobra City”

    Në seancën gjyqësore ndaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren janë dëgjuar dy dëshmitarë, Liridon Ajazi dhe Brendon Kurtaj.

    Liridon Ajazi gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha se asgjë nuk i kujtohet sepse ka qenë shumë i dehur, por ai tha se të akuzuarit i njeh sepse janë të një fshati.

    Prokurorja e rastit Merita Bina Rugova e ballafaqoi me disa pjesë të deklaratës së tij dhënë në Polici dëshmitarin Liridon Ajazi, raporton KP.

    Ajo tutje e pyeti dëshmitarin se a ka dëgjuar të shtëna, ndërsa, dëshmitari Ajazi tha se ka dëgjuar krisma por “nuk e di sa”.

    Sipas tij, në natën e 3 janarit 2023 ka ndodhur një tollovi në lokal dhe ai ka shkuar në afërsi të banjos.

    I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj se kur e ka parë klientin e tij atë natë, dëshmitari Latifi tha se në lokal Dibran Hoxhën e ka parë në momentin kur ka arritur Policia.

    Se ndodhej në lokalin “Kobra City” në natën kritike deklaroi edhe dëshmitari tjetër, Brendon Kurtaj.

    Edhe ai tha se ka qenë në lokal dhe ka qenë po ashtu shumë i dehur.

    Gjatë seancës, trupi gjykues dha njoftimin se Policia nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për Hasime Idrizin dhe nuk e kanë gjetur në adresën e dhënë, madje u tha se nuk e njohin as banorët e rrethinës.

    Derisa prokurorja Merita Rugova kërkoi të lexohet deklarata e kësaj dëshmitareje me këtë kërkesë u pajtua edhe mbrojtja e palës së dëmtuar.

    Ndërsa, avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj kërkoi që fillimisht të bëhen më shumë përpjekje të sigurohet dëshmitarja.

    Më pas trupi gjykues mori vendim që të mos të lexohet në seancën e sotme dëshmia e dëshmitares Hasime Idrizi dhe se “do të urdhërojë verifikim të adresës”.

    Data e radhës për seanca u caktuan më 2 dhe 4 prill, si dhe 15 prill nga ora 09:30.

  • Shefi i zyrës së BE-së shkon në QKN, vëzhgon nga afër procesin e numërimit

    Shefi i zyrës së BE-së shkon në QKN, vëzhgon nga afër procesin e numërimit

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, konkretisht sallën “1 Tetori”, për të parë nga afër procesin e numërimit të votave.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë Orav nëpërmjet një postimi në “X” ku ka postuar fotografi nga kjo qendër.

    “Sot kam vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku është duke vazhduar procesi i numërimit”, ka shkruar shefi i BE-së në Kosovë.

  • Makina përplas turmën e njerëzve në Mynih të Gjermanisë, raportohet për disa të plagosur

    Makina përplas turmën e njerëzve në Mynih të Gjermanisë, raportohet për disa të plagosur

    Një makinë ka përplasur një turmë  njerëzish në Mynih të Gjermanisë, duke lënë të plagosur shumë persona.

    Mediat atje raportojnë se të paktën 15 persona kanë mbetur të plagosur.

    Një zëdhënës i policisë lokale tha: “Aktualisht është një operacion i madh policor në zonën e Dachauer Straße. Jemi në vend.”

    Incidenti ndodhi në një tubim të organizuar nga sindikata gjermane Verdi.

    Detaje të tjera nuk dihen ende. Sipas një dëshmitari okular makina është përplasur qëllimisht në grupin e njerëzve.

  • Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

    Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi tha se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra ose u konsultu me Shtabin e Përgjithshëm me njerëzit që i ka njohur”, tha fillimisht dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sylejman Selimi shpjegoi se Adem Jashari ka pasur lidhje me Shtabin e Përgjithshëm e po ashtu edhe me persona të tjerë nëpër vende të ndryshme.

    “Ai vazhdimisht e ka pas lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Ademi ka qenë figura kryesore e ushtrisë…Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat”, tha dëshmitari.

    Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje, dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    “Çdo gjë që është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

    Si rrjedhojë, dëshmitari deklaroi se ai e ka shpjegua se si ka shkua procesi, por sipas tij Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

    “Unë e kam spjegu si ka shku, por Adem Jashari ka qenë kryesor, organizimin nëpër…”, tha dëshmitari para se t’iu ndërpritet fjala nga gjyqtari.

    “Jo jo, dëshmitar nuk po iu pyes këtë. Ju e dëgjua vetë tani se kur thatë se kush i jepte urdhra kujt”, tha gjyqtari Mettraux.

    Megjithatë, dëshmitari insistoi në qëndrimin e tij se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

    “Unë çdo herë mund të them që kryesor në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam spjegu se si unë kam mëndu dhe si u organizu Shtabi i Përgjithshëm nga mendimi jem, por duke e ditë që unë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm unë i kam jep ato mendimet e mija”, tha dëshmitari.

    Sylejman Selimi tha se pa Adem Jasharin nuk do të kishte UÇK.

    Nuk besoj që kam thanë që Adem Jashari ka marrë urdhra. Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant  kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK.

    Gjatë kohës sa ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së, dëshmitari mohoi se i ka raportuar dikujt. Ndërsa tha se nuk ka pasur personel në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Kurrfarë personeli s’ka pas në sh të p kur kam shku. Kanë qenë këta individ por kur jam kthy kam qenë me njerëzit e mi prapë”, tha ai.

    Ndërsa, kur u pyet se a u takua me ndonjërin prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa ka qenë komandant, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

    “Përveç se me Bislim Zyrapin nuk e di që kam pasur kontakte”, tha ai.

    “Sa me kujtohet s’kam pas kontakte”, tha dëshmitari kur u pyet se a ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin e sektorit të Policisë ushtarake, ose me atë të Zbulim-kundërzbulimit.

    Ai mohoi se i kujtohet që ka lëshuar ndonjë komunikatë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

    Gjithashtu ai u përgjigj me ‘e saktë’ që nuk i ka raportuar asnjëherë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës sa ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

    Sylejman Selimit thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 121 i ZPS-së, Sylejman Selimi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ngjashëm si ditëve tjera të dëshmisë së tij, dëshmitari përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux dëshmitari tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit por që ai ka komunikuar me personat rreth tij dhe me grupe të ndryshëm të UÇK-së.

    “Kontaktet direkte të tij nuk i di më kë i ka pas por ka pasur me shumë njerëz dhe shumë grupe se ka qenë i pari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

    Serish dëshmitari u pyet se a ka pasur dijeni që përpara luftës Adem Jashari ka pasur kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

    “Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë.

    Dëshmitari pohoi se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin përpara periudhës së luftës.

    Kryegjyqtari njoftoi se të hënën me 17 shkurt do të jetë pushim. Veç kësaj, ai njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/