ATV

Category: Lajme

  • Parregullsitë në një konkurs, paditet Ministria e Financave

    Parregullsitë në një konkurs, paditet Ministria e Financave

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka paditur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për konkursin për Sekretar të Përgjithshëm. Padia është dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku nga GLPS thonë se kjo ministri ka zhvilluar procedurat e rekrutimit pa respektuar obligimin ligjor që fazat e rekrutimit te monitorohen nga shoqëria civile

    Liridon Salihi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike tha se këtë rast paraprakisht kanë e dërguar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

    “Qeveria vetëm se ka proceduar me emërimin e personit në këtë pozitë të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe duke i marrë parasysh të gjitha faktet e rastit, qendra me autorizimin e të gjitha organizatave të shoqërisë civile që përbëjnë Iniciativën CorrËatch, sot ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, ku i ka kërkuar kësaj gjykate që të deklarojë të drejtën që i garantohet shoqërisë civile përmes Ligjit për Zyrtarët Publik, me nenin 48, paragrafi 7, e cila dispozitë i jep të drejtë shoqërisë civile që t’i monitorojë të gjitha proceset rekrutuese për pozitat e larta drejtuese”, deklaroi ai.

    Në konferencë për media, Salihi tha se kanë kërkuar nga kjo gjykatë që ta obligojë Ministrinë e Financave dhe të gjitha institucionet publike që në rastet kur hapin konkurse të tilla të monitorohen nga shoqëria civile.

    “Nga provat qe përmban kjo padi, konstatohet se Ministria e Financave ka zhvilluar fazat e procedurës së rekrutimit për kategorinë e lartë drejtuese “sekretari i përgjithshëm” pa respektuar obligimin ligjor që fazat e rekrutimit te monitorohen nga shoqëria civile. Pra, në vend se Ministria e Financave të ishte shembull që përmes rolit aktiv të saj t’i ftonte organizatat e shoqërisë civile në monitorim të fazave të këtij procesi, me qëllim të rritjes së transparencës dhe respektimit të obligimit ligjor që rrjedh nga Ligji për Zyrtarët Publik, ky institucion zgjodhi heshtjen në tri kërkesat e vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të Iniciativës CorrËatch”, tha ai.

    Sipas tij, ky rast tregon se si institucionet e administratës publike në procedurat rekrutuese nuk i zbatojnë në përpikëri rregullat dhe parimet e legjislacionit për shërbimin civil që është i aplikueshëm në Kosovë.

    Ndërkaq, Laura Nushi nga Iniciativa CorrWatch tregoi për parregullsitë që e kanë karakterizuar këtë proces rekrutues.

    “Ministria e Financave më datë 6 gusht 2024 ka shpallur konkursin për pozitën e lartë drejtuese “sekretar i përgjithshëm”. Sipas shpalljes, konkursi ka qenë i hapur nga data 7 gusht 2024 deri më 5 shtator 2024. Bazuar në dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publik që i japin të drejtë shoqërisë civile që të monitoroj proceset rekrutuese të kësaj natyre, Iniciativa CorrËatch kishte parashtruar kërkesë për monitorim me 13 gusht e 9 shtator 2024. Këto kërkesa ishin injoruar totalisht nga ministria e cila më 11 shtator 2024, kishte publikuar listën e kandidatëve që e kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Iniciativës CorrWatch edhe më 13 shtator 2024, kishin dërguar kërkesë për qasje në dosjen e kandidatëve dhe për monitorimin e fazave të tjera, e cila kërkesë po ashtu nuk u mor parasysh asnjëherë”, ka treguar ajo. /kp

  • Haradinaj takon të dërguarën e ShBA-së në Prishtinë, flasin për procesin zgjedhor dhe anëtarësimin në NATO

    Haradinaj takon të dërguarën e ShBA-së në Prishtinë, flasin për procesin zgjedhor dhe anëtarësimin në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

    Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se në takimin me Prattipatin ka theksuar qëndrimin e tyre të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit Aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit.

    Tutje, ai tha se me Prattipatin diskutuan edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Kosovë-SHBA.

     

  • ​Presidenti i El Salvadorit uron 17 vjetorin e pavarësisë

    ​Presidenti i El Salvadorit uron 17 vjetorin e pavarësisë

    Një mesazh urimi për Pavarësinë e Kosovës drejt presidentet Vjosa Osmani dhe qytetarëve, erdhi edhe nga El Salvadori.

    Presidenti I El Salvadorit, Nayib Bukele, me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka shprehur urimet më të sinqerta për Osmanin dhe për qytetarët e vendit tonë, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të forcës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës ndaj historisë dhe identitetit të tyre.

    Duke përgëzuar përparimin që ka arritur Kosova, Presidenti Bukele ka ripotencuar vullnetin e El Salvadorit për t`i forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

    Në fund të mesazhit, presidenti Bukele ka përcjellë urimet më të mira për mirëqenie, prosperitet dhe sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo festë duhet të jetë një burim gëzimi dhe një angazhim ndaj idealeve që kanë formësuar shtetin e Kosovës.

  • Krasniqi takon ambasadorin e BE-së në Kosovë: PDK-ja mbetet e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën

    Krasniqi takon ambasadorin e BE-së në Kosovë: PDK-ja mbetet e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.

    Krasniqi është shprehur se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës.

    “Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet. PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, ka njoftuar lideri i PDK-së në Facebook.

     

  • Rusia raportohet të ketë liruar një amerikan të burgosur

    Rusia raportohet të ketë liruar një amerikan të burgosur

    Në prag të nisjes së bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite, Moska e ka liruar amerikanin Kalob Wayne Byers, i cili ka qenë në mbajtje prej 7 shkurtit, me akuza për posedim droge, sipas raportimeve të mediave amerikane dhe ruse.

    Lajmi vjen pas një serie këmbimesh të të burgosurve mes dy vendeve në javët e fundit.

    Vendimi i fundit duket se është një tjetër hap drejt uljes së tensioneve mes SHBA-së dhe Rusisë, para nisjes së bisedimeve në Riad të Arabisë Saudite, teksa Uashingtoni rrit përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    E përditshmja amerikane The New York Times e ka cituar një zyrtar të Kremlinit të ketë thënë se bisedimet e së martës synojnë t’i përmirësojnë marrëdhëniet bilaterale.

    Agjencia e lajmeve Associated Press i ka cituar përfaqësuesit e Byersit të kenë thënë se burri është në Ambasadën amerikane dhe po pret fluturimin për t’u kthyer në shtëpi.

    Sipas raportimeve, bëhet fjalë vetëm për lirim dhe jo këmbim të të burgosurve.

    Një gjykatë ruse pati marrë vendim që Byers, 28-vjeçar, të mbahet në paraburgim pas arrestimit në aeroportin e Moskës nën akuzat për kontrabandim droge, meqë doganierët dyshohet se i kanë gjetur në valixhe një lloj reçeli të përzier me kanabis.

    Një postimin e një gjykate në Telegram ishte thënë se ai përballet me dënim prej shtatë vjetësh burgim.

    Arrestimi i tij është kryer vetëm disa ditë pas këmbimit të të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë, akt të cilin Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar si hap drejt zbutjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hap drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë.

    Shtetet e Bashkuara dhe qeveri tjera perëndimore e kanë akuzuar Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin për arrestim të qytetarëve të shteteve perëndimore mbi akuza të fabrikuara apo të ekzagjeruara, dhe se i mban si “pengje” që të mund t’i tregtojë më pas me Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera./REL/

  • Presidentja sllovene uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja sllovene uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e saj, Presidentja Pirc Musar ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

    Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare.

  • ​Gjatë vitit 2024 në QKUK u trajtuan mbi 240 raste me tuberkulozë

    ​Gjatë vitit 2024 në QKUK u trajtuan mbi 240 raste me tuberkulozë

    Pesë raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 241 pacientë kërkuan shërim për këtë sëmundje vitin që lamë pas, duke shënuar rritje të të prekurve krahasuar me vitin 2023. Ani pse nuk ka statistika zyrtare, nga Klinika e Pulmologjisë në QKUK thonë se rreth 600 pacientë në tërë Kosovën janë regjistruar me tuberkulozë.

    Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KosovaPress thotë se shkalla e të infektuarve është rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë në vendin tonë.

    “Gjatë vitit 2024 në klinikën tonë janë diagnostikuar dhe trajtuar rreth 241 raste. Nga ato tuberkulozë pulmonare kanë qenë 206 raste. Kurse tuberkulozë latente 11 dhe recidivë kanë qenë 9. Kurse, tuberkulozë ekstrapulmonare ka pasur 35. Gjatë vitit 2023 tek ne që janë diagnostikuar dhe trajtuar kanë qenë rreth 208 raste… Në nivel vendi ende nuk janë të dhënat zyrtare. Mirëpo, ne në bazë një llogaritje që e kemi bërë shihet se numri i rasteve të reja sillet diku rreth 600, ashtu sikurse vitin e kaluar. Me një incidencë dikur rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë…”, thotë Hoxha.

    Hoxha thotë se, krahasuar me vendet fqinje, shpeshtësia e rasteve me tuberkulozë është shumë më e lartë në Kosovë.

    Ai thekson se për dallim nga vitet e më hershme, tuberkuloza po “stacionohet” më shpesh tek moshat e mesme dhe të shtyra.

    “Duke parë edhe indikatorët epidemiologjik siç kemi pasur më herët raste shumë më shumë raste adoleshente dhe tuberkuloze ekstensive, pra tuberkulozë me forma të rënda, siç i kemi pasur edhe meningjitet tuberkulare te fëmijët. Gjithmonë ai numër është zvogëluar dhe tuberkuloza po shkon duke u spostuar nga moshat e mesme dhe të vjetra. shteti ynë ende e ka incidencën e lartë të tuberkulozës. Në krahasim me vendet fqinj jemi me inicidencë shumë më të lartë”, thekson Hoxha.

    Përveç këtyre, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha tregon se numri i kërkesave për hospitalizim është më i madh sesa kapacitet që ka kjo klinikë.

    “Gjatë muajve të dimrit dihet se klinika jonë ka gjithsej 66 shtretër dhe ata shtretër që i kemi, i kemi gjithmonë të mbingarkuar. Gjatë muajve të dimrit gjithmonë nevojat thuajse janë më të mëdha dhe kërkesat më të mëdha për hospitalizim sesa që ne kemi kapacitete”, tregon Hoxha.

    Ndër të tjera, pulmologu Hoxha thekson nevojën për rritjen e numrit të infermierëve.

    “Sa i përket stafit të mesëm infermierë, edhe pse gjatë vitit 2024 kemi punësuar diku rreth 6 infermierë, por pasi që dy kanë dalur në pension atëherë gjithmonë kemi nevojë për staf të mesëm më tepër”, thotë Hoxha.

    Sa i përket barnave esenciale, Hoxha shprehet se janë mirë të furnizuar.

    “Sa i përket antituberkularëve qysh pas luftës gjithmonë janë siguruar përmes Fondit Global dhe gjithmonë kemi pasur barna për mjekimin e tuberkulozit. Kurse, edhe sa i përket listës esenciale ne qëndrojmë mirë me furnizim me barna dhe material në përgjithësi”, tregon Hoxha.

    Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.

  • ​Policia me apel për pjesëmarrësit në komunikacion

    ​Policia me apel për pjesëmarrësit në komunikacion

    Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё apelon te tё gjithё pjesëmarrësit nё komunikacion, tё kenë kujdes tё shtuar gjatё lëvizjeve me automjetet e tyre, pasi qё jemi nё sezonin dimëror dhe ёshtё duke mbretëruar mot i ftohtё dhe nё rrugё ka ngrica.

    Sipas Policisë, kjo gjendje do tё vazhdojë edhe ditёt në vijim, andaj pёr tё parandaluar aksidentet në komunikacion, apelojnë te tё gjithë pjesëmarrësit ne komunikacion t’i përshtaten kushteve të rrugëve dhe shenjave tё trafikut.

    “Ndaj tё gjithё vozitёsve tё cilёt nuk posedojnë pajisjet dimërore tё caktuara me ligj, Policia do tё merr masa pёr kundёrvajtёsit konform ligjit”, thuhet në apel.

  • Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën, pasi filloi seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), megjithatë ajo shkoi në pushim për arsye se ish-Presidenti, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm.

    Si rrjedhojë, Luka Mishetiq- avokat i tij tha se ai është i njoftuar nga sekretarja se Thaçi nuk do të vijë dhe se nuk di asgjë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se i është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe se duhej të takohej me një mjek, por që as ai nuk ishte në dijeni që ai nuk do të merrte pjesë.

    “I vetmi komunikim, që nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhej të takohej me një mjek”, tha ai.

    Pas kësaj, Mishetiqit iu kërkua që të komunikojë me Thaçin për të kuptuar nëse do të bashkohet apo do të japë leje që seanca të vazhdojë pa praninë e tij.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit, Rexhep Selimi u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Kransniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Prej sot ndryshon forma e testimit për patentë-shoferë, Ministria e Infrastrukturës thotë se e lehtëson punën e kandidatëve

    Prej sot ndryshon forma e testimit për patentë-shoferë, Ministria e Infrastrukturës thotë se e lehtëson punën e kandidatëve

    Testi me shkrim për patentë-shoferë mbetet një nga “fobitë” e kandidatëve që duan të pajisen me leje për vozitje në Kosovë, kjo pasi për shkak të pyetjeve shpesh jo të formuluara mirë e shpesh me opsione shumë të ngjashme me njëra tjetrën e që në disa raste iu duhet të zgjedhin edhe më shumë se një përgjigje të saktë.

    Për ta lehtësuar këtë, Ministria e Infrastrukturës ka ndërmarrë procesin e ndryshimit të testimit duke duke ndryshuar formën e pyetjeve.

    Kjo Ministri në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se kjo formë e testimit do të hyj në fuqi nga data 18 shkurt, saktësisht sot.

    “Është në proces të ndryshimit mënyra e testimit e cila krijon lehtësira për testimin e kandidatëve për të gjitha kategoritë rrit efikasitetin, cilësinë e vlerësimit të njohurive të kandidatëve dhe saktësinë në vlerësim të kandidatëve. Sipas planifikimeve kjo formë e testimit do të fillojmë me 18.02.2025”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Sipas tyre, përveç ndryshimit të pyetjeve do të hyj në fuqi edhe doracaku zyrtar për të gjitha kategoritë.

    Nëse ky ndryshim është bërë për të rritur kalueshmërinë, Ministria e Infrastrukturës e ka mohuar pasi sipas tyre është bërë vetëm për të krijuar lehtësira për testimin e kandidatëve.

    Ndërsa vetëm gjatë vitit 2024, mbi 83 mijë persona janë pajisur me patentë-shoferë në Kosovë.

    Që nga data 1 janar 2024 e deri më 30 nëntor janë testuar në provimin teorik 94 mijë e 819 kandidatë, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56 mijë e 358 kandidatë.

    “Sa i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Departamenti për patentë-shofer është kompetente për testimin e kandidatëve për patentë-shofer të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik ku gjatë vitit 2024 nga 01. Janar 2024 deri më 30 nëntor 2024 janë testuar nga provimi teorik 94 819 kandidat, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56358 kandidat (gjithmonë duke u mbështetur në raportet e e-testimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Patentë-shoferëve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës.

    Testimi i këtyre kandidatëve, sipas Ministrisë është lehtësuar edhe pas digjitalizimit apo e-testimit, shkruan lajmi.net.

    Patentë-shoferët apo lejet për vozitje janë të detyrueshme për qytetarët në Kosovë, pasi që edhe veturat janë pothuajse opsioni kryesor i qarkullimit të tyre për punë apo çfarëdo nevoje tjetër.

    Në Kosovë mungesa e metrove, mos-përdorimi i biçikletave si dhe kaosi që shkaktohet zakonisht brenda autobusëve ua pamundëson thuajse lëvizjen me ndonjë mjet tjetër transporti, përpos automjeteve.