ATV

Category: Lajme

  • ​Vrasje në tentativë në Ferizaj, i mituri tenton të ikë por kapet nga viktimat

    ​Vrasje në tentativë në Ferizaj, i mituri tenton të ikë por kapet nga viktimat

    Është arrestuar një person i dyshuar i mitur, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë.

    Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës, duke shtuar se gjatë ikjes, i dyshuari është kapur nga viktimat dhe është rrahur.

    “Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit, me një karikator me një fishek dhe katër gëzhoja. Pas pranimit të tretmanit mjekësor, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, rasti po hetohet

    Një person është gjetur pa shenja jetë në Pejë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 11:40, në Pejë.

    Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • ​Qëllimshëm me veturën e tij goditi veturën gruas, arrestohet i dyshuari

    ​Qëllimshëm me veturën e tij goditi veturën gruas, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se qëllimshëm me veturën e tij e kishte goditur veturën e viktimës femër kosovare në Ferizaj.

    “Përveç dëmeve materiale në dy veturat, lëndime kanë pësuar viktima dhe i dyshuari dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa viktima është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • “Ishte kaos, dëgjuam një përplasje dhe…”, pasagjerët rrëfejnë tmerrin pas incidentit me avion

    “Ishte kaos, dëgjuam një përplasje dhe…”, pasagjerët rrëfejnë tmerrin pas incidentit me avion

    Një avion i kompanisë Delta, me 80 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos të hënën pasdite, mes erërave të forta dhe reshjeve të dëborës.

    Menjëherë pas përplasjes, ekipet e zjarrfikësve u vunë në lëvizje për të shuar flakët që shpërthyen rreth avionit të rrëzuar.

    Pavarësisht skenës dramatike, të gjithë personat në bord mbijetuan.

    Megjithatë, mbetet e paqartë sesi avioni përfundoi përmbys në pistë, me pjesën e poshtme të mbuluar me blozë dhe njërin nga krahët e dëmtuar rëndë. Brenda kabinës, pasagjerët e lidhur me rripat e sigurisë mbetën të varur nga ndenjëset e tyre.

    Sipas njoftimit të kompanisë Delta, nuk ka viktima nga aksidenti. Shefi i Zjarrfikësve të Aeroportit të Torontos, Todd Aitken, konfirmoi se 18 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, përfshirë një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të mirë. Ndërkohë, Shërbimi i Ambulancës në rajonin e Peel raportoi një numër më të ulët të të lënduarve, duke përmendur 15 persona.

    Avioni, i identifikuar si fluturimi 4819 i Delta Airlines, ishte nisur nga Minneapolis dhe po afrohej në Toronto rreth orës 14:00 me orën lokale. Në atë moment, erërat e forta arrinin deri në 61 km/h, ndërsa pista ishte pastruar nga rreth 20 centimetra dëborë të rënë gjatë fundjavës.

    Vetëm pak çaste para uljes, kontrollorët e trafikut ajror paralajmëruan pilotët për erërat e fuqishme, por brenda dy minutave avioni u përmbys. Një zjarr i madh shpërtheu teksa aeroplani u rrotullua dhe u përplas me pistën, duke krijuar një top flake. Disa pasagjerë përjetuan momente paniku ndërsa mbetën të varur me kokë poshtë nga ndenjëset e tyre.

    “Ishte një kaos i vërtetë,” tregoi një nga pasagjerët, Peter Koukov. “Kur e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, ishim të gjithë përmbys. Disa pasagjerë arritën të zhbllokonin rripat e sigurisë dhe të qëndronin në këmbë mbi tavanin e kabinës.”

    Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të organizonte evakuimin, duke ndihmuar pasagjerët të dilnin nga daljet e emergjencës. Pamjet filmike tregojnë njerëz që hidhen nga dera e avionit në tokën e mbuluar me dëborë, ndërsa zjarrfikësit vazhduan të hidhnin shkumë për të shuar flakët.

    Ky aksident ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore, veçanërisht pasi është incidenti i katërt i madh ajror në Amerikën e Veriut brenda një muaji. Aeroporti Pearson, më i madhi në Kanada, u detyrua të pezullojë të gjitha fluturimet për disa orë, duke shkaktuar qindra anulime dhe vonesa.

    Zyrtarët kanadezë dhe amerikanë tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Endeavor Air, një kompani rajonale që operon për Delta, konfirmoi se po bashkëpunon me autoritetet për të zbardhur ngjarjen, raporton euronews.

    Ky ishte aksidenti më i rëndë në aeroportin e Torontos që nga viti 2005, kur një avion i Air France doli nga pista dhe u përfshi nga flakët, por fatmirësisht të gjithë pasagjerët mbijetuan.

  • Nis takimi ShBA – Rusi në Arabinë Saudite

    Nis takimi ShBA – Rusi në Arabinë Saudite

    Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.

    Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë, raporton REL.

    Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

    Pala amerikane përbëhet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësojnë Rusinë.

    Takimi i 18 shkurtit në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

    “Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.

  • Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Konferenca ndërkombëtare “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike” do tw mbahet sot në Universitetin amerikan të njohur për studime ndërkombëtare dhe diplomatike Elliott School of International Affairs.

    Kjo konferencë synon të sjellë një debat të thelluar mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës, rolin e diplomacisë publike dhe ndikimin e saj në të ardhmen e vendit.

    Kjo konferencë organizohet nga Jeta Abazi Gashi (Universiteti i Prishtinës) në bashkëpunim me profesor Babak Bahador dhe mbështetet nga Instituti për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike Elliott School, dhe mbledh ekspertë të njohur nga fusha e politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, mediave dhe artit.

    Në panelin e parë Marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe Diplomacia Publike marrin pjesë Elez Biberaj, ish-drejtor i Divizionit të Eurazisë të Zërit të Amerikës, Pëllumb Kelmendi, profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin Auburn, Drilona Emrullahu, ekonomiste, Banka Botërore. Aty do të shqyrtohen marrëdhëniet 25-vjeçare mes SHBA-së dhe Kosovës.

    Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA, Charles Kupchan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Universiteti Georgetown dhe Jeta Abazi-Gashi, hulumtuese dhe bursiste e Fulbright, Universiteti George Washington (nga Universiteti i Prishtinës) janë pjesë e panelit të dytë E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike, e cila shqyrton trajektoren e marrëdhënies në një botë gjithnjë e më shumëpolare.

    Paneli i tretë Ndërtimi i Paqes (Art, Media dhe Politikë) shqyrton perspektivat për paqen dhe stabilitetin afatgjatë për Kosovën. Pjesëmarrës të panelit janë Sislej Xhafa, artist kosovar nga Nju Jorku, Elizabeth Hume, drejtoreshë ekzekutive në Aleancën për Ndërtimin e Paqes, Gëzim Visoka, profesor i asociuar, Universiteti i Qytetit të Dublinit (DCU).

  • Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Në kuadër të ceremonive për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani do të zhvillojë sot një ceremoni në orën 12:00.

    Gjatë këtij eventi, ajo do të ndajë Dekorata Presidenciale për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në forcimin dhe avancimin e Kosovës.

    Ceremonia do të mbahet në Sallën e Filarmonisë, e cila ndodhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

  • Vazhdon sot gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon sot gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Dëshmitari i fundit ishte Sylejman Selimi.

    Prokuroria e Specializuar e Hagës pritet t’i përfundojë dëshmitarët e saj në muajin prill.

  • Temperaturat sot shënojnë nga -7 deri në 2 gradë Celsius

    Temperaturat sot shënojnë nga -7 deri në 2 gradë Celsius

    Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të zbresin nga -7°C deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të shënohen nga -2°C deri në 2°C.

  • Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 Qendra Komunale të numërimit.

    Gjatë ditës së djeshme, KQZ ka bërë të ditur se sipas të dhënave të fundit, deri më 16 shkurt janë numëruar 73.23% e vendvotimeve, ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Ndërsa ka theksuar se numërimi ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

    KQZ thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.