ATV

Category: Lajme

  • Gjykata pranon kërkesën e PSRK-së, për paraqitje të Kurtit për intervistim

    Gjykata pranon kërkesën e PSRK-së, për paraqitje të Kurtit për intervistim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    “Kam kërkuar që të vijnë në kryeministri sepse edhe ma herët kanë ardhë”.

    Kjo ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj dy ftesave të prokurorisë speciale, për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

    Mirëpo, prokurorët e PSRK-së nuk shkuan ta intervistojnë Kurtin në zyrën e tij, por kërkuan nga Gjykata Themelore e Prishtinës, që të urdhërojë kryeministrin të paraqitet brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

    “Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, thuhet nw pwrgjigjen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Nëse edhe këtë herë, Kurti nuk paraqitet për intervistim, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se parashihen disa masa të tjera ligjore.

    “Mund të gjobitet me 250 euro ose të dërgohet në mbajtje për një muaj”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Ndërkaq, avokati Anton Nrecaj thotë se kryeministri Albin Kurti do të duhej të ishte shembull për qytetarët se si duhet të respektohen institucionet e drejtësisë, e jo t’i shmanget paraqitjes për intervistim.

    “Ai do duhet të ishte i pari që respekton këto ftesa, meqë gjithmonë është zotuar se do ta luftoj korrupsionin, dhe çështja për të cilën është thirrur ka të bëjë me këtë”, tha Nrecaj.

    Çështja e rezervave shtetërore përfshin si të dyshuar afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

  • Fillon gjykimi për vdekjen e tre personave në gara me vetura në autostradën e Prizrenit

    Fillon gjykimi për vdekjen e tre personave në gara me vetura në autostradën e Prizrenit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me fotografinë e vëllait të vdekur, Melos Deliaj, e motra erdhi në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për shkaktimin e aksidentit, në të cilin vdiqën edhe Nue Bibaj e Lordon Syla.

    Të pandehurit, Arlind Syla dhe Irfan Hoti, prokuroria i akuzon se mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2023, kryen veprën e rrezikimit të trafikut, duke zhvilluar garë me vetura në autostradën ‘Ibrahim Rugova”.

    “Arlind Syla e Irfan Hoti zhvillojnë garë me vetura të huaja. Duke shkelur ligjin për komunikacionin, zhvillojnë shpejtësi 173 kilometra në orë. Kur I pandehuri humbet kontrollin, godet me veturë viktimat e rastit dhe tre persona tjerë të dëmtuar”, tha prokurori Genc Nixha.

    Përballë akuzës, Arlind Syla, u deklarua fajtor.

    “E pranoj fajësinë…”, deklaroi Arlind Syla, i akuzuar.

    Ndërsa, Irfan Hoti, nuk e pranoi fajësinë.

    “Më vjen keq për rastin, por jam I pafajshëm…”, deklaroi Irfan Hoti, i akuzuar.

    Pas deklarimit, prokurori I shtetit dhe avokatët e viktimave, kërkuan dënim për të pandehurit.

    “Bazuar në provat e propozuara, do vërtetohet pa dyshim se të njëjtit janë fajtorë”, tha prokurori Nixha.

    Kështu, seanca vazhdoi me deklarimin e dëshmitarit Ellmando Pali, i cili ishte duke përcjellë garën, e madje u godit nga vetura.

    Në pyetjet e prokurorit dhe avokatëve të viktimave, ky e pranoi se atë natë, të pandehurit Arlind Syla, ia dha veturën me të cilën u shkaktua aksidenti.

    Veturën time e ka vozitë Arlindi. Ka pasë me ba garë me veturën e Nue Bibës, të cilën e ka vozitur Irfn Krasniqi”, tha Pali.

    Në fakt, gjykimi në këtë procedurë filloi vetëm pasi ishte ndërruar trupi gjykues. Në seancat e radhës, do të dëshmojnë edhe persona të tjerë që ishin të pranishëm në natën kritike.

  • ​Çmimet e naftës mbi 76 dollarë

    ​Çmimet e naftës mbi 76 dollarë

    Çmimet e naftës u rritën mbi 76 dollarë në tregjet ndërkombëtare, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për ndërprerjet e furnizimit nga SHBA dhe Kazakistani.

    Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte 64 centë më i lartë se mbyllja e djeshme e tregtisë, duke arritur në 76.48 dollarë.

    Në tregun amerikan, një fuçi për dërgesë në mars ishte 75 centë më e shtrenjtë dhe kushtonte 72.60 dollarë. Fuçitë për dorëzimin e prillit u tregtuan në mënyrë më aktive, me një çmim 70 centë më të lartë prej 72.53 dollarësh. Vëmendja e tregtarëve u tërhoq nga ndërprerjet e furnizimit nga SHBA dhe Kazakistani të mërkurën.

    Furnizimet me naftë të Kazakistanit përmes tubacionit Caspian Pipeline Consortium (CPC) u reduktuan me 30 deri në 40 për qind të martën për shkak të dëmtimit në një sulm me dron ukrainas, njoftoi Rusia. Kjo do të thotë se oferta globale është ulur me 380 mijë fuçi në ditë.

    Furnizimet e SHBA janë kërcënuar nga temperaturat e ulëta, me Autoritetin e Gazsjellësit të Dakotës së Veriut që vlerëson se prodhimi mund të reduktohet deri në 150 mijë fuçi.

    OPEC njoftoi veçmas se një fuçi e shportës së naftës së anëtarëve të tij ishte rritur në çmim. Analistët e Goldman Sachs besojnë, megjithatë, se një lehtësim i mundshëm i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, nëse Moska dhe Kievi arrijnë një marrëveshje paqeje, ndoshta nuk do të thotë më shumë fuçi ruse në treg.

    “Pikëpamja jonë është se prodhimi rus i naftës është i kufizuar nga objektivi i OPEC+ prej nëntë milionë fuçi në ditë, jo nga sanksionet aktuale, të cilat ndikojnë në destinacionin, por jo në vëllimin e eksporteve të naftës”, shkruan ata në raport.

    OPEC njoftoi veçmas se një fuçi e shportës së naftës të anëtarëve të tij u rrit me 39 centë në 77.11 dollarë të martën.

  • ​Ukraina do të mbrojë të drejtën e saj për të ekzistuar, thotë Andriy Sibiha

    ​Ukraina do të mbrojë të drejtën e saj për të ekzistuar, thotë Andriy Sibiha

    Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha deklaroi sot se askush nuk mund ta detyrojë vendin e tij të heqë dorë nga të drejtat e tij, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kritikoi Ukrainën dhe presidentin e saj Volodomyr Zelensky.

    “Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të ekzistuar”, ka shkruar Sibiha në platformën X.

    Mesazhi erdhi menjëherë pasi Trump sulmoi ashpër Volodymyr Zelensky në një postim në Truth Social, duke e quajtur “diktator” për shkak të refuzimit për të mbajtur zgjedhjet në Ukrainë.

    Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, tha se Ukraina tani ka nevojë për “plumba, jo fletëvotime”.

    Në një postim në X, ai theksoi se Zelensky “u zgjodh në zgjedhje demokratike” dhe se sot ai “po udhëheq luftën për liri”. Stefanchuk deklaroi gjithashtu se Rusia “kurrë nuk ka qenë për paqe” dhe i bëri thirrje Perëndimit të rrisë dërgesat e armëve dhe të vendosë sanksione shtesë ndaj Moskës.

  • ​Danimarka do të rrisë buxhetin për mbrojtjen ushtarake

    ​Danimarka do të rrisë buxhetin për mbrojtjen ushtarake

    Danimarka ka njoftuar një rritje të buxhetit të saj të mbrojtjes me 6.44 miliardë euro gjatë dy vjetëve të ardhshme për të trajtuar mungesat akute ushtarake, tha kryeministrja Mette Frederiksen.

    Në një konferencë për media sot në Kopenhagë, Frederiksen theksoi se vendi ka nevojë për “një sasi të madhe armatimesh” për të shmangur luftën.

    “A është bota e paqëndrueshme? Po. A ka ndonjë arsye për të besuar se do të përfundojë së shpejti? Jo. Ka vetëm një mesazh për sekretarin e Mbrojtjes: Bli, ble, ble”, tha ajo.

    Rritja e re e shpenzimeve do të thotë se Danimarka do të shpenzojë më shumë se 3% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

    Kujtojmë, udhëzimet e NATO-s sugjerojnë që çdo anëtar i saj duhet të ndajë të paktën 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

  • Haradinaj merr besimin e vetëm 54 për qind të votuesve të AAK-së

    Haradinaj merr besimin e vetëm 54 për qind të votuesve të AAK-së

    Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët ka marrë 62 mijë e 309 vota ose 7.45 për qind të votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.

    Ndërsa, kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj ka marrë 32 mijë e 163 vota brenda kësaj liste nga ato që janë numëruar deri më tani sipas raportimeve në media.

    Krahas këtyre votave të numëruara deri tani që ka marrë AAK bashkë me kolaicionin më 9 shkurt, del se 54 për qind të tyre i ka fituar Haradinaj nga votat e përgjithshme në këtë listë, raporton KosovaPress.

    Në zgjedhjet 2021, AAK ka pasur 62 mijë e 111 vota, apo 7. 12 për qind.

    Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

    Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

    Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

  • ​Meloni viziton Papën

    ​Meloni viziton Papën

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni vizitoi sot Papa Françeskun në një spital të Romës ku po trajtohet për pneumoni.

    Ajo pas takimit u tha gazetarëve se ata qeshën dhe bënin shaka dhe se Papa u përgjigj mirë gjatë komunikimit.

    “Jam shumë e lumtur që e gjeta zgjuar që të fliste. Si gjithmonë, bëmë shaka dhe mund të them se ai nuk e ka humbur sensin e humorit”, tha Meloni.

    Kryeministrja Meloni i përcolli Françeskut urimet më të mira të anëtarëve të qeverisë së saj për një shërim të shpejtë, njoftoi Pallati Chigi.

    Papa (88) ka pneumoni, e cila po e komplikon trajtimin e tij, njoftoi dje Vatikani. Ai u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt. Françesku, i cili u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë që nga viti 2013, ka pasur grip dhe probleme të tjera shëndetësore disa herë gjatë dy vjetëve të fundit.

  • ​Baerbock: Bisedimet SHBA-Rusi ‘mund të jenë të dobishme’

    ​Baerbock: Bisedimet SHBA-Rusi ‘mund të jenë të dobishme’

    Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock përsëriti se Evropa duhet të përfshihet në bisedimet e paqes në Ukrainë, por gjithashtu theksoi se bisedimet midis SHBA dhe Rusisë “mund të bëhen të dobishme” për përparimin e ardhshëm.

    Baerbock theksoi se “vetëm Evropa mund të arrijë paqen në Evropë”, por shtoi se fillimi i negociatave mund të jetë i dobishëm.

    “Fakti që amerikanët po negociojnë me Rusinë, dhe gjithashtu për ta bërë përsëri plotësisht funksionale ambasadën e tyre ruse, mund të jetë i dobishëm për negociatat e ardhshme”, tha Baerbock, njofton Ministria e Jashtme gjermane.

    Kujtojmë, delegacionet nga Uashingtoni dhe Moska u takuan dje në Arabinë Saudite, por nuk u ftua pala ukrainase dhe as përfaqësues të vendeve evropiane.

  • ​Abdixhiku merr besimin e vetëm 58 për qind të votuesve të LDK-së

    ​Abdixhiku merr besimin e vetëm 58 për qind të votuesve të LDK-së

    Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 147 mijë 827 ose 17.67 për qind të votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.

    Ndërsa, kandidati për kryeministër nga LDK Lumir Abdixhiku, ka marrë brenda listës në partinë e tij 87 mijë e 51 vota nga ato që janë numëruar deri më tani sipas raportimeve në media.

    Krahas këtyre votave të numëruara deri tani që ka marrë LDK më 9 shkurt, del se 58 për qind të tyre i ka fituar Abdixhiku nga votat e përgjithshme në LDK, raporton KosovaPress.

    Në zgjedhjet 2021, LDK ka pasur 110 mijë e 985 vota, apo 12.7 për qind.

    Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

    Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

    Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

  • Vendosja e pajisjeve GPS, vjen reagimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Vendosja e pajisjeve GPS, vjen reagimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të sqarimit të opinionit publik, njofton se i demanton deklarimet e gazetarit Lirim Mehmetaj se prokuroria ka konfirmuar ndonjë lajm sa i përket vendosjes së pajisjeve të GPS në veturën e gazetarit V.K., deklarimet e tilla nuk janë në interes të askujt, e aq më pak të drejtësisë. Për çdo komunikim dhe lajm nga prokuroria do të njoftohet publiku, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën, pra përmes kanaleve zyrtare.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se prokurori i shtetit do të vazhdoj në luftimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre dhe për këtë opinioni publik do të mbahet i informuar, deklarimet e tilla mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve dhe nuk i shërbejnë zbardhjes dhe hetimit të veprave penale.