ATV

Category: Lajme

  • Shqiptarët e Luginës kërkojnë hapjen e pikës kufitare Miratoc – Llojanë

    Shqiptarët e Luginës kërkojnë hapjen e pikës kufitare Miratoc – Llojanë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duan hapjen e pikës kufitare Miratoc – Llojanë që ndanë Serbinë me Maqedoninë e Veriut.

    Të enjten, një delegacion i dërguar nga Beogradi do të jetë në Preshevë derisa do të diskutojë për këtë temë me akterët relevant.

    I pranishëm në takim do të jetë edhe Sedat Ismaili, kryetar i Bashkësisë Lokale të Miratocit i cili do ta sqarojë nevojën e hapjes së kësaj pike kufitare.

    “Janë ndërprerë raportet familjare, martesore, ekonomike jetësore gjithçka. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët”, tha Ismaili.

    Madje banorët lokal kanë marrë iniciativë për pastrimin e rrugës së asfaltuar, që është në pjesën e territorit të Serbisë.

    “Kam marrë iniciativë me qytetarët e bashkësisë lokale, për të pastruar…kishin filluar që të mbinin bimë edhe në asphalt”, tha Ismaili.

    Edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi thotë se funksionalizimi i kësaj pike kufitare, ka rëndësi për shqiptarët e Luginës.

    “Ka qenë kërkesë e kahershme e politikës në Luginë të Preshevës. Madje, është e sistemuar edhe në planin shtatë pikësh e te të gjitha dokumentet me të cilat operojnë politikat në luginë të Preshevës”, tha Mustafi.

    Në vitin 2019, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bënë ujdi për hapjen e këtij pikë-kalimi kufitar.

    “Madje Shkupi ka qenë i gatshëm që ta hap nga ana e kufirit të tyre, megjithatë, si duket për shkak të vlerësimeve të sigurisë, Serbia edhe më tej po refuzon ta krijoj edhe një hapësirë të komunikimit të shqiptarëve nga andej kufirit e këndej”, tha Mustafi.

    Rruga që lidh dy shtetet, u doli jashtë-funksioni gjatë viteve të 90-ta.

  • Mbeturina edhe në parkun e lagjes Dardania, ankohen banorët

    Mbeturina edhe në parkun e lagjes Dardania, ankohen banorët

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Në Rexhep Luci në Prishtinë, kontejnerët janë mbushur plotë, por nuk i ka pastruar askush. Ndërsa në lagjen Dardania, është krejt e kundërta. Këtu, kontejnerët janë të zbrazur, ndërsa mbeturinat janë hedhur nëpër park.

    “Këto mbeturina të cilat i hudhin banorët, nuk e di arsyen se si e tek, kanë apo nuk kanë kontenjerë për hudhjen e tyre, por janë kaher këtu”, tha Emin Sylejmani, banor.

    “Bërllogu është ndoshta 10 vjet ka, nuk është pastru, kurrë nuk pastrohet këtu”, tha Beshir Hoti, banor.

    Për dëmtimin e parkut, komuna premton masa nga inspekcioni.

    “Në një distancë prej më pak se 100 metra është lokacioni i kontejnerëve. Kjo pikë krijohet nga qytetarët e pandërgjegjshëm, e kemi pastruar disa herë por prapë po vazhdon të krijohet”, tha Dukagjin Gashi, nga Sektori i Menaxhimit të Mbeturinave në komunën e Prishtinës.

    Ndërsa kompania Pastrimi thotë se nuk i takon ta pastrojë këtë zonë, derisa e mbledh bërllokun me rregull te kontejnerët. Por ka arsyetim pse nuk e bën këtë, te zona e njohur si kafet e vogla.
    “Në Rrugën “Rexhep Luci”, ka punime në rrugë, dhe nga punimet është e pa mundur qasja e kamionit për largim të mbeturinave sepse rruga është e bllokuar. Operatori Ekonomik që po kryen punimet nuk është konsultuar me Kompaninë “Pastrimi”, për të bërë të mundshme ndonjë alternative për shërbim”, tha Arbnora Ademaj nga kompania “Pastrimi”.

    Kjo gjendje po u pengon bizneseve përreth.

    “Kemi ba edhe ankesa edhe në komunë edhe në vende tjera, por nuk ka zgjidhje. Është t’u na pengu shumë, sidomos edhe prej banorëve”, tha Blerim Haziri, pronar i biznesit.
    Më 3 shkurt, Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

  • Orav viziton punimet në shkollën që e financoi BE-ja

    Orav viziton punimet në shkollën që e financoi BE-ja

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kanë mbetur pak javë deri në përurim.

    Veç para 15 marsit, punimet në shkollën “Dardania”, në Prizren shkuan t’i shohin ata që financuan mbi 5.2 milionë euro.

    Shefi i Zyrës së BE-së, Avio Orav tha se shkolla është gati për t’u shfrytëzuar, por ka mbetur vetëm edhe inventari i shkollës.

    “BE-ja është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, dhe do të vazhdojmë që të ju ndihmojmë… Shihet se shkolla është gati vetëm se duhet të bëhen lidhjet e duhura me energji elektrike, kështu që nxënësit mund të fillojnë së shpejti ta shfrytëzojnë objektin”, tha Orav.

    Derisa shprehet falenderues për projektin, Shaqir Totaj thotë se përkrahja më e madhe mbeten BE-ja.

    “Në të ardhmen do të kemi jo vetëm takime, por edhe aksione konkrete në drejtim të përkrahjes së BE-së. BE është donatori më i madh në Kosovë”, tha Totaj.

    Për punën që u bë në këtë komunë, Avio Orav, ndau edhe fotografi në platformën online”X”.

  • Mijëra euro për sponsorisime të postimeve në rrjete sociale

    Mijëra euro për sponsorisime të postimeve në rrjete sociale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Fushata zgjedhore u kushtoi goxha si shtrenjtë partive politike dhe vet kandidatëve për deputetë.

    Mijëra euro u shpenzuan vetëm për sponsorisim të postimeve në rrjete sociale.

    Në 3 muajt e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës shpenzoi më së shumti para, plot 32.400 euro. I pari për nga shpenzimet qe edhe kreu i kësaj partie. Lumir abdixhiku fjatë kësaj kohe, shpenzoi mbi 37 mijë euro vetëm për sponsrizime në facebook.

    Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu shpenzoi mbi 20 mijë euro vetëm në Facebook.

    Partia Demokratike si subjekt shpenzoi vetëm 3.376 euro, megjithatë kreu i saj pagoi plot 17.100 euro për sponsorizime te posteve në rrjete sociale, ndërkaq kandidati për kryeministër nga po kjo parti Bedri Hamza, hargjoi edhe më shumë, afro 23 mijë euro.

    Gati 14 mijë euro pagoi edhe Ramush Haradinaj, ani pse partia qe udhëheq nuk shpenzoi më shumë se 100 euro.

    Ndër kandidatët që shpenzuan më së shumti, është edhe Krenar Xhaferi i LDK-së me 6.500 euro.

    Para të majme pagoi edhe bashkë partiaku Alban Zogaj, plot 3.556.

    Hiq më lehtë nuk e lanë as kandidatët e partive tjera.

    Derisa Bekim Haxhiu i PDK-së harxhoi afro 5 mijë euro, nga 4 mijë, shpenzuan edhe Egzon Kelmendi, Enver Hoxhaj, e Betim Gjoshi.

    Në ndërkohë, janë mbi 50 kandidatë për deputetë, që në periudhën 3 mujore, kaluan shifrën e 1 mijë eurove për sponsorizime në rrejte sociale.

    E kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk shpenzoi asnjë cent për sponsorisim sipas të dhënave nga platforma Facebook.

  • “Rasti Thaçi e të tjerët”, ZPS: Pas 4 prillit, nuk do të ftohen dëshmitarët

    “Rasti Thaçi e të tjerët”, ZPS: Pas 4 prillit, nuk do të ftohen dëshmitarët

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pas datës katër prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, nuk do të ftojë asnjë dëshmitar, në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kështu konfirmoi të mërkurën prokurori i specializuar, Matt Halling, gjatë konferencës që e mbajti në lidhje me ecurinë e këtij procesi.

    “4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, deklaroi Halling.

    Ndërkaq, derisa njoftoi se seancat e të enjtes dhe të premtes janë anuluar, Prokurori James Pace, tregoi se për javën e ardhshme janë paraprë të dëshmojnë dy dëshmitarë.

    “Për javën tjetër do të kemi dy dëshmtarë, për mars kemi një dëshmitar dhe t’u japim përditësime për dëshmitarë të tjerë që janë planifikuar për mars, sapo ta kemi këtë përditësim”, deklaroi Pace.

    Derisa tre të akuzuarit, Veseli, Krasniqi e Selimi ishin prezent nëpërmjet video-lidhjes, Hashim Thaci mungoi njëjtë si të martën për arsye shëndetësore.

    Për gjendjen shëndetësore të Thaçit ka kërkuar raport të detajuar Organizata e Veteranëve të Luftës.

    “Kërkojmë nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve tanë që po mbahen padrejtësisht në paraburgim që mbi katër vite”, thuhet kë kërkesën e OVL-UÇK-së.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua në tetor të vitit 2020.

    Ata ngarkohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  • Numërohen 83 për qind e vendvotimeve

    Numërohen 83 për qind e vendvotimeve

    Përgatiti: Ardiana Jashari

    83% e vendvotimeve apo më shumë se 2,100 vendvotime nga 2,533 sa janë në total janë numëruar deri në mesditën e së mërkurës në Qendrat Komunale të Numërimit.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Por vonesat në numërimin e votave të kandidatëve për deputet po i shohin me shqetësim në Instituti Demokratik i Kosovës.

    “Fatkeqësisht që nga përmbyllja e ditës së votimit dhe procesit të votimit pra në ora 19:00 të gjitha hapat tjerë janë karakterizuar me hapa me vonesa të cilat e kanë cenuar besimin në lidhje direkte në rezultatet e zgjedhjeve në përgjithësi”, tha Eugen Cakolli nga KDI.

    Sipas Cakollit KQZ-ja nuk ka qenë në nivel të duhur të përgatitjes.

    “Për vet faktin që gati edhe një javë pas përmbylljes së ditës së votimit tek atëherë ka filluar procesi i numërimit në të gjitha qendrat komunale dhe ndër arsyet që janë përmend janë mungesa e sviqave për ta lidhur një televizor me një kamerë ka qenë aq sa apsurde aq edhe përshkruese e një niveli të mos përgjegjësisë nga ana e stafit të KQZ”, tha Cakolli.

    Cakolli shtoi se për të gjitha parregullsitë gjatë procesit zgjedhor duhet të këtë llogaridhënie brenda KQZ-së.

    Vetë Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, javën e kaluar kishte thënë se procesi i numërimit i të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë.

  • Legjislatura e re e Kuvendit me shumë emra të rinj

    Legjislatura e re e Kuvendit me shumë emra të rinj

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Legjislatura e re e Kuvendit pritet të ketë goxha ndryshime në përbërje.

    Në ulëset e sallës plenare bazuar në konfirmime që ATV mori nga partitë politike dhe njoftime nga vet kandidatët për deputetë Kuvendi pritet të ketë shumë emra të rinj.

    Pas rreth 80 për qind të votave të numëruara, partia e dytë më e votuar sipas rezultateve të deritanishme, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 mandate.

    Risi do të ketë edhe në listën e partisë cila pritet t’i ketë 20 ulëse në përbërjen e re të Kuvendin.

    E koalicioni AAK-Nisma do t’i ndajë 8 ulëset që i fitoi në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ende po vazhdon në disa Qendra Komunale të numërimit.

  • Kandidatët mirëpresin ndryshimet në test teorik për Patent shofer

    Kandidatët mirëpresin ndryshimet në test teorik për Patent shofer

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Një fazë të testimit në vozitje po e kryejnë, por për të arritur tek ky proces duhet kaluar testin teorik.

    E nga e marta hyri në fuqi mënyra e re e testimit kandidatët që i nënshtrohen provimit teorik për patentë-shofer në kategorinë B. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, tani nga dy e më shumë të sakta ka vetëm një të tillë.

    Madje provimi teorik do të bëhet vetëm online.

    Ndryshimet, i kanë mirëpritur kandidatët.

    “Herën e kalume kur kom hy, ka qenë më e vështirë, tash me një përgjigje të sakët është shumë më lehtë”, thotë një qytetare.

    Lehtësimi në kalueshmëri, sipas njohësit të komunikacionit, Bekim Ahmeti mund të jetë shkaktar edhe për aksidente andaj sipas tij ai do të duhej të ishte më praktik.

    “Testi duhet bërë më praktik jo më i lehtë”, tha Ahmeti.

    Qysh në muajin maj Ministria e Infrastrukturës kishte njoftuar për ndryshime në testim dhe publikoi një doracak i cili ishte në dispozicion për kandidatët dhe auto- shkollat që atëherë. Doracaku mbulon të gjitha kategoritë e patentë shoferit.

  • IPK-ja me vërejtje për policët rreth mënyrës së patrullimit

    IPK-ja me vërejtje për policët rreth mënyrës së patrullimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mënyra se si policët patrullojnë me radarë, diskutohet shumë nga shoferët.

    Kjo qe shkas që Inspektorati Policor të vihet në funksion për të vlerësuar praktikat patrulluese dhe ndaljen e automjeteve nga policët.

    Gjetjet e inspektoratit tregojnë se në disa raste, zyrtarët policorë nuk janë edhe aq të kujdesshëm.

    “Ndalja e mjeteve shpesh ndodhë të kryhet në distancë të shkurtë dhe me dalje të shpejtuar nga polici patrullues, nga ana e kundërt e shiritit të lëvizjes së mjetit. Gjatë monitorimit të ndarjes së roleve të policëve, IPK-ja ka vërejtur se kontrolli i mjeteve shpesh nuk është i përbashkët, meqë në pika të kontrollit ndodh që të ndalet më shumë se një mjet dhe kontrolli të kryhet ndaras dhe paralelisht nga dy zyrtarë”, thuhet në gjetjet e IPK-së.

    Vërejtjet konsiderohen të papranueshme dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.

    Raporti gjithashtu vë në pah se në shumë raste, qytetarët e ndaluar dalin nga veturat, teksa policët ua shqiptojnë gjobat.

    Inspektorati vërejte ka edhe tek pozicionimi i patrullave, pasi vlerësohet se janë të papërshtatshme, si rrethrrotullime, trotuare por edhe në pika të padukshme.

    Andaj shtimi i trajnimeve për policët konsiderohet jetik.

  • Gjykimi për vrasjen e Bedri Rexhepit, deklarohen të akuzuarit

    Gjykimi për vrasjen e Bedri Rexhepit, deklarohen të akuzuarit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Jeton Vllasaliu, në cilësinë e të akuzuarit ka treguar versionin e tij për vrasjen e Bedri Rexhepit në vitin 2022.

    Duke mohuar ta ketë kryer vetë veprën, Vllasaliu tha se në ditën kritike, me të ndjerin po udhëtonte me të njëjtën veturë, kur sipas tij u ndaluan nga 4 persona të maskuar, dy prej të cilëve sipas tij, e mbajtën larg Rexhepit, deri në momentin kur e kryen vrasjen.

    “Momentin që më kanë lëshu, m’i kanë thanë dy fjalë: “këqyr çka po bën me të nderin Bedriun se këtu e knena ke ti punë me ta”. Dhe unë jam afru dhe e kam pa në tokë, jam mundu me i dhanë ndihmën e parë aq sa kam ditë dhe sa kam mujt, por e kam pa që është e kotë”, deklaroi Vllasaliu.

    Më tej, Vllasaliu e pranoi se Rexhepin e ka varrosur në fshat, me arsyetimin se nuk ka ditur çfarë të bëjë me trupin.

    “Ndoshta nga ndihma jem e parë kam mundur ta lëndoj, e kam hap kerrin, e kam qit në karrige dhe kam vazhduar për në fshatin tim… një kaci edhe një kazmë, dhe e pshtjella trupin e të nderit dhe me atë makinë e çova, mu m’u duk që është vend ma i sigurt për me varrosë të ndjerin”, deklaroi Vllasaliu.

    Shumë më shkurt, u deklarua vëllau i Jetonit, Nexhati, i cili poashtu akuzohet për vrasjen e Rexhepit.

    “Më kanë arrestuar nuk di edhe me tregu detaje. Më akuzojnë për vrasjen e të ndjerit, që kurrë nuk kam dëgjuar kurrë për të dhe betohem në kokë të fëmijëve. Atë ditë që e kam lutur prokurorin që të mos e arrestojë gruan time se ka me hy në operim por që ka vazhduar”, deklaroi ai.

    Por, prokuroria është e bindur se të dy janë përgjegjës për vrasjen e Bedri Rexhepit, dhe se veprën e kishin kryer me plan. Sipas aktakuzës, vrasja ishte kryer me qëllim të përfitimit material të një shume prej 30 mijë eurosh.