ATV

Category: Lajme

  • Specialja tregon për gjendjen shëndetësore të Thaçit

    Specialja tregon për gjendjen shëndetësore të Thaçit

    Zyra për media e Dhomave të Specializuara në Hagë ka konfirmuar se nuk mund të japin detaje për gjendjen shëndetësore të Hashim Thaçit.

    Në një përgjigje me shkrim, ata kanë potencuar se kjo vjen si shkak i respektimit të privatësisë së tij.

    “Ky është një detyrim ligjor për të mbrojtur të drejtat e tyre. Sipas Rregullores së Paraburgimit të DHSK-së, nxjerrja e të dhënave mjekësore të të paraburgosurve është e mundur vetëm me pëlqimin e tyre paraprak të bazuar në informacion, në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të dhënave”, thuhet në përgjigje me shkrim.

    Mirëpo, kjo zyrë ka theksuar se Thaçi po vazhdon aktivitetet ditore në objektin e paraburgimit.

    “Megjithatë, do të shtoja se nuk ka qenë e pazakontë që të akuzuarit të mungojnë në seanca gjyqësore individuale kur nuk ndihen mirë ose kanë ankesa të vogla shëndetësore në ditën kur mbahet seanca. Gjithashtu, mund t’ju them se zoti Thaçi tani po merr pjesë në veprimtaritë e rregullta ditore në objektin e paraburgimit”, potencon zyra për media./rtk

  • Eurodeputetët kërkojnë që të përshpejtohet procesi integrues dhe që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së

    Eurodeputetët kërkojnë që të përshpejtohet procesi integrues dhe që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së

    Shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian që morën pjesë në diskutimet rreth draft-raporteve për Kosovën dhe Serbinë, kërkuan që Bashkimi Evropian ta qartësojë procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës.

    Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.

    Gjatë debatit u shpreh pritja që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë.

    Ndërsa u kritikua mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, prej saj u kërkua që ta mbajë fokusin në rajon, sidomos në Kosovë, në kohën e, siç u tha, rrethanave sfiduese në Evropë dhe në botë.

    Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.

    Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës – që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe – sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.

    Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

    Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim në këtë bllok.

    Raportuesi në hije nga Grupi Socialist dhe Demokrat, Elio Di Rupo, i cili ishte edhe vëzhgues i zgjedhje në Kosovë, tha se procesi ishte i një cilësie të lartë, me standarde të larta.

    Ai tha se mediat në Kosovë janë duke u përballur me sfida dhe se duhet të ketë më shumë përparim edhe në luftën kundër korrupsionit.

    Di Rupo tha se raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të vështira për shkaqe historike. Ai tha se Kurti ishte i burgosur nga regjimi i Serbisë, por shtoi se kjo duhet të tejkalohet, në mënyrë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre të ecë përpara.

    Nathalie Loiseao foli në emër të Grupit të Liberalëve dhe mbështeti tekstin e draft-raportit.

    Loiseao ishte shefe e vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

    Ajo kërkoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ringjallet dhe që palët t’i zbatojnë obligimet e marra.

    Edhe ajo tha se është domosdoshme që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën dhe kërkoi që blloku ta sqarojë rrugën evropiane të Kosovës, në mënyrë që, siç tha, Kosova të mos mbetet një zonë gri.

    Davor Ivo Stier, shef i delegacionit parlamentar për Kosovën, kërkoi po ashtu heqjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se “kjo qasje e pabalancuar e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë”, sidomos pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, e pengon përparimin në dialog.

    Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, shef i njësisë për Kosovën dhe Serbinë në Drejtorinë e Zgjerimit, e përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, por shprehu keqardhje për vonesat në numërimin e votave.

    Ai tha se pret që Qeveria e re të formohet sa më parë, për të vazhduar me reformat dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Komisioni Evropian, në anën tjetër, pajtohet me pjesët kryesore të raportit.

    Ai i mirëpriti veprimet e Kosovës për të tejkaluar pengesat që ishin paraqitur në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA.

    Zuzana Michalciva Sutiakova, si përfaqësuese e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përmendi retorikën e ashpër gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë dhe problemet me numërimin e votave, por tha se këto nuk duhet t’i vënë nën hije pikat kryesore pozitive, që dëshmuan se Kosova ishte dhe mbetet demokraci funksionale.

    Ajo tha se këto zgjedhje do të duhej të shënonin hapin e parë të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

    “Presim konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Pas zgjedhjeve do të donim të shënonim një moment të ri në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Siç janë shprehur edhe komisionarja [për Zgjerim] Marta Kos dhe përfaqësuesja e lartë, Kallas, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrim një mandat për këtë nga Këshilli. Progresi në raportet me Serbinë është kusht i padiskutueshëm. Dialogu nuk ka alternativë”, tha Michalciva Sutiakova.

    As përfaqësuesja e EEAS-it, as ai i Komisionit Evropian nuk e përmendën heqjen e masave ndaj Kosovës, ndonëse kjo ishte ndër kërkesat më të shpeshta të deputetëve të Parlamentit Evropian.

    Draft-raporti për Kosovën e vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në BE. Në dokument thuhet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së.

    Aty nënvizohet “progresi domethënës në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe lirive, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në funksionimin e ekonomisë së tregut”, por shprehet keqardhje për “përparimin e limituar” në sundimin e ligjit.

    Në draft-raport, edhe një herë, kërkohet nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat përfshijnë ngrirjen e disa fondeve dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.

    “Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

    Në raport shprehet shqetësim për gjendjen jo të kënaqshme në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe kërkohet që, pos reformave ligjore, të ketë edhe rezultate të dukshme në hetime dhe dënime të rasteve.

    Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve.

    “Përsërisim shqetësimin për vonesat në rastet gjyqësore dhe kritikat nga ana e zyrtarëve të Qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale”, thuhet në draft-raport.

    Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.

    Raporti kërkon që kryesit e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë.

    Aty shprehet keqardhje përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë “kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq”.

    Sa i përket gjendjes së mediave, raporti përmend ekzistimin e një mjedisi pluralist dhe nënvizon rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave, autonomia e të cilit “duhet të ruhet fuqishëm”.

    Në raport kërkohet më shumë transparencë sa i përket pronësisë dhe financimit të mediave, ndërsa shprehet shqetësim serioz për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

    Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog.

    Serbisë i kërkohet të dëshmojë përkushtim ndaj integrimit në BE

    Në këtë seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian u paraqit edhe draft-raporti për Serbinë, i përgatitur nga ana e raportuesit kroat, Tonino Picula.

    Në këtë dokument thuhet se Serbia duhet të dëshmojë me sjelljen e saj se është e përkushtuar vërtet për integrim në BE.

    Asaj i kërkohet të respektojë edhe të drejtën e protestave paqësore dhe t’i ndërpresë akuzat ndaj vendeve të BE-së, se qëndrojnë prapa protestave të studentëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.

    Serbisë, po ashtu, i kërkohet progres në normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Picula, me këtë rast, kërkoi masa të shpejta ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, përfshirë edhe ndaj Radoiçiqit.

    Edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, edhe ata të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm nënvizuan se përparimi i Serbisë në negociatat për anëtarësim në BE, do të varet sidomos nga progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën dhe në sundimin e ligjit.

    Pas paraqitjes së këtyre draft-raporteve në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, deputetët do të kenë mundësi deri më 6 mars të paraqesin edhe amendamente në këto dokumente.

    Për to, pastaj, do të votohet së pari në Komisionin parlamentar nga fillimi i muajit prill, e më pas edhe në seancë plenare, ku raportet do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian./REL/

  • 90,41% e vendvotimeve të procesuara, ja sa vota morën kandidatët e PDK-së për deputetë

    90,41% e vendvotimeve të procesuara, ja sa vota morën kandidatët e PDK-së për deputetë

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka marrë 150,294 vota kur janë procesuar 90.41% e vendvotimeve nga votat e numëruara për kanidatët e partive politike.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka 85,293 vota.Uran Ismaili ka marrë 37,017 vota.

    Ai pasohet nga nënkryetarja e partisë, Vlora Çitaku me 34,805 vota.

    Sala Jashari mbyll top 5-shen më të votuar të PDK-së me 32,052 vota.

    Më poshtë mund t’i gjeni listat e plota.

  • Nga Kurti te Vitia – votat e 10 kandidatëve më të votuar të LVV-së sipas KQZ-së

    Nga Kurti te Vitia – votat e 10 kandidatëve më të votuar të LVV-së sipas KQZ-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani janë numëruar votat e kandidatëve për deputetë në 92.73% të vendvotimeve.

    KQZ tashmë ka filluar që t’i publikoi në faqen e saj zyrtare numrin e votave të kandidatëve nga secili subjekt politik.

    Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje numrin më të madh të votave e ka Albin Kurti i cili ishte edhe bartës i listës. Kurti ka marrë deri më tani 259 mijë e 532 vota.

    Sipas rezutateve të KQZ-së, pas Kurtit renditet Glauk Konjufca me 199 mijë e 136 vota. Për nga numri i votave i treti më i votuari është Faton Peci me 96 mijë e 849 vota, i katërti Hekuran Murati me 94 mijë e 531 vota.

    E pesta në listën e LVV-së me numërin më të madh të votave është Albulena Haxhiu me 89 mijë e 601 vota, i gjashti është Xhelal Sveçla me 85 mijë e 632 vota.

    Në vendin e shtatë renditet Donika Gërvalla me 79 mijë e 691 vota, i teti Avni Dehari me 68 mijë e 735 vota, e nënta Mimoza Kusari-Lila me 61 mijë e 945 vota dhe i dhjeti është Arben Vitia me 48 mijë e 760 vota.

    Numër të madh të votave kanë marrë edhe Shqipe Mehmeti-Selmi, Saranda Bogujevci, Ejup Maqedonci, Hajrullah Çeku , Artane Rizvanolli, etj.

    Në nivel vendi nga rezultatet preliminare Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë më 40.80% apo 342 mijë e 281 vota.

    Për të parë listën e plotë të kandidatëve të LVV-së dhe numrin e votave klikoni KËTU.

  • Pas Abdixhikut, Doarsa Kica e Hykmete Bajrami –  listat me kandidatët më të votuar të LDK-së

    Pas Abdixhikut, Doarsa Kica e Hykmete Bajrami – listat me kandidatët më të votuar të LDK-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka bërë të ditur se është përditësimi i të dhënave për kandidatët për deputetë, gjersa deri tani janë numëruar votat në 92.73% të vendvotimeve.

    Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës prin me vota kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku me 109202 vota, më pas vjen Doarsa Kica Xhelili me 44,738 vota, Hykmete Bajrami me 41,79,.

    I katërti për nga numri i votave është Kujtim Shala me 37,886 vota, Avdullah Hoti me 30,932 vota, Anton Quni me 27,292 dhe Lutfi Haziri me 27,260 vota.

    Jehona Lushaku ka 22,122 vota, Armend Zemaj 19,341 dhe Imri Ahmeti 18,397.

    Më poshtë mund t’i gjeni listat e plota.

  • Ndalohet një person i dyshuar në Ferizaj për “ushtrim ndikimi”

    Ndalohet një person i dyshuar në Ferizaj për “ushtrim ndikimi”

    Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale A.L., për shkak të dyshimit të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”.

    Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartpërmendur, do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale A.L., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Ushtarët e KFOR-it marshojnë në kampin Bondsteel

    Ushtarët e KFOR-it marshojnë në kampin Bondsteel

    Ushtarët e kombeve të ndryshme të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, u bashkuan për një marshim në kampin Bondsteel, në Kosovë.

    Kështu u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga faqja e KFOR-it.

    Tutje thuhet se ky trajnim i mundëson KFOR-it të jenë më të fortë së bashku, duke punuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet e Kosovës.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në postim

  • Sulmohet fizikisht prokurori Ramiz Buzhala

    Sulmohet fizikisht prokurori Ramiz Buzhala

    Është sulmuar fizikisht prokurori në Prokurorinë Themeloren në Pejë, Ramiz Buzhala.

    Ky  sulm është dënuar nga KPK dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) dënojnë ashpër sulmin e sotëm fizik ndaj prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, z. Ramiz Buzhala, sulm ky, i cili ndërlidhet me punën e tij zyrtare.”, thuhet në reagim.

    KPK dhe ZKPSH thonë se “aktet e tilla ndaj prokurorëve janë të patolerueshme dhe qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorit Buzhala, duke e mbështetur në punën e tij të përditshme dhe duke e inkurajuar për përmbushjen e misionit të tij ligjor”.

    I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

    “Gjithashtu, KPK dhe ZKPSH, me këtë rast, nënvizojnë se, aktet e tilla nuk mund të ndikojnë që prokurori Buzhala të zmbrapset nga ndjekja e kryeseve të veprave penale dhe do të vazhdojë punën e tij, për të cilën e obligojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Këto dy institucione të sistemit prokurorial, sigurojnë opinionin publik se sulmi ndaj prokurorit Ramiz Buzhala është duke u trajtuar me prioritet nga organet kompetente dhe ndaj sulmuesit është marrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë dhe janë duke u ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm ligjorë.”

  • Ngritet aktakuzë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

    Ngritet aktakuzë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve B.Sh dhe M. Q.

    Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

    Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.

    Ndryshe, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë arrestuar para disa muajsj nën dyshimin për spiunazh. Të njëjtit dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

    Policia kishte njoftuar se hetimet kanë nisur qysh në vitin 2023.

    Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gas-maska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

  • Kryeministri britanik propozon dërgimin e 30 mijë ushtarëve evropianë në Ukrainë

    Kryeministri britanik propozon dërgimin e 30 mijë ushtarëve evropianë në Ukrainë

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, do t’i prezantojë presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në një takim në Washington javën e ardhshme, një plan për të dërguar deri në 30 000 trupa evropiane në Ukrainë për të ruajtur një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga ShBA, raporton ”The Telegraph”.

    Sipas burimeve, Starmer do të përshkruajë në detaje se si këto trupa mund të zbatojnë marrëveshjen eventuale të armëpushimit dhe do të argumentojë se është në interesin e SHBA-së të vazhdojë përpjekjet e saj për të parandaluar një pushtim të tretë rus pas përfundimit të luftimeve.

    Sipas planit anglo-francez, më pak se 30 000 trupa do të vendosen – nën komandën e vendeve evropiane – në qytetet, portet dhe objektet e tjera të infrastrukturës së rëndësishme të Ukrainës, si termocentralet bërthamore, të cilat ndodhet larg vijës aktuale të frontit.

    ”Në vend që të dërgojë një kontigjent shumë më të madh në Ukrainë, misioni do të mbështetet në monitorimin teknik nëpërmjet avionëve të shërbimeve sekrete, vëzhgimit dhe zbulimit, dronëve dhe satelitëve për të ofruar një pamje të plotë të asaj që po ndodh”, tha një zyrtar perëndimor.

    Burimi shtoi se operacioni do të mbështetet nga fuqia e mjaftueshme e zjarrit për të “zbuluar dhe zmbrapsur sulmet” në mënyrë që të rihapet hapësira ajrore e Ukrainës dhe të rivendosen fluturimet komerciale.