ATV

Category: Lajme

  • Garë e fortë për një deputet mes AAK-së dhe Nismës, 246 vota dallim mes dy kandidatëve

    Garë e fortë për një deputet mes AAK-së dhe Nismës, 246 vota dallim mes dy kandidatëve

    Gara mes kandidatëve të AAK-së dhe atyre të NISMA-s vazhdon të jetë e fortë edhe kur deri më tani janë numëruar 92.58 për qind e vendvotimeve.

    Nga ky numërim, koalicioni AAK-Nisma ka marrë 7.44 për qind. Me përqindjet aktuale në këtë numërim, AAK-Nisma do t’i ketë 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Për shkak të kuotës gjinore, përfaqësimi në kuvend nga ky koalicion duhet të jetë i përbërë nga pesë kandidatë meshkuj e tri femra.

    Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj e Arbëreshë Krasniqi vetëm se kanë siguruar ulëset e tyre. E për shkak të kuotës gjinore, një ulëse në kuvend pritet ta sigurojë edhe Xhevahire Izmaku.

    Kandidatja për deputete nga radhët e NISMA-s ka marrë 9572 vota, duke e pasur pothuajse ‘të siguruar’ ulësen e saj.

    Kontestues në këtë koalicion vazhdon të mbetet ulësja e shtatë.

    Në garë për këtë karrige janë kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj dhe ai i NISMA-s, Vesel Krasniqi.

    Dallimi mes dy kandidatëve është vetëm për 246 vota.

    Me përqindje e numëruar deri më tani, Brahimaj ndodhet më lartë me 10775 vota, ndërkaq Krasniqi ka 10529 vota, 246 vota më pak.

    Numërimi është duke vazhduar akoma në disa qendra të numërimit, e deri në rezultatet e certifikuara kanë mbetur më pak se 8% për t’u numëruar.

    Në rast se Vesel Krasniqi do të sigurojë një ulëse në kuvend, ndarja mes dy koalicioneve do të ishte plotësisht e barabartë. 4 deputetë do t’i takonin NISMA-s dhe 4 të tjerë AAK-së.

  • ​DASH urdhëron ndalimin e të gjitha abonimeve në media

    ​DASH urdhëron ndalimin e të gjitha abonimeve në media

    Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) urdhëroi sot pezullimin e të gjitha abonimeve në media si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të ulur kostot e sektorit publik.

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ngarkuar miliarderin Elon Musk të udhëheqë ekipin qeveritar për uljen e kostove DOGE, i cili tani po kryen auditime të agjencive federale në kërkim të mënyrave për të ulur shpenzimet.

    DASH njoftoi se kishte pezulluar të gjitha “abonimet e mediave që nuk janë revista akademike apo profesionale”, pa bërë të ditur se sa do të zgjaste pauza.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se të gjitha shpenzimet e sektorit publik duhet të përputhen me prioritetet e Trump.

    Gazeta Washington Post, e cila ishte e para që raportoi për pezullimin e abonimeve dje, i referohet një memorandumi të supozuar nga ai organ në të cilin punonjësit u ftuan të ndërpresin kontratat me Economist, New York Times, Politico, Bloomberg, Associated Press dhe Reuters, ndër të tjera.

    Zëdhënësi i New York Times, Charlie Stadtlander vuri në dukje se Qeveria ka të drejtë të anulojë çdo abonim që dëshiron, por mediat tani do të dinë shumë më pak për atë që ndodh në botë dhe është e vështirë të shihet se çfarë do të përfitojnë qytetarët e SHBA-së.

  • ​Kapen tre shtetas të huaj për keqpërdorim të kartelave bankare

    ​Kapen tre shtetas të huaj për keqpërdorim të kartelave bankare

    Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe mbështetjen e njësive tjera relevante policore, ka kryer kontrolle në tri lokacione në Prishtinë që kanë rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.

    Dy shtetas turq dhe një i Maqedonisë së Veriut, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, duke kryer kështu veprën penale lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.

    Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar POS terminale, kartela bankare, një kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, sasia e të cilave nuk është bërë e ditur, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil dhe dokumente relevante fatura, kuponë fiskalë që ndërlidhen me veprën penale.

    Me vendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarit ndalohen për 48 orë, derisa rasti ndodhet në proces të mëtutjeshëm hetimor.

  • Sa importon dhe eksporton energji elektrike Kosova?

    Sa importon dhe eksporton energji elektrike Kosova?

    Importi i energjisë elektrike në dhjetor të vitit 2024 ishte 475.35 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 144.35 GWh. (Këtu janë të përfshira edhe sasia e transmisionit).

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 899.56 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 637.06 GWh ose 4,75 për qind më i madh me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 7,86 për qind.

    “Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 783.53 mijë ton ose 8,74% më shumë se në muajin e njëjtë të vitit paraprak (Dhjetor 2023)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Të dhëna nga ASK për dhjetor 2024:

  • Njeriu i Trump për Ukrainën: Qetësoni retorikën dhe firmosni marrëveshjen për mineralet

    Njeriu i Trump për Ukrainën: Qetësoni retorikën dhe firmosni marrëveshjen për mineralet

    Ukraina duhet të “qetësojë retorikën” dhe “të nënshkruajë atë marrëveshje”, tha këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, duke iu referuar marrëveshjes së mineraleve midis Kievit dhe Uashingtonit.

    Në një intervistë për Fox News, Waltz tha se Ukraina duhet të ndalojë së kritikuari SHBA-në, e cila po përpiqet të sigurojë një marrëveshje paqeje të pranueshme për të gjitha palët.

    “Ata duhet të qetësojnë retorikën, të shqyrtojnë seriozisht situatën dhe të nënshkruajnë këtë marrëveshje”, tha Waltz, i cili aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku u mbajt raundi i parë i bisedimeve midis Uashingtonit dhe Moskës për përfundimin e luftës.

    Ai shtoi se mosmarrëveshjet midis SHBA dhe Kievit ende mund të zgjidhen. Deklarata e tij vjen ndërsa emisari special i SHBA për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, i cili aktualisht ndodhet në Kiev, përgatitet për takimin e sotëm me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

  • ​Një grua në Zagreb i dha një mashtruesi 8.680 euro për të hequr një mallkim

    ​Një grua në Zagreb i dha një mashtruesi 8.680 euro për të hequr një mallkim

    Policia e Zagrebit ka përfunduar hetimin penal për një 50-vjeçar të dyshuar për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

    Nga hetimi penal u konstatua se më 29 maj 2024, ai publikoi një reklamë për ofrimin e shërbimeve të heqjes së drejtshkrimit në të cilën mashtronte një grua 75-vjeçare duke shtrembëruar fakte dhe duke u paraqitur me emër të rremë. Ai iu dorëzua mbikëqyrësit të paraburgimit.

    Gruaja 75-vjeçare telefonoi burrin 50-vjeçar në fillim të qershorit dhe organizoi një takim në zonën e Medveshçak. Në të njëjtën ditë, ajo ka arritur në adresën ku e ka takuar i dyshuari. 50-vjeçari i ka ofruar shërbimin e heqjes së një magjie, pas së cilës ajo i ka dorëzuar 350 euro.

    Me atë rast ai i tha se i kishte më shumë borxh për shërbimin që i kishte bërë, të cilat ajo ia dorëzoi të nesërmen. Në total e ka dëmtuar për rreth 8.680 euro.

    Pas përfundimit të hetimeve penale, i dyshuari 50-vjeçar i është dorëzuar mbikëqyrësit të paraburgimit brenda afatit ligjor. Një raport i posaçëm iu dorëzua Prokurorisë Komunale të Shtetit Penal në Zagreb.

  • ​Qeveria mirëpret kërkesën e PE-së për largimin e menjëhershëm të masave

    ​Qeveria mirëpret kërkesën e PE-së për largimin e menjëhershëm të masave

    Kërkesa e Parlamentit Evropian ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet në Qeverinë e Kosovës.

    Sipas ekzekutivit kosovar, kjo kërkesë tashmë i shtohet edhe rekomandimit të ish- përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell për largimin e masave në verën e vitit 2024.

    Megjithatë, njohës të integrimeve evropiane thonë se përkundër vullnetit të parlamentarëve evropianë, vendimmarrja kryesore për heqjen e masave i takon vendeve të unionit.

    Në anën tjetër, Brukseli zyrtar nuk ka kthyer përgjigje për KosovaPress mbi kërkesën e Parlamentit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën Riho Terras paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së, ku mes tjerash u kërkua nga blloku evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Në lidhje me këtë, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se masat janë vendosur padrejtësisht dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht, andaj të njëjtat duhet të hiqen sa më parë.

    “Ne e mirëpresim draft raportin e raportuesit për Kosovë në Parlamentin Evropian, Riho Terras në të cilën kërkohet largimi i menjëhershëm i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Kjo kërkesë tash i shtohet edhe rekomandimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell për largimin e tyre. Me këtë rast, ritheksojmë gjithashtu kërkesën tonë për largimin e masave ndaj Kosovës të cilat u vendosën padrejtësisht, dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht”, thekson ai.

    Kërkesën e PE-së ndaj vendeve të BE-së po e konsideron pozitive edhe analisti politik, Arbnor Sadiku. Megjithatë, sipas tij, për shkak të kompleksitetit të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian është vështirë të besohet se masat ndaj Kosovës do të hiqen shpejt.

    Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë më aktive dhe t’i bind vendet skeptike të BE-së për nevojën e heqjes së masave ndëshkuese.

    “Është një lloj trysnie pozitive në kuptimin që Kosovës t’i largohen masat. Sa kemi pa në të kaluarën shtetet anëtare e kanë rolin kryesor në unionin evropian. Ato bazohen në bazën dy gjërave kur marrin vendime të tilla. E para është interesat e shteteve anëtare dhe gjeopolitika e BE-së… Lehtë është me ia vendos masat BE-ja një shteti, mirëpo është shumë vështirë me ia largu pasi vendimet janë koncensuale dhe bukur të komplikuara. Pasi nëse vetëm një anëtare e unionit është kundër atëherë bie poshtë… (Angazhimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e masave) Sigurisht ndoshta është tentuar një formë ose tjetër, por ata që kemi pa publikisht ka qenë vendime në kundërshtim në kërkesat e BE-së dhe SHBA-së në raport me veriun. Ata kanë kërkuar që përmes dialogut të zbatohet sovraniteti atje por qeveria ka shkaktuar në mënyrë unilaterale dhe kjo ka shkaktuar probleme”, deklaron Sadiku.

    Në takimin e ministrave të Bashkimit Evropian në fund të vitit 2024 është thënë se masat do të hiqen paralelisht me hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.

    BE ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të rritjes së tensioneve në veri të vendit. Përderisa masat ndëshkuese janë në fuqi përgjatë 1 viti e gjysmë, dëmi është konsideruar rreth 500 milionë euro, ku përfshihen ngrirja e disa fondeve të BE-së ndaj Kosovës. /KP

  • Zelensky takohet me të dërguarin e SHBA-së, por konferenca për shtyp u anulua

    Zelensky takohet me të dërguarin e SHBA-së, por konferenca për shtyp u anulua

    Sipas mediave ukrainase, Volodymyr Zelensky është takuar me të dërguarin e SHBA-së për luftën, Keith Kellogg.

    Por një zyrtar i Kievit ka shtuar se një konferencë e planifikuar për shtyp është anuluar me kërkesë të Uashingtonit, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

    Aty pritej të flisnin të dy, Kellogg dhe Zelensky.

    Udhëtimi i Kellogg në Kiev ka përkuar me një përplasje publike midis Donald Trump dhe Zelensky, ku i pari e etiketon ukrainasin si “diktator” dhe kërkon që ai të lëvizë “shpejt” përpara se të humbasë vendin e tij.

    Kjo ka thelluar shqetësimet se SHBA mund ta detyrojë Ukrainën në lëshime si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, me diskutimet midis Uashingtonit dhe Moskës që nisën dy ditë më parë pa Evropën e Kievin.

    Ndërkohë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa ka konfirmuar se ai dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të vizitojnë kryeqytetin ukrainas më 24 shkurt, në përvjetorin e tretë të fillimit të agresionit të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

    “E hëna, 24 shkurt, shënon përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës në shkallë të gjerë. Kam vendosur të jem në Kiev për atë rast, me Ursula von der Leyen, për të riafirmuar mbështetjen tonë për popullin heroik ukrainas dhe presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Volodymyr Zelensky”, ka shkruar Costa, përcjell Telegrafi.

    Më 24 shkurt, Ukraina po përgatit një takim të liderëve të vendeve partnere në Kiev për të diskutuar paqen, garancitë e sigurisë dhe të ardhmen e sigurisë kolektive.

  • ​Tajani tregon planin për grumbullimin e parave për armatosjen e Evropës

    ​Tajani tregon planin për grumbullimin e parave për armatosjen e Evropës

    Evropa duhet të financojë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes duke emetuar një bono të përbashkët, tha sot ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, duke sinjalizuar sërish se barra financiare do të ishte shumë e madhe për buxhetin e shtetit italian.

    “Ne duhet të emetojmë bono evropiane për të financuar shpenzimet e mbrojtjes,” tha Tajani në një konferencë shtypi në Romë.

    Në fund të janarit, ministri deklaroi se Italia nuk mund të ndajë pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, duke iu përgjigjur kërkesave të presidentit të SHBA-së Donald Trump që vendet anëtare evropiane të rrisin shpenzimet.

    “Duhet të investojmë më shumë, por nuk mund të arrijmë pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Po bëjmë përpjekje të mëdha për të arritur dy për qind”, shtoi Tajani.

    Borxhi është një çështje veçanërisht e ndjeshme për Italinë, borxhi publik i së cilës tejkaloi ndjeshëm vlerën e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e tretë 2024, sipas të dhënave të Eurostat.

    Shpenzimet evropiane të mbrojtjes, të matura si pjesë e prodhimit të brendshëm bruto do të arrijnë në 1.9 për qind këtë vit, krahasuar me 3.3 për qind të Amerikës, vlerësoi së fundmi S&P.

    Vitin e kaluar, 23 nga 32 anëtarët arritën objektivin prej dy për qind të vendosur nga NATO, dhe kjo ishte pasi u futën më thellë në xhepat e tyre.

    Nëse shpenzimet e mbrojtjes do të rriteshin në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, kjo do të nënkuptonte shpenzime shtesë deri në 875 miliardë dollarë në vit për BE-në, llogariti agjencia.

    Një rritje e tillë do t’u kërkonte qeverive të bëjnë kursime në zëra të tjerë buxhetor, theksuan ata, duke paralajmëruar se alternativa e huamarrjes shtesë ka të ngjarë të nënkuptojë ulje të vlerësimeve të kredisë.

    Nëse vendet evropiane do të përputheshin me 3.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së, kjo do të nënkuptonte një kosto shtesë prej gati 600 miliardë dollarë në vit për BE-në, sipas të dhënave të GDP-së së Eurostat për 2023.

    Rritja e shpenzimeve në mesataren aktuale të NATO prej 2.67 për qind të prodhimit të brendshëm bruto do të nënkuptonte një kosto shtesë prej 242 miliardë dollarësh në vit për BE-në në tërësi.

    Pasojat politike të reduktimit të shpenzimeve sociale për të rritur shpenzimet e mbrojtjes ka të ngjarë të jenë të rëndësishme. Një zgjidhje e mundshme është emetimi i borxhit të përbashkët, dhe emetues mund të jenë Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, Banka Evropiane e Investimeve dhe BE.

  • ​Një kompani ushtarake bullgare dërgohet për mision paqeruajtës në Kosovë

    ​Një kompani ushtarake bullgare dërgohet për mision paqeruajtës në Kosovë

    Një kompani ushtarake nga Brigada 31 e Mekanizuar me seli në Haskovë është dërguar të enjten në mision paqeruajtës në Kosovë.

    Dërgimi zyrtar, me një shërbim lutjeje nga peshkopi Polikarp i Belogradçikut dhe ikonat e Shën Gjergjit, u zhvillua në sheshin qendror në Haskovë në prani të shefit të mbrojtjes, admiralit Emil Eftimov, personelit të lartë ushtarak dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale.

    Ushtria bullgare do të jetë pjesë e Komandës Rajonale-Perëndim (RC-W) në misionin paqeruajtës të forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR).

    Formacioni prej 100 vetash do të ketë katër automjete Mercedes dhe 13 fuoristradë Ford Ranger.

    Trupat do të vendosen në kampin Villaggio Italia në Pejë. Në fushën e përgjegjësisë ushtarakët do të kryejnë detyra që lidhen me patrullimin, mbikëqyrjen dhe sigurinë e objekteve.

    Në përgatitje të misionit, u zhvillua një stërvitje dyditore në datat 12 dhe 13 shkurt në një mjedis urban.

    “Jam i kënaqur me përgatitjen e kontingjentit. Pjesëmarrësit fituan një vlerësim “të gatshëm për luftim” dhe morën notat më të larta në të gjitha kriteret e vlerësimit,” tha admiral Eftimov, duke shtuar se rritja e pagave në forcat e armatosura po jepte rezultate në motivim.

    I pyetur për një pjesëmarrje të mundshme bullgare në një mision paqeruajtës të ardhshëm të forcave evropiane në Ukrainë, Eftimov tha se është dakord me ministrin e Mbrojtjes.

    Shefi i Mbrojtjes vuri në dukje se Ministria nuk kishte bërë asnjë planifikim apo analizë, “që nuk do të thotë se nuk po ndjekim proceset brenda NATO-s dhe negociatat”. /BTA