ATV

Category: Lajme

  • Zelensky: Jam gati të jap dorëheqje për paqe ose anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Trumpin dua ta shoh si partner, jo ndërmjetës

    Zelensky: Jam gati të jap dorëheqje për paqe ose anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Trumpin dua ta shoh si partner, jo ndërmjetës

    Volodymyr Zelensky, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike president i Ukrainës në maj 2019, u pyet sot nëse do të ishte i gatshëm të “hiqte dorë” nga kjo pozitë në këmbim të paqes.

    “Po, jam i lumtur, nëse është për paqen e Ukrainës”, tha ai në konferencë për shtyp, raporton The Guardian.

    Nëse keni nevojë që unë të largohem nga kjo karrige, unë jam gati ta bëj këtë, dhe gjithashtu mund ta shkëmbej atë me anëtarësimin në NATO për Ukrainën”, tha Zelensky.

    Komentet e tij erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump e quajti atë “diktator pa zgjedhje” në fillim të javës.

    Zelensky shtoi se donte ta shihte Trumpin si partner të Ukrainës dhe më shumë sesa thjesht një ndërmjetës midis Kyivit dhe Moskës.

    Unë me të vërtetë dua që të jetë më shumë se vetëm ndërmjetësim… kjo nuk mjafton”, tha. Komentet e tij vijnë pasi udhëheqësit politikë në Europë kanë frikë se Ukraina po mënjanohet në bisedimet e SHBA-së me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.

    Legjislacioni ukrainas ndalon zgjedhjet gjatë ligjit ushtarak, i cili ka qenë në fuqi që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt 2022./Express/

  • Maqedonci: Kosova po nis prodhimin e municionit, shumë shtete të BE-së kanë ngecur në këtë aspekt

    Maqedonci: Kosova po nis prodhimin e municionit, shumë shtete të BE-së kanë ngecur në këtë aspekt

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është deklaruar pas shumë reagimesh në lidhje me një deklaratë të tij, ku ka thënë “Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion dhe Franca ende nuk e ka atë’’.

    Megjithatë, ministri ka thënë se Kosova është në fazën e funksionalizimit të fabrikës për prodhimin e municionit, përderisa, sipas tij, shumë vende të BE-së kanë ngecje në këtë aspekt.

    ‘‘Unë asnjëherë nuk kam thënë se Franca nuk ka prodhime ushtarake. Patjetër që Franca është ndër prodhuesit kryesor në botë për prodhimin e shumë sistemeve ushtarake, pra të sistemeve të armatimit. Atë që e kam thënë po e ritheksoj prapë, që ne jemi në fazën e funksionalizimit të fabrikës për prodhimin e municionit, përderisa shumë vende të BE-së kanë ngecje në këtë aspekt, e në këtë rast Franca është përmendur vetëm një nga shembujt. Franca ka ndërprerë prodhimin e municioneve në vitin 1997 pra në fund të viteve të 90-ta, Franca ka ndërprerë prodhimin e municioneve të kalibrave 7.62 dhe 5.56 municione që tani do të prodhohen në Kosovë si rezultat i kontratës që kemi realizuar gjatë muajit dhjetor. …. Dua të sqaroj që nga viti 2022 e deri tani ka debat të ashpër dhe debat të vazhdueshëm në të gjitha strukturat e politike bërjes në Francë për riaktualizimin apo hapjen e një fabrike të municionit këto lloje të kalibrave në Francë kalibra shumë të nevojshëm për operacionalitetin e njësive ushtarake. Politika e SHBA-së në raport me vendet e BE-së ka ndryshuar kërkon nga partnerët qasje më serioze në aspektin e sigurisë kërkon më shumë angazhim më shumë investim kjo është çështja kryesore që është theksuar gjatë kësaj deklarate time në panel. Ne i kemi paraprirë gjithë asaj që po kërkon SHBA-ja për partnerët e tjerë dhe jemi në vazhdimësi në kërkim të mundësive të tjera të bashkëpunimit me SHBA-në si në aspektin e prokurimit të blerjeve pra ushtarake gjithashtu mundësitë që në të ardhmen të bashkëinvestojmë për prodhim dhe industri ushtarake në Kosovë”, tha ai për TëVë1.

  • IHMK: Mot relativisht i ngrohtë për javën e ardhshme

    IHMK: Mot relativisht i ngrohtë për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se javën e ardhshme pritet të mbajë mot relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 3°C, ndërsa ato maksimale parashihen të arrijnë nga 7°C deri në 14°C.

    “Kjo situatë meteorologjike është rezultat i ndikimit të disa qendrave të presionit të ulët, të cilat kanë përfshirë disa rajone të Evropës. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell, të cilat do të ndikojnë në rritjen e temperaturave gjatë mesditës. Përveç kësaj, në periudha të kufizuara, parashihen edhe riga lokale shiu”, thuhet në njoftim.

    Parashikimi i plotë për pesë ditët e javës:

    E hënë, 24 shkurt
    Moti do të jetë kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1C deri në 1°C, ndërsa ato maksimale nga 3°C deri në 6°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E martë, 25 shkurt
    Parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të zbresin nga -2°C deri në 0°C, ndërsa maksimalet nga 7°C deri në 11°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperendimit.

    E mërkurë, 26 shkurt
    Do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 °C deri në 1°C, ndërsa maksimalet nga 8°C deri në 12°C. Do të fryjë erë e lehtë nga jugperendimi me shpejtësi 1-4m/s.

    E enjte, 27 shkurt
    Moti parashikohet kryesisht i vranët dhe vende-vende me mundësi për riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0°C deri në 3°C, ndërsa ato maksimale nga 9°C deri në 13°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.

    E premte, 28 shkurt
    Moti do të jetë i vranët dhe me intervale të shkurtra me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0°C deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga -9°C deri në 14°C. Era do të fryjë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

  • Papa bën thirrje për lutje teksa trajtohet në spital

    Papa bën thirrje për lutje teksa trajtohet në spital

    Papa Françesku u ka bërë thirrje katolikëve që të luten për të, teksa vazhdon të trajtohet në spital për pneumoni të dyfishtë.

    Kreu i Selisë së Shenjtë nuk ka mundur t’i drejtojë lutjet tradicionale të së dielës për të dytën javë me radhë.

    Mirëpo, përmes një mesazhi të shkruar në ditët e fundit, ai ka thënë se është duke vazhduar trajtimin “në vazhdimësi dhe bindshëm” në Spitalin Gemelli të Romës.

    Ky mesazh vjen pasi Vatikani ka bërë të ditur të shtunën se gjendja e 88-vjeçarit vazhdon të jetë kritike.

    Në mesazhin e së dielës, Papa i ka falënderuar mjekët dhe punëtorët shëndetësorë në spital, si dhe ata që i kanë uruar shëndet.

    “Në ditët e fundit kam pranuar shumë mesazhe dashamirëse, dhe jam emocionuar sidomos nga vizatimet e fëmijëve”, ka shkruar ai.

    “Faleminderit për afërsinë dhe për lutjet që kam pranuar prej gjithë botës dhe ju kërkoj të luteni për mua”.

    Ai është shtruar në spital më 14 shkurt, pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje për disa ditë.

    Ai është më i rrezikuar nga infektimi në mushkëri për shkak të infeksioni që ka pasur në rini, që ka rezultuar me heqjen e një pjesë të mushkërive në moshën 21-vjeçare.

    Papa ka kërkuar që publiku të informohet për shëndetin e tij, prandaj Vatikani ka lëshuar njoftime në baza ditore.

    Papa e ka shfrytëzuar mesazhin e tij të dielën edhe për të përmendur përvjetorin e tretë të luftës së Rusisë në Ukrainë – që shënohet të hënën – dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që t’i kujtojnë viktimat e konflikteve të armatosura dhe të luten për “dhuratë paqeje në Palestinë, Izrael, në Lindje të Mesme, në Mianmar, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan”./rel

  • Trump i vendosur për “t’i rikthyer paratë” përmes marrëveshjes me Ukrainën për minerale

    Trump i vendosur për “t’i rikthyer paratë” përmes marrëveshjes me Ukrainën për minerale

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar sërish se dëshiron që Ukraina të shpaguajë miliarda dollarë që ia kanë dërguar Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur veten kundër luftës së nisur nga Rusia.

    “Dua që ata të na japin diçka për gjithë paratë që u kemi dhënë. Jemi duke kërkuar për minerale të rralla të tokës – çfarëdo që mund të gjejmë”, ka thënë Trump në Konferencën e Konservatorëve për Veprim Politik, të mbajtur afër Uashingtonit.

    “Po përpiqem t’i rikthej paratë”.

    Trump i ka bërë këto komente teksa vazhdojnë negociatat mes Uashingtonit dhe Kievit për një marrëveshje që parasheh qasjen amerikane në mineralet e Ukrainës, përfshirë ato që janë të domosdoshme për prodhim të baterive për makina elektrike dhe pajisje tjera teknologjike.

    I dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg ka udhëtuar në Kiev më herët gjatë javës dhe është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ka thënë më vonë se Zelensky e kupton se sa është i rëndësishëm për SHBA-në nënshkrimi i marrëveshjes.

    Kellogg e lavdëruar Zelenskyn si burrë “guximtar”.

    Trump u ka thënë mbështetësve në Konferencën e Konservatorëve se beson që marrëveshja mund të arrihet.

    “Do t’i rikthejmë paratë tona, sepse nuk është e drejtë”, ka thënë ai.

    “Do ta shohim, por besoj që jemi shumë afër marrëveshjes, dhe është mirë nëse jemi afër”.

    Sipas një dokumenti të propozuar, SHBA-ja do të fitonte qasje në mineralet e Ukrainës për të kompensuar ndihmën e ndarë për Kievin.

    Zelensky është raportuar të ketë hezituar në nënshkrim të marrëveshjes në fillim, mirëpo të shtunën është raportuar se ai është duke shqyrtuar mundësinë e rishikimit të versionit të fundit të marrëveshjes.

    E përditshmja amerikane The New York Times ka thënë se disa prej kushteve janë edhe më të ashpra sesa në draftin e parë.

    Sipas propozimit të fundit, në të cilin gazeta ka thënë se ka pasur qasje, Ukraina do t’i japë qasje SHBA-së në minerale në vlerë të 500 miliardë dollarëve.

    Ruslan Stefanchuk, kryetar i Parlamentit të Ukrainës, ka thënë për mediat ukrainase se një grup do të angazhohet për këtë marrëveshje më 24 shkurt, por që Ukraina dëshiron të pranojë garanci specifike të sigurisë, në këmbim të qasjes në minerale, sipas New York Times.

    Strategjia diplomatike e Trumpit kundrejt Rusisë, përfshirë mundësinë e organizimit të një samiti mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin, e ka alarmuar Ukrainën dhe Evropën për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që nuk do të jetë në të mirën e tyre.

    Konflikti në Ukrainë ka arritur në fazë kritike në prag të shënimit të trevjetorit të nisjes së tij, pasi raportohet se forcat ushtarake të Kievit janë duke u tërhequr nga disa pjesë të vijës së frontit.

  • Publikohet indeksi i fuqisë ushtarake, FSK në pozitën 141

    Publikohet indeksi i fuqisë ushtarake, FSK në pozitën 141

    Është publikuar indeksi i fuqisë ushtarake, ku Forca e Sigurisë së Kosovës radhitet e 141.

    Indeksi i fuqisë ushtarake të Kosovës është 4.9141.

    Në këtë vlerësim, fuqia ushtarake e FSK-së u rishikua për herë të fundit më 01/08/2025, sipas Global Firepower.

  • Petritsch: Sorensen është serioz, mund të ketë sukses, zgjidhja Kosovë-Serbi çështje e rëndësishme për Evropën

    Petritsch: Sorensen është serioz, mund të ketë sukses, zgjidhja Kosovë-Serbi çështje e rëndësishme për Evropën

    Diplomati Wolfgang Petritsch tha se emisari i ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen është “ndërmjetës serioz”, por që për të pasur sukses në këtë pozitë, ka nevojë për mbështetjen e fuqishme nga Brukseli, por edhe nga Berlini e Parisi.

    Austriaku, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund të viteve ’90, do të donte një qeveri shumëpartiake në Kosovë, me komunitetin serb të përfshirë.

    “Unë e njoh personalisht Sorensen, mendoj se është një diplomat me shumë përvojë. Sigurisht, njohja e ‘gjuhës sonë’ nuk është forca e tij, siç ishte rasti me Miroslav Lajçak. Por unë besoj se Sorensen është një ndërmjetës serioz. Megjithatë, ai ka nevojë për mbështetje të plotë politike nga Brukseli, por edhe nga qytetet kryesore, si Berlini dhe Parisi”, tha Petritsch në një intervistë për portalin serb, “Kosovo Online”.

    Ai beson se Lajçakut i mungonte pikërisht kjo – mbështetja reale politike e përfaqësuesit të lartë, paraardhësit të Kaja Kallas, Josep Borrell.

    “Shpresoj që Kallas, e cila tani, kuptohet, është plotësisht e fokusuar në luftën në Ukrainë, do të gjejë ende kohë për ta përdorur peshën e saj politike për përparim të shpejtë në këtë çështje. Kjo është mënyra e vetme se si Sorensen do të ketë një shans për të përparuar. Ai është diplomat me përvojë, por ka nevojë për peshën politike të BE-së. Nëse nuk e ka një gjë të tillë, nuk mund të bisedohet me Kurtin dhe as të bëhet progres me Beogradin”, u shpreh i bindru diplomati me përvojë.

    Petritsch thotë se duhet kërkuar mbështetja e BE-së për një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me shpresën se SHBA-ja do të qëndrojë pas saj. Por, nga ana tjetër, palëve në dialog duhet t’u kërkohet të ecin drejt normalizimit, shton ai.

    Ai thotë se Beogradi duhet të ketë dëshirë të përpiqet konstruktivisht për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa Prishtina “është gabim të mendojë se do t’i zgjidhë problemet me masat e njëanshme”.

    “Nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Qytetarët nuk presin njëanshmëri, por zgjidhje të drejta. Sigurisht që veriu i Kosovës mbetet pjesë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, për shkak të shumicës serbe, ka nevojë të shtuar për veprime të caktuara të pavarura. Institucionet janë aty për njerëzit. Nëse atje jetojnë serbët, atëherë institucionet duhet të mbushen me serbë”, thotë Petrtitsch.

    Sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, “në thelb i zgjidh çështjet e tjera”.

    Petritsch tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga pikëpamja e interesave politike të vendit, e ka humbur SHBA-në si mbështetësin kryesor historik të Kosovës së pavarur, që, siç thotë ai, për të paraqet problem politik dhe disfatë.

    “Një vend i vogël duhet t’i dëgjojë partnerët e tij më të mëdhenj. Ky është një parakusht për përparimin e të gjithë rajonit, veçanërisht në dialog”, shton ai.

    Në situatën e vështirë në të cilën ndodhet bota, ai thotë se “duhet parë që së pari të gjendet një zgjidhje politike, themelore”.

    “Kjo është gjëja më e rëndësishme. Sido që të jetë definuar, është çështje dialogu dhe është çështje e rëndësishme për Europën, sepse Kosova dhe Serbia dhe i gjithë rajoni janë në Europë dhe duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Petritsch.

    Europa, sipas tij “duhet të pozicionohet më fort”. “Kjo vlen si për çështjen ekonomike, ashtu edhe për atë politike, për rendin e ardhshëm që duhet të sundojë në Ballkanin Perëndimor. Dhe pastaj janë hapat e tjerë, për të cilët Aleksandar Vuçiq ka folur gjithmonë – rrugën e Serbisë drejt BE-së. Dhe Kosova gjithashtu dëshiron të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen”, u shpreh ai, duke kujtuar se nevojitet një marrëveshje si parakusht.

  • Zgjedhje në Gjermani: Si votojnë ata me origjinë të huaj?

    Zgjedhje në Gjermani: Si votojnë ata me origjinë të huaj?

    Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani rreth 7 milionë votues kanë origjinë të huaj. Kujt do t’ia japin ata votën të dielën nuk dihet, po ka disa preferenca.

    Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani të dielën rreth 60 milionë vetë po i drejtohen kutive të votimit. Në vitet e fundit është rritur edhe numri i atyre që kanë sfond migracioni dhe të drejtë vote. Rreth 7 milionë votues kanë origjinë të huaj. Kujt do t’ia japin ata votën të dielën? Për shkak të turbulencave ekonomike të Gjermanisë dy vitet e fundit, një gjë dihet: pavarësisht nëse janë gjermanë “të rinj” apo gjermanë brez pas brezi, telashet e Gjermanisë sot i prekin të gjithë njësoj: Ngecja ekonomike, inflacioni dhe çmimet e larta të energjisë, ushqimeve dhe qirave, siguria në vend, perspektiva për të ardhmen.

    Studimi i fundit i Qendrës Gjermane për Studimet e Migracionit dhe Integrimit (DeZIM) konstaton, se si gjermanët pa sfond migracioni edhe ata me rrënjë të huaja ndajnë të njëjtat shqetësime. Problemi kryesor mbetet ekonomia dhe inflacioni. Por një dallim kanë nga gjermanët, personat me sfond migracioni kanë më shpesh frikë se bëhen viktima të dhunës. Nga ana tjetër ata janë më të shqetësuar se gjermanët me rrënjë për çështjet financiare, për tema si pensionet apo banimi. Edhe konflikti në Lindjen e Mesme luan rol në shqetësimet e këtij grupi, me 43% ky shqetësim është më i madh, se gjermanët pa sfond migrimi. Aspekt që konstatohet në studim është, se qytetarët gjermanë me sfond migracioni shkojnë më rrallë drejt kutive të votimit, se sa gjermanët pa rrënjë të huaja.

    Cila parti është më e preferuara?

    Togfjalëshi vota e migrantëve duhet specifikuar, sepse ky grup gjermanësh me rrënjë të huaja është mjaft i larmishëm. Potencialisht çdo parti mund t’i bënte për vete gjermanët e rinj. Bashkautori i studimit të DeZIm, Dr. Jannes Jacobsen thekson se “njerëzit me sfond migrimi nuk janë një grup homogjen. Preferencat e tyre zgjedhore shtrihen tek i gjithë spektri partiak. Raportimet, se vota e migrantëve mund të vendosë për suksesin e partive të caktuara, nuk konfirmohet në studimin tonë.” Megjithatë edhe migrantët kanë preferenca të caktuara.

    Sipas studimit të Qendrës Gjermane për Studimet e Migracionit dhe Integrimit (DeZIM) Partia Socialdemokrate, SPD është në pararojë tek preferencat e këtij grupi votuesish. Sipas studimit rreth 76% e të anketuarve do ta jepnin votën për SPD. Pastaj renditet CDU dhe CSU me rreth 71%. Për Të Gjelbrit do e jepnin rreth 57% e personave votues me sfond migrimi. Për liberalët, FDP, 53%. Partia AfD arrin 21% të preferencës, më e ulta ndër partitë kryesore gjermane.

    Qendra DeZIM ka analizuar të dhënat e 2689 gjermanëve me të drejtë vote, për një periudhë nga dhjetori 2023 deri në mars 2024. Sipas tyre tradicionalisht gjermano-turqit e japin votën për SPD, gjë ka lidhje edhe me “socializimin politik” të tyre, thekson DeZIM. Nga ana tjetër gjermano-turqit janë ndër ata qytetarë me sfond migracioni që shkojnë më pak të votojnë.Brezat e parë të gjermanëve me origjinë turke erdhën si “Gastarbeiter” në Gjermani në vitet 50-60-të. Shpesh kanë qenë edhe anëtarë të sindikatave.

    Dallime në bazë të vendit të origjinës

    Studimi konstaton dallime brenda grupit të gjermanëve me sfond migracioni, nëse do të merreshin në konsideratë zonat nga ata vijnë. Për shembull tek votuesit, që nuk i kanë rrënjët në vendet e BE, gjen më pak mbështetje për Të Gjelbrit krahasuar me gjermanët pa sfond migracioni. Interesante është edhe konstatimi, se E Majta dhe Aleanca Sahra Wagenknecht janë më të preferuara tek shumë grupe votuesish me sfond migracioni se sa tek votuesit gjermanë pa këtë sfond. Kurse tek qytetarët gjermanë me rrënjë në vendet e BE, në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore apo Turqinë AfD nuk është partia e preferuar. AfD është partia më e preferuar tek ruso-gjermanët.

    Rritje e interesit të partive gjermane

    Rritja e elektoratit me origjinë të huaj ka kohë që ka zgjuar interesin e partive gjermane. Megjithëse ky nuk është elektorat i njësuar, partitë gjermane duan të bëjnë për vete gjermanët e rinj. Shpesh aktivistët e partive kërkojnë drejtpërdrejt dialogun me qytetarët me origjinë të huaj, në shoqatat e tyre, xhami apo aktivitete të tjera. Partitë kanë krijuar edhe rrjetet e tyre për të kontaktuar qytetarët me sfond migracioni. Nganjëherë ato përdorin edhe gjuhën e migrantëve për t’i bindur për votën.

    Mesazhi kryesor është: Ju jeni pjesë e Gjermanisë. Sepse shumë qytetarë me origjinë të huaj, megjithëse janë gjermanë, ndjehen të përjashtuar. Mes tyre edhe të rinj, që kanë lindur këtu. “Ka një grup të madh të rinjsh që në jetën e përditshme u jepet ndjesia se nuk i përkasin plotësisht Gjermanisë për shkak të përvojave të diskriminimit dhe përjashtimit. Kjo ndjenjë çon në lëndime dhe këto lëndime mund të bëjnë që të rinjtë të largohen nga politika dhe të mos votojnë fare”, thotë Yunus Ulusoy nga Qendra për Studime Turke dhe Integrim (ZfTI) në Essen.

    Megjithëse duket paradoksale, po AfD-ja që përdor gjuhë nxitëse kundër migrantëve, kërkon votën e tyre, jo pa sukses. Sipas bashkëdrejtueses të Komunitetit Turk në Gjermani (TGD), Aslihan Yesilkaya-Yurtbay, kjo parti ka mbështetje ndërkohë edhe mes gjermanëve me origjinë turke. “Për fat të keq ka edhe qytetarë me origjinë turke që simpatizojnë me AfD”, tha Yesilkaya-Yurtbay për agjencinë e lajmeve AfP së fundmi. Sipas saj, AfD përpiqet të bëjë për vete të rinjtë me origjinë turke sidomos në platformën TikTok. /DW

  • Musk “obligon” punonjësit federalë të shpjegojnë me e-mail për punën gjatë javës ose pushohen

    Musk “obligon” punonjësit federalë të shpjegojnë me e-mail për punën gjatë javës ose pushohen

    Në lëvizjen e fundit të Presidentit Donald Trump dhe Elon Musk që synon fuqinë punëtore federale, punonjësit filluan të marrin email të shtunën pasdite duke u kërkuar atyre të shpjegojnë se çfarë pune kanë bërë javën e kaluar.

    Poashtu, Musk njoftoi se “mospërgjigja do të merret si dorëheqje”.

    Por disa agjenci të sigurisë kombëtare, duke përfshirë FBI-në dhe shumë departamente të tjera federale, këshilluan punonjësit që të mos përgjigjen menjëherë në email, duke sugjeruar që dega më e gjerë ekzekutive nuk ishte e informuar dhe as e përgatitur për kërkesën.

    “Ju lutemi, përgjigjuni këtij emaili me përafërsisht. 5 pika të asaj që keni arritur javën e kaluar dhe cc menaxherin tuaj. Ju lutemi, mos dërgoni asnjë informacion të klasifikuar, lidhje ose bashkëngjitje,” shkruhet në e-mailin e dërguar punonjësve, shkruan CNN.

  • DW: A është Gjermania në prag të një kthese politike?

    DW: A është Gjermania në prag të një kthese politike?

    Më 23 shkurt zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Bundestagun. Migracioni dhe ekonomia kanë qenë temat kryesore të fushatës. CDU/CSU kryeson në sondazhe dhe premton një ndryshim politik.

    Fushata elektorale ishte shkurtër, por e ashpër. Një fjalë u përsërit shpesh: ndryshim kursi. “Provuat tre vjet të bëni politikë të majtë në Gjermani. Nuk mund të vazhdoni më kështu”, tha dy javë para zgjedhjeve Friedrich Merz, kandidati për kancelar i partive konservatore CDU/CSU.

    Në Bundestag, ai iu drejtua SPD-së dhe të Gjelbërve, të cilët, së bashku me FDP-në, ishin në koalicionin tripartiak të qendrës së majtë prej vitit 2021. Në nëntor 2024, qeveria u shpërbë pas muajsh të tërë debatesh për mungesën e fondeve në buxhet. Kjo situatë çoi në zgjedhjet e parakohshme, më 23 shkurt.

    SPD-ja përballet me një humbje të rëndë

    Ndërsa të Gjelbërit ruajnë në sondazhe një mbështetje të ngjashme me atë të vitit 2021, SPD-ja dhe FDP-ja kanë pësuar një rënie të ndjeshme. FDP-ja rrezikon të mos e kalojë pragun prej 5%, ndërsa SPD-së i kanoset një disfatë historike. Çdo rezultat nën 20% do të ishte më i keqi për këtë parti në historinë e pasluftës – dhe sondazhet e tregojnë atë shumë larg këtij pragu, aktualisht në 14%. Olaf Scholz do të bëhej kështu kancelari me mandatin më të shkurtër në 50 vitet e fundit dhe i vetmi socialdemokrat që nuk ka arritur të rizgjidhet si kancelar.

    Unioni në krye, AfD në vendin e dytë

    Sipas sondazheve, Friedrich Merz ka shanset më të mira për të fituar kancelarinë. Kryetari i CDU-së udhëheq Unionin e CDU/CSU, i cili, pasi drejtoi vendin për 16 vjet, kaloi në opozitë në vitin 2021 dhe tani kërkon të rikthehet në pushtet. Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja, një parti pjesërisht ekstremiste e djathtë. Kjo është dyfishi i rezultatit të saj në vitin 2021.

    Si ra SPD-ja dhe u ngrit AfD-ja?

    Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, e shpjegon këtë me rënien e ekonomisë. Sipas tij, “ekonomia jonë kombëtare, është tani e fundit në Bashkimin Evropian”. 50,000 kompani kanë shpallur falimentim dhe rreth 100 miliardë euro kapital biznesi largohet nga vendi çdo vit. “Ekonomia jonë po tkurret, për të tretin vit radhazi jemi në recesion. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e pasluftës në Gjermani.”

    Sipas Merz-it, Scholz dhe ministri i tij i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili garon si kandidat për kancelar nga të Gjelbërit, “nuk e kuptojnë më realitetin”. “A e dini si më dukeni?” – iu drejtua ai kundërshtarëve të tij. “Si dy drejtorë të punësuar, të cilët e kanë drejtuar një kompani drejt falimentimit dhe tani u thonë pronarëve: Ne duam ta vazhdojmë kështu edhe për katër vjet të tjera.”

    Lufta, kriza energjetike, inflacioni

    Ndërsa Merz kritikon qeverinë aktuale gjithnjë e më ashpër, kancelari Scholz kalon gjithnjë e më fort mbrojtje. Ai thotë se nuk është faji i qeverisjes së tij, por agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës që ka shkaktuar krizën energjetike dhe inflacionin. Sipas Scholz-it, vështirësitë ekonomike do të vazhdojnë edhe për shkak të politikave të papritura të presidentit amerikan Donald Trump. “Era fryn kundër nesh. Dhe e vërteta është: kjo situatë nuk do të ndryshojë thelbësisht në vitet e ardhshme.”

    AfD e gatshme për koalicion me CDU/CSU

    Ekonomia e dobësuar ishte njëra nga temat më të diskutuara gjatë fushatës zgjedhore. Por pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues i refuuar në Aschaffenburg, çështja e migracionit kaloi në plan të parë. Friedrich Merz kërkoi ashpërsimin e politikës së azilit dhe paralajmëroi se, nëse do të ishte e nevojshme, do ta mbështeste edhe me votat e AfD-së.

    Deputetët e AfD-së e pritën me entuziazëm faktin që, në fund të janarit, një mocion i CDU/CSU për rregullore më të ashpra për azilin u pranua për shqyrtim në Bundestag. Si përfundim, mocioni u rrëzua me votat e partive të tjera dhe disa deputetëve të CDU-së, por për partinë e skajit të djathtë, AfD, kjo ishte një fitore. “Këtu dhe tani fillon një epokë e re”, tha Bernd Baumann, drejtuesi grupit parlamentar të AfD-së. “Diçka e re po fillon dhe AfD është partia që do ta udhëheqë këtë ndryshim.” Ai e deklaroi partinë e tij të gatshme për një koalicion me CDU/CSU.

    Merz përjashton koalicon me AfD-në

    Pas këtij votimi, qindra mijëra qytetarë dolën në protesta kundër rritjes së ndikimit të së djathtës së skajshme në Gjermani. Edhe Scholz e kritikoi këtë bashkëpunim të konservatorëve me AfD-në. “Nuk është e parëndësishme nëse bashkëpunon apo jo me ekstremistët e djathtë. Jo në Gjermani!”, tha ai. Ai shtoi se qytetarët nuk mund të kenë besim se Unioni nuk do të bashkëpunojë me AfD-në pas zgjedhjeve. Në debatet e mëpasshme televizive, Friedrich Merz e ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi bashkëpunimi me AfD-në. Sipas tij, qëllimi i AfD-së është të shkatërrojë CDU/CSU-në dhe një koalicion me AfD-në nuk do të ndodhë kurrë.

    Kush mund të formojë qeverinë e re?

    Por Merz-it nuk do t’i mjaftojnë votat për të qeverisur pa një parti partnere në koalicion. Sa më shumë parti të hyjnë në Bundestag, aq më të ndërlikuara bëhen marrëdhëniet dhe formimi i një qeverie. E majta pritet të arrijë pragun e hyrjes në parlament, ndërsa partia e re BSW dhe FDP-ja janë në rrezik. Nëse FDP-ja hyn në Bundestag, do të nevojitet ndoshta një qeveri tripartiake. Por liberalët e FDP-së kanë thënë se nuk duan të hyjnë sërish në një koalicion me të Gjelbërit, duke lënë si opsion vetëm një aleancë mes CDU/CSU, SPD dhe FDP. Nëse FDP ose BSW nuk hyjnë në parlament, mundësitë e tjera janë një koalicion mes CDU/CSU dhe SPD-së ose mes CDU/CSU dhe të Gjelbërve.

    AfD mbetet e izoluar

    AfD-ja nuk ka gjasa të hyjë në ndonjë koalicion, por drejtuesja e saj Alice Weidel deklaroi se qeveria e re do të vijojë politikën e deritanishme dhe se ndryshimi do të ndodhë gjithsesi, por “vetëm do të vonohet”.

    Zgjedhjet e 23 shkurtit do të përcaktojnë kursin e ardhshëm politik të Gjermanisë. /DW