ATV

Category: Lajme

  • Posti i presidentit konsiderohet përcaktues në “pazaret” për formimin e qeverisë

    Posti i presidentit konsiderohet përcaktues në “pazaret” për formimin e qeverisë

    Megjithëse janë procese të ndara, zgjedhja e presidentit të Kosovës në prill të vitit 2026, po konsiderohet determinuese edhe për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas analistëve politikë, secili koalicion eventual për formimin e qeverisë do të përfshijë edhe çështjen e pozitës së presidentit.

    Të njëjtit thonë se në bazë të rezultateve preliminare, nevojitet një koalicion në mes partive më të mëdha në mënyrë që të formohet një qeveri më stabile, e cila më pas do të reflektonte pozitivisht edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë, vlerësohet se nëse partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje tenton të formojë qeverinë vetëm me komunitetet joserbe dhe “peshkimin”, e ndonjë deputeti, atëherë çështja e presidentit do të lihet në një moment tjetër.

    Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, pa përfshirjen e votave me kusht dhe ato të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvend, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.

    Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë 80 vota të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

    Analisti politik, Blerim Canaj thotë për KosovaPress, se formimi i çfarëdo qeverie me një shumicë të thjeshtë, do ishte problematike për zgjedhjen e presidentit dhe për këtë arsyeje ky post do të ketë rol edhe në formimin e Qeverisë.

    Ndërkaq, analistja politike, Alma Lama deklaron se në rast të koalicioneve, posti i presidentit patjetër që do të jetë pjesë e “pazareve” për formimin e qeverisë.

    Mirëpo, sipas saj, nëse shkohet në një qeveri të pakicës, atëherë çështja e presidentit do të lihet të gjendet një zgjidhjeve në vitin 2026.

    Mandati i presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026.

    Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./kp

  • 10 raste të dhunës në familje brenda 48 orëve në Kosovë

    10 raste të dhunës në familje brenda 48 orëve në Kosovë

    Kështu ka bërë të ditur policia përmes raportit 24 orësh. Dhuna në familje ka ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Pejë, Podujevë, Gjakovë dhe në veri.

    Prishtinë / 21.02.2025 – 23:30. Dyshohet se viktima femër kosovar me të dyshuarin mashkull kosovar -bashkëshortin e saj kishin pasur një mosmarrëveshje verbale dhe i dyshuari e kishte kapur për dy duart në krah me qëllim që ta ndalojë dhe si pasojë të dy ishin rrëzuar për tokë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Lipjan / 22.02.2025-10:00. Tre të dyshuar-a janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim pasi që kanë pasur mosmarrëveshje. Tretman mjekësor kanë pranuar të dyshuarat femra. Në konsultim me prokurorin, të gjithë të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ferizaj 22.02.2025, 16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën femër shqiptare shtetase e huaj me të cilën bashkëjeton. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Podujevë / 22.05.2025-15:00.Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën f/k-të dashurën e tij dhe të njëjtën e ka kanosur se do ti poston fotot e saj, nëse rastin e denoncon në polici. Viktima për shkak të lëndimeve, pasi ka pranuar tretman mjekësor, është kthyer tek prindërit e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Prishtinë 22.02.2025, 14:21. Ankuesi mashkull shtetas i huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga djali i tij. Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është liruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 21.02.2025, 21:30,I dyshuari mashkull kosovar dyshohet se nën ndikim të substancave narkotike e kishte kanosur dhe e kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë / 22.02.2025-10:00. I dyshuari m/k-ish bashkëshorti i viktimës f/k, me të cilin kanë katër fëmijë, dyshohet se ka telefonuar vajzën e tyre dhe ka kanosur se nëse dikush i dërgon foto të viktimës me ndonjë djalë, do ta vras. Viktima pas intervistimit është kthyer në banesën e saj, ndërsa i dyshuari pritet të intervistohet lidhur me rastin, pasi të sigurohet prezenca e tij. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti është duke u hetuar.

    Pejë 22.02.2025, 19:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete dy të dyshuarit një mashkull kosovar dhe një femër shtetase e huaj- burrë e grua. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Gjakovë 22.02.2025, 21:00. Është arrestuar e dyshuara femër/k, pasi që e njëjta në gjendje të dehur kishte ofenduar me fjalë të ndryshme viktimën mashkull/k bashkëshortin e saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    Mitrovicë Veri 22.02.2025, 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare bashkëshorten e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • SHBA-ja shpreh shqetësim për mbylljen e Qendrave serbe për punë sociale në veri

    SHBA-ja shpreh shqetësim për mbylljen e Qendrave serbe për punë sociale në veri

    Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për, siç ka thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.

    “Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, është thënë në një reagim të Ambasadës në X – dikur Twitter.

    Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

    Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

    Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

    Një objekt i mbyllur i Qendrës për punë sociale, që funksiononte në kuadër të sistemit serb.
    SHIKONI EDHE:
    BE fton Kosovën që të mos i mbyllë qendrat serbe që ofrojë shërbime sociale
    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti fitoi më së shumti vota, ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.

    Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në objektet e këtyre Qendrave, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se punonjësit e këtyre Qendrave nuk do të mbeten pa paga, ashtu siç asnjë përfitues i ndihmave sociale nuk do të mbetet pa përfitimet që ua paguan atyre shteti i Serbisë.

    Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.

    Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.

    Më 18 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

    Edhe Nathalie Loiseau, shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati thënë më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

  • Të hënën seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Të hënën seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Gjatë javës së ardhshme do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin përballë trupit gjykues në Hagë nga e hëna deri të enjten, me të gjitha seancat që fillojnë në ora 09:00.

    Kujtojmë se gjatë javës u mbajtën dy konferenca dhe vetëm një seancë gjyqësore, në të cilën ish-presidenti Hashim Thaçi nuk u ndje mirë.

    Të martën e 18 shkurtit, Specialja vendosi për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte.

    Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, vendosi për modifikimin e dënimeve të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari dhe mundësoi lirimin e tyre sot me kushtet e përcaktuara në vendimet përkatëse.

  • Zhduket një vajzë e mitur në Fushë Kosovë

    Zhduket një vajzë e mitur në Fushë Kosovë

    Një burrë ka njoftuar policinë se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk di për vendndodhjen e saj.

    Rasti i cili është lajmëruar në Fushë Kosovë, është nën hetime nga njësitet kompetente.

  • Rashiqi “beson” se merr një mandat në Kuvend të Kosovës

    Rashiqi “beson” se merr një mandat në Kuvend të Kosovës

    Ndonëse votat me kusht ende s’janë numëruar ku gjasat janë të mëdha që Lista Serbe të sigurojë edhe mandatin e fundit – 10 gjithsejt – Nenad Rashiq nga partia “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” beson se do ta ketë një mandat në Kuvendin e osovës.

    “Sipas rezultateve aktuale, ndonëse ekte nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato nga diaspora, kemi mjaftueshëm hapësirë të besojmë se do të hyjmë (në Kuvend të Kosovës)”, ka thënë ai për Radiokim.

    “Ne punojmë shumë. Dua të them se votuesit dhe votat tona janë të vërtetat, ata kanë shpirt dhe zemër. Jo nën detyrim, kërcënim, shantazh apo injorancë, por votat tona janë nga njerëz që kuptojnë dhe dinë se për çfarë dhe për kë të votojnë. Këtë mund ta shihni nga votat për kandidatët. Secili kishte një mesazh, qoftë për mua, qoftë për kandidatët e mi në listë”, vazhdoi ai.

  • Arrestohen në Fushë Kosovë dy të dyshuar për tentim vrasje

    Arrestohen në Fushë Kosovë dy të dyshuar për tentim vrasje

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Sipas policisë, të dyshuarit janë arrestuar në një objekt banesor në Fushë Kosovë.

    “Pas publikimit të fotografive të të dyshuarve S. T. dhe E. B. më 6 shkurt 2025, policia ka vazhduar hetimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Më 22 shkurt 2025, Sektori Rajonal i Hetimeve, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacione mbi vendndodhjen e tyre. Njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të specializuara hetimore për të vërtetuar praninë e të dyshuarve dhe pasi është konfirmuar identiteti i tyre, policia ka arritur t’i arrestojë ata në një objekt banesor në Fushë Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobil dhe dy copë fishekë, ndërsa të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.

  • Gjendja e mbeturinave në kryeqytet, qytetarët: Turp që Prishtina të duket kështu

    Gjendja e mbeturinave në kryeqytet, qytetarët: Turp që Prishtina të duket kështu

    Qytetarët e Prishtinës janë të shqetësuar për gjendjen e mbeturinave, duke shprehur kritika ndaj komunës së Prishtinës dhe shërbimit të pastrimit, raporton EO.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Jakup Bibaj theksoi se pastrimi është përfshirë në një përplasje me komunën, duke u shprehur se nga këto mospajtime qytetarët janë të pasigurt se kujt duhet t’i besojnë dhe po rrezikohen nga mbeturinat.

    “Kjo përplasje që është bërë në mes komunës dhe pastrimit, nuk e di çka të them por kjo më shumë ka marr kuptim negativ te qytetari. Pse duhet të ketë përplasje dhe mospajtime. Sot erdhën në lagjen time kamionët e mbeturinave dhe u gëzova që i pash në uniforma të reja dhe kamion të ri. Është me të vërtetë për tu brengosur për komunën përse mos t’i përgatis punëtorët. Nuk po dimë se kujt t’i besojmë pastrimit apo komunës”, ka deklaruar Bibaj.

    Qytetarja Ajshe Jaha e konsideroi situatën si një anomali, duke fajësuar sistemin e pastrimit dhe menaxhimin e mbeturinave.

    Ajo shtoi se pastrimi në Prishtinë ka rënë dhe se qyteti ka humbur pamjen e tij të pastër, duke u shprehur me shqetësim kur mysafirët e saj nga Zvicra vijn dhe shohin gjendjen e qytetit.

    “Çështja e mbeturinave është anomali e cila nuk po përmirësohet asnjëherë, nuk është fajtor populli që po hedh mbeturina sepse gjithkush ka mbeturina, por është fajtor sistemi i rregullimit për pastrimin dhe bartjen e mbeturinave siç shihet udhëheqësit vërejtje nuk kanë vetëdije nëse një qytet nuk është qytet që nuk transferohet dhe nëse nuk riciklohen mbeturinat. Për një qytet është marri turp, që Prishtina të duhet kështu, Prishtina nuk është dukur kështu para disa viteve. Mbeturinat nuk e kanë lokacionin siç duhet, ai është lokacion primitiv më vjen keq kur me mua vjen dikush nga Cyrihu ku unë jetojë, ta vizitojnë vendin tim dhe e shohin, kjo është marri. Nuk po shohim asgjë të mirë, të vij në banesën time më vjen turp”, ka thënë Jaha.

    Ndërsa, Sali Salihu theksoi se ndonëse ka përmirësime, pastrimi nuk është në nivelin e duhur, sipas tij sidomos në qendër të qytetit.

    Ai kërkoi më shumë pastrim dhe shtim e përmirësim të shportave të mbeturinave dhe kontejnerëve.

    “Nuk është e pastër sa duhet me qenë. Diçka është bërë dhe po mundohen, por ashtu siç e kërkon nevoja nuk është. Jetoj në hyrje të Veternikut, ka pasur raste që janë stërmbushur kontejnerët. Shportat e mbeturinave duhet me qenë më të ulëta. Kurse në qendër duhet me qenë pastërtia në nivel”, ka theksuar Salihu.

  • Azemi: Vonesa e formimit të qeverisë po dëmton punëtorët e sektorit privat

    Azemi: Vonesa e formimit të qeverisë po dëmton punëtorët e sektorit privat

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar vonesën e formimit të qeverisë, duke theksuar se kjo po përkeqëson situatën për punëtorët e sektorit privat.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka deklaruar se edhe kur institucionet ishin në funksion, ka pasur probleme të mëdha për punëtorët, ndërsa vakumi aktual është duke e rënduar edhe më tej këtë situatë.

    “Edhe kur i kemi pasur institucionet në rregull legale dhe legjitime, kemi pasur telashe dhe probleme aq të mëdha, sa që nuk me marrë me mend, sepse nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Sidomos tani edhe ky vakum që shpresojmë që nuk del ashtu siç po mendoj, do të jetë një vakum shumë i gjatë, kjo vetëm sa e rëndon më tepër pozitën e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës. Nëse janë të gatshme qeveria dhe parlamenti që të nisin me u marr me problemet që ne i kemi, ne jemi shumë vonë. Mos të flasim që mund të ndodh që me javë e me muaj nuk kemi mundur të konstituar organet”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online.

    Ai ka kërkuar që punëtorët e sektorit privat, veçanërisht ata që ofrojnë shërbime për institucionet shtetërore, të trajtohen në mënyrë të barabartë me ata të sektorit publik.

    “Në mënyrë automatike dhe drejtpërdrejtë dëmtohen punëtorët e sektorit privat të Kosovës, sepse ne kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha, kemi problemin parësor që kemi thënë deri më tani. Kërkesa e punëtorëve të sektorit privat sidomos ku ata kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, duhet të barazohen me punëtorët e sektorit publik. Kemi punëtorë në QKUK, punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik, ku për të njëjtën pozicion punëtorët që paguhen direkt nga buxheti i Kosovës, marrin 50 euro më shumë që do të rritet edhe në qershor 50 euro, kurse në që kryejmë shërbimin në të njëjtën vend, vetëm përmes kompanisë private merr 100 euro më pak dhe kërkesa jona është që duhet të barazohemi”, shtoi ai.

    Azemi gjithashtu ka paralajmëruar protesta dhe greva nëse kërkesat e punëtorëve nuk realizohen.

    “Nëse nisemi nga e kaluara çdo kërkesë që e kemi bërë e kemi realizuar por ne e dimë që e kemi realizuar me kërkesa dhe greva që ne asnjëherë nuk lavdërohemi me ta sepse institucionet tona kanë kryer punë ose kanë aprovuar kërkesat tona vetëm atëherë kur e kanë pasur punën nga t’ia mbajnë. Çdo minutë për punëtorët e sektorin privat të Kosovës, mos konstitimin i Kuvendit dhe qeverisë është një dëm shumë i madh. Neve nuk e dimë kush do të vijë në qeveri, por sigurisht që do të ketë protesta dhe greva karshi asaj se sa janë të gatshëm të realizojnë kërkesat tona ligjore dhe legjitime”, tha ai për Ekonomia Online.

    Ndryshe, ende po vazhdon numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Votat e kandidatëve për deputetë janë numëruar në rreth 80 për qind të vendvotimeve.

  • Prishtina sot zë vendin e 18-të në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina sot zë vendin e 18-të në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina sot po zë vendin e 18-të në botë sa i përket ndotjes së ajrit.

    Kjo, bazuar në matjet e “IQ Air”, e cila tregon se vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 122, transmeton Klankosova.tv.

    Vlera e këtyre grimcave, sipas kësaj platforme, është e dëmshme për grupet sensitive të njerëzve.