ATV

Category: Lajme

  • Ministrja serbe që foli në konventën e AfD-së në Gjermani, tha se kjo parti e kupton qëndrimin e Serbisë për Kosovën

    Ministrja serbe që foli në konventën e AfD-së në Gjermani, tha se kjo parti e kupton qëndrimin e Serbisë për Kosovën

    Ministrja serbe për Përkujdesje Familjare dhe Demografi në qeverinë serbe, kryetarja e partisë së djathtë “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq ka folur në konventën finale të partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila garon sot në zgjedhjet e parakohshme për Bundestagun.

    Ajo e ka përmendur Kosovën, duke iu referuar si pjesë të Serbisë. Këtë, ajo tha se AfD-ja “e kupton”.

    “Populli ynë në Kosovë është sot grupi etnik më i rrezikuar në të gjithë Europën. Autoritetet e vetëshpallura të Kosovës po kryejnë terror të tmerrshëm kundër serbëve që kanë mbetur në vendlindjet e tyre, duke uzurpuar pronat tona, duke përdhosur vendet tona të shenjta dhe monumentet kulturore”, tha ajo, siç raportoi Euronews Serbia.

    Ajo tha se beson se “do të vijë koha kur gjithë botës do t’i kujtohet se Kosova ishte, është dhe do të mbetet Serbi”.

    Gjurgjeviq bëri fushatë që serbët në Gjermani të votojnë për këtë parti, e cila, siç tha ajo, foli disa herë për komunitetin serb atje.

    Ndërsa përmendi edhe partinë e vet, Gjurgjeviq deklaroi se është pjesë krenare që ajo është pjesë e një familjeje të madhe “sovranistësh kombëtarë”, të cilët, siç tha ajo, “u japin goditje të dhunshme politike neoliberalëve globalë në mbarë botën”.

    Sipas sondazheve, Friedrich Merz ka shanset më të mira për të fituar kancelarinë. Kryetari i CDU-së udhëheq Unionin e CDU/CSU, i cili, pasi drejtoi vendin për 16 vjet, kaloi në opozitë në vitin 2021 dhe tani kërkon të rikthehet në pushtet. Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja. Kjo është dyfishi i rezultatit të saj në vitin 2021.

  • Trump deklarohet rreth raportimit të mediave franceze se ai do të vizitojë Rusinë dhe do të takohet me Putinin

    Trump deklarohet rreth raportimit të mediave franceze se ai do të vizitojë Rusinë dhe do të takohet me Putinin

    Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar se do të udhëtojë në Moskë më 9 maj dhe do të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin.

    Të premten, revista e përjavshme franceze e lajmeve Le Point, duke cituar burime anonime, raportoi se Trump mund të marrë pjesë në një paradë në kryeqytetin rus për të shënuar 80-vjetorin e “Fitores në Luftën e Madhe Patriotike”, një term i përdorur në Rusi për të përshkruar luftimet e Frontit Lindor gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    I pyetur në Shtëpinë e Bardhë të premten nëse kishte ndërmend të shkonte, Trump hodhi poshtë raportet e mediave.

    “Jo, jo nuk do të shkojë”, tha ai.

    Trump u pyet gjithashtu për një marrëveshje të mundshme mineralesh midis Uashingtonit dhe Kievit që iu prezantua presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent më herët në shkurt.

    Kjo marrëveshje do të bënte që SHBA të merrte një ulje prej 50% të të gjitha të ardhurave të gjeneruara nga mineralet e tokës së rrallë dhe burimet natyrore të Ukrainës, në atë që zyrtarët amerikanë po e quajnë pagesë për mbështetjen e mëparshme ushtarake.

    “Unë mendoj se jemi shumë afër, po. Mendoj se ata e duan. Ata ndihen mirë për këtë. Dhe është një gjë e rëndësishme, është një punë e madhe, por ata e duan dhe kjo na mban në atë vend dhe ata janë shumë të lumtur për këtë”, citohet të ketë thënë Trump.

    Por këto komente janë në kontrast të plotë me komentet e mëparshme të Zelenskyt të mërkurën kur ai tha “Unë nuk mund ta shes Ukrainën” dhe refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen.

    Uashingtoni kërkoi 500 miliardë dollarë (477 miliardë euro) në pasuri minerale nga Ukraina.

    Kjo u refuzua nga Zelensky me arsyetimin se SHBA-ja nuk kishte ofruar asnji shumë afër kësaj shume në ndihmë ushtarake ose financiare dhe nuk kishte ofruar ndonjë garanci specifike sigurie.

    Që nga viti 2022, SHBA i ka ofruar Ukrainës armatime me vlerë rreth 67 miliardë dollarë.

  • Gjermania mban zgjedhjet që po vëzhgohen nga afër prej Evropës dhe SHBA-së

    Gjermania mban zgjedhjet që po vëzhgohen nga afër prej Evropës dhe SHBA-së

    Gjermanët u janë drejtuar të dielën kutive të votimit, pas një fushate intensive që është dominuar nga situata ekonomike e Gjermanisë dhe sulmet vdekjeprurëse që e kanë kthyer migrimin në çështjen kryesore të sigurisë.

    Friedrich Merz, lider konservator 69-vjeçar, konsiderohet figura që ka më së shumti shanse për t’u bërë kancelar i Gjermanisë, përmes këtij procesi zgjedhor që po vëzhgohet nga afër në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Ai është zotuar për t’i zgjidhur shumicën e problemeve brenda katër vjetëve – sfidë e konsiderueshme për shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë.

    Nëse fitojnë Demokristianët e Merzit, ai do të duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti, dhe më së shumti shanse ka me Socialdemokratët e Olaf Scholzit, Qeveria e të cilit është shpërbërë në fund të vitit të kaluar.

    Në rast të fitores, Merz e ka bërë të qartë se nuk do të krijojë koalicion me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila pritet të renditet si forca e dytë me madhe politike, duke e lënë mbrapa edhe partinë e qendrës së majtë të Scholzit.

    Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë, ndonëse miliona prej tyre veçse kanë votuar me postë.

    Sipas sondazheve, rreth 20 për qind e popullsisë është e pavendosur se për kë të votojë.

    Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18:00 dhe rezultatet e para pritet të dihen në mbrëmje.

    Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë rëndësi të madhe për Gjermaninë, pasi ky vend do të duhet të marrë vendime të mëdha si në shtëpi, ashtu edhe në skenën botërore.

    Merz zotohet për udhëheqje të pushtetshme në Evropë, ndonëse Berlini është nën presion për t’i liruar kufizimet për buxhet në ushtri.

    Si ofruesja më e madhe e ndihmës ushtare për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara, Qeveria e re gjermane do të përballet edhe me udhëheqjen e re amerikane.

    Liderët politikë gjermanë janë tronditur nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili është takuar me kandidaten e AfD-së për kancelare, Alice Weidel, dhe i cili ka bërë thirrje për dhënie fund të tabusë që të mos bisedohet me të djathtën ekstreme.

    Kundër AfD-së është protestuar në disa qytete gjermane të shtunën.

    Kjo parti është rritur dukshëm në disa rajone lindore, po është duke u rritur edhe në pjesën perëndimore, sidomos tek audiencat e reja përmes platformës TikTok.

    Kjo parti synon të largojë Gjermaninë nga BE-ja, t’i ndryshojë politikat për klimën, të ndërtojë centrale bërthamore, dhe të riparojë linjat e transportit të gazit dhe marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.

  • Qytetarët ndihen të mashtruar nga marketet për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

    Qytetarët ndihen të mashtruar nga marketet për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

    Qytetarët ankohen se po ndihen të mashtruar nga disa pronarë të marketeve, pasi që sipas tyre nuk mund t’i shohin artikujt e skanuar dhe çmimet e tyre tek arka, kjo për shkak se ekranet nuk janë të kthyer edhe nga ana e tyre gjatë blerjes së artikujve. Ata akuzojnë tregtarët me këtë lloj biznesi se kjo po bëhet me qëllim të manipulimit të çmimeve.

    Ndërsa, ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë këtë si shqetësuese. Ndërkaq, nga shoqata për mbrojtje të konsumatorëve thonë se është veprim i gabuar dhe se duhet të shqiptohen gjoba e ndëshkime.

    Ndërkaq, nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë(MINT) thonë se projektligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili është në fazën e fundit të shqyrtimit, në të cilin është adresuar edhe kjo çështje.

    Qytetarja Synavere Llapaj thotë se gati për çdo ditë që frekuenton qendrat tregtare has në këtë parregullsi. Sipas saj, kjo duhet të ndryshojë.

    Edhe Avdullah Mustafa thotë se manipulimi është i mundshëm për shkak të vendnisjes së gabuar të ekraneve.

    Mos vendosja e ekranit të kompjuterëve nga ana e konsumatorit sipas ekspertit të ekonomisë, Adem Qorrolli, nga marketet e mëdha bëhet me qëllim të ikjes së çmimit raft-arkë.

    Qorrolli potencon se institucionet mbikëqyrëse duhet të bëjnë kontrolla nëpër qendra tregtare, ngase sipas tij “atë që e sheh shitësi, atë duhet të sheh edhe konsumatori”.

    Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se mosvendosja e ekranit përballë konsumatorit është veprim i gabuar. Sipas tij, meqë kjo po bëhet për disa vite me radhë dhe nuk po rregullohet pavarësisht ankesave, po bëhet me qëllime të manipulimit.

    Kaçaniku thotë se bizneset që bëjnë këtë veprim duhet të gjobiten.

    Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Ministria e Industria, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thonë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) sapo të hyjë në fuqi projektligji i ri do të kërkojmë implementim lidhur me këtë çështje.

    Ata potencojnë se IQMT-ja gjatë mbikëqyrjes inspektuese, në rastet kur konstaton shkelje ligjore, shqipton gjoba.

    Ndër të tjera, në përgjigjen e tyre thuhet se IQMT-ja në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mision mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë, luftimin e informalitetit dhe garantimin e sigurisë të të gjithë mallrave dhe shërbimeve që qarkullojnë në tregun e Kosovës./kp

  • Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota, gabuan apo qëllimshëm?

    Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota, gabuan apo qëllimshëm?

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e 9 shkurtit në komunën e Drenasit ishte 44.94% ose 25.482 votuesë, të cilët shumica ose 74.05 përqind i besuan Partisë Demokratike të Kosovës, por paradoksale është votat që i shkuan minoriteteve në Kosovë, edhe pse në këtë komunë nuk ka banorë nga minoritetet.

    14 parti të minoriteteve kanë marrë 201 vota. Aty u votua edhe për Listën Serbe, e cila ka marrë 5 vota.

    Më poshtë po iu sjellim votat që partitë e minoriteteve kanë marrë në këtë komunë:

    Naša Bošnjačka Koalicija (Naša Inicijativa i Bošnjačka stranka 1

    NOVA DEMOKRATSKA STRANKA 3

    KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ 2

    Srpski narodni pokret 2

    SRPSKA DEMOKRATIJA 2

    Opre Roma Kosova 2

    GRADJANSKA INICIJATIVA NARODNA PRAVDA 2

    Koalicija Vakat 6

    SRPSKA LISTA 5

    Za Slobodu Pravdu i Opstanak 14

    PDAK-LPB 10

    Jedinstvena Goranska Partija 55

    Yenilikçi Türk Hareket Partisi 36

    INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS – IRDK 61

  • Fushë-Kosovë: Treni godet veturën e parkuar në hekurudhë

    Fushë-Kosovë: Treni godet veturën e parkuar në hekurudhë

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak minutash në Fushë-Kosovë.

    Sipas IndeksOnline, një tren ka goditur një pikap të parkuar në shinat e hekurudhës.

    Nga aksidenti nuk raportohet për të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

  • Leavitt thotë Trump këtë javë mund të arrijë marrëveshje me Rusinë

    Leavitt thotë Trump këtë javë mund të arrijë marrëveshje me Rusinë

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi të shtunën se Presidenti Donald Trump është i sigurt në aftësinë e tij për të arritur një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, duke sugjeruar se fundi i luftës trevjeçare mund të vijë që në fillim të kësaj jave.

    Leavitt ua tha këtë gazetarëve pasi u kthye nga Konferenca e Veprimit Politik Konservator, raporton Ukrinform, duke cituar The Hill.

    “Presidenti, ekipi i tij janë shumë të përqendruar në vazhdimin e negociatave me të dyja palët e kësaj lufte për t’i dhënë fund konfliktit dhe presidenti ka shumë besim se ne mund ta bëjmë këtë javë,” tha ajo.

    Komentet vijnë pasi Presidenti Trump sugjeroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk ka letra” dhe duhet të ndalojë bisedat me liderët ndërkombëtarë që përfshijnë negociatat e paqes në vazhdim.

    Leavitt përmendi se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Matt Waltz do të punonte “rreth orës” këtë fundjavë për një marrëveshje dhe tha se Sekretari i Thesarit Scott Bessent ka qenë i përfshirë në diskutimet rreth një marrëveshjeje të propozuar me ukrainasit për shfrytëzimin e mineraleve të papërpunuara.

  • 87 vjet nga zbulimi i naftës në Kuvajt

    87 vjet nga zbulimi i naftës në Kuvajt

    Burimet e para të naftës në Kuvajt u zbuluan më 23 shkurt 1938, duke e bërë atë ndër vendet më të pasura në botë.

    Kuvajti, i cili kufizohet me Arabinë Saudite dhe Irakun, është shtëpia e shtatë për qind të rezervave të papërpunuara botërore.

    Sipas kushtetutës së Kuvajtit, të gjitha burimet natyrore të vendit dhe të ardhurat që lidhen janë pronë e qeverisë.

    Më 23 janar 2025, Kuwait Petroleum Corporation (KPC) ka konfirmuar një zbulim të madh hidrokarburesh në fushën detare Al-Julaia në brigjet e Kuvajtit.

    Fusha, që mbulon mbi 74 kilometra katrorë, është vlerësuar të mbajë rreth 800 milionë fuçi naftë me densitet të mesëm dhe 600 miliardë këmbë kub standarde gaz të lidhur, ekuivalente me 950 milionë fuçi naftë ekuivalente.

    Kompania ka nisur studimin tredimensional hulumtues që përfshin mbi 6 mijë kilometra katrorë për të mbledhur njohuri për zonën, duke ndihmuar në vendimmarrjen për të ecur përpara me përcaktimin e rezervuarëve për të arritur fazën e prodhimit.

  • Sulmohet një taksist në veri

    Sulmohet një taksist në veri

    Një person derisa kishte qenë duke punuar me veturë taksi, dyshohet se është sulmuar fizikisht në kokë me grushta nga pasagjeri duke mos bërë as pagesën për shërbimin.

    Rasti ka ndodhur dje në mesditë në veri të Mitrovicës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet.

  • Mijëra kanadezë nënshkruajnë peticionin për t’i hequr shtetësinë Elon Musk

    Mijëra kanadezë nënshkruajnë peticionin për t’i hequr shtetësinë Elon Musk

    Një numër në rritje kanadezësh po mbështesin një peticion që i kërkon kryeministrit Justin Trudeau t’i heqë shtetësinë kanadeze sipërmarrësit miliarder, Elon Musk.

    Peticioni i nisur nga banorja e British Columbia Qualia Reed dhe i sponsorizuar nga deputeti i Partisë së Re Demokratike (NDP), Charlie Angus, argumentoi se Musk është angazhuar në aktivitete që shkojnë kundër interesit kombëtar të Kanadasë.

    Duke vënë në dukje se Musk, “ka përdorur pasurinë dhe fuqinë e tij për të ndikuar në zgjedhjet tona”, peticioni pretendonte se Musk është “një anëtar i një qeverie të huaj që po përpiqet të fshijë sovranitetin kanadez.

    “Ne, të nënshkruarit, qytetarët e Kanadasë, i bëjmë thirrje kryeministrit që t’i heqë statusin e dyshtetësisë së Elon Musk dhe t’i heqë menjëherë pasaportën kanadeze”, thuhet në deklaratë, raporton AA.

    Musk, i lindur në Afrikën e Jugut, u bë kanadez përmes nënës së tij, e cila lindi në Saskatchewan.

    Më shumë se 52,100 kanadezë kanë nënshkruar peticionin online që do të prezantohet në Dhomën e Komunave pasi të mbyllet më 20 qershor.

    Nuk ka asnjë tregues nëse qeveria do të shqyrtojë heqjen e shtetësisë së Musk.