ATV

Category: Lajme

  • 10 ton mandarina me pesticide u shitën në Shqipëri, arrestohen tre persona

    10 ton mandarina me pesticide u shitën në Shqipëri, arrestohen tre persona

    Rreth 10 ton mandarina me pesticide që i ndaloi Kroacia në muajin dhjetor janë shitur në treg për konsumatorët shqiptarë.

    Në këtë konkluzion ka dalë policia e Beratit e cila ka arrestuar tre persona që i cilëson përgjegjës.

    Ata janë fermeri Elton Tafa, grumbulluesi Arben Dyli dhe veterineri Elson Tahiraj.

    Nga shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese, tek Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve, Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, janë katër veprat penale të cilat rëndojnë mbi këta persona.

    Nga hetimet e prokurorisë së Beratit dyshohet se fermeri shtetasi Elton Tafa i ka shitur Arben Dylit administratorit të një pike grumbullimi 10 ton mandarina të cilat më pas pika e grumbullimit i ka eksportuar drejt Kroacisë. Por kur autoritetet kroate kryen analizat e nevojshme rezultoi se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t’u përdorur.

    Në këto kushte ngarkesat me mandarina u kthyen mbrapsht në vendin e origjinës. Prokuroria thotë se ngarkesa u tërhoq nga Arben Dyli me qëllim që të asgjësohej, por ka dyshime të forta se këtë sasi mandarinash të dëmshme për shëndetin ai e ka hedhur sërish në treg.

    Në këtë pikë dyshohet se e ka ndihmuar inspektori i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve Elson Tahiraj, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme, mes tyre edhe për 10 ton mandarinat e Arben Dylit, të cilat duhet të ishin asgjësuar./TopChannel

  • Punëtori në Lipjan rrëzohet nga ndërtesa ku po punonte, arrestohet pronari i objektit

    Punëtori në Lipjan rrëzohet nga ndërtesa ku po punonte, arrestohet pronari i objektit

    Një punëtor është rrëzuar nga ndërtesa ku po punonte në Lipjan, derisa lidhur me rastin u arrestua pronari i ndërtesës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 07:50, ndërsa viktima ka pranuar ndihmë mjekësore.

    Rasti është iniciuar si “Asgjësim apo dëmtim, heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    “ Pronari i objektit i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.

  • Leonita Shabani Mullarama emërohet sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë

    Leonita Shabani Mullarama emërohet sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë

    Leonita Shabani Mullarama është emëruar sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Ekonomisë.

    Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e sotme të qeverisë se përzgjedhjen e saj e ka bërë një komision me “vlerësim profesional”.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se në garë ishin 18 kandidatë, prej të cilëve tha se “5 kanë marrë pjesë në test dhe 2 janë intervistuar”.

  • ​Graham: Koordinimi ndërkombëtar, i domosdoshëm përballë dezinformatave ruse dhe kineze

    ​Graham: Koordinimi ndërkombëtar, i domosdoshëm përballë dezinformatave ruse dhe kineze

    Dezinformatat ruse dhe kineze paraqesin problem global që kërkon koordinim dhe angazhim të bashkërenduar mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, thotë Ben Graham, konsulenti i specializuar në sfidat e reja për integritetin e zgjedhjeve.

    Ky bashkëpunim, thekson ai, është i domosdoshëm për të ndërtuar integritetin e informacionit.

    Në anën tjetër, dezinformimit rus nuk i shpëtuan as zgjedhjet në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt. Tituj me përmbajtje manipuluese pati gjatë gjithë fushatës.

    Misioni i Bashkimit Evropian theksoi se vetëm “RT Balkan” dhe “Sputnik Serbia” kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, me narrativë manipulimi kundër komunitetit serb.

    “Dezinformata ruse është një sfidë globale dhe është një realitet me të cilin çdo vend duhet të përballet. Kemi dezinformata nga një gamë e gjerë, që është gjithnjë e më shumë e koordinuar. Kështu që shohim, për shembull, perversione të informacionit që herë pas here përforcohen gjithashtu edhe nga rrjetet kineze, pra shohim një nivel të rritur të koordinimit global. Por, sa i përket Ballkanit në mënyrë specifike, ka shumë organizata që punojnë në këtë fushë brenda rajonit, mendoj se do të ishte e përshtatshme të flisnim brenda këtyre dinamikave”, thotë ai.

    Graham flet për masat që po merren për të ruajtur integritetin e informacionit dhe zgjedhjeve.

    “Do të thosha se BE-ja po ndërmerr hapa shumë të rëndësishëm, nëse e shohim FIMI-ISAC për shembull, i cili është krijuar për të lehtësuar një koordinim më të madh, në kuadër të kuptimit të natyrës së kërcënimit. Ka gjithashtu një numër gjithnjë e më të madh organizatash që po përdorin korniza të përbashkëta për të shpërndarë të dhëna dhe për të ndarë informacion mbi incidentet e dezinformimit, përfshirë operacionet informative ruse. Mendoj se tashmë ka shumë përparime që janë bërë në nivelin e BE-së, por në të vërtetë kjo kalon përtej BE-së. Është një sfidë globale, dhe ajo që duhet të bëjmë tani është forcimi i këtyre lidhjeve përtej BE-së, për të siguruar që sa më shumë organizata të mundshme të punojnë për të ndërtuar integritetin e informacionit”, thotë Graham.

  • Vjedhje në një kishë në Gjilan, kaq ishte shuma e parave

    Vjedhje në një kishë në Gjilan, kaq ishte shuma e parave

    Dyshohet se disa persona kanë hyrë me forcë në një kishë në Gjilan dhe nga aty kanë vjedhur 27 euro.

    Policia e Kosovës njofton se rasti po hetohet dhe këtë e ka cilësuar si vjedhje të rëndë.

    “Vjedhje e rëndë. Gjilan, 22-25.02.2025-14:30-11:00. Dyshohet se persona të panjohur kanë hapur me forcë derën e objektit fetar (kishës) dhe nga aty kanë arrit të marrin para të gatshme në vlerë rreth 27 euro. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.

    Po ashtu në Prizren, është raportuar se dje është raportuar se tek zyra që gjendet në brendi të varrezave ka ndodhur një vjedhje.

    Sipas policisë njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe konfirmon se nga zyra janë vjedhur pajisje pune si dhe është dëmtuar dera e hyrjes. Ndërsa, rasti është duke u hetuar.

  • Haxhiu: Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar asnjëherë ftesën për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Haxhiu: Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar asnjëherë ftesën për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka refuzuar asnjëherë ftesën për intervistim nga Prokuroria Speciale.

    Në konferencë për media, Haxhiu ka thënë se çështja e vetme në këtë rast është lokacioni.

    “Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën për të dhënë dëshminë e tij. Kryeministri i ka ftuar prokurorët të vijnë në ZKM të jap dëshminë e tij, por Prokuroria siç duket nuk ka vullnet për të marrë dëshminë e Kurtit. Unë nuk e di si u është drejtuar Gjykatës, por një gjë e di se Kurti është shprehur i gatshëm të jap dëshminë e tij. Nuk e kam parë si të tillë dhe nëse PSRK ka thënë se kryeministri Kurti refuzon të jap dëshminë është e pavërtetë. E vetmja çështje është lokacioni por më duhet të them se sistemi i drejtësisë nuk ka qenë kurrë më i lirë se sa sot por nuk ka qenë as më politik se sa sot”, tha ajo.

  • ​Dyshime për kultivim të bimëve narkotike, policia realizon bastisje në Novosellë

    ​Dyshime për kultivim të bimëve narkotike, policia realizon bastisje në Novosellë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit kanë kontrolluar pronën e një personi në Novosellë të Komunës së Pejës i cili dyshohet se ka kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve kanabis.

    “Njësit policore kanë zbatuar urdhrin verbal të prokurorit të shtetit për kontrollimin e pronës dhe objekteve përcjellëse të dyshuarit mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti është duke kryer veprën e lartcekur penale”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit policia bënë me dije se nën tokë janë gjetur tri dhoma të improvizuara, po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar 52 poqa elektrik me kapacitet të lartë ndriçimi dhe ngrohje kabllo elektrike, qese të zbrazëta plasmasi, plasmasë role dhe një DVR me pamje të kamerave. Rasti sipas policisë është nën hetime.

  • Kurti: Qytetarët presin nga ne formimin e qeverisë

    Kurti: Qytetarët presin nga ne formimin e qeverisë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar më shumë angazhim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përfundimin e procesit të numërimit të votave.

    Në adresimin e tij në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti bëri thirrje për kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur siç u shpreh ai një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.

    Ai tha se edhe diaspora pati një pjesëmarrje të madhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    “Të gjithë presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve për çfarë falënderoj secilën dhe secilin. Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë e cila për herë të parë përveç votimit me post pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona”, theksoi ai.

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se nga Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit qytetarët presin sa më parë formimin e institucioneve të reja të vendit.

    Shefi i ekzekutivit kosovar kërkoi nga kabineti qeveritar që të vazhdojnë punën me të njëjtin ritëm.

    “Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës sipas njoftimeve të KQZ më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qarë të këtyre zgjedhjeve nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë nga ju të nderuar kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, tha Kurti.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj mbledhje përmendi edhe lehtësirat që janë krijuar për mërgatën përfshirë digjitalizimin dhe njohjen e patentë shoferëve nga disa shtete.

    Derisa theksoi se janë në proces të njohjes së patentë shoferëve edhe nga Kanadaja dhe Turqia.

    “Fillimisht ishte Gjermania ajo e cila njohu patentë shoferët tanë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes nga prilli i viti 2023 rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patentë shoferët nëpërmjet kësaj marrëveshje. Nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë për njohjen e patentë shoferëve, ndërkaq nga muaji i ardhshëm me Austrinë hynë në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese sa i përket ligjit të patentës së shoferëve në Austri….Pas Gjermanisë, Italisë, Austrisë në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentë shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe Turqinë”, theksoi Kurti.

    Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

    Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%. /kp

  • Merret vendim për rishikimin afatmesëm të strategjisë për sundimin e ligjit

    Merret vendim për rishikimin afatmesëm të strategjisë për sundimin e ligjit

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për rishikimin afatmesëm të strategjisë për sundimin e Ligjit dhe Planit te Veprimit 2025-2026.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kjo strategji ka pesë objektiva.

    “Gjyqësorin dhe prokurorinë efikase. Fuqizimin e drejtësisë penale dhe administrative”, tha ajo.

    Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe rregulloren për mekanizmin koordinues lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhunës ndaj grave si dhe dhunës në baza gjinore. Po ashtu edhe udhëzimin administrativ për linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës në familje.

    Qeveria po ashtu emëroi Edi Gusia si drejtoreshë të Agjencisë për Barazi Gjinore.

    Ndërkaq si sekretar të përgjithshëm në Ministri të Ekonomisë u emërua, Leonita Shabani-Mullarama.

  • Pas miratimit të linjës telefonike emergjente, Haxhiu thotë se viktimat do marrin ndihmë të menjëhershme

    Pas miratimit të linjës telefonike emergjente, Haxhiu thotë se viktimat do marrin ndihmë të menjëhershme

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të rëndësishëm Projekt-udhëzimin Administrativ për Linjën Telefonike Emergjente për Viktimat e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore.

    Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Haxhiu në konferencën për media ka thënë se viktimat kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve të shtetit dhe tha se linja telefonike emergjente ofron “ndihmë të menjëhershme në situata emergjente”.

    “Linja emergjente, të specializuar që ofron mbështetje të menjëhershme, të qasshme, të sigurt, konfidenciale për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. Linja telefonike emergjente shërben si pikë kontakti ndërlidhëse në nivel qendror dhe ofron mundësinë që viktimat dhe qytetarët që rastet e ndërlidhura me dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore”, u shpreh Haxhiu.

    Qeveria miraton linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës