ATV

Category: Lajme

  • BBC citon Trumpin, me marrëveshjen për mineralet Ukraina e fiton të drejtën për të vazhduar luftën

    BBC citon Trumpin, me marrëveshjen për mineralet Ukraina e fiton të drejtën për të vazhduar luftën

    Ukraina ka rënë dakord për kushtet e një marrëveshjeje të madhe mineralesh me SHBA-në, i tha BBC-së një zyrtar i lartë në Kiev.

    “Ne me të vërtetë kemi rënë dakord me një numër amendamentesh të mira dhe e shohim atë si një rezultat pozitiv”, tha zyrtari, pa dhënë detaje të mëtejshme, transmeton Gazeta Express.

    Raportet e mediave thonë se Uashingtoni ka hequr dorë nga kërkesat fillestare për të drejtën e 500 miliardë dollarëve (në të ardhura të mundshme nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, por nuk i ka dhënë garanci të forta sigurie Ukrainës së shkatërruar nga lufta – një kërkesë kryesore e Ukrainës.

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se ai e priste homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington që të nënshkruante marrëveshjen këtë javë, pasi të dy udhëheqësit shkëmbyen fjalë të forta për njëri-tjetrin.

    Pa konfirmuar se një marrëveshje ishte arritur, Trump tha të martën se në këmbim të marrëveshjes Ukraina do të merrte “të drejtën për të luftuar”.

    “Ata janë shumë të guximshëm”, u tha ai gazetarëve, por “pa Shtetet e Bashkuara dhe paratë e saj [SHBA-së] dhe pajisjet e saj ushtarake, kjo luftë do të kishte përfunduar në një periudhë shumë të shkurtër kohore”.

    I pyetur nëse furnizimet me pajisje dhe municione amerikane në Ukrainë do të vazhdojnë, ai tha: “Ndoshta derisa të kemi një marrëveshje me Rusinë… Ne duhet të kemi një marrëveshje, përndryshe do të vazhdojë”.

    Do të kishte nevojë për “një formë paqeruajtjeje” në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje paqeje, shtoi Trump, por kjo do të duhej të ishte “e pranueshme për të gjithë”.

    Ukraina ka depozita të elementeve dhe mineraleve të rralla, duke përfshirë litiumin dhe titanin, si dhe depozita të konsiderueshme të qymyrit, gazit, naftës dhe uraniumit – furnizime me vlerë miliarda dollarë.

    Trump pretendon se kjo marrëveshje do t’i siguronte SHBA-së të merrte më shumë se sa kishte shpenzuar për Ukrainën, por më shumë detaje thuhet se duhet të dakordohen.

    Sipas një burimi në zyrën presidenciale të Ukrainës, ajo që është rënë dakord në këtë fazë janë kushtet fillestare të një marrëveshjeje që përfshin ‘mineralet kritike’ të vendit dhe burimet e tjera.

    “Dispozitat e marrëveshjes janë shumë më të mira për Ukrainën tani”.

    Raportet thonë se do të krijohej një fond në pronësi të përbashkët, i cili do të përdoret për të rindërtuar infrastrukturën dhe ekonominë e Ukrainës. Ukraina do të kontribuojë në fond me 50% të të ardhurave të ardhshme nga burimet shtetërore minerale, nafta dhe gazi – dhe më pas fondi do të investojë në projekte në vetë Ukrainën.

    Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Olha Stefanishyna, e cila ka udhëhequr negociatat, i tha Financial Times se marrëveshja ishte “pjesë e një tabloje më të madhe”.

    Në një sfond armiqësor ku Uashingtoni duket se po përafrohet me Moskën, shpresohet se kjo marrëveshje do të hapë rrugën për më shumë bashkëpunim midis Kievit dhe aleatit të tij dikur më të madh.

    “Ukraina është vetëm fillimi. Prisni që Trump dhe ekipi i tij i politikës së jashtme të zbatojnë parimet e tyre “Amerika së pari” në mbarë botën gjatë katër viteve të ardhshme”.

  • Nesër do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së

    Nesër do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se nesër do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Çeku tregoi edhe përbërjen e këtij Këshilli.

    1. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;

    2. Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt, bashkëkryesues;

    3. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

    4. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

    5. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

    6. Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, anëtar;

    dhe 7. Përfaqësues nga Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar,

    Me këtë vendim, Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues.

  • Edi Gusia emërohet drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

    Edi Gusia emërohet drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

    Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

    Në këtë post u emërua Edi Gusia me propozim të komisionit ad hoc për vlerësimin profesional për pranim për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Barazi Gjinore,

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Komisioni pas përfundimit të procedurave, në pajtim më Ligjin për Zyrtarët Publikë i ka propozuar Qeverisë dy kandidatë: Zonjën Edi Gusia me 94.8 pikë dhe zotëri Vehbi Mujkun me 82.8 pikë.

    “Andaj duke pas parasysh arsyetimin e përmendur, propozoj që zonja Edi Gusia të emërohet në pozitën e drejtores ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, tha Kurti.

  • Qeveria miraton linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës

    Qeveria miraton linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-udhëzimin Administrativ për Linjën Telefonike Emergjente për Viktimat e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore, raporton EO.

    Në prezantimin e këtij projekt-udhëzimi, kryeministri Albin Kurti tha se viktimat kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve të shtetit dhe tha se linja telefonike emergjente ofron “ndihmë të menjëhershme në situata emergjente dhe referim të shpejtë të shërbimet përkatëse, duke siguruar që viktimat të kenë qasje në shërbimet e nevojshme për mbrojtjen dhe fuqizimin e tyre”.

    Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë tha se me këtë projekt-udhëzim synojnë që të krijojnë një “linjë emergjente, të specializuar që ofron mbështetje të menjëhershme, të qasshme, të sigurt, konfidenciale për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

    “Linja telefonike emergjente shërben si pikë kontakti ndërlidhëse në nivel qendror dhe ofron mundësinë që viktimat dhe qytetarët që rastet e ndërlidhura me dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore”, tha Haxhiu.

  • Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk ka shanse që të bien dakord me Serbinë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, transmeton Anadolu.

    Në një intervistë për një televizion grek, Rama ka folur për disa çështje, përfshirë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, marrëdhëniet me Serbinë, luftën Rusi-Ukrainë, Bashkimin Evropian (BE) dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

    “Serbia është këtu, është në rajon dhe ka lidhje me vëllezërit tanë në Kosovë dhe është e rëndësishme për marrëdhënien tonë. Pas 68 vjetësh unë vizitova Beogradin. Ne e kemi këtë mosmarrëveshje. Nuk ka shans që ne të biem dakord se cila është e ardhmja e Kosovës, por nga ana tjetër kjo nuk duhet të jetë arsye për të bërë shumë gjëra të tjera”, tha Rama.

    Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Rama tha se sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e historisë.

    “Marrëdhëniet (Shqipëri-Greqi) tani janë mirë, gjithmonë mund të jenë shumë më mirë. Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë shumë e rëndësishme për palën greke, ndërsa për ne ishte thjeshtë një mes shumë çështjesh, por jemi në rregull tani”, tha Rama, duke iu referuar çështjes së Alfred Belerit, i cili aktualisht është anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë dhe që u dënua në Shqipëri për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

    Rama theksoi se përcaktimi i zonave detare me Greqinë është një çështje tjetër që duhet të zgjidhin.

    “Donim që të ecnim përpara me disa çështje të mbetura pezull. Për ne është shumë e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë. Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie, por ligji është në fuqi”, tha Rama.

    Kujtojmë se disa vite më parë Shqipëria dhe Greqia u dakorduan që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.

    “Unë drejtoj një qeveri që në programin e vet që kur ishim në opozitë e ka shprehur qartë që politika jonë e jashtme, një prej shtyllave të saj është trekëndëshi i partneritetit strategjik me Italinë, Türkiyen dhe Greqinë. Greqia është partner strategjik, duam të jemi shumë pranë e të bëjmë shumë më tepër”, tha ndër të tjera Rama.

    Rama tha se Evropa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit kur vjen fjala për mënyrën se si njerëzit mund të organizohen dhe se si përmes politikës mund të ndërtohet diçka e jashtëzakonshme.

    “Por kështu siç është, Evropa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nëse nuk ndryshon situata mund të bëhet më e vështirë për Evropën”, shtoi ai.

    I pyetur se cili është qëndrimi i tij rreth bisedimeve SHBA-Rusi për luftën në Ukrainë, pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe BE-së, Rama tha se, “Mendoj se jetojmë në kohëra revolucionare. Ajo që po ndodh ka tiparet e një revolucioni. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se ‘status quo’-ja me të cilën jemi mësuar mund të na ndihmojë”.

  • ​ShSKUK-ja thotë se ka furnizim me tretësirë për infuzion, i quan dezinformata raportimet për mungesë

    ​ShSKUK-ja thotë se ka furnizim me tretësirë për infuzion, i quan dezinformata raportimet për mungesë

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka pasur qëndrueshmëri në furnizim me tretësirë për infuzion në QKUK dhe spitalet e përgjithshme.

    Derisa i quan dezinformata raportimet për mungesë në furnizim të tretësirës për infuzion.

    “Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ( ShSKUK), lidhur me dezinformatat publike, njofton se ka pasur dhe ka qëndrueshmëri në furnizim me tretësirë për infuzion (NaCl 0.9%- 500 mililitra), për asnjë moment nuk ka pasur mungesë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme. Theksojmë se në muajin janar 2025, ShSKUK ka pasur në stok 54 mijë e 610 copë me tretje për infuzion, NaCl 0.9%- 500 mililitra, të cilat në vazhdimësi janë̈ shpërndarë në institucionet që menaxhohen nga ShSKUK, si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme”, thuhet në reagim.

    Sipas SSHKUK-së, ka sasi të mjaftueshme me sisteme të infuzioneve dhe kanillave, ampula deksametazon dhe diklofenak, e që në vazhdimësi shpërndahen në QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme.

    “Poashtu, në muajin shkurt jemi furnizuar me 16 mijë e 200 copë tretje për infuzion- NaCl 0.9%- 500 mililitra, asnjë moment në njësitë e ShSKUK nuk ka pasur mungesë të tyre. Kjo gjendje e furnizimit mund të verifikohet në çdo moment në Sektorin për furnizim me barna dhe material shpenzues në ShSKUK, por edhe në klinika dhe spitalet e përgjithshme”, thuhet tutje.

    ShSKUK, apelon tek mediat gazetarët dhe shoqëria civile, para se të shpërndajnë informata të pa verifikuara, paraprakisht të marrin informacionin zyrtar dhe të verifikojnë gjendjen në sektorin për furnizim me barna dhe material shpenzues, klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme.

    “Edhe pse ka në stok, furnizimi i ardhshëm, i planifikuar që vjen së shpejti përfshinë mbi 80 mijë copë tretje për infuzione NaCl 0.9%-500 mililitra. Duhet të theksojmë se ky furnizim është bërë falë angazhimit dhe planifikimit të mirë nga Sektori për furnizim me barna dhe material shpenzues”, përfundon reagimi.

  • Kurti: Jemi në proces të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve edhe me Kanadanë dhe Turqinë

    Kurti: Jemi në proces të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve edhe me Kanadanë dhe Turqinë

    Kosova është në fazën e përfundimit të një marrëveshjeje që do të mundësojë njohjen e patentë shoferëve të Kosovës edhe në Kanada dhe Turqi.

    Kështu bëri të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

    Ai tha se MPJD-ja dhe MPB-ja ka punuar vazhdimisht për të lehtësuar jetën e bashkatdhetarëve duke përfshirë marrëveshjet për njohjen e patentë shoferëve në shtete të ndryshme si Gjermania, Italia, dhe së fundmi edhe në Austri.

    “Të pandashëm nga mërgata jonë kemi qenë dhe ne gjatë gjithë qeverisje sonë. MPJD dhe MPB janë angazhuar vazhdimisht në shtimin, digjitalizimin e shërbimeve për bashkatdhetarët. “Një nga lehtësimet më të mëdha është dhe njohja e patentë shoferëve, siç është Gjermania. Muajin e kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë dhe tash fillon edhe me Austrinë. Pas këtyre në proces të finalizimit të njohjes së patentë shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe me Turqinë”, tha Kurti.

  • Kurti kërkon nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave

    Kurti kërkon nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtje të vullnetit të votuesve.

    “Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimet për formimin e institucioneve në legjislaturën e ardhshme. Nga ju kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punët e mira me të njëjtën ritëm. Ndërkaq krejt presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtje të vullnetit të votuesve, duke përmbyllur një proces të drejtë, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

    Ai ka folur dhe pjesëmarrjen e lartë të diasporës në zgjedhje.

    “Pjesëmarrje të lartë pati edhe diaspora jonë e cila për herë të parë votoi përmes postës, pati mundësi të votojë edhe në Ambasada e Konsullata tona”, tha Kurti.

  • Sëmundja misterioze vret më shumë se 50 njerëz, përhapja filloi pasi tre fëmijë konsumuan një lakuriq të ngordhur

    Sëmundja misterioze vret më shumë se 50 njerëz, përhapja filloi pasi tre fëmijë konsumuan një lakuriq të ngordhur

    Një sëmundje misterioze i’u ka marrë jetën më shumë se 50 njerëzve në Republikën Demokratike të Kongos vetëm disa orë pas fillimit të simptomave.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mjekët në Kongo thanë se koha midis shfaqjes së simptomave dhe vdekjes ishte vetëm 48 orë në shumicën e rasteve. OBSH e përshkruan këtë përhapje si një “kërcënim të rëndësishëm për shëndetin publik”.

    Zyrtarët besojnë se përhapja filloi më 21 janar dhe 419 raste janë regjistruar që nga e hëna, duke përfshirë 53 vdekje.

    Sipas zyrës së OBSH-së në Afrikë, rastet e para filluan në qytetin Boloko pasi tre fëmijë thuhet se konsumuan një lakuriq të ngordhur.

    Ata vdiqën 48 orë pasi shfaqën simptoma të etheve hemorragjike, gjakderdhje, dhimbje koke, dhimbje kyçesh dhe simptoma të tjera.

    “Kjo është vërtet shqetësuese”, i tha Associated Press Serge Ngalebato, drejtor mjekësor i Spitalit Bikoro në DRC, duke iu referuar se sa shpejt humbën jetën viktimat.

    Lajmi vjen pasi mjekët paralajmëruan spastrimin e Qendrës së kontrollit të sëmundjeve të Presidentit Donald Trump dhe ndalimin e komunikimit me OBSH-në.

    Zyrtarët e OBSH-së paralajmëruan gjithashtu se numri i shpërthimeve nga sëmundjet që vijnë nga kafshët te njerëzit është rritur me më shumë se 60 % në Afrikë në dekadën e fundit.

    Zyrtarët nuk spekuluan se cila mund të jetë sëmundja misterioze.

    Megjithatë, pasi filloi përhapja e dytë e sëmundjes misterioze në qytetin e Bomate më 9 shkurt, zyrtarët dërguan mostra nga 13 raste për testim.

    Të gjitha mostrat kanë qenë negative për Ebolën dhe sëmundje të tjera hemorragjike si Marburg, megjithëse disa mostra ishin pozitive për malarien.

    Sëmundja ka një shkallë vdekjeprurëse prej 12.3 %, sipas zyrës së OBSH-së në Afrikë, e cila është rreth 10 herë më e lartë se kur Covid filloi të përhapet për herë të parë.

  • Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin e Trump për uljen e taksave

    Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin e Trump për uljen e taksave

    Dhoma e Përfaqësuesve miratoi mbrëmjen e së martës planin e Presidentit Trump për uljen e taksave dhe për kufirin, duke i dhënë një shtysë të madhe axhendës së administratës së re për vitin 2025.

    Të gjithë ligjvënësit demokratë votuan kundër, ndërsa një prej tyre abstenoi. Një ligjvënës republikan u shpreh kundër planit të presidentit në votimin 217-215.

    Miratimi vjen pas një serie të pazakontë manovrash nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, i cili anuloi votimin, ndërsa ligjvënësit u njoftuan se nuk do të kishte votime të tjera gjatë natës. Më pas ai ndryshoi kursin, duke e hedhur ë buxhetin për votim.

    Ndryshimi i rrjedhës së ngjarjeve erdhi pasi Johnson dhe republikani i dytë në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, shpenzuan orë të tëra duke bindur të pavendosurit që të mbështesin planin, një hap paraprak për zgjatjen e shkurtimit të taksave të vitit 2017, të miratuar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

    Të dy udhëheqësit thanë se vetë Presidenti Trump kishte kontaktuar gjithashtu ligjvënësit ngurrues në lidhje me nevojën për të çuar përpara planin prej 4.5 trilion dollarësh të uljes së taksave, i cili gjithashtu përfshin financimin e përpjekjeve të dëbimit të imigrantëve që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, do të shtrëngonte sigurinë kufitare, heqjen e rregullave të tepërta në sektorin energjetik dhe mbulonte shpenzimet ushtarake.

    “Presidenti ka biseduar me një numër ligjvënësish. Ai i ka bërë të njohura qëllimet e tij dhe dëshiron që ata të votojnë dhe ta çojmë përpara”, tha Johnson./VOA