ATV

Category: Lajme

  • Publikohen detaje shtesë: Janë plagosur babai dhe vëllai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit nga Kosova

    Publikohen detaje shtesë: Janë plagosur babai dhe vëllai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit nga Kosova

    Të paktën tre persona mbetën të plagosur të mërkurën pasdite pranë gjykatës së Bielefeldit në Gjermani, ku po zhvillohej një seancë gjyqësore lidhur me vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani, e ndodhur në vitin 2024.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të seancës, kur të shtënat u dëgjuan rreth 150 metra larg ndërtesës së gjykatës. Sipas mediave në Gjermani, janë shkrepur të paktën tre plumba.

    Mediat gjermane raportojnë se mes të plagosurve janë dy të afërm të të akuzuarit Huseyin Akkurt – babai dhe vëllai i tij. Njëri është goditur në këmbë, ndërsa tjetri ka pësuar plagë serioze në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, raporton Radio Bilefeld.

    Autoritetet kanë konfirmuar se një nga personat e dyshuar për sulmin është arrestuar, ndërsa një tjetër ka arritur të izolohet në një zonë të afërt. Policia ka rrethuar disa pjesë të qytetit për të kapur të dyshuarin e dytë.

    Seanca gjyqësore e së mërkurës kishte nisur në orën 09:00, ku Huseyin Akkurt po përballet me akuzën për vrasjen e Besar Nimanit. Ai u arrestua në Bruksel në qershor të vitit 2024 dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me Aymand Dawoud Kirit, 33 vjeç, i cili është ende në arrati.

    Sipas hetimeve, dy të dyshuarit kishin qëlluar 16 herë në drejtim të boksierit, i cili humbi jetën në vendin e ngjarjes.

  • Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

    Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

    Të shtëna armesh thuhet se janë dëgjuar jashtë sallës së gjyqit rajonal në Gjermani, ku po vazhdon një gjyq i profilit të lartë për vrasjen fatale të boksierit shqiptar Besar Nimani.

    Policia ka thënë se një ‘operacion i madh’ është duke u zhvilluar jashtë gjykatës së Bielefeldit, ku po mbahet gjyqi për boksierin e vrarë, Besar Nimani.

    Nimani u qëllua për vdekje teksa po darkonte në një kafene të jashtme në Gjermani pranverën e kaluar. Një nga vrasësit e tij është ende në arrati.

    Mediumi Neue Westfälische ka raportuar se babai dhe vëllai i të pandehurit, u qëlluan të dy jashtë gjykatës, por policia nuk e ka konfirmuar këtë lajm ende.

    Në anën tjetër, gazeta BILD raportoi se ‘disa’ anëtarë të familjes së të pandehurit u qëlluan për vdekje.

    Thuhet se të shtënat u dëgjuan sot (e mërkurë) rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të gjykimit të ditës.

    Një dëshmitar tha për Bild se dikush bërtiti “Dikush po qëllon jashtë!”.

    Ndryshe, sot u mbajt gjyqi për Huseyin Akkurt, i cili akuzohet në lidhje me vrasjen e boksierit Besar Nimani. /Telegrafi/

  • ​“E papërballueshme”, qytetarët ankohen për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës

    ​“E papërballueshme”, qytetarët ankohen për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës

    Paralajmërimin për rritjen e mundshme të çmimit të rrymës, qytetarët në Kosovë po e konsiderojnë si të padrejtë dhe të papërballueshëm. Ata ankohen se “xhepi” i tyre po rëndohet vazhdimisht me çmimet e larta. Kundër shtrenjtimit të rrymës shprehen edhe ekspert e njohës të energjisë elektrike.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) thotë se kompanitë energjetike KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike. KosovaPress mëson nga burimet e saj brenda ZRRE-së, se këto kompani kanë kërkuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

    Qytetari Vehbi Bahtiri e vlerëson si të tepërt paralajmërimin për rritje të çmimit të energjisë, pasi që sipas tij, buxheti i tyre është i vogël.

    “Çka po duan, po e bëjnë vetë, s’kemi çfarë të bëjmë ne…A po mendoni që është e tepër që të shtrenjtohet rryma prapë në Kosovë? Po, sigurisht është e tepërt sepse buxheti është i vogël i qytetarëve dhe për xhepin tonë është i shtrenjtë çdo gjë, jo vetëm rryma…01:23 Normalisht që dëmtohemi ne, por kjo nuk varet nga tregu i Kosovës. Nuk kemi asnjë prodhim ne, që mund t’i bëjmë konkurrencë bursave të Evropës që ne të mund të ndryshojmë ta bëjmë çmimin më të ulët. Kur importon nga jashtë, veç shtrenjtim ka”, tha Bahtiri.

    Edhe pensionisti Remzi Dobruna u shpreh se është e papranueshme mundësia për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike. Sipas tij, ky vendim mund të vije si pasojë e krijimit të monopoleve.

    “Kush na pyet neve, ne jemi pensionerë…Po dihet që e papranueshme totalisht. Sa i dëmton qytetarët shtrenjtimi i energjisë elektrike? Çfarë të bëjnë qytetarët, duhet të pajtohen, s’kanë kurrfarë force qytetarët t’i ndalin… Këta me pensione 120 euro si ta paguajnë?…Sipas juve pse po rritet çmimi i rrymës vazhdimisht në Kosovë? Sepse janë krijuar monopole në Kosovë, aty është problemi, çdo kund”, u shpreh Dobruna.

    Ismet Rexhepi pret nga ZRRE-ja që të merr vendim duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

    “Shpresoj që ZRRE-ja do të bie në vendim i cili do të mbështete në ecuritë reale ekonomike dhe në çështjen e kostos të prodhimit të energjisë”, tha Rexhepi.

    Lidhur me këtë paralajmërim, një qytetare komenton duke thënë se “krejt Kosova është në hauz”

    “Kosova është krejt në hauz, asgjë nuk është ka shkon (mirë)…E kanë kap krejt shtetin në dorë, rrymën, gjyqësinë, më të këqijat i bëjnë”, u shpreh ajo.

    Ndërkaq, njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa në një prononcim për KosovaPress tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, porse sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet.

    Sipas tij, përveç shtrenjtimit të rrymës, qytetarët po përballen edhe me mos furnizim të rregullt me energji elektrike.

    “Problemi është ose pyetja është se a do të duhej ne të kujdesemi më shumë nëse në 2025-ën edhe pse rriten tarifat a do të kemi furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike…Rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, mirëpo sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet, qëndrueshmëria e tij. Kemi divergjencë ndërmjet cilësisë të furnizimit dhe çmimeve. Prandaj, me të drejtë do të duhej që ne të kujdesemi më shumë për furnizim të qëndrueshme edhe nëse kemi çmime më të larta. Atëherë, të paktën të shpërblehemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike…Në këtë rast do të duhej ndoshta qeveria që të merrte masa përmirësuese për t’ia lehtësuar barrën konsumatorëve të cilët janë në kufirin e varfërisë energjetike”, tha Haxhimusa.

    Eksperti i energjisë elektrike, njëherësh edhe biznesmen, Hamdi Malushaj tha për KosovaPress se rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ngritjen e çmimeve të prodhimeve vendore.

    “Ne e kemi këtë problemin e energjisë gjithmonë, të pa merituar si problem. Kosova e ka këtë problem të shkaktuar nga politika dhe nga profiterët në treg. Por, nuk është e sigurt asnjë veprim i ZRRE-së…Ne jemi në pozitën që me jetua duhet dhe patjetër që barra, shporta gjithçka në bazë të familjes dhe bizneseve, është një barrë shtesë. Sa do të jetë ajo kur bëhet energjia problem i bizneseve për të pasur ose jo llogari për të punuar, ajo po dihet se ndikon edhe drejtpërdrejt tek qytetarit në koston e produkteve…Në raftin e qytetarëve prodhimet vendore do t’i kenë ngritje çmimesh që humb edhe në konkurrencën me prodhuesit e jashtëm”, tha Malushaj.

    Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim nga ZRRE-ja thonë se janë në fazën e vlerësimit të aplikimeve nga kompanitë energjetike të cilat kanë kërkuar shqyrtim të tarifave.

    “KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, detajet e këtyre aplikimeve janë publikuar në faqen elektronike te ZRRE-së…ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve. Pas përfundimit të këtij procesi, do të hartohet një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm për konsultim publik për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vendim përfundimtar, i cili do të dërgohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm. Në përputhje me këtë proces, vendimi përfundimtar pritet të merret deri në fund të muajit mars”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Ndërkaq, nga KESCO nuk dhanë detaje rreth kërkesës së tyre duke thënë se “skema tarifore dhe çmimet e energjisë elektrike, janë të përcaktuara nga ZRRE-ja”.

    Të nejjten përgjigje e kanë dhënë edhe nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), kur janë pyetur rreth kësaj çështje./kp

  • Salih Mustafa përfundimisht dënohet me 15 vjet burgim nga Specialja

    Salih Mustafa përfundimisht dënohet me 15 vjet burgim nga Specialja

    Gjykata Supreme ia ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ish-komandantit të njësitit BIA, Salih Mustafës.

    “Calit” i mbetet në fuqi dënimi me burgim prej 15 vjetësh, i dhënë nga Apeli, në shtator të vitit 2024.

    “Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në arsyetim.

  • Dënimi i Dodikut, Vuçiqi thërret mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë

    Dënimi i Dodikut, Vuçiqi thërret mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thirrur mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

    Kjo vjen pas dënimit të Milorad Dodik, presidentit të Republikës Srpska.

    Sipas “REL” mbledhja do të fillojë në orën 17:00.

    Dodik është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim nga ushtrimi i detyrës.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Mladen Lukiq, është liruar nga akuzat.

    Dodik dhe Lukiq akuzohen se nuk kanë implementuar vendimet e përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

  • Berisha – Ramës: Të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për t’u gjykuar

    Berisha – Ramës: Të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për t’u gjykuar

    Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama duke i thënë “se në rast se ia lejon vetes të rrethojë institucionet, do i rrethohet Surreli”.

    Gjithashtu Berisha u zotua duke i thënë Ramës “të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për tu rigjykuar me McGonigal”.

    Ish-kryeministri tha se qëllimet e PD janë të qarta; zero toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit dhe një program i shkëlqyer për shqiptarët.

    “Këta janë të marrë fund. Këta mos kujtojnë kurrë se mund të kryejnë qoftë edhe veprimin më të vogël në mbështetje të opozitës. E kundërta është. E paralajmëroj Edi Ramën, se në rast se ia lejon vetes të rrethojë institucionet, do i rrethohet Surreli. Nuk mund të ketë akte triumf të Escobar. Uroj që mos të ndryshoj mendje se do ta gjejë Surrelin të rrethuar. Po të përpiqesh ti ta shndërrosh grupin parlamentar në rifuxhio të hajdutëve.

    E tregoi sot veten me seancën që dëgjoi. Imagjinoni ju, hajdutët më të mëdhenj të bëhen gjykatës. Ishte seanca më tragji-komike në histori. Këto janë qëllimet tona. Zero toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit dhe një program i shkëlqyer për shqiptarët. Edi Rama të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për tu rigjykuar me McGonigal. Ky është gjykimi ynë, përndryshe mund të gjykohesh edhe në Shqipëri para 11 majit”, tha Berisha.

  • Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës politike

    Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës politike

    Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.

    Në pritje të vendimit, në Banjallukë është mbajtur një protestë si shenjë mbështetjeje për Dodikun.

    Disa janë parë duke mbajtur mbishkrime “Dënimi i presidentit, sulm ndaj Republikës Sërpska” dhe “Sërpska është krenaria jonë, presidenti mbrojtësi ynë”.

    Vetë Dodiku është parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në Banjallukë, i cili ka mbajtur seancë pak para shpalljes së aktgjykimit.

    Më herët ai kishte thënë se nuk do të paraqitet në shpalljen e aktgjykimit para Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

    Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.

    Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë./REL

  • Qeveria miraton themelimin e Komisionit për Narkotikë

    Qeveria miraton themelimin e Komisionit për Narkotikë

    Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës është miratuar propozimi për themelimin e Komisionit për Narkotikë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky komision do të bëjë koordinimin e ministrive, autoriteteve të tjera kompetente në zbatimin e strategjisë së vendit për kontroll të narkotikëve dhe evitimin e keqpërdorimit të narkotikëve në Kosovë.

    Ministri Arben Vitia ka thënë se Komisioni për Narkotikë përveç detyrave të përcaktuar me ligjin për barna narkotike, substanca psikotrope…, ka rol kyç për koordinimin e aktiviteteve të ministrive dhe subjekteve të tjera të kyçura në zbatimin e strategjisë për kontroll të narkotikëve dhe votimin e keqpërdorimit të narkotikëve në Kosovë.

    “Ky komision do të ndërmarrë veprime parandaluese të cilat kanë për qellim informimin publik për pasojat e keqpërdorimit të narkotikëve, propozon hartimin e politikave dhe mekanizmave të tjerë të veprimit për të cilat do të ndikojë në adresimin e problematikave të keqpërdorimit të narkotikëve në nivel vendi”, tha Vitia.

  • Ambasada e Francës: Veprimet në veri dëmtojnë përpjekjet për normalizim

    Ambasada e Francës: Veprimet në veri dëmtojnë përpjekjet për normalizim

    Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se veprimet e Qeverisë në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale i dëmtojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne konsiderojmë se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe pajtohemi plotësisht me deklaratat e një zëdhënësi të BE-së të cituar më poshtë: ‘’Mbyllja e strukturave ekzistuese që ofrojnë shërbime themelore sociale për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera, pa një marrëveshje alternative të dakorduar paraprakisht, ndikon negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtyre komuniteteve dhe dëmton drejtpërdrejt përpjekjet për normalizim. Këto çështje duhet të adresohen përmes negociatave ndërmjet palëve. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, është i gatshëm të lehtësojë diskutimet”.

    Po ashtu, Ambasada e Francës në Kosovë tha se Misioni i EULEX-it është në pritje të detajeve për të verifikuar faktet në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës.

    “Kemi marrë parasysh se Policia e Kosovës ka kryer operacione të reja kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës. Misioni ynë, EULEX, është duke monitoruar situatën në terren në përputhje me mandatin e tij. Ne jemi në pritje të detajeve të mëtejshme për të verifikuar faktet. Siç u tha më parë, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimet që ato ofrojnë pritet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Asnjë kujdes shëndetësor, institucion arsimor, apo strukturë tjetër që ofron shërbime sociale bazë të mbështetur nga Serbia nuk duhet të mbyllet”.

  • BE-ja shpreh shqetësim rreth ndërhyrjes në organizatat e shoqërisë civile në Serbi

    BE-ja shpreh shqetësim rreth ndërhyrjes në organizatat e shoqërisë civile në Serbi

    Bashkimi Evropian është duke i ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet rreth ndërhyrjeve të autoriteteve në Serbi ndaj disa organizatave të shoqërisë civile.

    Kështu ka thënë të mërkurën një zëdhënës i Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet rreth veprimeve të fundit të Policisë në Serbi e cila ka ndërmarr operacione në zyrat e disa organizatave të shoqërisë civile.

    “Shoqëria civile luan një rol vital në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe pluraliste dhe ajo duhet të veprojë në mënyrë të lirë dhe pa presion. Këto janë vlera të cilat jo vetëm se janë në themel të Bashkimit Evropian, por janë edhe të domosdoshme për të ardhmen e secilit vend kandidat që dëshiron të anëtarësohet në BE”, ka thënë ky zëdhënës.

    Më 25 shkurt, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka njoftuar se ka hapur një rast në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi.

    Prokuroria ka konfirmuar po atë ditë se Policia e Serbisë ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Iniciativave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag.

    CRTA dhe Iniciativat Qytetare kanë konfirmuar se Policia ka bastisur zyrat e tyre në mëngjesin e 25 shkurtit.

    Aksioni i autoriteteve serbe erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kufizoi punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të tij, më 24 janar, para një auditimi të agjencisë, e cila u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.

    Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.

    “Siç kemi thënë edhe në paketën e fundit të zgjerimit, nga Serbia pritet që të sigurojë një ambient të përshtatshëm për veprimin e shoqërisë civile. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi zhvillimet në Serbi” thuhet në këtë prononcim të zëdhënësit të Komisionit Evropian, raporton REL.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

    “Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.