ATV

Category: Lajme

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarën për spiunazh

    Një muaj paraburgim për të dyshuarën për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurës Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për veprën penale të spiunazhit.

    Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila argumentoi se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurës, ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.

    Gjykata vlerësoi se, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, masa e paraburgimit është e domosdoshme për të siguruar rrjedhën e rregullt të procedurës penale.

    Jelena Gjukanoviq u arrestua me 28 shkurt, në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin se ka spiunuar për BIA-n serbe.

    E njëjta ishte ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Speciale.

    Arrestimi i saj është bërë pas hetimeve disamujore.

  • Përfundon samiti i liderëve evropianë në Londër

    Përfundon samiti i liderëve evropianë në Londër

    Ka përfunduar Samiti i organizuar nga britanik kryeministrit Keir Starmer me disa nga homologët e tij evropianë – pas rreth dy orësh diskutime.

    Tani liderët janë duke e lënë rezidencën e Lancasterit, aty ku u mbajt takimi – e ku pjesë ishin liderët më të rëndësishëm evropainë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tani pritet të shkojë në Sandringham për t’u takuar me Mbretin Charles III.

    Ndryshe, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i rrethuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron i Francës, ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderë të vendeve të tjera të Evropës ka thënë në hapjen e samitit për sigurinë, se ky është një moment historik për sigurinë e Evropës.

  • Rusia gati të forcojë partneritetin me SHBA, zëdhënësi i Kremlinit: Bashkëpunimi në sektorë si metalet e rralla perspektivë afatgjatë

    Rusia gati të forcojë partneritetin me SHBA, zëdhënësi i Kremlinit: Bashkëpunimi në sektorë si metalet e rralla perspektivë afatgjatë

    Dimitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, e përshkroi bashkëpunimin e mundshëm midis SHBA-së dhe Rusisë në sektorë si alumini dhe metalet e rralla të tokës si “një perspektivë afatgjatë”.

    “Ne duhet të fillojmë të përvijojmë fushat e mundshme të bashkëpunimit, por nuk duhet të priten rezultate të shpejta. Ne kemi dëgjuar nga disa zyrtarë të administratës amerikane se fillimisht vjen zgjidhja e çështjes së Ukrainës, pastaj ekonomia”, tha ai.

    Lidhur me marrëdhëniet me vendet evropiane, Peskov vuri në dukje se Kremlini po vëzhgonte nga afër transformimin e qëndrimit të Evropës, duke marrë parasysh kontaktet e tyre me amerikanët dhe ndryshimin e papritur në dinamikën SHBA-Rusi.

    “Pavarësisht deklaratave të Macron për të qenë të hapur për dialog me Putinin, asnjë hap i vërtetë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Përkundrazi, Franca ka mbështetur në masë të madhe vazhdimin e luftës me çdo mjet”, tha Peskov. /tch

  • Pesë shqiptarë garojnë në zgjedhjet e Hamburgut, Kurti: Sukses për diasporën

    Pesë shqiptarë garojnë në zgjedhjet e Hamburgut, Kurti: Sukses për diasporën

    Kryeministri Albin Kurti, ka përshëndetur pjesëmarrjen e pesë kandidatëve me prejardhje shqiptare në zgjedhjet që po mbahen sot, më 2 mars 2025, në landin e Hamburgut, Gjermani.

    Kurti e cilësuar këtë si një tregues të fuqishëm të integrimit dhe kontributit të diasporës shqiptare në shoqërinë dhe demokracinë gjermane

    “E diela e 2 marsit 2025 është ajo e zgjedhjeve në landin e Hamburgut në Gjermani, ku sot garojnë pesë kandidatë me prejardhje shqiptare, një tregues i fuqishëm i integrimit dhe kontributit të diasporës sonë në shoqërinë dhe demokracinë gjermane. Pavarësisht partive të ndryshme që përfaqësojnë, fakti që ka kaq shumë kandidatë shqiptarë në një qytet si Hamburgu flet shumë për rrugën që kemi bërë si komunitet”, ka shkruar Kurti.

    Pesë kandidatët me prejardhje shqiptare që garojnë në zgjedhjet e sotme janë:

    Dafina Berisha (SPD)

    Kushtrim Lulaj (CDU)

    Muhamet Idrizi (CDU)

    Nikola Tunici (CDU)

    Sami Musa (FDP)

    Kurti ka vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së bashkatdhetarëve në proceset demokratike dhe u ka uruar kandidatëve shqiptarë sukses në rrugëtimin e tyre politik dhe qytetar.

  • A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

    A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

    Fundi i këtij viti ose fillimi i 2026-ës mund të shënojë përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për krime të pretenduara të luftës, vlerësojnë njohës të drejtësisë. Por sipas tyre, është vështirë të jepet një afat kohor se kur mund ta marrë vendimin trupi gjykues, pasi thonë se kjo varet nga sasia e materialit provues.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë – qyteti holandez ku Gjykata Speciale e ka selinë – që prej nëntorit të vitit 2020.

    Ndërkaq, gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

    E deri në prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të përfundojë dëgjimin e dëshmitarëve që i ka propozuar.

    Numri i dëshmitarëve të prokurorisë në atë që njihet si gjykimi i madh, ka mbërritur në 123.

    Avokati i akredituar në Speciale, Artan Çerkini thotë për KosovaPress se pas përfundimit të fazës së dëgjimit të dëshmitarëve të ZPS-së, avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së mund të kërkojnë hedhjen e plotë apo të pjesshme të akuzave.

    Bazuar në këtë, ai beson se para muajit shtator, mbrojtja nuk do të mund të fillojë me dëgjimin e dëshmitarëve të saj.

    Sipas avokatit, procesi gjyqësor – përfshirë edhe fjalën përfundimtare nga palët – në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, mund të përfundojë brenda këtij viti.

    Por, sipas tij, fundi i vitit 2025 nuk pritet të jetë edhe koha kur trupi gjykues do ta ketë vendimin përfundimtar për këtë rast.

    Edhe monitoruesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi thekson për KosovaPress, se vjeshta mund të jetë si një afat kohor kur mund të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
    Por, siç shprehet ajo, në rast të një vendimi, palët mund të bëjnë ankesa edhe në shkallë tjera gjyqësore.

    Një pjesë e madhe e këtij procesi gjyqësor ka kaluar në seanca të mbyllura për publikun dhe me dëshmitarë të mbrojtur.

    Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor.

    Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë me dije se javën e ardhshme pritet të mbajë mot relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit.

    Temperaturat minimale sipas institutit do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 3°C, ndërsa ato maksimale parashihen të arrijnë nga 7°C deri në 14°C.

    “Kjo situatë meteorologjike është rezultat i ndikimit të disa qendrave të presionit të ulët, të cilat kanë përfshirë disa rajone të Evropës. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell, të cilat do të ndikojnë në rritjen e temperaturave gjatë mesditës”, thuhet në njoftim.
    Përveç kësaj, instituti njofton se në periudha të kufizuara, parashihen edhe riga lokale shiu.

  • Policia fiton tri vendet e para për gjuajtje me armë në garat “Kupa Adem Jashari”

    Policia fiton tri vendet e para për gjuajtje me armë në garat “Kupa Adem Jashari”

    Policia e Kosovës në garat “Kupa Adem Jashari”, në shenjtari, ka arritur rezultate të shkëlqyera duke fituar tri vendet e para në disiplinën e pushkës serike, kategoria senior meshkuj, si dhe në disiplinën e pistoletës standard, kategoria senior femra, vendi i parë.

    Sipas njoftimit, më datën 1 mars 2025, u mbajtën garat “Kupa Adem Jashari” në shenjtari, një ngjarje e organizuar nga Federata e Shenjtarisë.

    “Ky aktivitet i jashtëzakonshëm bashkoi gjashtë klube të ndryshme dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për të testuar aftësitë dhe shkathtësitë e garuesve. Klubi i Shenjtarisë – Policia e Kosovës, që po merr pjesë për herë të parë në këto gara, ka arritur rezultate të shkëlqyera duke fituar tri vendet e para në disiplinën e Pushkës Serike, kategoria Senior meshkuj, si dhe në disiplinën e Pistoletës Standard, kategoria Senior femra, vendi i parë. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë dhe kontribuan në këtë ngjarje fantastike”, ka njoftuar policia.

  • Nis samiti i Britanisë së Madhe për Ukrainën – këta janë të gjithë pjesëmarrësit

    Nis samiti i Britanisë së Madhe për Ukrainën – këta janë të gjithë pjesëmarrësit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur tani në Lancaster House, ku u prit nga kryeministri Keir Starmer para samitit me liderët e tjerë evropianë.

    Kujtojmë që Starmer dha qëndrim tejet mbështetës ndaj Zelenskyt, mbi situatën e krijuar pas të premtes.

    Poashtu edhe liderët evropianë kanë mbërritur në Lancaster House në qendër të Londrës, ku kryeministri britanik, Keir Starmer, po pret një samit ndërkombëtar për sigurinë.

    Në mesin e tyre janë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk.

    Menjëherë pas tyre mbërriti edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

    U panë gjithashtu kryeministri suedez Ulf Kristersson, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

    Më pas kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri holandez Dick Schoof dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Të pranishmit përfshijnë gjithashtu presidentin e Finlandës Alexander Stubb, presidentin e përkohshëm të Rumanisë Ilie Bolojan, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa.

    I fundit që mbërriti ishte kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

    Në vijim gjeni emrat e të gjithë pjesëmarrësve: kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri suedez Ulf Kristersson, kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri holandez Dick Schoof, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri finlandez Alexander Stubb, presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa, presidenti i përkohshëm i Rumanisë Ilie Bolojan dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

  • Protesta në mbarë SHBA-në edhe kundër Musk – protestuesit brohorasin “Zelensky është hero”

    Protesta në mbarë SHBA-në edhe kundër Musk – protestuesit brohorasin “Zelensky është hero”

    Protestuesit janë mbledhur jashtë dyqaneve të Tesla në të gjithë SHBA-në për të protestuar ndaj miliarderit Elon Musk.

    Bëhet e ditur se protestat janë pjesë e një reagimi në rritje në Amerikën e Veriut dhe Evropë ndaj rolit të Musk në qeverinë e Donald Trump.

    Kritikët e Trump dhe Musk shpresojnë të dekurajojnë dhe ndalojnë blerjet e Tesla.

    “Ne mund t’i imponojmë dëme të drejtpërdrejta ekonomike Teslas duke e bojkotuar dhe duke u thënë të gjithëve të largohen”, tha Nathan Phillips, njëri nga protestuesit.

    Raportohet se Musk po bën thirrje që qeveria e SHBA-së t’i ulë shpenzimet federale dhe të reduktojë ndjeshëm fuqinë punëtore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Zyrtarët e departamentit që ai udhëheqë, DOGE, kanë fituar me shpejtësi akses në bazat e të dhënave të ndjeshme, kanë drejtuar mijëra shkurtime federale të vendeve të punës, kanë anuluar kontrata dhe kanë mbyllur seksione të qeverisë, duke përfshirë Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar.

    Kritikët thonë se veprimet e manjatit të teknologjisë kundërshtojnë fuqinë e Kongresit për të kontrolluar buxhetin e SHBA-së.

    Por kështu nuk mendojnë të gjithë.

    “Protestat nuk do ta pengojnë presidentin Trump dhe Elon Musk nga përmbushja e premtimit për të krijuar DOGE dhe për ta bërë qeverinë tonë federale më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj taksapaguesve amerikanë punëtorë në të gjithë vendin”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.

    Ndryshe, më shumë se 50 protesta shpërthyen në të gjithë SHBA-në, me të tjera të planifikuar më vonë në mars.

    Disa pronarë të Teslas kanë raportuar gjithashtu se automjetet e tyre janë vandalizuar.

    Ndërsa çmimi i aksioneve të kompanisë ka rënë me gati një të tretën që kur Trump mori detyrën, megjithëse është ende më i lartë se një vit më parë.

    Pasuria aktuale neto e Musk është rreth 359 miliardë dollarë, sipas Forbes. /Telegrafi/

  • ​Koalicioni PDAK – LPB pretendon se Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar votat e diasporës

    ​Koalicioni PDAK – LPB pretendon se Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar votat e diasporës

    Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës-PDAK dhe Lëvizja për Bashkëveprim kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Partisë së Ashkalinjëve për Integrim. Për këtë të fundit ata predentojnë ka orkestruar votat e diasporës. Në konferencë për media koalicioni i PDAK-LPB i kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merret me këtë çështje.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës, Qazim Rrahmani tha se bëhet fjalë për 500 deri në 700 vota.

    “Pas datës 9 shkurt neve na kanë ardhur disa emaila, disa fakte, rivaliteti jonë politik- Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar vota të diasporës në grupe të organizuara, në grupe të caktuara ku kanë votuar një person për 50, 60 njerëz. Po ashtu, kanë marrë karta të identitetit, letërnjoftime, i kanë regjistruar vet si të tillë, i kanë marrë dëftesat e regjistrimit vet ato dhe po ashtu vet kanë votuar dhe vet i kanë paguar votat. Ne si koalicion PDAK dhe LPB jemi marrë qysh nga dita e marrjes së fakteve nga njerëzit, jemi marrë me këtë çështje dhe kemi dërguar lëndët tona, faktet tona në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Kemi dërguar ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme dhe rezultati i ngushtë i cili është mes PDAK LPB dhe PAI mund të bëjë deri në fund të rezultatit final, votat e diasporës mund ta ndryshojnë edhe vullnetin e qytetarëve ashkalinj”, deklaroi ai.

    Ai kërkoi që votat e diasporës për këtë parti të anulohen dhe rezultati të jetë nga vullneti i qytetarëve ashkalinj të Kosovës.

    “Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës me votat e sovranit, qytetarëve ashkalinj të Kosovës. Por, votat e diasporës të orkestruara mund ta ndryshojnë këtë rezultat. Andaj nga Prokuroria e Shtetit kërkojmë nga të gjitha organet e drejtësisë që të merren dhe të hetojnë këto fakte të cilat i kemi ofruar në prokurori dhe të merret drejtësia me këtë çështje. Përveç që kërkojmë hetim, kërkojmë edhe anulim të votave të diasporës të subjektit PAI për arsye se ka dëshmi, fakte dhe argumente të gjalla se janë të orkestruara”, shtoi ai.

    Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkëveprim, Jeton Emini tha se historikisht në diasporë komuniteti ashkalinj nuk ka pasur shumë vota.

    “Dua të theksoj që kanë organizuar në mënyrë sistematike prej periudhës së regjistrimit të votuesve që ka filluar në gusht e deri në dhjetor, në mënyrë sistematike kanë shkuar në diasporë dhe kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ju kanë marrë letërnjoftimin pjesëmarrësve aty. Në këtë rast kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre, telefonat celular dhe pajisje të tjera përcjellëse, në një mënyrë janë bërë pronarë të dëftesës që është si akt themeltar për të ushtruar të drejtën e votës…E kemi deponuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë si dhe në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal mbi bazën e asaj çka ne pretendojmë dhe çka dyshojmë sa i përket kundërshtarit politik”, deklaroi Emini.

    Sipas tij, diaspora mund të jetë vendimtare sa i përket ndryshimit të rezultatit final.

    “Kryetari i PAI, Etem Arifi kërkon nga qytetarët të rëndomtë, qytetarë të thjeshtë që nëpër rrjete sociale kërkon letërnjoftime në mënyrë që të bëjë regjistrimin e votuesve dhe kjo është edhe përmes videove. Dhe kjo mund të definohet qartë edhe nga hetuesit për shkak të vërtetësisë se çfarë ka ndodhur prej anës së PAI”, përfundoi ai.

    Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

    Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.