ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti: Prokuroria po e lufton qeverinë, jo krimin e korrupsionin

    ​Kurti: Prokuroria po e lufton qeverinë, jo krimin e korrupsionin

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Prokurorinë se po lufton qeverinë e vendit, e jo krimin dhe korrupsionin. Kurti, pasi nuk iu përgjigj urdhrit të Gjykatës Themelore për të dhënë dëshmi të martën në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore, tha se nëse kjo e fundit e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte tek ai në Zyrë të Kryeministrit.

    Kurti nga Gjilani, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemeli të një çerdheje, tha se është i gatshëm të jap dëshminë, mirëpo vetëm në zyrën e tij, pasi siç shtoi ai, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën, raporton KosovaPress.

    Ai ka refuzuar të jap dëshminë e tij edhe në dy ftesa paraprake të Prokurorisë Speciale gjatë muajit dhjetor 2024.

    “Unë asnjëherë s’kam thënë se nuk do të jap dëshmi apo refuzoj të jap dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm që jam i gatshëm por edhe interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër i kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra dhe madje jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj s’ka asnjë arsye që mos të vazhdohet. Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time ai duhet të vinte tek ne. Një prokuror nëse ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj? Për bindjen time të fuqishme më shumë është e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit s’ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë dhe keqpërdorë për të luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin”, tha Kurti.

    Përkitazi me këtë,Kurti theksoi se përderisa prokuroria nuk ndryshon qasje dhe as udhëheqje, as ai nuk do të ndryshojë qëndrim.

    Sipas tij, shteti po dëmtohet nga, siç e quajti ai, barrikadimi i Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë Speciale, derisa përmendi që rreth 247 kallëzime penale të dorëzuara nga ministrat e qeverisë Kurti s’kanë prodhuar asnjë aktakuzë, raporton KosovaPress.

    “Ministrat e qeverisë që udhëheq unë, i kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, por asnjëherë prej tyre s’ka prodhuar hetim me aktakuzë. Pra, çka bën prioritete prokuroria, flet për prokurorinë dhe jo për krimin dhe korrupsionin, pasi ai është dashur të luftohet prej tyre. Ju e dini se zgjedhjet në Kosovë nuk mbahen për kryeprokuror por për kuvend dhe ekzekutiv të ri. Kyreprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale dhe sidomos në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kjo është për të ardhur keq dhe është një dëm i vazhdueshëm dhe një padrejtësi që po i bëhet shtetit. Përderisa prokuroria nuk ndryshon qasje dhe as udhëheqje se këto dy po duken të lidhura njëra me tjetrën nuk kam pse ndryshoj qëndrim as unë”, theksoi Kurti, raporton KosovaPress.

    Këto komente Kurti i bëri pasi mori pjesë të martën në vendosjen e gurthemelimit të një çerdheje në Gjilan, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagacvci dhe kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

    Ftesa për sot ndaj Kurtit ka ardhur pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 shkurt ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, raporton KosovaPress.

    Sipas njohësve juridikë, pas refuzimit për dëshmuar, përkundër urdhrit të gjykatës, Kurti mund të gjobitet me 250 euro.

  • ​Disa rajone të Spanjës në alarm për shkak të reshjeve të dendura

    ​Disa rajone të Spanjës në alarm për shkak të reshjeve të dendura

    Rajoni i Valencias në lindje të Spanjës dhe Ishujt Kanarie në jugperëndim kanë kaluar në alarm për shkak të reshjeve të dendura.

    Në një deklaratë nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave, të lidhur me qeverinë autonome të Valencias thuhet se në qytetet Castellon dhe Alicante kanë kaluar në alarmin e kuq për shkak të reshjeve të dendura, transmeton AA.

    Mësohet se për shkak të alarmit, shumë rrugë në disa qyteza në Castellon janë mbyllur për qarkullim, mësimi në shkolla është pezulluar dhe aktivitetet në natyrë janë shtyrë.

    Autoritetet u kërkuan qytetarëve të shmangin udhëtimet kur nuk janë të detyruar dhe të shmangin aktivitetet brenda dhe pranë shtretërve të lumenjve.

    Autoritetet meteorologjike theksuan se në Castellon kanë rënë rreth 200 litra reshje për metër katror.

    Drejtoria e Situatave Emergjente e qeverisë autonome të Ishujve Kanarie tha se në shumë vende të ishujve është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura, përcjell KosovaPress.

    Në pamjet e shpërndara në mediat sociale, në disa vende si në Castellon si dhe në Grand Canary paraqiten automjete që janë përfshirë nga uji, fushat bujqësore të përmbytura si dhe rrugë pjesërisht të shembura.

    Autoritetet meteorologjike kanë njoftuar se reshjet e dendura të shiut do të pakësohen që nga dita e nesërme.

    Sot është gjetur trupi i një fermeri 50-vjeçar, i cili u shpall i zhdukur më 2 mars për shkak të reshjeve të dendura në qytezën Lorca në qytetin Murcias.

    Në fatkeqësinë e përmbytjeve që ndodhi në Spanjë më 29 tetor, e cila goditi veçanërisht rajonin e Valencias humbën jetën 232 persona.

    Qeveria njoftoi se rreth 14 miliardë euro do të ndahen për të ndihmuar viktimat e fatkeqësive në 78 rrethe dhe qytete, 75 prej të cilave janë në Valencia si dhe për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit.

  • ​Prokuroria e konfirmon se Kurti nuk është paraqitur për ta dhënë dëshminë

    ​Prokuroria e konfirmon se Kurti nuk është paraqitur për ta dhënë dëshminë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij përkundër faktit që ka qenë i obliguar me urdhër të gjykatës.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga prokuroria përcjell KosovaPress.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë me dije se edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi.

    Ndërkaq kryeministri Kurti tha se nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte te ai.

    “Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Albin Kurti të martën në Gjilan.

    Ai, me urdhër të Gjykatës Themelore, duhej të paraqitej sot më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshmi në një rast të rezervave shtetërore, por zgjodhi të marrë pjesë në një ngjarje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

  • Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA-së kundër Kanadasë, Meksikës e Kinës

    Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA-së kundër Kanadasë, Meksikës e Kinës

    Tarifat prej 25%, të paralajmëruara nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për importet nga Kanadaja dhe Meksika, hynë në fuqi të martën.

    Trump tha se këto masa janë përgjigje ndaj fluksit të papranueshëm të drogave të paligjshme dhe imigrantëve pa dokumente në SHBA nga dy vendet fqinje.

    “Nuk ka më vend për Kanadanë dhe Meksikën”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Ai shtoi se e vetmja mënyrë për t’i shmangur tarifat, do të ishte që prodhuesit kanadezë dhe meksikanë ta zhvendosnin prodhimin në SHBA.

    “Ata duhet t’i ndërtojnë fabrikat e tyre të makinave dhe fabrika të tjera këtu në Shtetet e Bashkuara. Në atë rast, nuk ka tarifa”, tha Trump.

    Tarifa shtesë prej 10% iu vendosën edhe importeve nga Kina, pas akuzave se Pekini nuk po bën mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e fentanilit në SHBA.

    Kjo masë i çoi tarifat totale për produktet kineze në 20%.

    Kanadaja tha se do të hakmerret me tarifa prej 25% për disa mallra amerikane me vlerë 150 miliardë dollarë, ndërsa Meksika dhe Kina paralajmëruan, gjithashtu, kundërmasa.

    “Tarifat tona do të mbeten në fuqi derisa SHBA-ja të mos zmbrapset nga ky veprim tregtar”, tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

    Çka janë tarifat dhe a funksionojnë?

    Tarifa është një taksë për mallrat e importuara.

    Një tarifë prej 25% do të thotë se një produkt me vlerë 10 dollarë, ka një kosto shtesë prej 2.50 dollarësh, që e paguan kompania që importon produktin.

    Qëllim i tarifave është të mbrohen produktet vendore përballë konkurrencës më të lirë nga vendet tjera, si dhe të nxitet rritja ekonomike.

    Trump i sheh ato edhe si një mënyrë të efektshme për mbledhjen e parave nga taksat.

    Megjithatë, në praktikë, ato mund të kenë efekte të dëmshme në mirëqenien e konsumatorëve dhe të bizneseve.

    Mund të bëhen blerësit ata që rëndohen më shumë, në formën e çmimeve më të larta ose me më pak zgjedhje në treg.

    Trump ka paralajmëruar se do të vendosë së shpejti tarifa edhe mbi mallrat që SHBA-ja importon nga Bashkimi Evropian.

    Në atë rast, ato do t’i preknin edhe eksportet e Kosovës. /REL/

  • ​Kurti: Do ta formojmë qeverinë

    ​Kurti: Do ta formojmë qeverinë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se po presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe më pas do të shikojnë për rrugën përpara sesi të formohet qeveria e re.

    Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se janë fitues në zgjedhje, andaj sipas tij do ta formojnë qeverinë.

    “Ne presim certifikimin e rezultateve dhe më pastaj do të ulemi dhe të shikojmë për rrugën përpara. Mirëpo nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë sonë dhe kundër Lëvizjes Vetëvendosjes, por ne kemi dalë fitimtarë. Fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë”, tha Kurti.

    Këto komente Kurti i bëri pas vendosjes së gurthemelit të një çerdheje në Gjilan.

    Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, përfshirë me përditësimin e fundit të numërimit të 90 për qind të votave nga diaspora, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 48 deputetë, PDK 24 deputetë, LDK, 20 deputetë, AAK-Nisma 8 deputetë, ndërkaq komunitetet jo shumicë 20 deputetë./kp

  • Shpërthen dhuna në Kuvendin e Serbisë

    Shpërthen dhuna në Kuvendin e Serbisë

    Një incident ndodhi të martën në Kuvendin e Serbisë, kur deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.

    Deri te kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”, përcjellë KosovaPress.

    Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raporton se tymi nga mjetet piroteknike mund të nuhatet edhe në korridoret e kuvendit.

    Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshihen edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.

    Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

  • ​Kosova shënon për herë të parë Ditën botërore të inxhinierëve, premtohen kushte më të mira

    ​Kosova shënon për herë të parë Ditën botërore të inxhinierëve, premtohen kushte më të mira

    Kushte më të mira për inxhinierët, marrëveshje të përbashkëta me shtete të rajonit për njohje të licencave, e trajnime vjetore, premton kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, shkruan KosovaPress.

    Në Ditën Botërore të Inxhiniereve e cila shënohet sot edhe në Kosovë, Rapuca thotë se bashkë me anëtarët themelues të odës së inxhiniereve dhe të tjerët, do të bëjnë maksimumin që profili i tyre të vlerësohet në mënyrën më të mirë. Siç thotë ai, kjo ka munguar deri më tani.

    Rapuca flet për sfidat që kanë inxhinierët, përfshirë vlerësimin e punës dhe përgjegjësitë e mëdha që mbajnë, siç janë ndërtimet e objekteve të mëdha dhe infrastruktura, raporton KosovaPress.

    “Sfidat deri më tani kanë qenë të shumta, një prej tyre është vlerësimi i inxhinierëve qoftë në kryerjen e detyrave, por edhe vlerësimi financiar i tyre. Synojmë që përmes Odës të ngrisim vlerësimin e inxhinierëve, qoftë që ai të marrë atë që i takon për kontributin që bënë, sepse detyrat e inxhinierit janë sfiduese dhe të vështira. Ka edhe përgjegjësi të mëdha, ndërtimet e ndryshme, urat, të gjitha këto janë objekte sfiduese, andaj, inxhinierët mbajnë përgjegjësi, për atë arsye synojmë të rrisim vlerën që inxhinierët të tejkalojnë këtë sfidë. Por, edhe secili inxhinier do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre, përveç kësaj, duhet të respektojë edhe etikën profesionale, rregulloren, standardet, në mënyrë që ato mos të cenohen, nëse ato cenohen edhe prej inxhinierëve, do të merren masa ndaj tyre siç e përcakton statusi i Odës së Inxhinierëve”, thotë Rapuca, raporton KosovaPress.

    Oda e Inxhinierëve të Kosovës është themeluar në fund të vitit të kaluar dhe marrë parasysh se deri më tash mungonte një odë e tillë, Rapuca zotohet se viteve të tjera 4 marsi, do të shënohet me konferenca të ndryshme e bashkëpunime rajonale edhe me shtetet tjera.

    Sipas tij, kjo ditë do të bëhet tradicionale.

    Derisa flet për sfidat e inxhiniereve, ai thotë se tashmë oda rregullon edhe çështjen e licencimit.

    “Dita e inxhiniereve festohet me 4 mars, në nivel botëror. Në vitin 2019, Konventa e 40 e UNESCO-s e ka shpallur 4 marsin si Ditë e inxhiniereve dhe kështu për herë të parë do të festohet edhe tek ne nesër. Pasi deri më tani shteti ynë nuk e ka pasur një Odë të inxhiniereve, ajo është themeluar rreth 2 muaj më parë, dhe tani sipas statusit është e specifikuar që kjo ditë të festohet. Është një gjendje e rëndësishme për të përkujtuar të gjitha kontributet dhe sfidat që kanë inxhinierët në shoqëri, për të takuar kolegët, duke lidhur marrëdhënie bashkëpunuese me të. Pasi hera e parë, nuk kemi diçka të veçantë ndonjë konferencë që do të mbajmë, për arsyee të kohës së shkurt nga themelimi, por viteve tjera do të organizojmë edhe konferenca të ndryshme, bashkëpunime rajonale, bashkëpunime me shtetet tjera. Kështu, do të bëhet një festë tradite që do të festohet çdo vit”, thotë Rapuca.

    Derisa jep më shumë detaje edhe për themelimin e Odës, thotë se në të kanë marrë pjesë 911 inxhinierë të profileve të ndryshme.

    “Ka inxhinierë të interesuar për të marrë pjesë në këtë festë. Gjithashtu odën e kanë themeluar 911 anëtarë themelues, të gjithë janë inxhinierë të profileve të ndryshme, kryesisht të fushës së ndërtimit, fakultetit të elektrikes dhe ata të makinerisë. Ndërsa, inxhinierë të tjerë ka të shumtë të cilët presin të licencohen dhe anëtarësohen në odë”, thotë ai, KosovaPress.

    Një tjetër qëllim i Odës është krijimi i marrëveshjeve me shtetet e rajonit për njohjen reciproke të licencave, duke mundësuar kështu që inxhinierët kosovarë të mund të ushtrojnë profesionin edhe në shtetet e tjera të rajonit, dhe anasjelltas.

    “Është krijuar oda e inxhinierëve për të mbrojtur profesionin e inxhinierit, por jo vetëm, edhe të kërkojë përgjegjësi ndaj tij. Inxhinieri të respektojë etikën profesionale. Do të mbajmë trajnime vjetore që janë obligim i Odës, në mënyrë që inxhinierët çdo ditë të edukohen vazhdimisht me standarde të reja, rregullore e çdo gjë të re, thjesht duke e ruajtur trendin e zhvillimit global. Oda është shumë e rëndësishme, sepse do të mbështesë institucionet shtetërore, në këtë rast Qeverinë dhe Kuvendin në ligjet të cilat thjesht do të preken në sektorin e dertimit. Gjithashtu do të mbështesë rregullore tjera. Oda po ashtu rregullon edhe çështjen e licencimit, kjo është shumë e rëndësishme. Deri në themelimin e odës, inxhinierët nuk kanë pasur licenca. Synojmë që përmes Odës të bëjmë marrëveshje të përbashkëta me shtetet e rajonit, në mënyrë që të kemi një njohje reciproke të licensave, që inxhinierët tanë të mund të ushtrojnë funksionin në shtetet e rajonit, por edhe inxhinierët e rajonit të mund të ushtrojnë profesionin në shtetin tonë”, nënvizon Rapuca.

    Dita e inxhinierit do të shënohet edhe në Kosovë, në hollin e fakultetit teknik të Universitetit të Prishtinës nga ora 19:00, raporton KosovaPress.

    Kjo ditë është e përcaktuar me Konventën e 40-të të UNESCO-s e cila në vitin 2019 e ka shpallur 4 marsin si Ditë të inxhinierëve.

  • ​Kurti: Nëse prokuroria e ka të rëndësishme dëshminë time, duhet të vijë tek unë

    ​Kurti: Nëse prokuroria e ka të rëndësishme dëshminë time, duhet të vijë tek unë

    “Nëse prokuroria e ka pas të rëndësishme dëshminë time, ai duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Kurti të martën në Gjilan.

    Ai, me urdhër të Gjykatës Themelore, duhej të paraqitej sot më 4 mars në Prokurorinë speciale të Kosovës për të dhënë dëshmi në një rast të rezervave shtetërore, por zgjodhi të marrë pjesë në një ngjarje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Kurti në Gjilan, insistoi se ai asnjëherë s’ka thënë se refuzon të jep dëshmi, mirëpo tha se e njëjta duhet të ndodh në Zyrën e Kryeministrit.

  • ​MKRS obligon federatat që 30 përqind të buxhetit ta dedikojnë për vajza dhe gra

    ​MKRS obligon federatat që 30 përqind të buxhetit ta dedikojnë për vajza dhe gra

    Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet e para të këtij viti ndërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe federatave sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025, shkruan KosovaPress.

    Memorandumet deri më tani janë nënshkruar me Federatën e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe atë të Triathlonit, të cilat i kanë kryer me sukses obligimet e tyre për harmonizimin e akteve normative në përputhje me Ligjin e ri të Sportit, dhe me ç’rast u hapet rruga e përfitimit financiar përmes këtyre memorandumeve.

    Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i ka njoftuar federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend, përcjellë KosovaPress.

    Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga MKRS.

  • Këto janë reagimet në Ukrainë pas pezullimit të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja

    Këto janë reagimet në Ukrainë pas pezullimit të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja

    Ka pasur tronditje dhe shqetësim në Ukrainë pas lëvizjes së Washingtonit për të pezulluar furnizimet me armë.

    “Kjo është një katastrofë dhe ne e pamë atë duke ardhur”, thotë deputeti Oleksiy Honcharenko. Megjithatë, ai argumenton se “jo gjithçka është e humbur” dhe Ukraina duhet “të luftojë për paqen, jo për kapitullim”.

    Deputeti tjetër, Volodymyr Aryev e quan lëvizjen një “goditje shumë të dhimbshme për mbrojtjen e Ukrainës”.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Vendimi vjen pas përplasjes që pati të premten me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë.

    “Presidenti ka qenë i qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Një zyrtar tjetër tha se pauza do të zbatohet për të gjitha pajisjet ushtarake që nuk janë ende brenda Ukrainës.

    Trump kritikoi sërish të hënën Zelenskyn. Ai ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.