ATV

Category: Lajme

  • ​Keqpërdori detyrën u.d i drejtorit të shkollës, ngrihet aktakuzë

    ​Keqpërdori detyrën u.d i drejtorit të shkollës, ngrihet aktakuzë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej marsit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 në Prizren, në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar – si U.D. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

    “I pandehuri kontrakton investitor – firmën “E.B.” për servisimin dhe riparimin e kalldasë dhe radiatorëve të shkollës në shumën prej 995 €, firmën N.P.“E.” për gjelbërimin e shkollës me lule dhe fidanë në shumë prej 899.50 €, firmën N.T.Sh. “Q.” për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ollukëve të kulmit të shkollës në shumën prej 995.40 €, dhe operatorin DPT “I.” për furnizimin e shkollës me material për zyre në shumë prej 980 €, ashtu që ka realizuar pagesat në bazë të procesverbaleve, pa i pranuar shërbimet e operatorëve nga anëtarët e komisionit që figurojnë në procesverbalet të cilat kanë deklaruar se nënshkrimet nuk janë të atyre, dhe nuk i kanë pranuar këto mallra dhe shërbime, që kapin shumën 3.869,90 €, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në Prizren. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së. Gjithashtu, i njëjti prej 26.07.2021 deri më 15.11.2021, në cilësinë e personit zyrtar – si U.D. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, ka falsifikuar dokumentet zyrtare, në atë mënyrë që ka përpiluar dhe lëshuar dokumentin në emër të anëtarëve të komisionit të shkollës të cilëve iu ka munguar vendimi se janë anëtarë të komisionit, duke i nënshkruar procesverbalet pa njohurinë e anëtarëve të komisionit dhe atë në emër të: A.B., E.S., E.N., R.M., Sh.M., A.D., A.I. dhe D.B., ku në bazë të këtyre procesverbaleve janë realizuar pagesa për operatorët e lartëcekur pa dijeninë, nënshkrimin dhe prezencën e anëtarëve të komisionit, të cilët kanë mohuar pranimin mallrave dhe shërbimeve për nevojat e shkollës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrare” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • ​Prishtina vazhdon me procesin e digjitalizimit të shkollave

    ​Prishtina vazhdon me procesin e digjitalizimit të shkollave

    Komuna e Prishtinës ka vazhduar procesin e digjitalizimit të shkollave, duke pajisur institucionet arsimore me tabela digjitale. Në kuadër të këtij projekti, sot në shkollën fillore “Dardania”, u prezantuan pajisjet e reja.

    Kryetari i Prishtinës Perparim Rama tha se përveç shkollës “Dardania” po vazhdojnë të instalojnë edhe në shtatë shkolla tjera dhe se deri në fund të vitit do të instalohen në të gjitha shkollat dhe klasat.

    Procesi i digjitalizimit pritet të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit, me qëllim që të gjithë nxënësit të kenë qasje në mësimdhënie më interaktive dhe bashkëkohore.

  • ​Bashkëpunimi ndërqeveritar dhe thithja e fondeve, çelës për zhvillimin ekonomik të Ballkanit

    ​Bashkëpunimi ndërqeveritar dhe thithja e fondeve, çelës për zhvillimin ekonomik të Ballkanit

    Oda Ekonomike Shqiptare diskutoi të martën mbi mundësitë e investimeve përmes teknologjisë dhe fondeve të dedikuara për projekte ekonomike, veçanërisht në hapësirat shqiptare. Gjithashtu, u shqyrtuan mundësitë e përthithjes së fondeve nga BE-ja, modeli i vendeve të Unionit të Shteteve Afrikane dhe lobimi ndërkombëtar për njohje të reja për Kosovën, raporton KosovaPress.

    Në konferencën për media me temën “Konferenca Ndërkombëtare-Kosovë-Shqipëri-Maqedoni”, i është kërkuar qeverive më shumë bashkëpunim për të mbështetur çështjet e lartpërmendura.

    Po ashtu është theksuar edhe përkrahja më e madhe që duhet të japë shteti për të hapur më shumë mundësi për eksport.

    Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare në Kosovë, Hyzer Gashi ka thënë se diskutimi i sotëm jep mundësi që të bashkohet fuqia ekonomike që posedojnë shqiptarët gjithandej. Ndërsa, ka thënë se “qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të krijojë fuqi më të madhe ekonomike” e po ashtu edhe t’i mbështesë bizneset më tepër.

    “Kjo platformë na jep një mundësi që ta bashkojmë fuqinë ekonomike që posedojnë shqiptarët gjithandej. Konferenca është e para e këtij lloji që të mbështesim njëri-tjetri për arsyeje se koha ikën shumë shpejt dhe fuqinë që kemi sot mund ta koncentrojmë në funksion të zhvillimit ekonomik në vendet ku jetojmë. Kjo platformë ju duhet të gjithëve pasi që nuk ka asnjë barrierë tjetër përveç te thithja e këtyre fondeve, investimeve që janë teknologji të reja, sigurisht bashkëfolësit do i shpengojnë në detaje, dhe t’i zgjojmë nga gjumi qeveritë që nganjëherë janë në ngjarje që neve nga bota e biznesit do të mund të merrnim rolin prirës, pasi që edhe vetë krijojmë fuqinë ekonomike të vendeve nga vijmë”, tha Gashi.

    I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe biznesmeni në nivel ndërkombëtar dhe ambasadori në unionin afrikan për 35 vende në OKB, Avni Nasufoski, i cila tha se për të marrë mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, nevojiten reforma.

    “Sot, nuk jemi vetëm ne në Ballkan. Ka ardhur epoka e artë e Ballkanit. Por, nëse duam që partnerët ndërkombëtarë të na mbështesin, duhet patjetër të bëjmë reforma. Për çfarë arsye? Në aspektin politik dhe ekonomik, ju e dini tashmë – mes jush ka ekspertë të ekonomisë – se Bashkimi Evropian ka alokuar 6 miliardë euro donacione. Por çdo donacion kërkon reforma. Kjo do të thotë se projektet duhet të përfundojnë dhe BE-ja i rimburson deri në qindarkën e fundit. Dhe, unë e di mirë për çfarë po flas. Në vitin 2003, për fat të keq, Kosova arriti të përfitojë vetëm rreth 80 milionë euro donacione nga Bashkimi Evropian… Shpresoj që së bashku të gjejmë një terren të përbashkët për bashkëpunim me qeveritë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë ai.

    E për energjinë elektrike foli presidentja e PPS Universal Distrib, Btissam Daif, shkruan KosovaPress.

    “Në zonat rurale, por edhe në zona të tjera, mund të vërejmë se sot energjia elektrike është e kushtueshme, inxhinieria civile është e kushtueshme, dhe të kesh rrugë të ndriçuara mbetet një çështje e sigurisë për popullsinë. Në këtë kontekst teknologjik, mund të mendojmë edhe për një tjetër teknologji mjaft revolucionare, e cila tashmë ekziston në më shumë se 85 vende për mbi 35 vjet. Bëhet fjalë për një fertilizues hidro-retentiv, të quajtur ‘Barbarie Plante’, i cili ndihmon në arritjen e sovranitetit ushqimor. Ky është një fertilizues që është testuar në disa nga zonat më të thata të botës dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera në më shumë se 85 vende, me raporte të konfirmuara nga Banka Botërore për Ushqimin dhe nga shtetet që kanë arritur të zhvillojnë bujqësinë e tyre falë kësaj teknologjie”, tha ajo.

    Po ashtu edhe Safet Sadiku nga Oda Ekonomike Shqiptare ka theksuar nevojën e bashkëpunimit direkt të qeverive për të shfrytëzuar modelin e vendeve në zbatimin e fondeve.

    “Duke shfrytëzuar modelin e vendeve të ndryshme, qoftë edhe ndonjë vendi këtu nga rajoni, fondet e caktuara që kemi kontakte me to, zakonisht kërkojnë direkt bashkëpunim me qeveritë e vendit, gjë që tek ne, në vendet e Ballkanit ka pasur vështirësi kjo formë. Tani forma indirekte është projekti privat, qoftë edhe përmes formës partneritet publiko-privat ose personat që kanë dokumentacionin gati. Zakonisht është aktualizuar energjia e gjelbër ose edhe energji solare, diellore, dhe forma tjera të energjisë të cilat për fondet e caktuara janë atraktive dhe shumë më funksionale”, tha ai.

  • Tensionet në Kuvendin e Serbisë, Bërnabiq – opozitës: Jeni bërë heronj të Kurtit dhe mediave në Kosovë

    Tensionet në Kuvendin e Serbisë, Bërnabiq – opozitës: Jeni bërë heronj të Kurtit dhe mediave në Kosovë

    Pas përplasjeve e tensioneve në Parlamentin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq, duke mbajtur në duar pamje nga shkrimet e mediave në Kosovë, ka akuzuar opozitën në Serbi se po e kënaqin Kurtin dhe mediat e Kosovës.

    Ajo ka thënë se për shkak të tymit dhe gazit opozita në Serbi “po shihet si heroinë” nga shqiptarët.

    “Qytetarët e Serbisë që po i ndekin këto zhvillime, dua të ju them deputetëve opozitarë se jeni bërë heronj të mediave shqiptare në Kosovë. Heronjtë e Albin Kurtit, shpresoj që jeni të kënaqur. Albin Kurti është i kënaqur. Shpresoj që jeni edhe ju, kjo është vetëm një pjesë e asaj se si mediat në Kosovë festojnë. Kjo është dëshmi se kush po lufton për dhe kush kundër Serbisë”, thotë Bërnabiq ndër të tjera.

    Tym, gaz lotsjellës e mjete piroteknike, u hodhën sot gjatë seancës në Kuvendin e Serbisë, derisa situata eskaloi edhe më tepër pasi pati përplasje fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

  • Tregtarët shtrenjtuan produktet për Ramazan

    Tregtarët shtrenjtuan produktet për Ramazan

    Qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmime të papërballueshme të produkteve esenciale. Ata thonë se në vend se të ketë ulje të çmimeve në muajin e shenjtë të Ramazanit, ato vetëm sa kanë shënuar rritje. Ndërkohë njohës të ekonomisë thonë se qytetarët në Kosovë kanë mbetur në duar të tregtarëve pasi që institucionet përgjegjëse nuk interesohen për situatën e krijuar.

    Në muajin e shenjtë të Ramazanit, qytetarët ankohen për çmime të pa përballueshme të produkteve ushqimore. Sipas tyre në vend të zbritjes në muajin që njihet si i solidaritetit, janë duke u ballafaquar me ngritje të tyre, duke nisur nga çmimi i bukës.

    “Katarstorë është katastrofë, çka me thanë tjetër”, tha një qytetar.

    “Çmimet nuk janë të volitshme”, u shpreh një tjetër qytetar.

    “Për standardin tonë janë të larta”, tha për rtv21 një qytetar.

    Ndërkohë në bazë të matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave, çmimet e produkteve të konsumit u rritën në një mesatare prej 1.5% në muajin janar 2025 në krahasim me muajin janar 2024. Sipas Agjencisë, shtrenjtim pati në pothuajse çdo artikull ushqimor, përfshirë edhe shërbime të tjera shtëpiake. Ndërkohë krahasuar me muajin dhjetor 2024, në janar 2025 produktet u shtrenjtuan për 0.7%. Agjencia e statistikave, thotë se në muajin janar, pati shtrenjtim edhe të energjisë elektrike krahasuar me muajin dhjetor për 2.8%.

    Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se qytetarët në Kosovë kanë mbetur në mëshirë të tregtarëve.

    Kosova ka kohë që ballafaqohet me një inflacion shumë të lartë. Ndërkohë, qeveria e Kosovës përveç ligjit për çmimet tavan i cili u rrëzua nga kushtetuesja nuk ndërmori asnjë hap tjetër. Gjë e cila për kryetarin e dhomës së tregtisë, Skënder Krasniqin është e pakuptueshme.

    “Qeveria me një udhëzim administrativ i liron çmimet, qysh sot”, tha Krasniqi.

    Situatë tjetër e vështirë për qytetarët në lidhje me çmimet është paralajmëruar në muajin prill, kur pritet të ketë rritje të energjisë elektrike për 30 deri në 35%.

  • “Jemi në një epokë riarmatimi”, von der Leyen njofton për 800 miliardë euro për rritjen e aftësisë mbrojtëse të Europës

    “Jemi në një epokë riarmatimi”, von der Leyen njofton për 800 miliardë euro për rritjen e aftësisë mbrojtëse të Europës

    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë se 800 miliardë euro do të mobilizojë për rritjen e aftësisë mbrojtëse të Europës.

    “Europa është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj. Riarmatosja e Europës mund të mobilizojë afër 800 miliardë euro për një Europë të sigurt dhe të qëndrueshme. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aleatët tanë në NATO. Ky është një moment për Europën. Dhe ne jemi gati”, tha ajo.

    Deklarata e saj vjen në mes të zhvillimeve me SHBA-në, e cila me Administratën e re Trump ka kërkuar nga Europa që të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj.

  • Ambasada Gjermane mrekullohet me Gjeravicën pranverore, fton t’i vizitoni peizazhet e saj

    Ambasada Gjermane mrekullohet me Gjeravicën pranverore, fton t’i vizitoni peizazhet e saj

    Ambasada Gjermane në Prishtinë ka shprehur emocionet e saj për bukuritë natyrore të Kosovës gjatë pranverës.

    “Përjetohet si pranverë, ndjehet si pranverë, dhe duket si pranverë!”, shkruan Ambasada në një postim në facebook, duke shpjeguar magjinë që ofron ky sezon në natyrën kosovare.

    Duke theksuar rëndësinë e udhëtimeve në natyrë, Ambasada e ka përshkruar si “mahnitëse” panoramën që ofron Kosova, veçanërisht kur vizitohet Gjeravica, si mali më i lartë dhe fqinjët e saj mahnitës.

    “Kontrasti mes pyjeve të errëta, borës së bardhë që shkëlqen, dhe qiellit të thellë blu është thjesht spektakolar”, shtohet në reagimin e ambasadës, duke ftuar të gjithë ata që vizitojnë Kosovën të përjetojnë këtë bukuri natyrore të papërshkrueshme.

    Ky postim i Ambasadas Gjermane është një përshëndetje e ngrohtë ndaj natyrës mahnitëse të Kosovës, duke nxitur gjithashtu vizitorët të eksplorojnë bukuritë e jashtme që ofron ky vend.

  • Bërnabiq kërkon që parlamenti të rifillojë punën pas trazirave të shkaktuara nga opozita

    Bërnabiq kërkon që parlamenti të rifillojë punën pas trazirave të shkaktuara nga opozita

    Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq u bëri thirrje deputetëve që të vazhdojnë punën pasi deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.

    Trazirat shpërthyen kur deputetët e opozitës, pasi miratuan rendin e ditës, u drejtuan drejt Bërnabiqit, por sigurimi parlamentar i pengoi të afroheshin tek ajo.

    Më pas, deputetët e opozitës ndezën flakë në sallë dhe hodhën gaz lotsjellës, i cili u ndje në hollin e Kuvendit.

    Ata shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngritet që regjimi të bie”, si dhe flamuj serbë.

    Gjatë trazirave aty, deputetja Jasmina Obradoviq u sëmur dhe ekipi i ambulancës erdhi në vendngjarje.

    “Dëshiroj t’i informoj të gjithë deputetët se kolegia juaj, deputetja Jasmina Obradoviq, të cilës i hodhët shok bombë, po lufton me jetën”, tha kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, raporton Blic.rs.

  • ​U ngrit aktakuza për shembjen e strehës në Novi Sad

    ​U ngrit aktakuza për shembjen e strehës në Novi Sad

    Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për neglizhencë që çoi në shembjen e strehës në Novi Sad.

    Departamenti i Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër S.K, menaxherit për zhvillimin e investimeve të SHA “Infrastruktura Železnica Srbije” me seli në Beograd, si dhe kryetarit të Komisionit për Inspektim Teknik të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad M. S. dhe anëtarin e atij komisioni B.K. në lidhje me disa vepra penale me element korruptiv, të cilat kanë rezultuar me shembjen e strehës në atë stacion hekurudhor më 1 nëntor 2024, me ç ‘rast kanë vdekur 15 persona dhe dy janë lënduar rëndë, thuhet në faqen e Prokurorisë së Lartë Publike, raporton Danas.

    Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tregoi se ekziston dyshimi i justifikuar se lëshimet e tyre kanë kontribuar dhe kanë qenë të lidhura në mënyrë shkakësore me tragjedinë e lartpërmendur, sepse nëse do të kishin vepruar me ndërgjegje dhe do të kishin kryer detyrën e tyre të inspektimit të jashtëzakonshëm, si dhe monitorimin e plotësimit të kushteve gjatë periudhës së punës provuese, do të ishin në gjendje të vërenin vizualisht shenjat e thyerjes dhe devijimit të shtuar në strehë në ditët që i paraprinë rënies së saj, përcjell KosovaPress.

    S. K. akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 359 paragrafi 1 i Kodit Penal dhe veprën penale të Veprës së Rënd kundër Sigurisë Publike nga neni 288 paragrafët 2 dhe 3 të Kodit Penal lidhur me nenin 278 paragrafi 2 të Kodit Penal.

    M. S. dhe B. K. akuzohen për veprën penale e Punës së papërgjegjshme në Shërbim nga neni 361 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal dhe veprën penale të Veprës së Rënd kundër Sigurisë Publike nga neni 288 paragrafi 2 dhe paragrafi 3 neni 28 i Kodit Penal të Kodit Penal.

    Stefanoviq theksoi se në lidhje me anëtarët e Komisionit J. V. dhe M. N.J. Është lëshuar urdhër për ndërprerjen e hetimeve për shkak se nuk ka dëshmi se ata kanë kryer ndonjë vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, ka thënë Stefanoviq.

    Ai theksoi se gjatë hetimit, në bazë të deklaratave të të pandehurve, dëshmitarëve dhe dokumentacionit të shqyrtuar me shkrim të publikuar në ueb faqen e Qeverisë së Serbisë, është konstatuar se ata të dy janë mashtruar nga anëtarët e akuzuar të Komisionit për mbikëqyrjen teknike të kryer, gjë që përjashton çdo kundërligjshmëri në veprimet e tyre.

    Sipas kryeprokurorit, elementi korruptiv në këtë rast është reflektuar në moskryerjen e detyrave mbikëqyrëse dhe moskryerjen e detyrës zyrtare, ndërsa veprat penale nga pakujdesia në shërbim dhe shpërdorimi i pozitës zyrtare përfaqësojnë të ashtuquajturat krime korruptive.

    Për kujtesë, më 1 nëntor, u shemb streha në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

    Qytetarët dhe studentët protestojnë prej muajsh për këtë arsye.

  • Rutte dhe ambasadorët e NATO-s pritet ta vizitojnë Kosovën

    Rutte dhe ambasadorët e NATO-s pritet ta vizitojnë Kosovën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post, raporton Radio Evropa e Lirë, sipas burimeve.

    Një ditë më herët shefi i NATO-s do ta vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën. Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

    NATO-ja ende nuk e ka paralajmëruar zyrtarisht një vizitë të tillë, përcjellë KosovaPress.

    Vetë Mark Rutte kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Kosovën gjatë muajit mars në një debat që kishte pasur më herët në Bratisllavë të Sllovakisë.

    Rutte të hënën ka pasur edhe një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para disa ditësh kishte thënë se stabiliteti në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

    Ai këtë e kishte thënë gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë kur u pyet në një debat nga studentët se a sheh mundësi për rifillim të konfliktit në Kosovë pasi ka zëra se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi ushtarak.

    “Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në të interesin e të gjithë neve”, ishte përgjigjur ai, përcjellë KosovaPress.

    Edhe Mark Rutte pas zgjedhjeve në Kosovë kishte bërë ftesë që të vazhdojë procesi demokratik, pjesë e të cilit është edhe formimi i koalicioneve.

    Delegacioni i NATO-s i kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Rutte, do të vizitojnë edhe misionin e KFOR-it, i cili udhëhiqet nga NATO-ja.

    Në këtë mision aktualisht janë rreth 4700 ushtarë. Prej tyre kontingjentin më të madh e ka Italia me 1250 pjesëtarë, pasi e ka edhe komandën, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rreth 600 pjesëtarë në këtë mision.

    Kjo vizitë e shefit të NATO-s pritet të bëhet në kohën e raporteve të tensionuara mes Evropës dhe SHBA-së, pas hapave të ndërmarrë nga administrata
    amerikane me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Shtetet e Bashkuara bënë trysni mbi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’u pajtuar me thirrjen e Uashingtonit për një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve në Ukrainë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë kërkuan një rol më të fortë në këtë qëllim.

    Trump tha se durimi i tij është drejt fundit dhe kritikoi rezistencën e Zelenskyt ndaj perspektivës së një armëpushimi të shpejtë, pa garanci konkrete të sigurisë, që Kievi i kërkon nga Shtetet e Bashkuara, raporton KosovaPress.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë thënë se janë të gatshëm që të dislokojnë trupa në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes, në rast se nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 2022.