ATV

Category: Lajme

  • Sot pritet të fillojë numërimi i votave me kusht

    Sot pritet të fillojë numërimi i votave me kusht

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që sot të përfundojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës dhe të fillojë atë me kusht.

    Këtë e tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, dje, në deklarimin për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku po vazhdonte ky numërim.

    Pas përmbylljes së këtij procesi, tha se aty do të nisë një tjetër numërim. E radha, sipas tij, është për votat me kusht nga 56 vendvotime sa ishin më 9 shkurt në gjithë Kosovën.

    “Ne besojmë që brenda një kohe të shpejtë, deri ditën e martë do të arrijmë të përmbyllim numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë, dhe pas kësaj do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, si dhe pastaj numërimit të votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dje, ka dalë me të dhënat më të reja nga numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës, proces që po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thotë KQZ-ja.

    Sipas tyre, procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

  • Shpërthen lufta tregtare ShBA – Kinë: Hyjnë në fuqi taksat amerikane, hakmerret Pekini

    Shpërthen lufta tregtare ShBA – Kinë: Hyjnë në fuqi taksat amerikane, hakmerret Pekini

    Taksat e reja prej 25 për qind të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve nga Meksika e Kanadaja hynë në fuqi të martën, bashkë me dyfishimin e taksave ndaj mallrave kineze në 20 për qind, duke nisur konflikte të reja tregtare me tri partneret kryesore tregtare të ShBA-së.

    Masat e reja, që mund të pezullojnë gati 2,2 trilionë dollarë në tregtinë e dyanshme amerikane, hynë në fuqi në orën 12 e 1 minutë pas mesnatës, disa orë pasi Trumpi deklaroi se të tria këto shtete kishin dështuar që të bënin mjaftueshëm për ta luftuar rrjedhjen e fentanilit vdekjeprurës dhe elementeve të tij drejt ShBA-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Kina u kundërpërgjigj menjëherë pas hyrjes në fuqi të taksave amerikane, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10 deri në 15 për qind ndaj importeve të caktuara të ShBA-së nga 10 marsi dhe një varg të kufizimeve të reja ndaj eksportit të dedikuar për entitete amerikane.

    Kanadaja dhe Meksika, të cilat kanë gëzuar një marrëdhënie tregtare pothuajse pa taksa me Shtetet e Bashkuara për tri dekada, gjithashtu pritet të marrin masa hakmarrëse kundër aleates së vjetër.

    Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se vendi i tij do të kundërpërgjigjet me taksa të menjëhershme prej 25 pë qind ndaj importeve amerikane me vlerë të 30 miliardë dollarëve kanadezë dhe me taksa të tjera ndaj importeve me vlerë të 125 miliardë dollarëve kanadezë, nëse taksat e Trumpit do të jenë ende në fuqi pas 21 ditëve.

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pritet ta njoftojë kundërpërgjigjen e saj gjatë një konference për shtyp në Mexico City të martën, tha Ministria e Ekonomisë.

  • Rama në Berlin: Kur mora detyrën në 2013 ishim si Koreja e Veriut

    Rama në Berlin: Kur mora detyrën në 2013 ishim si Koreja e Veriut

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, ku po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit, në të cilin Shqipëria është vendi i nderit.

    Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës dhe tashmë është kthyer në një fuqi turistike.

    Rama u ndal gjithashtu edhe te numri i vizitorëve, i cili sipas kryeministrit është 6 fishuar nga viti 2013 deri në vitin që lamë pas.

    Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

    “U bëmë Koreja e Veriut pasi u martuam me Kinën në periudhën më të keqe në historinë kineze dhe nga këtej mësuam shumë sesi të luanim dhe një nga këto lojëra ishte jo flokë të gjata ose mjekërr. Ky berber kushte si misionn të priste flokët e gjata dhe mjekrën në grupet e turistëve në aeroport.

    Kur mora detyrën në 2013 shifrat ishin krejt ndryshe, por edhe asaj kohe ishin shumë të ulëta rreth 2 milionë vizitorë nga 12 milion që pritëm vitin e kaluar. Shohim këtë vit shifra edhe shumë të larat me janar dhe shkurt që kanë vendosur shifra të reja.

    Gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve, gjermanët janë edhe pushuesit kryesor në botë ku ja kalojnë dhe kinezëve. Jo sepse janë shumë në shifra, por sepse qëndrojnë më shumë ditë gjithsej, kush mendon që gjermanët thjesht punojnë e kanë gabim. Dhe i duam se pijnë shumë birrë dhe hanë kur na viziotojnë. Shqipëria është destinacioni me rritjen më të shpejtë në Europë dhe është e renditura e para në botë pas pak vitesh krahë Katarit dhe Arabisë Saudite. E nuk jemi më një perlë e fshehur, po shndërrohemi në një fuqi turistike.”

  • Numërimi i votave të diasporës drejt fundit, Muharremi jep projeksionet e shpërndarjes së mandateve

    Numërimi i votave të diasporës drejt fundit, Muharremi jep projeksionet e shpërndarjes së mandateve

    Derisa procesi i numërimit të votave të diasporës po shkon drejt fundit analisti dhe statistikani Shenoll Muharremi ka bërë projeksionin e Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare.

    Rezultati i mundshëm final sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, sipas Muharremit nuk do të ndryshonte shumë nga ai që ka dalë nga votat e Kosovës.

    Analisti ka llogaritur mandatet nga 100% të votave në Kosovë dhe 79% e votave të diasporës (votat nga përfaqësitë diplomatike dhe 77% nga votimi përmes postës )

    Muharremi ka përmendur se votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta janë supozuar se ndjekin trendin e votave sipas rezultateve të votave të Kosovës.

    LVV: Vota 42.29% / Mandate 48

    PDK: Vota 20.96% / Mandate 24

    LDK: Vota 18.25% / Mandate 20

    AAK-N: Vota 7.07% / Mandate 8

    Pakicat-tjera: Vota 11.42% / Mandate 20

    Kujtojmë, se kanë mbetur për t’u numëruar edhe rreth 20 mijë vota që kanë ardhur me postë, mbi 12 mijë e 801 vota me kusht dhe mbi 2 mijë e 597 vota të personave me nevoje të veçanta, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.

  • A do të paraqitet Kurti sot në Prokurorinë Speciale?

    A do të paraqitet Kurti sot në Prokurorinë Speciale?

    Ka disa muaj që kryeministri Albin Kurti është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.

    Pavarësisht kësaj, Kurti ka vazhduar të refuzojë ftesën e Speciales për të dëshmuar në lidhje me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

    Anipse disa ftesa radhazi iu dërguan kryeministrit Kurti, ky i fundit pati vetëm një përgjigje, që prokurorët ta marrin në pyetje në Kryeministri.

    E përpos kësaj, Prokuroria Speciale më pas kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të bëjë kërkesë drejtuar Kurtit që të paraqitet në Prokuroi.

    E të premten nga Kryeministria e Kosovës dërguan letër në Gjykatën Themelore ku sërish i thanë që prokurorët ta intervistojnë Kurtin në kryeministri, madje duke ia radhitur edhe disa arsye.

    Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se kryeministri Kurti duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Speciale sot në ora 10:00

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.

    Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në bazë të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Kryeministri Albin Kurti mund të dënohet me gjobë dhe burgim nëse refuzon të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.

    Pavarësisht këtyre ftesave, Kurti sërish nuk ka njoftuar nëse do të paraqitet për të dëshmuar apo jo.

  • Pamjet ku një person e shqeu Kur’anin në Prizren, policia fillon hetimet

    Pamjet ku një person e shqeu Kur’anin në Prizren, policia fillon hetimet

    Pamjet e një personi të panjohur në Prizren teksa e shqyen librin e shenjtë Kur’anin, kanë shkaktuar reagim të madh.

    Si rezultat, Policia e Kosovës ka filluar hetimet në drejtim të veprës nxitje e mosdurimit fetar.

    Njoftimi:

    Prizren 03.03.2025 – 12:10. Lidhur me rastin, njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, është iniciuar rasti si dhe është njoftuar prokurori kompetent. Rasti është duke u hetuar.

    Mbrëmë “RTV Besa” ka publikuar një video nga kamerat e sigurisë në të cilat shihet një person teksa ka grisur Kur’anin.

    Pamjet janë publikuar edhe në mediat tjera të vendit, derisa raportohet se veprimi i burrit me grisjen e Kur’anit ka ndodhur të hënën, gjatë muajit të Ramazanit.

  • Moti sot me diell, temperatura deri në 12 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperatura deri në 12 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot me diell.

    Në njoftimin e këtij instituti thuhet se temperaturat maksimale të ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9 deri në 12 gradë Celsius.

    “Mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme e lehtë deri mesatare”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Rezultatet e 90.37 përqind të votave me postë

    Rezultatet e 90.37 përqind të votave me postë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatetet nga numërimi i 90.37 përqind e votave të mërgatës nga votimi përmes postës. Rezultatet e proceduara janë nga 169 kuti prej 187 sa janë gjithsej.

    Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.70 përqind e votave apo 28 mijë e 593 vota.

    Pas VV’së, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.15 përqind e votave apo 16 mijë e 673 vota, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 9.52 përqind apo 5 mijë e 266 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 3.09 përqind e votave apo 1 mijë e 707 vota.

  • Shtëpia e Bardhë mirëpret përpjekjet e Europës për ta ndërmjetësuar paqen në Ukrainë

    Shtëpia e Bardhë mirëpret përpjekjet e Europës për ta ndërmjetësuar paqen në Ukrainë

    Shtëpia e Bardhë mirëpriti të hënën një përpjekje të udhëhequr nga Europa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke mos thënë se si do të dukej një kontribut i SHBA-së në atë plan, raporton CNN.

    “Ne mirëpresim që europianët ta marrin drejtimin në sigurinë europiane. Dua të them, kjo ka qenë baza. Ata duhet të investojnë në aftësinë për ta bërë këtë”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz, një ditë pasi kryeministri britanik Keir Starmer foli për një përpjekje të re të koalicionit europian për të siguruar paqe midis Rusisë dhe Ukrainës.

    “Ata sigurisht që po tregojnë një vullnet dhe ata – si Starmer ashtu edhe (presidenti francez Emmanuel) Macron – e treguan këtë vullnet javën e kaluar, para të premtes. Ne patëm gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në telefon me presidentin, përpara se të hynte Presidenti Zelensky. Pra, ne mirëpresim që Europa të përparojë për Europën, por ata gjithashtu duhet të investojnë në aftësitë për ta bërë këtë”, tha Waltz.

    Ai tha se është e qartë përpara se Zelensky ta vizitonte Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar se Europa po planifikonte ta rriste kontributin e saj në sigurinë e Ukrainës.

  • Zgjidhet kryetari i ri i GjND-së

    Zgjidhet kryetari i ri i GjND-së

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), e njohur ndryshe si Gjykata Botërore, ka zgjedhur gjyqtarin japonez Yuji Iwasawa si kryetarin e saj të ri.

    Ai do të përfundojë mandatin e ish-kryetarit Nawaf Salam, i cili dha dorëheqjen në janar për t’u bërë kryeministër i Libanit.

    Mandati i Iwasawa-s do të zgjasë deri më 5 shkurt 2027, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”, përcjell ATV.

    Iwasawa ka qenë anëtar i ICJ-së që nga viti 2018. Para kësaj, ai ka qenë profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tokios dhe kryetar i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e themeluar në vitin 1945 dhe me seli në Hagë, ka si mision zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve. /atvlive.tv