ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Epopeja e UÇK-së është një testament i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë

    Osmani: Epopeja e UÇK-së është një testament i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë

    Sot shënohet 27-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shkruar se Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, transmeton Telegrafi.

    “Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë”, ka shkruar presidentja në Facebook.

    Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore.

    Pikërisht më 5 mars bëhen 27 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

    Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

    Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

  • Epopeja e UÇK-së, mësimi fillon me orë kushtuar luftës së Kosovës dhe sakrificës së familjes Jashari

    Epopeja e UÇK-së, mësimi fillon me orë kushtuar luftës së Kosovës dhe sakrificës së familjes Jashari

    Sot, me 5 mars fillon Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrjedhimisht bëhen 27 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari së bashku me familjen e tij.

    Për nder të kësaj, të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës, orën e parë të mësimit do t’ia kushtojnë Epopesë së UÇK-së.

    Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

    Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

    Në fakt, sot bëhen 27 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.

    Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti do të marrin pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të zhvillohet nesër më 5 mars.

    Po ashtu, më herët gjatë ditës, në orën 10:00, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që do të zhvillohet në ndërtesën e qeverisë.

    Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 12:00.

    Njëkohësisht, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti gjithashtu do të marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së.

    Në agjendën e publikuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës theksohet se edhe në kuvendet komunale të Kosovës do të mbahen seancat solemne.

    Pjesë e aktiviteteve, do të jetë edhe ligjërata në shkollat e Kosovës ku ora e parë mësimore do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

    Aktivitetet do të vazhdojnë edhe me 6 mars, ku krerët e shtetit dhe institucioneve do të bëjnë homazhe ne Prekaz, ndërsa që do të mbahet edhe skedimi përkujtimore në Prishtinë.

    Epopeja e UÇK-së do të përmbyllet si zakonisht me 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz dhe me programit artistik në Skenderaj.

  • Sot pritet të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave

    Sot pritet të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se edhe sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon numërimi i fletëvotimeve të dhëna nga personat me nevoja të veçanta, i cili pritet të përfundojë sot dhe më këtë përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    KQZ-ja dje ka publikuar të dhënat nga 100% e numërimit të votave të ardhura përmes postës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, proces i cili përfundoi dje.

    Sipas të dhënave të publikuara dje në faqen zyrtare të KQZ-së, nga numërimi i 187 kutive që ishin gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 31,963 vota, apo 51.57%.

    E dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 18,933 vota, që i përgjigjet 30.55%.

    Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 5,878 vota, apo 9.48%, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 2,000 vota, apo 3.23%.

    Pra gjithë procesi i numërimit, sipas KQZ-së, pritet të përmbyllet sot gjatë ditës.

  • Reuters: SHBA dhe Ukraina përgatiten të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

    Reuters: SHBA dhe Ukraina përgatiten të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

    Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump dhe Ukraina do të nënshkruajnë marrëveshjen e shumë debatuar për mineralet pas një takimi katastrofik të Zyrës Ovale të premten, në të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u “përzu” nga ndërtesa, thanë të martën katër persona të njohur me situatën.

    Presidenti Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë marrëveshjen në fjalimin e tij në Kongres të martën në mbrëmje, thanë tre nga burimet, duke paralajmëruar se marrëveshja nuk ishte nënshkruar ende dhe situata mund të ndryshojë.

    Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Administrata presidenciale e Ukrainës në Kiev dhe ambasada e Ukrainës në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

    Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi të diskutueshëm në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë. Zelenskiy kishte udhëtuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen.

    Në atë takim, Trump dhe Zëvendës Presidenti JD Vance e qortuan Zelenskiy, duke i thënë atij se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e tyre në vend që të kërkojë ndihmë shtesë para mediave amerikane.

  • Gashi: Kërkova takim me liderët e opozitës në Kosovë, vetëm Memli Krasniqi më priti

    Gashi: Kërkova takim me liderët e opozitës në Kosovë, vetëm Memli Krasniqi më priti

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se gjatë vizitës së tij në Kosovë kishte kërkuar takim me të gjithë liderët e opozitës, por vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, iu përgjigj ftesës.

    Sipas Gashit, pavarësisht mosrealizimit të takimeve me liderët e tjerë, ai i trajton të gjithë eksponentët politikë në mënyrë të barabartë dhe respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

    “Në vizitën time në Kosovë, kërkova takim me të gjithë liderët e opozitës. Me njërin prej tyre, zotin Memli Krasniqi, u takova, ndërsa të tjerët nuk ishin aty, nuk u përgjigjën. Megjithatë, mesazhi im ishte se unë i trajtoj eksponentët politikë në mënyrë të barabartë dhe e respektoj vullnetin e shqiptarëve dhe të kosovarëve për besimin që ata i japin politikanëve”, tha Gashi.

    Ai tha se kushdo që zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, bashkëpunimi do të mbetet prioritet i tij institucional.

    “Kushdo që bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, pavarësisht nga cila parti, ta dini se përkushtimi im do të jetë maksimal dhe i devotshëm për t’i avancuar raportet mes dy parlamenteve”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Ligji për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë temë politike

    Gashi: Ligji për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë temë politike

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se gjuha shqipe është një e drejtë e fituar dhe nuk duhet të politizohet. Ai tha se vendimet për ligjin e gjuhëve duhet të bazohen në Kushtetutë dhe jo në presion politik.

    Sipas Gashit, ligji për përdorimin e gjuhëve është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, por formulimi kushtetues ka krijuar paqartësi në interpretim.

    “Ne ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe e kemi pasur një prej kërkesave kryesore gjatë Marrëveshjes së Ohrit dhe luftës së vitit 2001. Përfundoi me një amendament kushtetues, i cili, për fat të keq, le për të dëshiruar dhe ka ambiguitete brenda vetes”, tha Gashi.

    Ai tha se tre nene të ligjit të gjuhëve, të cilat kanë qenë të kontestuara, nuk janë zbatuar asnjëherë në praktikë dhe për këtë arsye nuk duhet të jenë objekt politizimi.

    “Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, në uniforma, në polici dhe në banknota. Siç e dini, këto tre nene nuk janë implementuar. Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë pa ndikuar nga politika dhe jo të bjerë nën presion”, u shpreh Gashi.

    Gashi tha se gjuha shqipe duhet të trajtohet si një nevojë e shtetit dhe jo si temë për debate politike të përditshme.

    “Sa më shumë që arrijmë ta depolitizojmë këtë çështje, aq më shpejt do ta avancojmë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk duhet të jetë peng i lojërave politike, por një çështje që i bashkon qytetarët”, theksoi ai.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi për incidentin e presidentes Osmani në Shkup: Tentativë për të krijuar përshtypje të gabuar për Maqedoninë e Veriut

    Gashi për incidentin e presidentes Osmani në Shkup: Tentativë për të krijuar përshtypje të gabuar për Maqedoninë e Veriut

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për incidentin e ndodhur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, duke e cilësuar atë si një incident të panevojshëm dhe më shumë si një çështje e ekzagjeruar mediatikisht.

    Sipas Gashit, ky incident u përdor nga disa qarqe për të krijuar përshtypjen se Maqedonia e Veriut nuk është një mikpritëse e mirë për Kosovën, por zhvillimet e mëvonshme kanë dëshmuar të kundërtën.

    “Ishte një incident i panevojshëm, më shumë mediatik. Në fillim, atëherë kur u formua qeveria, kishte dëshirë nga instanca të caktuara që të shpërfaqet një tendencë se Maqedonia nuk është një mikpritës i mirë për Kosovën”, tha Gashi.

    Ai tha se incidenti nuk kishte asnjë ndikim real në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se qeveria e re në Shkup ka një qëndrim të qartë për forcimin e bashkëpunimit me Kosovën.

    “Të gjitha veprimet që pasuan në raportet mes dy shteteve tona e kanë demantuar atë tendencë që të shpërfaqet Maqedonia e Veriut, apo qeveria e re me një koalicion shqiptar brenda, si një qeveri që nuk kujdeset sa duhet për raportet me Kosovën. Në këtë rast, presidentja Vjosa Osmani ishte vetëm viktimë e një tendence të tillë”, u shpreh Gashi.

    Gashi tha se incidenti është një çështje teknike mes Ministrive të Punëve të Brendshme dhe nuk ka ndonjë element të rëndësishëm për hetim.

    “Mendoj se është çështje mes Ministrive të Punëve të Brendshme. Nuk jam i informuar se ka ndonjë epilog, por mendoj që nuk ka pasur diçka substanciale që duhet të hetohet”, tha ai.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Lidhja ekonomike me Kosovën është jetike për Maqedoninë e Veriut

    Gashi: Lidhja ekonomike me Kosovën është jetike për Maqedoninë e Veriut

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Maqedonia e Veriut ka një interes të madh për forcimin e lidhjeve ekonomike me Kosovën, pasi është shteti i vetëm me të cilin ka bilanc pozitiv tregtar.

    Sipas tij, mbledhja e parë mes dy qeverive ishte një sinjal i qartë politik për përkushtimin ndaj bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor.

    “Me vetë faktin që mbledhjen e parë mes dy qeverive e pati pikërisht me Republikën e Kosovës, kjo vetë më vete është një mesazh politik se ka një angazhim serioz dhe qëllime të sinqerta në raport me përmirësimin e këtyre raporteve jo vetëm politike, por edhe ekonomike dhe infrastrukturore”, tha Gashi.

    Ai tha se ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë është vonuar për më shumë se dy dekada, por tashmë procesi ka nisur dhe pritet të përfundojë.

    “Është për keqardhje që të përmendim edhe ta marrim në gojë rrugën Shkup-Bllacë, por fatkeqësisht për 22-23 vite është përmendur nëpër fushata dhe nuk është bërë. Kjo Qeveri ka intenca serioze, procedurat kanë filluar dhe jam shumë i bindur që shumë shpejt do të fillojnë edhe pjesa teknike e shpalljeve, që të përfundohet edhe ai segment”, u shpreh Gashi.

    Gashi tha se marrëdhëniet me Kosovën po avancojnë, duke u larguar nga paragjykimet dhe barrierat e së kaluarës.

    “Është interes i Maqedonisë së Veriut që të lidhet me Kosovën, për shkak se ne si shtet, me të vetmin shtet që kemi bilanc pozitiv në raportet eksport-import është Republika e Kosovës. Mendoj se dalëngadalë po hiqen mjegullat, po thyhen barrierat dhe po largohen paragjykimet për raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, theksoi Gashi.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Nga 1 prilli, kalimi Kosovë – Maqedoni e Veriut do të bëhet pa ndalesë të dyfishtë

    Gashi: Nga 1 prilli, kalimi Kosovë – Maqedoni e Veriut do të bëhet pa ndalesë të dyfishtë

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nga 1 prilli pritet të hyjë në fuqi sistemi i kalimit të kufirit me një ndalesë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, njësoj si mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Sipas Gashit, përgatitjet teknike janë në fazën finale, ndërsa aspektet politike dhe administrative tashmë janë të rregulluara.

    “Në bazë të informacioneve që i kam, mendoj se janë përgatitjet finale. Po testohen pajisjet, softuerët, po flasim për finalizim në aspektin teknik. Në aspektin politik, administrativ, protokollar, gjithçka është në rregull”, tha Gashi.

    Ai tha se kjo marrëveshje do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, duke shmangur ndalesat e dyfishta në kufi.

    “Për ta pasur më të qartë shikuesit tuaj, por edhe shqiptarët këtu te ne, bëhet fjalë për një kalim të ngjashëm sikur që e ka Kosova me Shqipërinë. Nëse niseni prej Shkupit, ndalesa do të bëhet vetëm në Han të Elezit, pa u ndalur në Bllacë. Ndërsa kur vini nga Prishtina në Shkup, ndalesa do të bëhet vetëm në hyrje të Maqedonisë së Veriut. Të dhënat do të ndahen mes dy policive dhe kjo do të përshpejtojë shumë qarkullimin”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Urimi i pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia e Veriut ishte në kohën e duhur

    Gashi: Urimi i pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia e Veriut ishte në kohën e duhur

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se urimi zyrtar për pavarësinë e Kosovës ishte bërë sipas protokollit dhe në kohën e duhur.

    Sipas tij, dokumentet e publikuara nga Presidenca dëshmojnë se nuk ka pasur vonesa apo probleme me këtë urim.

    “Sa i përket këtij komunikimit dhe urimit zyrtar, mendoj se u dëshmua me dokumentacione që u publikuan nga Presidenca se gjithçka ka qenë në rregull, në kohë, në mënyrë protokollare”, tha Gashi.

    Ai tha se disa subjekte politike dhe mediatike po krijojnë zhurmë të panevojshme rreth kësaj çështjeje.

    “Mendoj se ndonjëherë subjekte të caktuara politike e jopolitike mediatike mundohen të bëjnë një zhurmë të panevojshme. Nuk është interes as i Maqedonisë së Veriut, as i Kosovës, as i shqiptarëve, as më pak që të ketë këso interferenca mes Maqedonisë dhe Kosovës, prandaj i trajtoj si tërësisht të panevojshme dhe të pasakta”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: