ATV

Category: Lajme

  • ​Ekipet e përbashkëta hetimore, Hargreaves: Mbani përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve

    ​Ekipet e përbashkëta hetimore, Hargreaves: Mbani përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve

    Sot, është mbajtur ceremonia e lansimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, të zbatuar nga Sustainble Criminal Justice Solutions (SCJS), për “Forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme.

    Një nismë e rëndësishme që synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet departamentit të Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës.

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se është përgjegjësi e këtyre institucioneve për të mbrojtur pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Tutje ambasadori Hargreaves tha se i ka bërë përshtypje mënyra se si Kosova e realizon këtë mision. Ai theksoi se ka ende punë për të bërë, por gjithashtu theksoi se është i vetëdijshëm për synimin që kanë këto institucione për të forcuar më tej demokracinë.

    “Ju jeni ata që mbani përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtat dhe për të ruajtur një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Dhe gjithmonë më ka bërë përshtypja mënyra se si ju në Kosovë, e realizoni këtë mision. Sigurisht ka ende punë për të bërë, siç e dimë nga disa nga raportet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me të cilat jeni të njohur edhe ju, ashtu siç jam edhe unë. E di që po punoni me përkushtim për çështjet e ngritura në ato raporte. Por gjithashtu e di që po e bëni këtë me synim për të forcuar më teje demokracinë”, theksoi Hargreaves.

    Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial, duke falënderuar Ambasadën Britanike për ndihmën e dhënë përmes këtij projekti, theksoi se ekspertiza e ofruar, mbështetja e ofruar dhe bashkëpunimi me ekspertë vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

    “Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet e mia më të sinqerta për Ambasadën Britanike që përmes projektit të saj, përveç të tjerave ka luajtur një rol kyç në hartimin e rregullores për ekipet e përbashkëte të hetimeve, akti i cili është i një rëndësie të veçante në hetimin e veprave penale të cilat bien në kompetence të prokurorisë speciale. Kontributi juaj ekspertiza e ofruar nga ekspertët e projektit, mbështetja e pa kursyer dhe bashkëpunimi me ekspert vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë përmbajtën e saktë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.

    Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët.

    Hoxha tha se këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve.

    “Sot ne po lansojmë një iniciativë të re që do të forcoj kapacitet tona hetimore dhe do të filloj bashkëpunimin ndërinsitutcional për të arritur rezultate më të shpejta dhe efikase. Lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap tjetër në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët tanë. Ekipet e tilla do të ndihmojnë për të përmirësuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis agjencioneve të ndryshme duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe institucionet e tjera ligj zbatuese. Këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet ndërkombëtare të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve për të arritur rezultate të shpejta dhe efektive”, potencoi Hoxha.

    Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve.

  • Koreja e Veriut ndalon vizitat e turistëve, disa javë pas rihapjes

    Koreja e Veriut ndalon vizitat e turistëve, disa javë pas rihapjes

    Koreja e Veriut ka ndaluar vizitat e turistëve, vetëm disa javë pasi turistët perëndimorë hynë për herë të parë në këtë vend pas pesë vitesh.

    Pasi mbylli kufijtë në fillim të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, Koreja e Veriut filloi të lehtësojë kufizimet në mes të vitit 2023, duke hapur dyert për vizitorët rusë në vitin 2024 dhe për turistët perëndimorë muajin e kaluar në qytetin Rason.

    Megjithatë, disa agjenci turistike, përfshirë KTG Tours, Young Pioneer Tours dhe Koryo Tours, njoftuan se udhëtimet janë anuluar deri në njoftim të dytë. Arsyeja e ndalimit nuk është sqaruar nga Pyongyang.

    Në shkurt, turistët perëndimorë nisën të vizitojnë Rason, një qytet që konsiderohet si zonë ekonomike speciale, por vizitat ishin shumë të kufizuara, pa mundësi për të komunikuar me vendasit dhe pa qasje në internet.

    Po ashtu, aplikimet ndërkombëtare për Maratonën e Pyongyang, e planifikuar për 6 prill, janë pezulluar për momentin, raporton BBC News.

  • Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton EO.

    Nga aty, kreu i LDK-së tha se sakrifica e familjes Jashari është vetë liria.

    “Sot bëjmë nderime në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke nderuar sakrificën e madhe sublime të familjes Jashari, të komandantit legjendar, Adem Jashari si një sakrificë përkujtimore të vet lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.

  • Osmani viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës

    Osmani viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, shkruan EO.

    Në homazhe, Osmani theksoi rëndësinë e qëndresës heroike të Jasharajve gjatë marsit të vitit 1998, të cilët, nga plumbi i parë deri në fund, nuk u thyen, por përqafuan pavdekësinë.

    Ajo lavdëroi veprën dhe sakrificat e familjes Jashari, të cilët ende mbeten simbol i shpresës dhe forcës për lirinë e Kosovës.

    “Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharajve te Baca Rifat. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara.
    Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi”, ka thënë Osmani.

  • DW: Nuk do të jetë i lehtë formimi i qeverisë në Kosovë – cilat janë skenarët e mundshëm?

    DW: Nuk do të jetë i lehtë formimi i qeverisë në Kosovë – cilat janë skenarët e mundshëm?

    Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë dhe i duhet të bëjë koalicione.

    Ishte numërimi që zgjati më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Më në fund të mërkurën mori fund i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosja e kryeministrit, Albin Kurti renditet partia e parë me 42.28% të votave, duke siguruar 48 mandate. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%, duke siguruar 24 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 18.43% dhe siguroi 20 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma fituan vetëm 7.08%, duke siguruar 8 mandate. 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për pakicat, 10 nga to për serbët e Kosovës.

    “KQZ-ja është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Por si e shohin situatën aktuale analistët politikë, ku Vetëvendosja e Kurtit nuk e mori shumicën absolute për ta formuar e vetme qeverinë? Sipas tyre, rezultati i komplikon gjërat dhe, realisht, të dy palët mund të formojnë qeverinë me koalicione: edhe Vetëvendosja, por edhe të gjitha partitë opozitare së bashku.

    Cilët janë skenarët e mundshëm?

    Ehat Miftaraj, analist politik, i tha DW-së se “edhe përkundër faktit që LVV nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë, duke marrë për bazë specifikat që ka sistemi kushtetues në Kosovë, mbesin disa skenarë, që ndikohen si nga faktorë të brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm.” “Skenari i parë është një koalicion mes LVV-së, partive të komunitetit jo shumicë (përjashto Listën Serbe) dhe një partie politike shqiptare. Që ky skenar të realizohet në praktikë, do të kërkonte qasje afruese nga LVV dhe një gjuhë të moderuar për të lënë hapësirë për bashkëpunim, e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Përkundrazi, lideri i LVV-së i quajti liderët opozitarë me gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë ofenduese si ‘hajvanë’, që në gjuhën shqipe është sinonim i fjalës ‘kafshë’. Në këtë drejtim, është krijuar përshtypja se LVV, të paktën në publik me veprimet e saj, po abstenon nga e drejta për të formuar qeverinë e ardhshme, duke krijuar atmosferë dhe klimë përçarëse e polarizuese kundër të gjithëve”, thotë Miftaraj.

    Por nga analistët shihen edhe skenarë të tjerë mundshëm, si për shembull formimi i qeverisë së pakicës nga ana e partive politike opozitare, së paku me komunitetet jo shumicë. Analisti Miftaraj e parashikon si të mundshëm këtë skenar, nëse ka vullnet politik mes tre partive politike opozitare. “Me kushtin që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe së paku dy parti opozitare të pajtohen që pozita e kryeministrit t’i takojë njërës prej tyre, të harmonizojnë programin qeveritar dhe të pajtohen për qëndrimet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera me rëndësi, si raportet me BE-në, masat ndëshkuese etj.”

    BE pret formimin e qeverisë së re në Kosovë

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë u mbajtën pa incidente. Pas një bojkoti disa vjeçar, në zgjedhje mori pjesë edhe Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

    Në deklaratën e përbashkët të drejtueses së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, thuhet se BE-ja pret që në Kosovë të formohen Kuvendi dhe qeveria e re. “Bashkimi Evropian pret që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen në përputhje me vullnetin e popullit dhe se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj për të arritur integrimin evropian, përfshirë zbatimin e angazhimeve të saj, sidomos në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë dhe forcimin e sundimit të ligjit.”

    Në deklaratën e BE-së i bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen për bashkëpunim rajonal të përgjegjshëm dhe të intensifikojnë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes. “Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është mënyra e vetme që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane”, theksohet në deklaratë.

    Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garuan për postin e kryeministrit. Të drejtë vote kishin rreth 2 milionë qytetarë, ndërsa votuan vetëm rreth 800 mijë, e shndërruar në përqindje, pak mbi 40%. Parlamenti i Kosovës i ka 120 ulëse dhe, në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosja, që doli partia e parë, nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë. Asaj i duhet koalicion me ndonjërën nga partitë e tjera. /DW

  • Osmani dhe Kurti hyjnë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Osmani dhe Kurti hyjnë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë hyrë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, raporton KosovaPress.

    Vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari ka pritur ndaras Osmanin dhe Kurtin në kullë.

    Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vizituan Kullën e Jasharëve në Prekaz, por ndaras nga njëri-tjetri.

    Ndërsa, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, krerët e shtetit kanë bërë homazhe së bashku, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, raporton KosovaPress.

    Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit, shkruan KosovaPress.

    Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve.

  • Rikthehen kontrollet në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Rikthehen kontrollet në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, nga 1 marsi ka pushuar së funksionuari për një periudhë dymujore.

    Gjatë kësaj periudhe, pikat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, do të bëjnë përpunim e të dhënave të drejtueseve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar.

    Kjo edhe për shmangien e radhëve dhe pritjeve për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes së mjeteve dhe udhëtarëve nisur edhe nga fakti i përmirësimit të kushteve të motit.

    Edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët shprehen për lëvizje të lirë gjatë gjithë vitit ata thonë se nuk është pritur gjatë në kufi ndërsa kontrollet i shohin normale.

    Ndërkohë gjatë fundjavave dhe festave zyrtare lëvizja është pa kontrolle për automjetet me traga të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Marrëveshja e lëvizjes së lirë të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror. Pika kufitare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, përpunon numrin më të madh të mjeteve dhe udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kufirit.

  • Kongresmeni republikan në ShBA propozon Trump për Çmimin Nobel për Paqe

    Kongresmeni republikan në ShBA propozon Trump për Çmimin Nobel për Paqe

    Instituti Norvegjez Nobel ka njoftuar se numri i nominimeve për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2025 ka arritur në 338, nga të cilët 244 janë individë dhe 94 janë organizata. Kjo shifër shënon një rritje krahasuar me 286 nominimet e vitit të kaluar, por mbetet më e ulët se rekordi prej 376 kandidatësh të regjistruar në vitin 2016.

    Kongresmeni republikan në SHBA, Darrell Issa, ka propozuar presidentin Trump për ta fituar këtë çmim. Ai deklaroi përmes një postimi në platformën X se “askush nuk e meriton më shumë çmimin se sa presidenti amerikan”.

    Zyra e kongresmenit ka sqaruar se kandidatura e Trumpit është propozuar për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, mediat ukrainase raportojnë se deputeti Oleksandr Mereshko ka dorëzuar propozimin për Trumpin që në nëntor të vitit të kaluar, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan pas sukseseve të tij në zgjedhjet e SHBA-së.

    Përveç Trumpit, një sërë figurash të tjera të njohura janë nominuar për Çmimin Nobel të Paqes. Deputetët e parlamentit norvegjez kanë propozuar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe Papa Françeskun, sipas mediave ndërkombëtare.

    Vitin e kaluar, ky çmim prestigjioz iu dha organizatës japoneze Nihon Hidankyo, e cila përfaqëson të mbijetuarit e sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki.

  • Liderët e BE-së pritet ta shpalosin planin 800 miliardë eurosh për mbrojtjen

    Liderët e BE-së pritet ta shpalosin planin 800 miliardë eurosh për mbrojtjen

    Pas takimeve të krizës në Paris dhe në Londër, liderët evropianë janë mbledhur të enjten në Bruksel për një “samit të veçantë”, në të cilin bën pjesë edhe plani i tyre për një rritje të madhe ushtarake.

    Drafti i konkluzioneve, i parë nga Radio Evropa e Lirë, përmend rritjen e mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe “armëve precize”.

    “Bashkimi Evropian do ta bëjë vërtet ndryshimin” në mbrojtje, tha një zyrtar i lartë i BE-së në prag të samitit. Ai shtoi se ka “gatishmëri të qartë” nga të gjithë për këtë çështje.

    Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë në samit, edhe pse nuk është ende e qartë nëse do ta bëjë ketë fizikisht apo virtualisht.

    Cili është plani për riarmatosjen e Evropës?
    Një pikë kyçe do të jetë plani i paraqitur nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 4 mars, i quajtur riarmatosja e Evropës.

    Plani parashikon lëshimin e deri në 800 miliardë eurove për shtetet anëtare të BE-së për t’i shpenzuar për mbrojtjen.

    Konkluzionet e draftit të samitit, të cilat janë parë nga REL-i, e mirëpresin në përgjithësi planin, duke hapur rrugën për miratimin e planeve më të hollësishme në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së më 20-21 mars.

    Duke theksuar nevojën për “rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen”, teksti kërkon “veprime në nivelin e BE-së” për të forcuar kapacitetet ushtarake përballë “kërcënimeve të shkaktuara nga Rusia dhe Bjellorusia”.

    Liderët e shteteve të BE-së gjithashtu pritet të mirëpresin rregullat e reja për huamarrjen të paraqitura nga Banka Evropiane e Investimeve, duke liruar fonde për financimin e projekteve si, kazermat dhe spitalet ushtarake.

    Para samitit, pati letra e von der Leyen mori përgjigje pozitive.

    Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ky është “hapi i parë i rëndësishëm”, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis postoi në rrjetet sociale: “Tani duhet të punojmë për t’i shtjelluar hollësitë”.

    A mund të mbrohet Evropa pa ndihmën e SHBA-së?
    Plani vjen në një kohë kur Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe për disa, kjo është përpjekje e Evropës për t’u përgatitur për skenarin më të keq pa ombrellën amerikane të sigurisë.

    Në përgjithësi, politikanët evropianë e kanë hedhur poshtë këtë.

    “Ne nuk duhet të heqim dorë nga SHBA-ja”, tha ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, më 4 mars, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer u tha gazetarëve në konferencën e Londrës gjatë fundjavës: “Unë nuk pranoj që SHBA-ja të jetë aleat i pasigurt”.

    Por, fakti se ata po i thonë këto gjëra është një shenjë e shqetësimit të Evropës nga vendimet dhe deklaratat që po vijnë nga Uashingtoni.

    Dhe, në prag të samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron ngriti dyshime të tjera.

    “Unë dua të besoj se SHBA-ja do të mbeten përkrah nesh”, tha ai në një fjalim televiziv drejtuar kombit. “Por, ne duhet të jemi të përgatitur nëse kjo nuk ndodh”.

    A mund Zelensky t’i ndreqë marrëdhëniet me Trumpin?
    Përqendrimi kryesor mbetet rregullimi i marrëdhënieve të krisura mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Zelenskyt. Ka pasur disa lëvizje në këtë drejtim në ditët para samitit.

    Në fjalimin e tij në Kongres më 4 mars, Trump tha se Zelensky i kishte shkruar atij pas përplasjes së fundit në Zyrën Ovale, dhe se lideri ukrainas është i gatshëm të kthehet në tryezën e negociatave.

    Të nesërmen, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, i tha Fox News se pezullimi i ndihmës ushtarake mund të hiqej nëse Ukraina do ta nënshkruajë një marrëveshje që i jepte Uashingtonit qasje në pasuritë e saj minerale – një mundësi që, sipas një zyrtari të SHBA-së, është ende e mundur pasi Zelensky shprehu pendesë për përplasjen me Shtëpinë e Bardhë.

    Ndërkohë, më 5 mars, një zëdhënëse e qeverisë franceze i tha gazetarëve se presidenti Emmanuel Macron po shqyrtonte një vizitë të përbashkët në Uashington me Zelenskyn dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

    Por, një zyrtar i Parisit më vonë sqaroi se nuk kishte ende plane të përcaktuara për këtë.

    Çështja e Ukrainës mund të zbulojë gjithashtu mungesën e unitetit të BE-së në samitin e veçantë.

    Pas fjalimit të tij televiziv drejtuar kombit më 5 mars, Macron pati një darkë me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Pallatin Elysee në prag të samitit.

    Qëllimi i tij ishte ta bindte Orbanin, i cili ka zhvilluar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, që ta mbështesë një deklaratë që mbështet Ukrainën.

    Është e mundur që Hungaria ta nënshkruajë planin për riarmatim, por ta refuzojë miratimin e konkluzioneve për Ukrainën.

    Në fjalimin e tij televiziv, Macron tha se do të ishte “çmenduri” të shpërfillej kërcënimi që tani përbën Rusia për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.

    Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?
    Siç u tha, ky takim pason një seri takimesh të mëparshme për krizën, më së fundmi në Londër më 2 mars.

    Një pikë kyçe nga ai takim ishte se Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera do të punonin për një plan të përbashkët paqeje me Ukrainën, të cilin do ta çonin më pas në Uashington. Mund të ketë disa diskutime për këtë në margjinat e Brukselit.

    Një pikë tjetër kyçe nga bisedimet e fundit është plani për të formuar një forcë ushtarake evropiane për ta dërguar në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi ose paqeje.

    Deri tani, Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se janë gati të dërgojnë trupa në terren. Starmer tha në Londër se edhe shtete të tjera janë angazhuar, por refuzoi t’i emëronte ato.

    Një zyrtar i lartë i BE-së konfirmoi se shtetet anëtare kanë shprehur gatishmërinë, por “të hysh në detaje është ende herët.” Megjithatë, ai shtoi, “duhet të fillojë puna dhe ky Këshill Evropian është një moment i mirë për të nisur atë punë”. /Radio Evropa e Lirë

  • ​Zelanda e Re shkarkon ambasadorin në Mbretërinë e Bashkuar pas komenteve kundër Trump-it

    ​Zelanda e Re shkarkon ambasadorin në Mbretërinë e Bashkuar pas komenteve kundër Trump-it

    Zelanda e Re ka shkarkuar ambasadorin e saj më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Phil Goff, pas komenteve të tij që vinin në dyshim njohuritë historike të presidentit amerikan Donald Trump.

    Gjatë një eventi në Londër, Goff krahasoi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938, e cila i dha Adolf Hitlerit kontrollin mbi një pjesë të Çekosllovakisë. Ai kujtoi kritikën e Winston Churchill ndaj marrëveshjes dhe shtoi: “Presidenti Trump e ka rikthyer bustin e Churchill në Zyrën Ovale. Por mendoni se ai e kupton vërtet historinë?”

    Komentet e tij u cilësuan si “thellësisht zhgënjyese” dhe e bënë të “papranueshme” mbajtjen e tij në detyrë, tha Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters. Shkarkimi erdhi pasi Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas një debati të ashpër me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton BBC.

    Goff e krahasoi Trumpin me Churchill-in, i cili, megjithëse i shkëputur nga qeveria britanike, e kundërshtoi Marrëveshjen e Mynihut, duke e parë atë si një dorëzim ndaj kërcënimeve të Gjermanisë Naziste. Ai citoi edhe fjalët e Churchill drejtuar kryeministrit të atëhershëm britanik, Neville Chamberlain: “Kishit zgjedhjen mes luftës dhe turpit. Zgjodhët turpin, por do të keni edhe luftën”, përcjell KosovaPress.