ATV

Category: Lajme

  • Haliti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të ndodhë edhe në Kosovë

    Haliti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të ndodhë edhe në Kosovë

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka paralajmëruar se situata në Ukrainë mund të përsëritet edhe në Kosovë në një formë tjetër, duke përmendur sfidat që vendi përballet për shkak të statusit të tij ndërkombëtar.

    Haliti tha se Kosova është në një pozitë të vështirë për shkak të mungesës së anëtarësimit në OKB dhe situatës ekonomike.

    “Ne edhe me pasë Plan B, e kemi vështirë për shkak të situatës ekonomike që e kemi, për shkak të statusit që e kemi, për shkak se s’jemi anëtarë të OKB-së. Por, ajo që po ndodh me Ukrainën, në një variant tjetër mund të ndodhë edhe në Kosovë”, tha Haliti.

    Ai tha se Kosova duhet të përgatitet për të përshtatur politikat e saj ndaj kërkesave të administratës së Donald Trumpit.

    “Kosova duhet të jetë e përgatitur për t’iu përshtatur kërkesave të zotit Trump dhe e para që duhet të bëjë është të përgatitet për atë që mund t’i ofrojë atij si Kosovë”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haliti zbulon kohën kur ka ndodhur komunikimi i parë zyrtar mes UÇK-së dhe SHBA-së

    Haliti zbulon kohën kur ka ndodhur komunikimi i parë zyrtar mes UÇK-së dhe SHBA-së

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar se komunikimi i parë zyrtar mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndodhur në fillim të shkurtit 1998.

    Haliti tha se ky komunikim shënoi një moment historik për UÇK-në, pasi ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

    “Komunikimi i parë zyrtar me UÇK-në ka filluar në fillim të shkurtit 1998”, tha Haliti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti në krijimin e lidhjeve me SHBA-në.

    Ai tha se nga ai moment filloi puna për të bindur faktorët ndërkombëtarë për nevojën e ndërhyrjes në Kosovë dhe për të krijuar mbështetje diplomatike.

    “U desh të krijohej një klimë diplomatike botërore për të ndërhyrë. Ne patëm fat sepse grupi politik që vendosi për veprim ishte i unifikuar, pavarësisht sfidave dhe mospajtimeve të brendshme”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • “U la familja Jashari vetëm në luftë” – Haliti tregon çfarë ndodhi dhe si

    “U la familja Jashari vetëm në luftë” – Haliti tregon çfarë ndodhi dhe si

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rrethanat e sulmit ndaj familjes Jashari dhe mënyrën se si ndodhi ngjarja historike në Prekaz. Ai tha se Adem Jashari nuk duhej të kthehej në shtëpi pa mbrojtje.

    Haliti u shpreh se në atë periudhë nuk kishte formacione të mirëorganizuara për mbrojtjen e familjes Jashari.

    “Mendimi im ka qenë që Adem Jashari s’duhej të shkojë në shtëpi asnjëherë më. Sepse ai nuk ka pasur bodigarda, nuk ka pasur roje dhe as ndonjë repart që e mbante rreth shtëpisë për ta ruajtur”, tha Haliti.

    Ai tha se në atë kohë luftëtarët e UÇK-së kryenin aksione dhe më pas ktheheshin në familjet e tyre, ndërsa nuk kishte një sistem të avancuar sinjalizimi dhe mbrojtjeje.

    “Janë kryer dy-trembëdhjetë aksione për një natë, pesë aksione për një natë, por pastaj janë kthyer pothuajse të gjithë në vendet e tyre, te familjet ose njerëzit e besueshëm ku qëndronin”, tha Haliti.

    Haliti shtoi se edhe pse disa luftëtarë ishin të armatosur dhe përpjekjet për mbrojtje ekzistonin, mundësitë për një organizim të shpejtë dhe të fuqishëm në atë kohë ishin të kufizuara.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Xhavit Haliti rrëfen takimin e parë me Adem Jasharin dhe qëndrimin e tij në Shqipëri

    Xhavit Haliti rrëfen takimin e parë me Adem Jasharin dhe qëndrimin e tij në Shqipëri

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar për takimin e tij të parë me Adem Jasharin në Tiranë dhe vendin ku ai qëndronte gjatë kohës që ishte në Shqipëri.

    Haliti tha se Jasharin e takoi për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, në një periudhë kur një grup i luftëtarëve të UÇK-së po stërvitej atje.

    “Adem Jasharin e kam takuar për herë të parë në Tiranë, në kohën kur një grup që ishte në ushtrime atje ishte nisur për Kosovë dhe disa ishin arrestuar. Nuk i kam të qarta detajet se si është kthyer apo nëse ishte nisur fare Ademi”, tha Haliti.

    Ai tha se Jashari kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe se banonte në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë.

    “Ai për një kohë bukur të gjatë ka qëndruar në Shqipëri, ka banuar në Shtëpinë e Oficerëve, që ishte për të vetmuarit, ata që i quanin edhe të pamartuar”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • KQZ nuk miraton rekomandimin që të numërohen 177 kuti të votimit përmes postës

    KQZ nuk miraton rekomandimin që të numërohen 177 kuti të votimit përmes postës

    Me tone të ashpra është zhvilluar të enjten mbledhja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, e gjitha kjo pas një rekomandimi të Sekretariatit të KQZ-së.

    Me 4 vota për KQZ nuk ka miratuar rekomandimin e sekretariatit të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së, raporton Ekonomia Online.

    Ky rekomandim u kundërshtua nga anëtaret e opozitës, të cilët thanë se janë vetëm për vendimin e PZAP-së dhe jo rekomandimin e sekretariatit.

    Besnik Buzhala, u.d drejtor i sekretariatit të KQZ-së, tha se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sipas vendimeve të datës 04.03.2025, ka miratuar ankesën e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!, me ç’rast 15 fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme, të vlerësohen të vlefshme dhe të njëjtat të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

    Sipas tij, duke u bazuar në informatat e mbledhura, fletëvotimet e tilla gjenden në shumicën e kutive tjera, e që përfshijnë subjektet politike të ndryshme, dhe me këtë rast ai tha se sekretariati i KQZ i rekomandon KQZ që të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës, me qëllim që të ri vlerësohen dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet që janë shpallë të pavlefshme, në përputhje me vendimin e PZAP, ku të njëjtat pastaj, do të hyjnë në rezultate për subjektet politike dhe për kandidatët.

    “Sekretariati i rekomandon KQZ-së që të hapë të gjitha kutitë me votat e diasporës me zarf, 177 kuti, ku janë 1631 fletëvotime të pavlefshme, në mënyrë që të vlerësohen këto kuti në fletëvotimet që janë shpallur te pavlefshme, bazuar na vendimin e Pzap për shpalljen të pavlefshme të 15 fletëvotimeve, pas ankesës së subjektit politik, LVV”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ nga PDK Ilir Gashi, ka thënë se janë kundër këtij rekomandimi dhe se janë për vetëm për vendimin e PZAP-së.

    Gashi tha se vendimi i PZAP është marr dhe është si një rezultat i një procedure.

    “Keni bërë një kërkesë hipotetike e cila nuk do të duhej të vije nga ju. Janë fletëvotimi që janë burimi i një printeri. Unë kam thënë që nga fillimi që ky proces është i kontaminuat. Unë jam për të respektuar vetëm vendimin e PZAP vetëm për vendimit konkret, asnjë kuti tjetër nuk duhet të hapet pa një vendimi të PZAP. Unë kërkoj që ky rekomandim të mos mbështetet. Duhet që t’i presim afatet e ankesave”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ nga VV-ja Sami Kurteshi, ka thënë se janë pro këtij rekomandimi.

    “Rekomandimi ishte i detajuar, ne kemi një vendim të PZAP-së, që gabimisht janë shpallur të pavlefshme. Bëhet fjalë për fletëvotime që kanë qenë të shtypura. PZAP thotë se janë të vlefshme sepse është ditur qëllimi i votuesit. Duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme dhe të rinumërohen”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja Ibrahim Selmonaj, ka thënë se gjithë procesi i votimit me postë për të dhe partin e tij është i kontaminuar.

    Për këtë ai ka thënë se e përkrahin vetëm vendimin e PZAP.

    “Edhe në numërofshin të gjitha votat me postë për mua dhe AAK janë vota të kontaminuara, të dyshuara dhe janë vota që nga fillimi që ka nisur regjistrimi dhe transporti nuk na japin një garanci që kjo votë është e sigurt. E mbështes vendimin e PZAP”, ka thënë ai.

  • ​Jack Daniels kritikon vendimin e Kanadasë për të hequr alkoolin amerikan

    ​Jack Daniels kritikon vendimin e Kanadasë për të hequr alkoolin amerikan

    Provincat kanadeze po heqin alkoolin amerikan nga raftet e dyqaneve në përgjigje të politikës tregtare të Trump, e ka thënë kreu i prodhuesit të Jack Daniel’s, Brown-Forman.

    Disa provinca kanadeze, përfshirë Ontario-n, që është edhe më e populluara, morën masa këtë javë në hakmarrje për tarifat e SHBA-ve për produktet kanadeze, shkruan BBC.

    Këshilli i Kontrollit të Alkoolit të Ontarios (LCBO), një nga blerësit më të mëdhenj të alkoolit në botë, e hoqi alkoolin e prodhuar në SHBA nga raftet e tij të martën.

    Kreu i Brown-Forman, Lawson Whiting, tha se përgjigja kanadeze ishte “pa proporcionale” ndaj tarifave prej 25 për qind për produktet kanadeze të imponuara nga administrata Trump. “Do të thosha se është më keq se një tarifë, sepse është duke hequr produktet tuaja, duke i larguar plotësisht ato nga raftet”, shprehu Whiting, pwrcjell KosovaPress.

    Në përgjigje të tarifave, Kanadaja ka hakmarrë me tarifa 25 për qind për produktet e importuara nga SHBA, përfshirë birrën, pije aloolike dhe verën.

    Disa provinca gjithashtu morën masa vetë, përfshirë Ontario-n dhe Nova Scocinë, shkruan BBC News.

    Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se LCBO shitet pothuajse 1 miliard dollarë alkool amerikan çdo vit. “Që nga sot, çdo një nga këto produkte është larguar nga raftet”, tha Ford të martën.

    LCBO është shpërndarësi ekskluziv në Ontario, që do të thotë se shitësit e tjerë, bare dhe restorante në provincë nuk do të kenë mundësi të rimbushin produktet amerikane, tha Ford.

    Megjithatë, zoti Whiting tha se Kanadaja përbën vetëm 1 për qind të shitjeve totale të Brown-Forman, kështu që firma mund ta përballojë këtë goditje.

    Kanadezët po këshillohen nga LCBO të blejnë produkte të prodhuara në Kanada. Disa kanadezë janë kthyer tek produktet lokale si përgjigje ndaj tarifave të Trump.

  • Ekonomisti serb: Serbia po falimenton

    Ekonomisti serb: Serbia po falimenton

    Profesori serb i ekonomisë, Sllobodan Komazec, deklaroi sot se borxhet e Serbisë arrijnë në 105.3 miliardë euro dhe se vendi po i afrohet falimentimit.

    Ai thotë se Serbia me në krye Aleksandar Vuçiqin janë duhe e shkatërruar buxhetin në investime të panevojshme siç janë pajisjet ushtarake dhe avionët luftarak, shkruan Beta, transmeton KosovaPress.

    “Qeveria vazhdon të marrë hua në mënyrë të pamatur për të mbuluar investime vërtet të panevojshme dhe joefikase ‘Rafale’, pajisje ushtarake e të ngjashme”, përfundoi Sllobodan Komazec.

    Komazec tha për agjencinë Beta se shteti ka marrë një barrë të madhe borxhi, e cila, siç tha ai, po mbyt dhe pamundëson financiarisht zhvillimin e ekonomisë.

    “Huamarrja e pakontrolluar si një proces i fshehur ka çuar në barrën e madhe të borxhit publik dhe të jashtëm të Serbisë. Barra e borxhit që shtyn me peshën dhe detyrimet e saj të borxhit është rritur në mbi 105 miliardë euro. Sektori publik ka akumuluar borxhin e jashtëm në 27.8 miliardë euro dhe borxhin e brendshëm në 12.2 miliardë, gjithsej 40 miliardë euro”, tha profesori.

    Ai shtoi se kompanitë kanë 18.3 miliardë euro borxh jashtë vendit, dhe 11 miliardë kredi nga bankat vendase, në total 29.3 miliardë euro.

    “Popullsia merr 14.3 miliardë euro hua nga bankat në vend. Përveç këtyre borxheve klasike, ka edhe detyrime të tjera që rëndojnë ekonominë. Këtu përfshihet TVSH-ja e papaguar prej katër miliardë eurosh, garancitë e lëshuara të vonuara shtetërore prej 1.1 miliardë euro, kamatëvonesa për borxhet prej pesë miliardë eurosh, borxhet në sistemin e investimeve të huaja direkte prej 10.8 milionë eurosh të papaguara 20 miliardë euro. Detyrimet totale të borxhit arrijnë në 105.3 miliardë euro”, theksoi Komazec, shkruan Beta.

    I pyetur se cilat do të jenë pasojat e detyrimeve të mëdha të borxhit, Komazeci tha se mekanizmi “i pakontrolluar” i huamarrjes, pa projekte, programe, përllogaritje efektesh dhe kontrolli, çon në rritje të shpejtë të borxhit, që çon në falimentim dhe falimentim të shtetit.

    “Nëse produkti i brendshëm bruto në vitin 2024 ka qenë 76.4 miliardë euro, kjo do të thotë se barra e borxhit arrin në 113 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Nëse shtohen detyrimet e tjera të borxhit (kamatat dhe borxhet e fshehura), barra e borxhit arrin në 138 për qind të PBB-së 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto”, shpjegoi Komazec.

    Sipas tij, huamarrja e pakontrolluar dhe përdorimi joefikas i borxhit kanë krijuar një kurth borxhi në të cilin ekonomia në tërësi punon vetëm për interesat e borxheve.

  • ​Prekazi historik me mijëra vizitor

    ​Prekazi historik me mijëra vizitor

    Mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës e rajonit kanë vizituar të enjten Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shënim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në tokën ku u shkrua historia me gjak, ku çdo gur e çdo prag flet për qëndresën e një familjeje që zgjodhi lirinë para jetës, vizitorët u ndalën me përulësi para sakrificës së tyre. Ata kujtuan dhimbjen e marsit tragjik të vitit 1998, por edhe ndjenjën e krenarisë që mbetet e përjetshme, raporton KosovaPress.

    Njëkohësisht bënë thirrje për më shumë vlerësim dhe përkujdesje institucionale ndaj kontributit të dëshmorëve për liri dhe pavarësi.

    “Ndihem krenar, por më dhimben shumë ata që dhanë jetën për këtë vend”, thotë mes lotëve qytetari, Januz Musliu nga Komuna e Mitrovicës.

    Derisa, shprehet i zhgënjyer për mënyrën si po trajtohet sot sakrifica e tyre nga institucionet shtetërore.

    “Ndihem krenar shumë, por po më dhimbem më së shumti ata që kanë dhënë jetën për këtë vend… Këtu veç njerëzit e lig kanë bërë kështu, kjo është dashtë të jetë më mirë, por kanë këqyr përveti, kanë mundur të rregullojnë më mirë këtë vend.. Ditë shumë e rëndë kjo”, rrëfen Musliu.

    Nga Prizreni kishte ardhur Nazmi Qollaku, me një ndjenjë të thellë respekti për heronjtë e kombit.

    “Nuk kam fjalë sa e meritojnë kjo familje. Prej Prizreni jam ardhë t’i vizitoj e nderoj këta… Ata që ja dinë vlerën luftëtarëve duhet të bëjnë çdo gjë dhe më tepër, shteti i ka në duar, ne nuk mund të bëjmë asgjë… duhet të bëjë më shumë”, tha Qollaku.

    Bekë Mulaj, një tjetër vizitor, kujtoi me dhimbje marsin e vitit 1998, kur u zhvillua beteja heroike e familjes Jashari.

    “Mërzinë më të madhe e kemi ditë në vitin 1998, tragjedia më e madhe që nuk e përshkruan askush deri më tash. Dhimbje të gjithë, por ranë këta e na dhanë lirinë…Deri diku (po vlerësohet sakrifica tyre) por qysh duhet jo, qysh kanë kontribuar këta, ne nuk po kontribuojmë për ta, as ne, as udhëheqësia”, tha Mulaj.

    Vetëm nga 1 deri më 6 mars, afër 30 mijë qytetarë kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ndërsa deri më sot nga fillimi vitit pa e llogaritur ditën e sotshme numri i përgjithshëm që vizituan Prekazin është mbi 14 mijë.

    Kështu ka bërë të ditur Ciceroni i këtij kompleksi, Ilaz Halimi. Ai për KosovaPress ka thënë se vetëm sot më 6 mars rreth 16 mijë qytetarët e vizituan këtë vend.

    Ndryshe 5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.

  • “Na rreshtuan për pushkatim, gjithçka u mbulua me gjak dhe flakë” – rrëfimi tronditës i Nait Hasanit

    “Na rreshtuan për pushkatim, gjithçka u mbulua me gjak dhe flakë” – rrëfimi tronditës i Nait Hasanit

    Nait Hasani ka qenë njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e gjithashtu edhe ish i burgosur politik… Kontributin e tij në vazhdimësi, ai nuk ka reshtur së shprehuri për vendin…

    Nait Hasani ishte i ftuari i radhës në emisionin “LIBERO” në ATV dhe rrëfeu detajisht për sa u takon vështirësive që kishte kaluar në burgje (për 11 vjet), dhe gjithashtu përmendi edhe përjetimet e kaluara gjatë kohës së luftës!

    Gjatë intervistës në LIBERO, Hasani rrëfeu për momentet më të rënda që kishte përjetuar, veçanërisht gjatë kohës kur ndodhej në burgun e Dubravës, ku ishin rreth 1,000 shqiptarë. Ai kujtoi momentin kur filluan t’i pushkatonin shqiptarët e burgosur dhe mendoi se gjithçka kishte marrë fund dhe se vdekja ishte e pashmangshme.

    “… Ata nuk na thanë që ishte për pushkatim, por na thanë se duhej të rinumëroheni sepse nuk ka kushte për jetesë. U afruam… Dhe filluan gjuajtjet nga pushka, mitralozi, automatikët dhe bomba e të tjera. U bë tym dhe flakë (siç themi ne), nuk shihej asnjë njeri, vetëm mund të shihje pikat e gjakut të atyre që i kapte plumbi apo granata. Aty Naitit i kam thënë që ne e mbyllëm kapitullin tonë, jeta për ne përfundoi këtu dhe tani presim çdo moment të vdesim. Kemi bërë çka kemi bërë për vendin…”, potencoi Hasani.

    Vlen të theksohet se Nait Hasani, ka qenë (është) deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në disa mandate. Ai gjithashtu ka qenë edhe Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri (gjatë periudhës 21.10.2019 – 30.08.2021)!

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Nait Hasanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Mbyllja e përkohshme e TikTok-ut, reagon Edi Rama

    Mbyllja e përkohshme e TikTok-ut, reagon Edi Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut, është një vendim i marrë në konsultimin e gjerë më 65 mijë prindër e mësues.

    Nëpërmjet një postimi në “X”, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Shqipëria është në një dialog shumë pozitiv me kompaninë.

    “Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, ka shkruar Rama.

    Ndërkohë, ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se kufizimi do të jetë për një periudhë 12 mujore.

    Qeveria e miraton vendimin: TikTok-u mbyllet në Shqipëri